Pranimi i debatit publik me tjetrin ndryshe, me të kundërtin tënd, është edhe shenjë e zhvillimit të kulturës individuale dhe asaj demokratike, është shenjë e dëshirës së mirë për t’i shërbyer më mirë elektoratit tënd, duke i treguar se je i/e sigurt në programet apo arritjet e tua dhe nuk ke frikë t’i përballësh këto me kundërshtarin tënd edhe në debat publik.  “Diversiteti është tjetri”, ose ato cilësi njerëzore që janë të ndryshme nga vetja jonë dhe që ndodhen jashtë grupeve që i përkasim, të pranishme në individë dhe grupe të tjera. “Të tjerët” janë njerëzit që janë të ndryshëm nga ne, nga një ose disa dimensione të tilla si mosha, etniciteti, gjinia, raca, orientimi/ afeksioni seksual sipas Loden,M & Rosener,J. Duke qenë se shoqëritë ndërkulturore mbartin vlera kulturore të ndryshme, mbetet problem ndërtimi i një komunikimi të suksesshëm ndërkulturor, për shkak të kulturave të ndryshme të folësve dhe dëgjuesve, dhe kjo sa vjen dhe e bën më të vështirë ndërtimin e urave të komunikimit ndërmjet individëve, grupeve shoqërore që mbartin identitete të ndryshme kulturore dhe sociale. Diversiteti në vendet e punës, në nivel global, në nivel vendor, përfaqëson njëkohësisht edhe sfidat për individët, organizatat, liderët, pasi njeriu është i detyruar të komunikojë edhe me të ndryshmin e tij, të kundërtin e tij, dhe jo vetëm me të ngjashmin e tij.

Me synimin për të zhvilluar këto mundësi, lideri politik nën këtë fokus diversiteti duhet të rritet në sfidën e të shërbyerit si lider, dhe kjo bëhet e dallueshme edhe në përballjet publike me tjetrin ndryshe, apo me të kundërtin. Liderët në përgjithësi duhet të krijojnë një vizion ndërkulturor, dhe kjo do të thotë që ata duhet të kenë aftësitë e nevojshme komunikuese për ta kthyer vizionin e debateve publike në praktikë, në garime për marrjen e pushtetit.

Pse është e rëndësishme që populli t’i shohë kandidatët në debate?

Debati ofron mundësi krahasimi programesh përtej monologëve
Kandidatët duhet të demonstrojnë që ata jo vetëm duhet ta kenë, por edhe se e praktikojnë kompetencën e aftësive të komunikimit me tjetrin ndryshe, në mënyrë që ajo pjesë e popullit që nuk dëshiron të votojë kandidatin, apriori, si përfaqësues i asaj partie, por kandidatët për meritën, vlerat, vizionet e tyre, atëherë duhet që t’u jepet mundësia që programet, strategjitë t’i dëgjojnë jo vetëm nëpër fjalime të anshme të shkruara në letër, por të mundin t’i krahasojnë ato në përballjet direkte me kundërshtarin, përmes argumentesh-kundërargumentesh, faktesh-kundërfaktesh që përdor kundërshtari dhe duke krahasuar kështu të arrijë një shkallë bindjeje më të madhe mbi vërtetësitë apo pavërtetësitë e programeve të tyre.

Debati ofron mundësi për shmangien e dykuptimësisë, apo moskuptimësisë.
Kundërshtari nuk të pret, nuk t’i mirëpret, t’i kundërshton lojërat ligjërimore në një debat. Debati nxit përdorimin e një gjuhe më të drejtpërdrejtë,sepse kundërshtari, përmes provokimesh, dhënie-marrje përgjigjesh, kundërpërgjigjesh në një kohë të shkurtër, nuk të lë shteg të hapur që të përdorësh një gjuhë me dykuptimësi apo moskuptimësi, pasi secili luan për të fituar me ligjërimeve e veta dhe efekti mbi dëgjuesin është më i madh kur mesazhi përcillet nëpërmjet një gjuhe të drejtpërdrejtë dhe të hapur.

