durres-223.jpg (450×277)MAPO fillon këtë javë përballjen zgjedhore nëpërmjet intervistave të dy kandidatëve për postin e kryetarit të bashkisë së Durrësit, për të cilin konkurrojnë kryetari aktual Z. Vangjush Dako dhe kandidati për bashkinë, Z. Ferdinant Xhaferri. Përmes pyetjeve të thjeshta, atyre, por edhe kandidatëve të tjerë në bashkitë kryesore të vendit, që do të intervistohen pas tyre, do tu kërkohet të shpalosin në hapësirën e revistës në mënyrë të përmbledhur objektivat e tyre. Këtë herë të dy kandidatët e intervistuar janë treguar të matur me leksikun e tyre pa ofenduar dhe pa hedhur shpifje të pabaza ndaj njëri-tjetrit. Në fokus kanë qenë alternativat e tyre në mënyrë shumë të përmbledhur dhe ajo që nuk është bërë në qytet deri më tani. 

_____________

Vangjush Dako “Kundershtari im ka probleme me të shkuarën dhe të ardhmen”

Kryetari aktual i Bashkisë së Durrësit po rikandidon edhe për një mandat tjetër. Me besimin e punës së tij, mbështetjes politike dhe ashtu si thotë ai punës së keqe qeverisëse, ai shpalos tek MAPO konceptet e tij të fushatës.

Emri i kandidimit për Bashkinë, të cilin Ju drejtoni, s’ka pasur mëdyshje në radhët e P. S.? Cila do jetë strategjia e ekipit tuaj për të përsëritur mandatin në krye të tij?

“Do të thosha të kundërtën. Në Partinë Socialiste, por dhe në shumicën e qytetarëve të Durrësit nuk ka pasur mëdyshje në besimin se në këto zgjedhje, njëlloj si ato të katër vjetëve më parë, Opozita do të shpallet fituese. Përzgjedhja e kandidaturës së Opozitës në Durrës nuk ka përfshirë dhe nuk është mjaftuar vetëm me emrin tim, por me gjithë emrat e një ekipi profesionistësh të provuar në katër vjet, të eksperiencës dhe përkushtimit të tyre dhe shumë më tepër se kaq. Vizioni ynë është ambicioz, është jetësuar si provë e parë nga viti 2007 dhe do të jetë një tjetër sfidë, jo me kundërshtarin, por me vullnetin dhe vitalitetin e durrsakut në veçanti dhe atë shqiptar në përgjithësi, që kërkon të qeveriset ndershëm, në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme. Strategjia jonë dhe gjithë qytetarëve shqiptarë është që nuk meritojnë të qeverisen nga gënjeshtarë politikë e më keq akoma, nga politikanë që e kanë kthyer fjalën në artin e të pabesueshmes”. 

Në epigramin tuaj shkruhet: Durrësi është histori, turizëm, natyrë, port. Por Historia duket pak e vrarë, për shkak të ndërtimeve dhe dëmtimeve të vazhdueshme të tij; turizmi është larg të qënurit elitar; porti vuan probleme të ndryshme dhe natyra është e dëmtuar prej hapësirës së duhur të gjelbërimit. Mendoni se do sillni një risi të re në përmirësimin e këtyre komponentëve?

“Katër vjet janë një kohë e shkurtër, por që fatmirësisht, në Durrës kanë rezultuar katër vjet të gjatë pune, në të cilët, janë sjellë risi jo vetëm në komponentët urbanë, por edhe ato turistikë dhe ambientalë. Nuk ka asnjë zonë të qytetit që nuk është prekur e përmirësuar nga puna e administratës së bashkisë. Programi i ndjekur këto katër vite qeverisje vendore është fokusuar në investime konkrete për banorët e Durrësit. Ky program dhe investimet konkrete i kthyen qytetit identitetin e munguar këto vite duke e kthyer atë në një qytet mesdhetar që dëshmon krenarinë e tij të antikitetit dhe duke alternuar zhvillimin bashkëkohor me ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Durrësi ka sot më shumë se kurrë sheshe në çdo territor banimi. Qendra e qytetit i është rikthyer banorëve. Ndërtimet janë kryer në transparencë të plotë dhe janë realizuar me vendimmarrje kolegjiale.

