Pak orë para se të lexoja që në 8 mars gratë e opozitës e përfaqësuesit e shoqërisë civile shqiptare kishin vendosur të dilnin në shesh në protestë e në kërkim të dinjitetit të nëpërkëmbur nga goja e aktet e kryeministrit të Shqipërisë isha duke menduar të njëjtën gjë: që 8 marsi këtë radhë lipsej të organizohej ndryshe. Dhe përfytyrova një skenë, madje disa syresh, mbarsur me të njëjtët elementë.

Në fakt kish do kohë që sa herë që dëgjoja një tjetër fyerje nga goja e kreut të qeverisë, e vrisja mendjen se cila do të ishte arma më efikase për ta bërë këtë njeri - sëpaku - të mos i stërkalte gratë, nënat, fëmijët, familjet e "armiqve" e madje fiset e tyre me atë pështymë. Sepse që ai burrë ka ndotur shumë, kjo nuk do më as vesh as sy e as hundë, pasi edhe kur i mbyll shqisat krejt, ndotjes nuk i shpëton dot. Por njeriu në fjalë i paska gjëndrrat pështymore shumë prodhimtare, ndaj duhet bërë diçka për t'ia normalizuar telashin.

Duke u kthyer tek skena që përqasa: për çdo ulërimë, sharje, epitet vulgar që ky mesoburrë lëshon, t'i dërgohej një tufë e madhe me trëndafilë të bardhë. Ai një tjetër sharje - përkundër, e fyera/i fyeri, një tufë me trëndafilë të bardhë. Berisha një tjetër shëmti - si shpërblim një tjetër tufë me lule. Kështu. Pa u dorëzuar. Një ping-pong mes shëmtisë e rezistencës.

Doradorës, domosdo, do lindnin dy probleme jo të vogla: njëri për ndërtesën e Këshillit të Ministrave, ngaqë tufat e luleve do bëheshin mal; tjetrën bela do ta kishin luleshitësit, ngaqë nuk do furnizonin dot klientët me trëndafilë - fundja jemi në Shqipëri, falë çimentos që po gllabit tokat nuk kemi më vend as për domatet e lëre më për lulet.

Por le të qëndrojmë një çast në botën e fantazisë: le t'ia shkatërronim nervat atij njeriu e tufës së bërtitësve që i bëjnë iso nga pas. T'ia shkatërronim nervat duke i kundërvënë edukatën si të parafundit mjet rezistence. Le ta bombardonim me lule, me trëndafilë të bardhë. Ta bënim këtë bombardim me disiplinë e këmbëngulje.

Do t'ia lëkundnim barazpeshimin lajthitjes së Berishës, se nuk është e vërtetë që vetëm urtësia e kthjelltësia kanë aftësinë e ekuilibrit. Ligësia, gjithashtu. Kjo e fundit lind, rritet, fryhet e zmadhohet e forcohet deri sa përsos vetveten, në dëm të të tjerëve. Mjafton t'i hidhet një sy historisë së Europës e shembujt janë të shumtë, pa na u dashur të shkojmë larg. Djallëzia e ligsht e papërgjegjshmëria e kanë çuar kreun e qeverisë shqiptare drejt përsosjes së agresivitetit politik që në thelb ka vetëm një qëllim: të mbrojë me thonj e me dhëmbë kleptokracinë e kabinetit të tij dhe të gjithë sistemit që ka krijuar rreth.

Dhe këtu po e mbyll kapitullin e ironi-provokimit me skena trëndafilësh, ndonëse simbolet jo rrallë - të alternuara me mjete të tjera efikase të luftës për një shoqëri në mos më të mirë, të paktën ndryshe - kanë ndihur në rrëzimin e diktatorëve, kleptokratëve, gangsterëve politikë, mbretërve, perandorëve. Mes një simboli e një daljeje në shesh për të protestuar, përgjatë historisë së njerëzimit ka rrjedhur gjithmonë gjak. Kjo ndodhi edhe në Tiranë më 21 janar. Në Tiranë u derdh gjaku i katër njerëzve. Bashkëndaj mendimin me një pjesë të kolegëve kundër në Shqipëri: këtij fakti (gjakderdhjes përmes plumbit të qeverisë, e jo të opozitës) kryeministri shqiptar po rreket t'i shpëtojë ashtu si di, ashtu si mundet, ashtu si e këshillojnë, nëse ende ndokush e këshillon.

E vërteta është e thjeshtë: kryeministri i Shqipërisë po hidhet si pelivani përmbi tel për t'i shpëtuar një fakti: katër burrat e vrarë ishin shqiptarë të paarmatosur. Për Tunizinë, Egjiptin, Libinë, Jemenin (e le të lëmë jashtë Kinën se në përmasat e saj do humbisnim fare) katër njerëz janë një hiç, janë ajo që gjeopolitika quan "quantité négligeable". Por ata katër njerëz për ne shqiptarët janë një shkëmb i rëndë, janë një "j'accuse" e pamëshirëshme kundrejt qeverisë shqiptare..