Debati ofron mundësi njohjeje aftësish të kandidatëve
Debati përmes pyetjesh të drejtpërdrejta dhe pyetjesh kurth që kundërshtarët i bëjnë njëri-tjetrit, përmes përgjigjesh të drejtpërdrejta apo shmangie përgjigjesh nga ana e kandidatëve, përmes përdorimit të një gjuhe të hapur apo të mbuluar që përdorin kandidatët, përmes mënyrës se si i lëshojnë dhe i marrin sinjalet, u shërben votuesve të arrijnë të kuptojnë mjaft veçori të kandidatëve, si aftësi të prodhimit të një të folure publike cilësore dhe komunikative, aftësitë menaxheriale jo vetëm të karakterit administrativ, por edhe të aftësive menaxhuese të konflikteve me tjetrin, aftësitë e menaxhimit të emocionalitetit dhe stresit përgjatë komunikimit me tjetrin ndryshe apo kundërshtarin, aftësitë e shprehjes së qartë të mendimeve dhe ideve. Dhe të gjitha këto veti të kandidatëve votuesit arrijnë t’i njohin më mirë nëpër debate të drejtpërdrejta, sepse në debat kandidatët nuk i kanë të shkruara gati përgjigjet, duke qenë se ndodhen me njëri-tjetrin në takime të papritura pyetjesh-përgjigjesh, situatash, rrethanash, faktesh etj., dhe kështu në këto situata debatesh ligjërimore kandidatët nuk shfaqen sipas skemave që kanë në kokën e tyre, por më të vërtetë.

Debati publik e ndihmon votuesin që përmes debatit mes tyre të dallojë dhe kuptojë kandidatin realist nga ai jorealist, të vërtetin nga demagogu, premtimet reale nga ato utopike, kandidatin që përdor një gjuhë të hapur përmes sinjaleve të hapura nga ai që përdor një gjuhë të mbuluar përmes sinjaleve të mbuluara (për t’iu shmangur kështu përgjigjeve të drejtpërdrejta), të dallojë kandidatin që është në gjendje të arsyetojë nga ai që vetëm shpreh emocione, ulërima dhe sharje etj., etj.

Debati mundëson njohjen e identitetit, sjelljen e kandidatit me të ndryshmin e tij apo të kundërtin
Populli, nëpërmjet debatit publik në media, do të arrijë të njohë më mirë identitetin personal, social, politik të kandidatit, sjelljet e tij se si ky reagon në komunikime me të ndryshmin apo të kundërtin e tij, në situata të paparashikueshme pyetjesh-përgjigjesh, ngacmimesh, provokimesh etj., etj. Populli do të kuptojë nëse kandidati reagon dhunshëm me të ndryshmin e tij përgjatë komunikimeve dhe takimeve në rrethana diversiteti dhe nga kjo populli mëson se si ky kandidat, kur të marrë pushtetin, do të sillet me tjetrin ndryshe, me të kundërtin e tij, ku i ndryshmi mund të jetë çdo qytetar që ka vlera kulturore, norma, besime, bindje politike të ndryshme nga ai. Duke qenë se kryetari i Bashkisë së Tiranës i përket dhe do t’i shërbejë të gjithë popullit të Tiranës dhe jo vetëm të ngjashmëve me të, si atyre që e kanë votuar edhe atyre që se kanë votuar,si atyre që kanë të njëjtin identitet politik me të, ashtu dhe atyre me identitet politik ndryshe nga i tij, prandaj dhe merr më tepër rëndësi të njohurit e kandidatëve në rrethana debati publik, si një e drejtë e qytetarëve dhe një detyrim i kandidatëve ndaj tyre. Kandidatët duhet t’i japin mundësi popullit t’i njohë ata në mënyrën se si sillen në situata konfliktuale, nëse posedojnë tolerancë apo jo ndaj tjetrit ndryshe me identitet ndryshe, nëse kanë vetëkontroll dhe do të mund t’i shërbejnë njëlloj si qytetarit të ngjashëm me të, dhe qytetarit të ndryshëm nga ai për arsye diversiteti.

Debati publik mundëson përballjen e premtimeve mes palëve. 
Përvoja ka treguar se nëpërmjet votimeve fitojnë pushtet lloj-lloj forcash politike me gjithfarë listash emërore, ku nën justifikimin e verdiktit të popullit bëjnë pas kësaj gjëra edhe kundër sovranit popull që u jep pushtetin. Që të mos ndodhë zhgënjimi ndaj premtimeve gjatë debateve, kundërshtarët jo vetëm se shpalosin programet, por të përfshihen në debat publik për t’iu përgjigjur pyetjeve se si do t’i realizojnë ato programet, si do të hapen vendet e reja të punës, si do të zbutet varfëria, si do të zgjidhet çështja e strehimit etj., etj., pra si do të përmirësohen shërbimet ndaj qytetarëve.