Ambicia jonë është zhvillimi i një zone të re turistike për qytetin dhe projektet janë tashmë të gatshëm. Porti i Durrësit që duhet të ishte porta e të nesërmes në Durrës, në të vërtetë nuk i ka sjellë asnjë të ardhme zhvillimit ekonomik të qytetit dhe për shkak të varësisë së tij nga pushteti qendror, është bërë edhe pengesë në zbatimin e disa projekteve, si për shembull ndërtimin e rrugës së re kryesore që do të ndikonte mjaft në trafikun e qytetit. Ndërtimi i kësaj rruge është miratuar me Vendim te KRRTRSH që katër vjet më parë, me miratimin e Planit Rregullues të Qendrës Historike të Qytetit. Ky projekt pengohet edhe pse rruga është “mbipartiake”, por pushteti qendror kërkon ta mbajë atë brenda gardhit të pamundësisë së saj politike dhe të paaftësisë. 

Disa shifra, Durrësi ka sot 112 sheshe më shumë dhe 13 blloqe të banimit të ndriçuara dhe të gjelbëruara. Gjelbërimi është shtuar me mbi 40 për qind dhe janë mbjellë mbi 3500 drurë dekorativë. Sot është gati Planin Lokal i menaxhimit të mbeturinave të qytetit. Tjetër projekt është edhe ndërtimi i rrugës të re, paralel me portin, që është alternativa më e studiuar për trafikun dhe uljen e ndotjes së ajrit. Ka shumë projekte të realizuar që mund të përmenden, por ne kemi zgjedhur të punojmë dhe jo thjesht të flasim. Durrsakët i njohin dhe jetojnë në këtë ndryshim”. 

Kanë nisur prej disa kohësh përplasje të bashkisë së Durrësit me pushtetin qendror duke nisur që nga Këshilli bashkiak e deri tek bllokimet e disa veprave publike që ju keni nisur. Si do ta komentonit një fakt të tillë?

“Nuk ju trembemi përplasjeve. Do të uroja që ato të ishin në nivelin e ideve dhe të projekteve. Kemi kërkuar pafund të flasim me shurdhrit, të bëjmë të shohin të verbrit në pushtet, por ata i ka shurdhuar dhe verbuar etja për pushtet me çdo kusht. Këto përplasje kanë acaruar qytetarët që kërkojnë të krijojnë një forum qytetar për të lejuar vazhdimin e punimeve të bllokuara si në qendër të Durrësit, ashtu dhe në objekte të tjera. Po të numërojmë pengesat që na janë krijuar, duket sikur ankohemi, në fakt, ato na motivojnë për më shumë, për të punuar edhe më mirë. Kanë vënë “gardhe” absurde në projektin e sheshit Liria në zemër të Durrësit, Drejtoria e Hekurudhës pengon ndërtimin e një biblioteke të re dhe të rrugës së re paralel me Portin, Autoriteti Portual gjithashtu. Agjensia Rajonale e Mjedisit kërkon të pezullojë për motive absurde Shëtitoren Bregdetare, megjithëse është sistemuar i gjithë rrjeti i kanalizimeve të kësaj zone”. 

Partia juaj po insiston se fushata lokale është në të vërtetë një ndeshje politike mes saj dhe Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, PD ka angazhuar disa anëtarë të kabinetit, një nga ta edhe kandidati përballë jush, në listat e kandidatëve për bashkitë kryesore. Sipas jush, fiton apo humbet qytetari nga kjo përplasje e paralajmëruar politike?