Ndaj Berisha po kacaviret mureve e tavaneve në rrekjen që të mos bjerë në tokë, po e bën këtë në mënyrën e tij, ndyrë e pështyrë, i cytur nga paniku, turfullimi, dritëshkurtësia, arroganca dhe Mosdashuria ndaj popullit të tij - Berisha po hedh shkelmat e fundit, pështymën e fundit, kërcënimet e fundit. E bën këtë gjë Berisha ashtu si po e bën Silvio Berlusconi në shtetin përballë (në kurriz të popullit të tij): etiketon, shan, nëpërkëmb dhe i reziston të pashmangshmes, lëshimit të karriges. Pasi kjo do të ndodhë në Shqipëri. Nuk është më një "nëse" por një "kur". Çështja është: me çfarë çmimi? Me të tjerë të vrarë në rrugë?

Me broçkullat e fundit, me pështymat e fundit, me teatrin e kukllave sharëse që kryeministri vë në skenë nën trajtën (e trishtuar) të disa eksponentëve femërorë të maxhorancës, Berisha po sfidon të fundmet qeliza shëndeti në gjirin e psiqikës kolektive. Populli është lodhur aq sa nuk ka më dëshirë e nuk i kanë mbetur më forca të kuptojë. Mes sharjesh e kundërsharjesh; akuzash e kundërakuzash; mes gjuhës prej gangsterësh të qeverisë nga njëri kah, dhe retorikës së edukuar por jo bindëse e të njollosur, gjithashtu, nga hijet e dyshimit për korrupsion klanike të kahut opozitar, populli shqiptar rrezikon të mos kuptojë se sa e rëndësishme është që të bëjë rolin e vet në datën 8 maj: të votojë. Me përgjegjësi e kokën mbi shpatulla. Por në mënyrë që opinioni publik të mund të vijë në vete e të mundet të gjykojë me kokë të freskët duhet të krijohet pak heshtje cilësore.

Një nga mjetet e torturës me efikase në kohët moderne në çdo regjim e diktaturë është lënia e të burgosurit me dritë ndezur e një muzikë që nuk pushon kurrë së kënduari. E përdornin kasapët e diktaturës ushtarake të Jorge Videlës në Argjentinë; e përdornin vietkongët me ushtarët amerikanë të zënë rob gjatë luftës së Vietnamit; e kanë përdorur kinezët; është përdorur në burgjet politike sovjetike për dekada, e kështu me radhë... Opinioni publik shqiptar, është kthyer - pa dëshirën e tij - në një të burgosur që nuk i shpëton dot së njëjtës muzikë. Nuk ka ku shkon: i shërbehet çdo ditë një çjerrje, sharje, debat, tifo stadiumi, shpifje. Kështu që edhe kur dëgjon ndonjë njeri që flet mirë dhe me terbiet, nëse e dëgjon, i lind dyshimi: ku është hileja!? Pse na u sjellka kështu ky? Ai tjetri po e shan me nënë e me katragjysh, ky ç'është, i tredhur që nuk ia kthen me të njëjtën monedhë? Kështu do të na qeverisë ky neve, më këto të folura pa këllqe?

Një nga thëniet më të njohura të një figure të shquar gjatë periudhës së revolucionit irlandez shkon pak a shumë kështu: "Unë nuk i urrej ata (anglezët) për racën e tyre, për brutalitetin që përdorin ndaj nesh. I urrej, ngaqë nuk na kanë lënë udhë tjetër. Sepse e kanë bërë urrejtjen të nevojshme."

Por Shqipëria sot nuk është e pushtuar nga askush, veçse nga vetvetja. Kjo demokraci kaq infantile është e mbajtur peng nga fantazmat e një të kaluare diktatoriale e nga një qeveri që e ka të vështirë të dalë pikërisht nga ajo forma mentis, ndonëse çdo ditë mbush gojën e mikrofonët e psiqikën e sfilitur të vendit me rrezikun ndaj demonëve të kuq. Shqipëria është vetëm një centimetër larg kufirit të mbramë të urrejtjes në gjirin e saj. Ndaj i lipset, në këtë çast një qetësi cilësore; një kursim i fjalëve, një heshtje e përbërë nga trëndafilë të bardhë. Në mënyrë që të mbledhë forcat e fundit e të dijë si të votojë.

Nga ajo votë do të shihet nëse Shqipëria ka ende kurriz për të duruar dhunën e njohur të qeverisë aktuale (e cila në rast fitoreje do polarizojë vendin edhe më keq, në mënyrë të pakthyeshme), apo do të ketë kurajon konstruktive të hapjes së udhës së ndryshimit në zgjedhjet e mëtejshme politike.

Nëse populli ende beson në qeverinë "Berisha" kjo do të pasqyrohet në votën vendore të 8 majit. Po ashtu, sipas të njëjtës hipotezë, nëse opozita në zgjedhjet vendore nuk do të arrijë të ketë fitoren e shumëdëshiruar, don të thotë se në punën, imazhin, përgatitjen e kësaj opozite ka ende shumë, shumë për të bërë, dhe strukturat e Partisë Socialiste dhe aleatët duhet të rishikojnë çdo hallkë të rangjeve të veta e të mënyrës se si e çon përpara politikën, që nga ai çast e tutje. Ngado që ta kthesh zgjedhjet e 8 majit nuk janë thjesht zgjedhje vendore, por shumë më shumë se aq...