Debati identifikon komunikuesin politik me sinjale të mbuluara nga ai me sinjale të hapura.
Nëpërmjet një komunikimi të hapur me popullin me sinjale të hapura, kandidati jo vetëm bëhet i njohshëm për popullin, por edhe i besueshëm. Kandidati në garim duhet të synojë efektin mbi dëgjuesin, dhe për këtë duhet që kuptimi i modelit gjuhësor të tij të shërbejë në përdorimin e qëllimshëm të tij, për ta bërë votuesin të kryejë veprimin (dhënien e votës) dhe në kontekstin e qëllimeve kandidati duhet t’i tregojë haptazi dëgjuesit elektoral, se ky dëshiron që të arrijë ta bëjë atë të reagojë, për të realizuar qëllimin final politik të tij (pra marrjen e votës).

Debati të përqendron në mënyrë-bërjen e fushatës tënde, dhe jo thjesht në bërjen e një fushate negative 
Duket se beteja elektorale ka filluar me diversitete, gjë që duket edhe nga gjuha e përdorur asimetrike, ku njëra palë pohon se këto janë zgjedhje politike, ndërsa pala tjetër se këto zgjedhje janë administrative. Nga kampi i majtë legjitimohet mospjesëmarrja e Ramës në debat televiziv me arsyen se si hierarki atij i takon debati me Berishën, dhe jo me Bashën. Nëse arsyetimi i së majtës se si hierarki Ramës i takon debati vetëm me Berishën, atëherë ka dy mundësi përballjeje: ose Rama të ftojë për debat publik Berishën, ose nëse jo, atëherë të mos ta “ulte piacën” dhe të konkurrojë me Bashën për kryetar Bashkie, por të konkurrojë përballë Berishës për garën për kryeministër. Shmangia e debateve mes kandidatëve, qoftë nga njëra palë apo pala tjetër, nuk i shërben popullit dhe zhvillimit demokratik, pasi populli do të krahasojë fuqitë apo pafuqitë mendore të kandidatëve dhe debati e ofron këtë mundësi më së miri. Pranimi i debatit shpreh respekt edhe për pjesën e lëkundur, neutrale, asnjanëse, duke e nxitur më tepër drejt një zgjedhjeje. 

Autorja është Pedagoge e Filozofisë së Komunikimit, Universiteti i Tiranës.

8 Komente

mire e ke ti, dhe ashtu duhet te jete!

Per Tiranen pershembull, nje debat duhet te kryhet sezben, madje dhe per qytetet kryesore : problemi eshte se kjo varet nga vete Kandidatet dhe nga deshira e tyre

Edi Rama refuzoi nje debat me Sali Berishen ne zgjedhjet e qarshorit 2009

Me duket se per te njejtat arsye, debati nuk u zhvillua as ne 2007 kunder Olldashit

Ambasadori Amerikan kerkoi kesaj here qe te kishte nje Debat midis kandidateve, por druaj se mund te realizohet edhe kesaj here : te shohim se ç'fare justifikimi do nxjerri Ed Rama kesaj here :

"Hap kutite, qe te hap debatin!"

"S'ka Debat, nese Saliu s'largohet!"

"Une debatoj, nese ti humbet"

zgjidhni ke te doni smiley

 O Beluuul, te marrte e mira te marrte, po ku mi gjen keto xhevahire ;

 Tu  befte  dita njemije, qe gjen  e na I BIE SI I KA BERE NENA,nga keta debatues pa ...risk

Po akoma nuk jeni ngopur me debate?Po cdo nate debate behen ne tv.Zihen,shahen,genjehen etj.

Une them te hapim nje debut per te vendosur rregullat e debatit njehere pastaj debatojme

 Po ne vetem debate nuk bejme, por vetem sherre. Akoma nuk jeni ngopur nga debatet e Fevsoc, te cilat degjenerojne ne sharje e ofendime, rroma per toma......

Po une ndaj them, qe te vendosim rregullat e debatit. Si do ti bejme keto debate? Deri ku do te ofendojme, nderpresim, kalojme nga pema ne peme (dega ne dege desha me shkrujt) etj

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).