“Po, kjo është një garë edhe politike. Një pjesë të arsyeve i përmenda. Durrsakët dhe shqiptarët kanë nevojë për një model të ri qeverisjeje, për një qeverisje të ndryshme nga kjo e sotmja e cila edhe të hedh në erë si në Gërdec, edhe të përmbyt si në Shkodër, edhe të vret si në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, edhe të vjedh si në të gjithë Shqipërinë me korrupsionin mbytës qeveritar e të oborrit qeveritar. Fitorja në 8 maj është hapi i parë drejt një Shqipërie normale, të një Shqipërie e cila nuk detyrohet të rrijë peng i korrupsionit, padrejtësisë dhe varfërisë mbytëse”. 

Durrësi me gjithë masivitetin e madh në turizëm nuk ka parametra të lartë për akomodimin dhe mbi të gjitha cilësinë e guidave turistike. Janë këto prioritet juaji?

“Zhvillimi Turistik i qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin, duke e përputhur atë me ruajtjen e identitetit tonë kulturor dhe historik, është motoja jonë e djeshme dhe e nesërme. Është i dukshëm dhe i prekshëm përmirësimi i infrastrukturës në qytet dhe shtrirja e hartës së investimeve do të vazhdojë të jetë intensive. Bashkia e Durrësit ka investuar nga fondet e saj në zonën ku ushtrohet turizmi elitar dhe ai familjar. Sezoni turistik është zgjatur sot në kohë dhe Durrësi tashmë vizitohet në të katër stinët e vitit. Këto investime të Bashkisë jo vetëm kanë përmirësuar infrastrukturën rrugore, atë të kanalizimeve dhe mjedisore, por kanë ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në zhvillimin e turizmit në përgjithësi, si dhe atë familjar në veçanti”.

Çfarë nuk keni realizuar dot nga premtimet që keni mbajtur katër vjet më parë? Cili është avantazhi dhe disavantazhi juaj përballë kandidatit Xhaferi?

“Avantazhi ynë është puna dhe vetëm puna e ndershme dhe pa fjalë. Janë projektet e realizuara dhe vizioni i të nesërmes. Është puna dhe dashuria e madhe për qytetin si shërbenjës kokëulur të tij. Ne nuk shohim disavatazhet e kundërshtarit tonë, që vjen në Durrës me fytyrën e tij dhe portretin e një qeverie që vret qytetarët e vet, që i vjedh, i djeg dhe i varfëron. Durrsakët kujtojnë mirë se çfarë thoshte në vitit 1999 kandidati humbës për bashkinë e tyre, kujtojnë sesi e morri kthesën për hir dhe për llogari të një karrigeje pushteti, kujtojnë çfarë ju tha për Porto Romanon dhe Portin e Peshkimit dhe çfarë bëri në të vërtetë. Sinqerisht, nuk di kush do t´i besojë kësaj here kundërshtarit tonë, njeriut që premtoi dheun solemn mbi varrin e themeluesit të shtetit shqiptar, por në fakt hodhi baltë mbi të. Mezi pres të ndeshem me të, në debat televiziv dhe përpara kutisë së votës. Por ai s’ka garë me socialistët dhe opozitën në Durrës, ka probleme me të shkuarën e të nesërmen e tij dhe me këtë kapitull të ri të dështimit personal e të gjithë qeverisë së tij”. 

_____________

Ferdinand Xhaferaj “Kundërshtari im bëri vetëm para dhe beton”

Ministri i sapo dorëhequr është një qytetar durrsak që beson shumë në spiralen e tij të karrierës. Njësoj beson në shpresën e mbështetjes të formacionit të tij politik dhe nga ana e qytetarëve të Durrësit dhe mbi të gjitha në atë që ai e shpreh si punë jo e mirë e kryetarit aktual ose kundërshtarit të tij të drejtpërdrejtë.

Jeni kandidat për kryetar në një nga bashkitë më potenciale të vendit. Cila do të jetë strategjia juaj për të fituar përballë një kundërshtari jo të lehtë?