Por përpara 8 majit vjen 8 marsi, dhe gratë shqiptare po gatiten të dalin në rrugë. Në dritën e gjithë kompleksitetit të situatës uroj që opozita shqiptare dhe shoqëria civile të organizojnë diçka të bukur, thellësisht estetike. Ç'ishte për t'u thënë është thënë. Llapashitjeve nervore e nervoze, gjuhësore e hormonale të kryeministrit shqiptar gratë e Shqipërisë do të dinë t'i gjegjen me një heshtje prej trëndafilësh të bardhë, në ditën e mimozave. E do ishte bukur, që një pjesë e gravë të maxhorancës të bashkoheshin në atë tubim. Përseja është e qartë...

Marrë nga ResPublica

52 Komente

Nuk kam ndonje problem me shkrimin e Donesit, madje mu duk i mire, problemin e kam me keto grate e 8 marsit. Moj gra, keni 364/365 dite te vitit per te protestuar per ceshtje politike, ekonomike, etike. Dhe nuk protestoni. Nje dite te vitit qe e keni per te protestuar per nje problem specifik, protestoni per politiken. S'e di ne me vjen keq a turp per ju, me dukeni si dele te humbura.

Mbase trajtohen mire nga burrat... Shon Valentin 365/365!!

Vrasja barbare e djalit, vellait, burrit, anetarit te familjes, mikut dhe shoku nuk eshte problem specifik? 

Turp te te vij ty njer ne rradhe te pare qe je femer dhe sa pak solidaritet tregon edhe per 8 marsin.

mbahu bre burre. harrova qe grate shqiptare i rrisin djemte per lufte, dhe i qajne kur vdesin. turp te me vije qe nuk tregoj solidaritet me kete lloj ndarje punesh.

Une mbahem, por meqe permende turpin dhe delet ti shkruajta, kaq kisha une. Nese se kupton, nuk mundem te te ndihmoj, s'je e vetme.

 

 

 

 

trop, hall ke me e shty turpin me vere nja tre a kater dite a sa i bie smiley.

Liqen, une them rilexoje me qetesi trop smiley.

 

ky sygjerimi jot, i inkurajon femrat te rrine larg politikes, me duket mua.

ti thua, kjo eshte dita juaj si femra, pse duhet ta harxhoni per nje ceshtje politike, i.e. c'u duhet juve politika.

Elvira, kam bindjen se duhet te kete kaluar shume kohe nga hera e fundit qe ke kaluar momente te zjarrta me nje person te seksit te kundert. Ke akumuluar shume energji negative, te cilat kur nuk clirohen, te bejne shakara te hidhura me ekuilibrin mendor. 

ooooppaaa tha, plasi psikanaliza dhe keteeeeeej smiley

ne hotele e "skipin" katin e trembedhjete. Kjo mu kujtua kur mendova daten 8 te marsit. O gra te dashura, eshte komplot kunder jush! Shkoni nga 7-a tek 9-a. Ne mars vetem kjo. Mos i beni floket "permanent" ate dite. Ju a kane me hile forca madhore, eshte perbetim "marsian", ka dicka te hidhet aliene ne ate date... brr, a nuk e ndjeni acidin organik radikal-COOH qe vjen nga ylleisa Vega, pikerisht ne ate date, sikur meridiani zero i grenuichit te kalonte nga maja e piramides se keopsit? ne daten 8 te marsit do mbaroje edhe shenja e peshkut ne zoodiak, dhe do vije ujori... e kuptoni perbetimin tani... dmth astrale gjeja, dmth peshku.. pa... uje... mos i besoni dates 8! Njerez ju kam dashur. Jini vigjilent!

 të paska infektu ravintsara dhe ty, emigrant? smiley

Dones kohe me pare shruante me mire ,me kuptueshem e me pak konfuze.Ketu ka konfuzion.Pataj kto grate qe festojne 8 marsin se ç'kane diçka ose shume ç'ka prej burrash...Trishtim e squallore

Përshkrimi i situatave tek Donesi, kam vënë re është tejet blatant, bardhë e zi, pa asnjë lloj dritë-hije.  Ky karakterizim që deri-diku i falet në letërsi, (dhe pse një letërsi e lartësive të ulëta) nuk është dhe aq i përligjur në cështjet e politikës dhe të aktualitetit. Harron Znj. Dones që Kryeministrin aktual e ka votuar një pjesë e konsiderueshme e elektoratit (ndër këta një pjesë e mirë janë gra). Përse autorja e quan të mirëqenë faktin e uzurpimit të pushtetit prej tij? Mendoj, se uzurpimi i pushtetit, nuk është dicka që mund të fshihet dhe aq në situatën në të cilën jetojmë. Uzurpimi i pushtetit krijon një precedent aq të rrezikshëm për shoqërinë, saqë uzurpatori përdor masa drastike për ta fshehur këtë fakt, duke kufizuar në shkallë të konsiderueshme të drejtat dhe liritë e njeriut. Ndërkohë, fakti që znj. Dones, ka mundësinë të shprehet në këtë mënyrë, sikur nuk i shkon shumë për shtat këtij skenari. Lidhur me protestën, mendoj se është plotësisht e ligjshme dhe zgjedhja e datës 8, vetëm sa e përforcon mesazhin që kërkohet të përcillet.

Shkrimi ka momente naive, por pjesa e dyte eshte e sakte fare. 8 Marsi ne fakt eshte dite proteste, jo per tu kallais e ngrefos ne party me gra. Kete vit ka dhe nje arsye me teper per tu mbledhur.