“Unë pranoj se gara mbetet një garë, por nuk bie dakord me përcaktimin tuaj ‘për një kundërshtar jo të lehtë’. Realisht, kemi të bëjmë me një kundërshtar të provuar. Vangjush Dako katër vite më parë doli në fushatën elektorale dhe iu drejtua të gjithë grupeve të qytetarëve durrsakë dhe u foli për rrugët dhe rrugicat, u foli për gjelbërime dhe çbetonime, për pensionistë dhe punonjës me përkrahje sociale, u foli arsimtarëve dhe peshkatarëve, u foli mjekëve dhe infermierëve, dhe tashme, duhet t’i thotë qytetit dhe qytetareve Durrsake: ku është pas katër vitesh?! Ky, që ju e përcaktoni si kundërshtar jo i lehtë, në qytetin e Durrësit, përcillet me dy fjalë: Vangjushi për katër vite premtoi shumë por sot katër vite më vonë për Z. Dako flitet thjeshtë se ka bërë beton dhe para.

Ky është background i kundërshtarit tim, që ju e përcaktoni si jo i lehtë. Lidhur me strategjinë për këto zgjedhje: Natyrisht, kam kohë që shërbej si parlamentar në Durrës. Me këtë dua te bej prezent idene se nga komunikimi i vazhdueshëm me qytetarët e Durrësit e di mire kush jane problematikat qe presin zgjidhje ne qytet dhe si duhet te adresohen ato. Pra, duke njohur mirë gjendjen reale të 18 lagjeve të këtij qyteti do të përpiqemi t’i integrojmë sa më mirë ato pune te qeverisjes qendrore për Durrësin me detyrimet e qeverisjes lokale, me një qëllimin strategjik për ta bërë Durrësin një qytet më të mirë për të jetuar për të gjithë qytetarët e tij”. 

Në karrierën tuaj politike keni prekur shumë poste. Çfarë përfaqëson egoja për një post të tillë? Më thjeshtë: Pse pranuat të kandidoni për këtë post?

“Deri më tani kam shërbyer si Minister i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe kam qene edhe deputet i Durresit. Por, i përmbahem mendimit se: gara për bashkinë e qyteti, ku je lindur e rritur, krahasuar me çdo pozite tjetër zyrtare nuk mund të vendoset në balancë, sepse këtu ka shumë sentimente emocionale, detyrime morale, përgjegjshmëri për të kontribuar për qytetin tënd dhe shtoj se paçka se posti i ministrit është anëtar qeverie dhe kuptohet ka një pozicion më të lartë në hierarkinë protokollare, nga ana tjetër rëndesa, emocioni, pesha, detyrimi moral dhe nderi për të shërbyer për qytetin tënd nuk mund të krahasohet dhe nuk mund te vihen ne balance me asgjë tjetër. Unë jam i bindur se Durrësi të jep mundësi dhe po afrove ashtu si duhet cilësitë përmes punës, përkushtimit, vërtet që mund të bëhen gjëra shume të mira ne qytet”.

Durrësi megjithë potencialin e tij ka ende mangësi për një turizëm elitar. Ju vetë, që keni drejtuar për shumë kohë dhe strukturat e turizmit, ku shikoni se mund të mund të përmirësoni punën në turizmin e qytetit?

“E rëndësishme është se në kuadër të gjithë vendit, për vitin 2010, Shqipëria ishte prezent në të gjitha mediat ndërkombëtare. Kjo fushatë pozitive i ka shërbyer shumë imazhit të vendit. Nuk kishte ndodhur asnjëherë në këto 20 vite, që media më prestigjioze ndërkombëtare të flisnin kaq shumë dhe kaq mire për Shqipërinë: që nga ato të rajonit, si gazeta e mirënjohur Italiane italiane Corriere della sera; apo deri në Amerikë me New York Times, CNN; Euronews (evropiane) apo Lonely Planet (një nga organet më të specializuara për turizëm), të gjitha kanë qenë në një emërues të përbashkët dhe e kanë renditur Shqipërinë si një destinacion turistik që nuk duhet të humbet për vitin 2011.

Nga ana tjetër, numri i vizitorëve për herë të parë e kaloi atë të popullsisë. Ky ka qenë zhvillimi në harkun e gjithë vendit. Sa i takon qytetit të Durrësit u punua ngushtë me Ministrinë e Punëve Publike dhe Bankën Botërore dhe filloi puna për kanalizimet që nga Ura e Dajlanit deri në Golem, e kjo është një shërbim shumë i mirë që ne i bëjmë turizmit ditor, që për Durrësin shtrihet deri te Përroi i Agait. Është një gjë shumë e mirë e qeverisë qendrore për bërjen e kanalizimeve ndërsa turizmi elitar mund të bëhet në zonën perëndimore të Durrësit. Me këtë rast, bërja e Rrugës së Kallmit jo vetëm do të rivitalizoje pronat e familjeve të vjetra të Durrësit, por do te krijoje mundësitë për një turizëm cilësor. Natyrisht qe Arkeologjia e pasur e Durrësit afron mundësinë për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor”. 

Pse nuk e dhatë dorëheqjen si ministër, deri në ditën e fundit të afatit ligjor? A nuk ishte më e udhës që ta kishit këtë post pak më parë?

“Unë do të thosha se duhet të bëjmë një korrektim. Ditë më parë dhashë dorëheqjen si deputet (detyrimi ligjor dhe kushtetues është vetëm për mandatin e deputetit) kurse pozicioni i ministrit s’ka pengesë ligjore për të vazhduar dhe gjatë fushatës. Ishte më shumë një angazhim moral, për të respektuar parimet e një fushatë krejtësisht të lirë dhe të ndershme kur i kërkova dje kryeministrit dorëheqjen nga posti i ministrit. Kushtetuta e RSH-së nuk gjen të pajtueshëm vetëm postin e deputetit. Për këtë, ne kemi precedent rastin e Z. Rama që vite më parë si ministër Kulture vazhdoi fushatën dhe nuk dha dorëheqjen. Unë, në ndjekje të principeve të mia, për të bërë një garë të ndershme kërkova dorëheqjen por s’kam pasur detyrim ligjor, përveç detyrimit moral për një fushatë të ndershme”.

Qyteti juaj ka probleme të mëdha në infrastrukturë dhe sidomos në ujin e pijshëm. A keni zgjidhje konkrete për këto shqetësime?

“Është e vërtetë se zhvillimi i infrastrukturës dhe përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm janë probleme të rëndësishme për të gjitha zhvillimet e tjera në qytet. E është pozitiv fakti se qeveria qendrore e ka pasur në prioritet zhvillimin e infrastrukturës së këtij qyteti. Kështu akset kryesore të këtij qyteti, janë bërë këto pesë vite. Përmend këtu një aks që kalon mes-për-mes Kënetës, një autostradë e vërtetë, e cila përbën tashmë hyrjen e dytë në Durrës. Në mënyrë metaforike është e dyta në ekzistencën e qytetit. Është bërë rruga në Shkozet, ku punojnë me mijëra familje sikundër po punohet për Unazën në drejtim të Plepave. Po mbaron edhe rruga Porto Romano- Spitallë, kurse Unaza e Durrësit mbaroi dhe inaugurua. Porti është transformuar në këto pesë vite dhe është rinovuar edhe spitali i qytetit. Të gjithë këto janë investime të qeverisë qendrore. Ujësjellësi i ri është një premtim madhor që ka bërë Z. Berisha për Durrësin”.

Nuk keni frikë se këto mund të përdoren nga kundërshtari juaj, si të bëra në mandatin e tij?