Me vjen keq sidoqofte per ato lule qe do keputen e do hidhen ne shenje proteste kunder nje hajvani.

Me Lirken bashkohem ne ate qe Dones ben letersi jo te qiejve te larte, ama i heq kapelen qe ate njohje qe ka grumbulluar sigurisht me punen e vet, e perdor ne menyre civile. Kokat e medha le te mendohen ende, ose me mire le te presin c'drejtim do fryje era... 

 

Av, Lirka dakort per shkrimin.

Por dicka tjeter ne lidhje me protesten per 8 Marsin.  Duhet te ishin ngritur grate kur Prokurorja jo vetem si institucion por edhe si femer u quajt "lavire bulervardi", bile pertej KM-s, edhe nga femra te tjera ne politike.  Duhet te ishin ngritur grate edhe per votimin familjar qe Lirka permend si faktor votues.  Duhet te ishin ngritur grate edhe kunder burrneshave qe i perfaqesojne.  E shume e shume te tjera.  Ne kete pike bie disi dakort me trop.  Mesazhi i protestes se 8 Marsit duhet te jete me i gjere.

dakord. Por meqe deshtuan te ngrihen heret e shkuara, mos ngrihen as kesaj here?

si i behet pra? ta mbysim dhe kete ze te vetmuar te nje gruaje si Dones, ne emer te mospermbushjes se shijeve tona te nalta estetike?

Oh se harrova. Lirka, kryeministri juaj eshte uzurpator. Qe se ka care menderen per asgje e per asnje. Deri ne 21 janar. Aty ndryshon puna. Jane 4 shpirtra qe nuk kalojne dot ne jeten tjeter, jane ulur e rrine e presin mbi catine e zyres se tij, derisa te merret shpagim. Ca pune nuk mbyllen lehte, si fjala vjen kapaku i lavatrices pasi lan teshat e javes.

Te zgjerohet mesazhi Av, nuk thashe te mos ngrihen.   

mes gjuhës prej gangsterësh të qeverisë nga njëri kah, dhe retorikës së edukuar por jo bindëse e të njollosur, gjithashtu, nga hijet e dyshimit për korrupsion klanike të kahut opozitar

 

Gjuha e qeverise eshte gjuhe gangsteresh, kurse ajo e opozites nuk eshte shume bindese, paksa e njollosur e ka hije dyshimi per korrupsion klanik por gjithesesi e edukuar.

Kuptoni ju?

 

Nga ajo votë do të shihet nëse Shqipëria ka ende kurriz për të duruar dhunën e njohur të qeverisë aktuale (e cila në rast fitoreje do polarizojë vendin edhe më keq, në mënyrë të pakthyeshme), apo do të ketë kurajon konstruktive të hapjes së udhës së ndryshimit në zgjedhjet e mëtejshme politike.

Pra po fitoi koalicioni PD-LSI do te thote qe populli ka kurriz per te duruar dhunen e qeverise aktuale dhe vendi ka per t'u polarizuar, kurse po fitoi PS-ja do te thote qe populli do kete kurajon konstruktive te hapjes se udhes se ndryshimit.

Te keqen e argumentit qe s'toleron asgje tjeter pervec fitores se PS-se.

  Vetëm për metaforën e trëndafilave ia vlente të sillej shkrimi. Sepse ka kapur një pikë shumë interesante aty: mënyrën e duhur (mbase më të mirën), për tu përballur me përbaltjen, injorancën, njerëzit e pagdhendur, shpifësit, mashtruesit, gënjeshtarët, populistët etj.

  Elvira duket të jetë një nga ata pak njerëz që kam hasur unë, të cilët mendojnë dhe janë të bindur se të çmendurit nuk duhet t'i përgjigjesh me të njëjtën armë që ai përdor. Megjithëse çështja është e ndërlikuar, se kur flasim për armë këtu, nuk e kemi fjalën vetëm për armët e retorikës verbale. Këtu është shkelur kontrata sociale, dhe armë të vërteta janë shkrehur ndaj civilëve. Sfida është akoma më e vështirë. Po gjithsesi, ia vlen për tu provuar.

Tregojnë një anekdotë një herë, sesi ishin dy persona në të njëjtin ishull, por në lagje të ndryshme dhe nuk shkonin mirë me njëri tjetrin. Njëri prej të dyve, thërret shërbëtorin e vet dhe i thotë të mbushë një enë me bagla lope e tia dërgojë tjetrit si "dhuratë". Kur i shkon pakoja tjetrit, ky e hap, e sheh çka brenda dhe pastaj këput disa lule prej oborrit për tia dërguar, bashkë me një pusullë ku thoshte: Secili jep atë që ka vetë.

Kurse unë mendoj se uzurpimi i pushtetit që është karta kryesore që luhet nga opozita, kërkonte një motivacion. Argumentet e opozites për vjedhje votash, për hapje kutish, etj, etj, ranë në vesh të shurdhër dhe duhej të krijohej casus-i për argumentimin e këtij pretendimi. Është shumë më e thjeshtë ta quash pushtetin të uzurpuar, nëse në manifestime të tilla masive,  ai (pra pushteti) shfaq shenja nervozizmi dhe kapërcen masën. Pushteti legjitim përdor masa që janë absolutisht në përpjestim me situatën. Ndërkohë, sic e përmenda më sipër, tipari themelor i një pushteti të uzurpuar janë masat jo-proporcionale. Ato instalohen pothuaj menjëherë, pas marrjes së pushtetit, sepse parandalojnë konfrontimin. Ndërkohë, konfrontimi kam përshtypjen ka nisur që nga dita zero dhe masat jopropocionale nuk janë parë asgjëkund. Protestat e vazhdueshme të opozitës (greva e uris&eumlsmiley, etj, kanë patur si synim fillestar pikërisht demaskimin e legjitimitetit të pushtetit. Ato synonin vënien e pushtetit përballë alternativës së përdorimit të masave të egra, kalimin nga ai të cakut, apo përpjestimit që duhet për t’u quajtur legjitim. Kjo u arrit në fakt në 21 janar. Pushteti përdori masa të tilla, por, nëse këto kanë qenë, ose jo në përpjestim me situatën (dhunën e ushtruar nga demonstruesit), është një cështje që mund të debatohet.  Po ashtu, mund të debatohet taktika e përdorur nga opozita, për demaskimin e këtij legjitimiteti. A duhet lejuar ky përshkallëzim i tensionit të ushtruar mbi qeverinë (me mjete quasi paqësore, por jo deri në fund të tilla), për të provokuar cekuilibrimin e saj e më pas për të sjellë një ridimensionim të legjitimitetit të saj? Dyshoj se kjo taktikë është deri në fund e pranueshme.

Ato synonin vënien e pushtetit përballë alternativës së përdorimit të masave të egra, kalimin nga ai të cakut, apo përpjestimit që duhet për t’u quajtur legjitim. Kjo u arrit në fakt në 21 janar. Pushteti përdori masa të tilla, por, nëse këto kanë qenë, ose jo në përpjestim me situatën (dhunën e ushtruar nga demonstruesit), është një cështje që mund të debatohet.  Po ashtu, mund të debatohet taktika e përdorur nga opozita, për demaskimin e këtij legjitimiteti. A duhet lejuar ky përshkallëzim i tensionit të ushtruar mbi qeverinë (me mjete quasi paqësore, por jo deri në fund të tilla), për të provokuar cekuilibrimin e saj e më pas për të sjellë një ridimensionim të legjitimitetit të saj? Dyshoj se kjo taktikë është deri në fund e pranueshme. 

Eshte kjo per t'u debatuar?  Mendova se e sheshoi ate debat Komisioni Hetimor ...

Ku eshte pershkallezimi i tensionit?  Per teposhte, se per telarte s'ka pasur.  

Ne te njejten vije mendimi dyshoj dhe une se kjo taktike ka per te cekuilibruar ndonje "ekuiliber".

Fillimisht pohoj qe komenti eshte artikuluar estetikisht ne menyre perfekte, por ka nje handicap serioz. Ti po thua qe deri ne 21 Janar, asnje mase e qeverise nuk ka qene joproporcionale. Mu kjo nuk me rezulton logjike.

Pse? Ne 2009, realisht me shume se gjysma e elektoratit qe ka votuar, pretendon dhe insiston se ka fakte qe eshte vjedhur, dhe per kete kerkon te verifikohen rezultatet. Pergjigja qe merr eshte : JO. Ok, fillojne protestat, greva e urise. Pergjgja qe merr serish eshte: JO. Me thuaj te lutem, ku jane masat proporcionale ketu? Une vete pervec dhunes se mirefillte nga ana  e pushtetit nuk shoh gje tjeter. Poshterimi eshte provuar shkencerisht qe ben deme shume me te medha se dhuna fizike. Ne veshtrim jo vetem afatgjate kjo.

U ndala vetem ne kete te dhene, sepse besoj se te pakten per 21 Janarin jemi te bindur per joproporcionalitetin e masave te kesaj qeverie. Po e quaj qeveri, per hir te nje lloj respekti ndaj mbreterise se definicioneve, se ne fakt kemi te bejme thjesht me nje klan te mirefillte.

Kjo gjysma e elektoratit ka nxjerre ndonje fakt te pakundershtueshem per vjedhjen qe pretendon?

Po, dhe u provua me nje qender, ne nje fshat te Fierit.

Pas kesaj, fletet u dogjen. The end!

Po dhe votat e asaj qendres te fshatit te Fierit u shpallen te pavleftshme.  Po kishin prova te tjera per qendra te tjera pse nuk i dorezuan?

Once a thief, always a thief. No question about it.

Si mendon ti, se ata kane vjedhur vetem nje fshat te humbur ne Fier? Se kishin me problem te madh, te merrnin vetem ate komune? No kidding.  

ah po, ka mundesi qe e gjithe kjo ka nje shpjegim. Qeveria i vodhi votat, per te miren e popullit. Perfytyro dike para teje, qe te vjedh sy per sy 500 dollare, dhe me pas te mbush mendjen qe e beri per te miren tende... Ja, mbyll syte, e mendo ftohte per nje moment.... mbase ndricohesh pak ne erresiren e mendimit tend.

behu serioz, ki me shume respekt per intelektin tend, te pakten ne ate mase qe une kam per ty mesa te lexoj ne kete forum.