“Jo. Këto janë gjëra të dokumentuara dhe të certifikuara ashtu si dokumentimi i të gjithë investimit të tij personal për t’i kthyer në beton të kompanisë të tij, të gjitha fondet publike të qytetit të Durrësit”.

Përveç pjesës së elektoratit të djathtë, kujt pjese tjetër do i drejtoheni më së shumti?

“Unë kam 18 vjet që u drejtohem gjithë qytetarëve dhe asnjëherë si kam paragjykuar nga vinë dhe çfarë preferencash kanë. Kjo është historia ime me pak fjalë: Korrektësia. Kanë 18 vjet që më njohin kështu. Ndaj, do iki në çdo rrugicë dhe rrugë të qytetit dhe një nga slloganet do jetë “Nuk shkohet tek njerëzit deri në tetë maj, por bisedohet për të parë se çdo të bëjmë bashkarisht pas 8 majit...”. 

Do donit të përballeshit publikisht me Zotin Dakon?

“Patjetër. Do doja të ishim prezent në çdo televizion, që do na krijohet mundësia. Sa për ballafaqimin: E ftoj të vi me kë të dojë. Madje, të marrë me vete kë mendon se mund t’i shërbejë si paterice, vetëm se e përsëris është detyrim ndaj qytetarit që të shkojmë bashkë dhe të themi se çfarë është bërë dhe çfarë do bëhet, kuptohet pa ofenduar...”.

12 Komente

Kush ka bujtur ne Durres, dhe ti kete rastis perpara ky Xhaferri i simites, patjeter do ti kete bere pershtypje qe i flet dhe i buzqesh cdo kalimtari qe i del para. Kjo gje me beri vaki nje dite. Qeshe ulur diku per hall tem, dhe ky tipi pershendeti me nje buzqeshje te shtirur. Qe aty e kaptova qe kish ndermoend te kandidonte per Kryetar bashkie.

Un nuk jam qytetar i Dursit, por nje hipokriti te atille qe mendon se do ti marre votat vetem pse pershendet alla romance rrugeve, nuk do tia jepja voten kurre.. 

 patjeter do ti kete bere pershtypje qe i flet dhe i buzqesh cdo kalimtari qe i del para.

Kot per kurjozitet: do ishte me i lumtur nese do dilte me sopate ne dore?

 Un ne pergjithsi nuk du ti shoh surratin asnje politikani, por fytyrat hipokrite me veremosin ne vecanti, sidomos ata qe lene nam duke bere deklarata publike se duan te riatdhesojne eshtrat e Ismail Qemalit. Por kjo ka lidhje dhe me mosbesimin qe kane krijuar rraca e Njerzve "me te qeshur me te ngjeshur". Nje rob qe bazohet kaq shume te forma, ne nje menyre ose tjetren anashkalon rendesine e permbajtjes, ose thjesht nuk ka kohe te merret me te.

Vallai eshte me i ndershem ai qe del me sopate ne dore se sa ky...

 ndërsa turizmi elitar mund të bëhet në zonën perëndimore të Durrësit......

E ndare ne dy pjese per te kuptuar qe keta , jane te gjithe Nje prerje me Mullahun e  Jozeficken e tyre , po mundohem te kuptoj Turizmin si perparesia kryesore e Qytetit , rrjedhimisht si nje nga prioritet e e programit Lokal te Durresit , pasi nga Porti gjithmone do mbeten vetem "thermijat Politike " te Pushteteve Qendrore :

Turizem Elitar - Turizem Popullor ( ose masiv ). Eshte ndigju per here te pare nga Shtraus qe rekomandonte per zonen e bregdetit te Jonit , Turizem ELITAR ..C'nenkuptonte ?

Erdhi dikush per pushime te kombinuara nga Llogaraja ( me banim ) per zbritje (me teleferik , kembe , mjet ) poshte ne plazh . Dhe nuk paguante keq . 1 Miljon dollare nata !!!! I shoqeruar nga  tanet , ai po sodiste natyren dhe aty pa poshte rruges  ca fshatare qe kalonin me gomere ngarkuar .