 

Ajo qe mendoj une eshte qe ka pasur vjedhje, por vjedhje kundrejt partive te vogla nga ato te medhata dhe jo vjedhje ndaj njera tjetres.  Ajo qe mendoj une eshte qe Rama nuk e di une per cfare arsye mendonte se e kishte fitoren ne xhep, por dhe sikur te kishte ndonje dyshim per kete fitore, kurren e e kurres nuk ia priste mendja qe LSI do bashkohej me PD-ne.  E papritura ndodhi dhe Rama nuk e mori mire fare humbjen.  Nga ana ligjore cdo gje ishte kopsitur per Saliun me ane te kodit zgjedhor qe beri bashke me Ramen ne 2008.  The rest is history.  Nuk ka nder mes kusaresh, ata vetem luftojne me cdo kusht per te marre ate qe kerkojne.

 

Nqftse ke respekt per mua athere leri keto sulmet personale qe ben ndaj meje.

nuk eshte sulm personal mor bir, nuk eshte sulm fare, une madje te mora virtualisht ne mbrojtje nga nje hajdut hipotetik smiley .... ti bere nje pyetje, e t'u pergjigja. pas asaj nuk kish sens te pyesje me.  jo per gje tjeter, po njeriu i bindur zakonisht nuk ben pyetje. e mbyllim ketu kete harxhim te kote kohe. you can have the last word though.

S'po mbroj asnje hajdut.  Sens me vertet qe nuk ka me qe te te ve ne pikepyetje kete qendrimin tend.

Votat e Ruzhdijes nuk u numeruan, kurse ne Shkoder, prokuroria hapi kutite dhe nga rinumerimi doli gabim 1 (!) vote.

Hetimi i Prokurorisë

Pretendimet e Ndokës

- QV 0083, PD-ja ka 151 vota dhe jo 161 që janë pasqyruar në proces-verbal. PDK-ja ka marrë 15 vota dhe jo 0 që janë pasqyruar në proces-verbal.
- QV 0101, PD-ja ka marrë 156 vota dhe jo 180 që janë pasqyruar në proces-verbal. PDK-ja ka marrë 7 vota dhe jo 0 që janë pasqyruar në proces-verbal.
- QV 0255, PD-ja ka marrë 273 vota dhe jo 327 që janë pasqyruar në proces-verbal.
- QV 0294, PD-ja ka marrë 196 vota dhe jo 246 që janë pasqyruar në proces-verbal.

Konkluzionet e Prokurorisë

- QV 0083, asnjë nga fletët e votimit të pavlefshme nuk ishin shënuar në katrorin, apo afër subjektit “Partia Demokristiane”. PD-ja kishte 160 fletë votimi, 151 të shënuara në katrorin përkatës dhe 9 afër subjektit politik.
- QV 0101, fletë votimi të pavlefshme ishin 7, por asnjë prej tyre nuk ishte shënuar në katrorin, apo afër subjektit “Partia Demokristiane. PD-ja kishte 180 fletë votimi, 19 prej të cilave jo në katrorin, por në rreshtin e subjektit.
- QV 0255, PD-ja kishte 327 fletë votimi, 307 prej të cilave të vendosura në katrorin përkatës dhe 20 në rreshtin e subjektit politik.
- QV 0294, PD-ja kishte 246 fletë votimi, 228 prej të cilave e kishin shënimin në katrorin përbri dhe 18 në rreshtin e subjektit politik.

“Numërimin e votave e kemi të filmuar”

O Lirka, ti shkruan bukur, qarte, paster... Por me ler te them ,qe opinionet e tua politike jane te mykura, te varfera, subjektive ne kulm..Po e them qe mos te lodhesh shume here tjeter duke shkruar komente te gjata, qe nuk vlejne dy leke dhe nuk e njohin realitetin politik dhe social..Me respekt peshkor..

Se kush e ka thene ate shprehjen; Grate simbolizojne prapambetjen, ndersa Mashkulli Civilizimin ( a dicka e tille)...Po filloj ta besoj. Shkrimi i Donesit eshte i mire... problemi qendron me grate e tjera qe nuk e kuptojne Donesin..

Kush i ka degjuar replikat e Topallit ndaj deputeteve te tjera, se fundmi ne parlament...Per te vene duart ne koke..Mu sikur fliste kapogovernia e peshkut..

Një nga mjetet e torturës me efikase në kohët moderne në çdo regjim e diktaturë është lënia e të burgosurit me dritë ndezur e një muzikë që nuk pushon kurrë së kënduari. E përdornin kasapët e diktaturës ushtarake të Jorge Videlës në Argjentinë; e përdornin vietkongët me ushtarët amerikanë të zënë rob gjatë luftës së Vietnamit; e kanë përdorur kinezët; është përdorur në burgjet politike sovjetike për dekada, e kështu me radhë..

.....e keshtu me rradhe mungon ajo qe perdorej ne burgjet e Shqiperise

Një nga thëniet më të njohura të një figure të shquar gjatë periudhës së revolucionit irlandez shkon pak a shumë kështu: "Unë nuk i urrej ata (anglezët) për racën e tyre, për brutalitetin që përdorin ndaj nesh. I urrej, ngaqë nuk na kanë lënë udhë tjetër. Sepse e kanë bërë urrejtjen të nevojshme."

 ashtu eshte ne fakt,edhe ne ashtu na mesuan,te shajme gjith'boten qe tashti po e lepijme,te shajme Nene Terezen,te urrejme njeri tjetrin me luften e klasave dhe ja ku jemi sot....

mgjth. thirrja qe  i ben  grave qe te tunden e jo gjth' diten neper permanente,eshte per tu lavderuar per ndjeshmerine!

 

 

Kalendari i festave zyrtare 2011>>

> >

1 dhe 2 Janar - Festat e Vitit të Ri >>

14 Mars - Dita e Verës >>

22 Mars - Dita e Nevruzit >>

24 Prill - Dita e Pashkës Katolike >>

24 Prill - Dita e Pashkës Ortodokse >>

1 Maj - Dita Ndërkombëtare e Punës >>

30 Gusht* - Dita e Bajramit të Madh >>

19 Tetor - Dita e Lumturimit të Nënë Terezës >>

6 Nëntor*- Dita e Kurban Bajramit >>

28 Nëntor - Dita e Pavarësisë >>

29 Nëntor - Dita e Çlirimit >>

8 Dhjetor - Dita Kombëtare e Rinisë >>

25 Dhjetor - Krishtlindjet>>

 

Sa mire e kane ata te papunet, qe nuk duan tia dine fare per festat zyrtare.

Ps. PO 7 marsi festa e msusve ku eshte?

 O fh-o, pse i ke me asterick festat tona? smiley

se pritova me kuotu edhe skjarimin pri aty ku e zgrapa smiley

* Shënim: Data e festave të Kurban Bajramit dhe Bajramit të Madh mund të jenë subjekt i ndryshimeve sipas kalendarit hënor.

 

kete gjoja-proteste, kete falsitet si ato qe vec edi di te qendisi, une e shoh si nje karagjozllek me ngjyra pink te peziera me trendafila e tullumbace, si nje tallje b#the mbi familjet e 4 qytetareve qe u vrane para atyre kangjellave te shemtuara, e shoh si nje larje te fundit goje para se opozitska te ndryshoje kurs, me qellim se mbase e sjell edin e dashur ne pushtet me zgjedhjet lokale, pasi menyrat e tjera dolen jo aq te goditura.

8 Marsi eshte vetem per te protestuar,me lule apo pa lule.Dhe me detyre shteterore po te isha perseri do te protestoja,sepse akoma dhe askund te drejtat tona nuk jane te barabarta me''fleten'' tjeter.

kete shkrim nuk e lexova dot deri ne fund. po berluskoni c'deshi ne kete shkrim, se mora vesh?! shume i gjate, shume i ngaterruar, shume i renduar me citate qe s'hyn ketu fare. 

po vertetohet edhe njehere qe eshte shume e veshtire te shkruash shkurt.

Me nje fjale ne bikemi dekun per nje fije protesta.Meqe s'qullosen hiç ato te tjerat eshte koha e protestave te leshprerave...Hajde ç'u beka me 8 mars...do u tundka dyrnjaja....

..... Nga ajo votë do të shihet nëse Shqipëria ka ende kurriz për të duruar dhunën e njohur të qeverisë aktuale (e cila në rast fitoreje do polarizojë vendin edhe më keq, në mënyrë të pakthyeshme), apo do të ketë kurajon konstruktive të hapjes së udhës së ndryshimit në zgjedhjet e mëtejshme politike...

    Artikull i goditur gjer tek pjesa ku Elvira  ka  shkare ne naivitetin,  si i te  gjithe atyre qe jetojne gjetke dhe flasin per ketu. CILA VOTE do definoje? E  hedhura apo e vjedhura?

Keto votime, qe tani jane kthyer ne  POLITIKE. Sepse behet fjale tamam per ate qe shpreh Elvira, "Testin". Dhe armata  e Ponerise, e Komision Qendror -qeverrise, eshte  hedhur ne  sulm per t`i vjedhur  votat pa ardhur akoma  8 maji.Te gjithe ata qe bertasin fort  per fakte te munguara,  per te deftuar vjedhjen, jane  sahanelepiresit e kusareve, kusare te kusareve.Jane armiqte me te  ndyre te demokracise votes se lire.Nuk ka me njeri ne kete  vend,  me dy  fije cipe ne balle, qe nuk e thote  se votat  u vodhen e gjene do te  vidhen.

Degjoni Berishen kur pohon:.." Keto votime do te jene me te lirat  dhe me te ndershmet qe ka pare  historia e ketij veni..."

Perkthimi ne gjuhen shqipe normale: Besoni se keto votime do te  jene me te vjedhurat ne tere historine vjedhjeve te  botes. Te jeni  me se te sigurte per kete...! Eshte  pervoja  ne ndihme te  nevojes.... TESTIT JETIK

 

    

8 Marsi nuk eshte vetem feste  e grave opozitare eshte feste edhe e grave qe kane votuar apo mbeshtesin PD.Pertej se majtes dhe te djathtes grate kane probleme te perbashketa si psh dhuna ne familje qe prek  si grate socialiste apo ato demokrate njesoj.Ato jane prinder nena pavaresisht nga bindjet politike ballafaqohen me te njejta probleme e rreziqe ne rritjen dhe edukimin  e femijeve.8 marsi duhet perdorur si nje dite ne te cilen shoqeria te reflektoje e ti falenderoje per sakrificat qe bejne ne rritjen e femijeve dhe kujdesjen e familjeve.Per mendimin tim kjo dite nuk duhet te ndyhet me politike.

 8 marsi duhet perdorur si nje dite ne te cilen shoqeria te reflektoje e ti falenderoje per sakrificat qe bejne ne rritjen e femijeve dhe kujdesjen e familjeve.Per mendimin tim kjo dite nuk duhet te ndyhet me politike. 

Mire.  Per kuriozitet c'forme konkrete propozon per reflektim dhe falenderim te shoqerise ndaj femrave?  

Kuptohet, nqs nuk e barazon 8 Marsin me "Mother's Day" ala amerikance, se na duhet te importojme edhe "Father's Day" pastaj.

PS: gjithesesi per hir te reflektimit duhet konsideruar mundesia qe femra eshte qenie politike ashtu si dhe mashkulli.

Mire.  Per kuriozitet c'forme konkrete propozon per reflektim dhe falenderim te shoqerise ndaj femrave?  

Kuptohet, nqs nuk e barazon 8 Marsin me "Mother's Day" ala amerikance, se na duhet te importojme edhe "Father's Day" pastaj.

PS: gjithesesi per hir te reflektimit duhet konsideruar mundesia qe femra eshte qenie politike ashtu si dhe mashkulli."

PS: 8 marsi eshte dita  e gruas jo dita  e gruas socialiste.Si e tille kjo dite  duhet perqendruar ne problemet e grave dhe  jo te bastardohet ne protesta te tipit "Sali ik dhe edi hajde".Problemet qe ka gruaja sot kane qene edhe perpara se sala te vinte ne pushtet dhe nuk do te largohen me ikjen e tij.

PS: 8 marsi eshte dita  e gruas jo dita  e gruas socialiste.Si e tille kjo dite  duhet perqendruar ne problemet e grave dhe  jo te bastardohet ne protesta te tipit "Sali ik dhe edi hajde".Problemet qe ka gruaja sot kane qene edhe perpara se sala te vinte ne pushtet dhe nuk do te largohen me ikjen e tij.

Mire, probleme ka pas gruaja qe ne kohet biblike.  Nuk numerohen e zgjidhen te gjitha ate dite. 

Jam shprehur dhe me siper qe mesazhi i protestes te jete me i gjere, perfshi nqs e shikojne te ndergjegjshme edhe apelin per drejtesi per vrasjet e 21 Janarit.  Po ashtu dhe thirrjet per proteste, marsh a cfare te duan ta quajne, duhet te kalojne caqet partiake.

Por konkretisht nqs s'e ke bezdi:

8 marsi eshte dita  e gruas jo dita  e gruas socialiste. Si e tille kjo dite  duhet perqendruar ne problemet e grave

Si perqendrohet dita?  Me specifikisht?  

Por konkretisht nqs s'e ke bezdi:

8 marsi eshte dita  e gruas jo dita  e gruas socialiste. Si e tille kjo dite  duhet perqendruar ne problemet e grave

Si perqendrohet dita?  Me specifikisht?"

Si e ben gjithe dynjaja, maifestime fjalime, media, koncerte me teme problemet e gruas .Te pakten per nje dite ta lene menjane retoriken gurmazprerese e te perqendrohen ne problemet e tjera.

 Jo vetem kjo, por ka aq probleme te tjera  ne shqiperi, sa nuk ngeli tek grate qe ne nje 8 Mars te n'a protestokan ne mbeshtetje te partise socialiste. Grate te mesojne qe te edukojne femijet, e para. Se eshte bere tirana si bordello e madhe. vine nga malet keto dhe kujtojne se u be deti kos. hajt o burra, ca te dashur sot dhe ca te dashur neser dhe varda. koken bosh (vetem kafken sic thote nje shoqja ime) , pa lexuar asnje liber ne jete, ngjyer dhe zhgryerr dhe o burra. pa nje familje te shendoshe, pa kulturen e punes , pa dinjitet do perfundojne neper rrotat e makinave ose prostituta rrugeve. keto te shikojne grate ne shqiperi jo te bejne politiken e rames & co. kur te dali p.s. perseri ne miting le te mblidhen burra dhe gra dhe te protestojne.

PS: gjithesesi per hir te reflektimit duhet konsideruar mundesia qe femra eshte qenie politike ashtu si dhe mashkulli. 
 

Bo..bo..bo  paskan ndermente te fillojne  zboret per grate prap keta luvgeterit...

Aha, prandaj po bente qitje ne Zall-Herr Kryetarja e Parlamentit? smiley

Ose

Bo ... bo ... bo c'paskesh pasur ndermend ai lugat Aristoteli.   

 1sh per shkrimin nese kjo mendon me te vertete se Berisha do ofendohet nga lulet. Perkundrazi, ai me te vertete do ta marre si shenje adhurimi qe kane femrat shqiptare per figuren e tij, do te gezohet shume per lulet dhe do deklaroje 'pershnes nga zemra ter femrat shqiptare qe ne ket 8 mars kane treguar mbeshtetjen e tyre popullore per qeverine legjitime, per shqipnin evropiane, per te bukuren e dheut Shqipnin demokratike euroatlantike'.

Kjo se njeh qe truri i myk dhe i pagdhendur i kministrit cdo gje e filtron sipas midese se vet debile.

 romak , futu ne kontekstin e  idese autores...! 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).