"Po keta "- pyeti ? "A ka mundesi tjeter te mos i "shoh " . Te mos jene prezent ?"

Jo . Ata jane banore te zones dhe detyrimisht jetojne e do te kalojne aty .

Ok ...tha tjetri . Merrni keto 1miljonin per mbreme dhe sot .... dhe pau - piu ... smiley

Ku do e bej Turizmin Elitar ky mullari per kandidat bashkie ????? Ne qafe te Gjoles ???

Zonen Perendimore te Durresit ...!!!!!!!! Ku fillon dhe mbaron perendimi Durresit ?

Eshte e njejta Logjike me ate te Tiranes qe do beje Parqe Kreative dhe do i jape frymezim Lumit te Tiranes nga Lindja ne Perendim ...

Zgjidhini , zgjidhini dhe keni per te pare se do ta gezoni Bishtin e Palles !!!!

Keta jane kokrra e mashtruesit qe ne Lindje or tie ...

-

Une per vete nuk jam qytetar i Durresit, edhe po te isha, per arsye teknike nuk votoj ne keto zgjedhje, por po qe se do te votoja, dhe pikerisht ne Durres, atehere voten do ja jepja Ferdinand Xhaferrit.

E di, qe beri nje gafe si minister, por sidoqofte eshte njeri i mrekullueshem.

Nuk perlyhet me korrupsion, sepse eshte qytetar zengjin dhe prona ka sa te mos tundohet nga bakshishet.

qytetar zengjin...

Nga e njeh ti kete Xhaferrin ? Kush  e beri zengjin ate ? P Punes se Shqiprise apo trashegimia nga Kukesi e Kanina ?

Nuk perlyhet me korrupsion...

Dmth qe nuk eshte kandidat i PD se do te thuash ? Apo nga ata qe "milionin e pare te dollareve nuk e tregoj , te tjerat mi kerkoni ku i gjeta " .

Nje gje ke thene mire qe NUK Votoj ..... dhe qe NUK je qytetar Durresi , dmth qe edhe Xhaferi nuk eshte Qytetar Durresi Realisht ! Po qe per "pasunare Durresi " ka ven per prralla sa te duesh me tregu per Xhaferrin  e sindikatave te Trenit !!!!!

Idris, me gjithe respektin qe kam per ty, Ferdinand Xhaferrin e njoh dhe e njoh mire, ate dhe te shoqen, dhe bejne pjese tek ajo ajka e qytetarise qe ka mbetur ne Tirane. Nese ty te vret syte sigla PD pas emrit te tij eshte tjeter gje, por per te hedhur balte kot mbi emrin e tjetrit, nuk eshte gje e mire.

Pedro Ju ritrasmetoj te njejtin respekt . Por me kufij per disa te verteta smiley

Une nuk kam hedhur balte mbi Xhaferrin por mbi te pavertetat qe thuhen per te sidomos si "pasunar " Edhe une e njoh Xhaferrin neprmjet disa njerezve  te tjere shume te afert me te . Por nuk them asgje te pafaktuar perderisa jane te thena nga te tjere .Do te ishte e pandershme !

Ama per ato qe DI dhe nuk i DI keq e me thashetheme , kam te drejte te shprehem ! Dhe nuk e kam kaluar kufirin e te thenave , sic bejne disa llomotites  ketu . As si fans ! Ndoshta te ka vrare veshin ajo shprehja e fundit ? smiley Zere se qe ne nxitim e siper dhe mos e vlereso shume ,.....por jo e pavertete !

... bejne pjese tek ajo ajka e qytetarise qe ka mbetur ne Tirane.

Megjithse kete e DI dhe e vleresoj si JU , them se nuk qe kjo permbajtja e prurjes .

Pershendetje !

 Sado zengjin te duket nje rob ne impaktin personal, po ka futur kembet ne oborrin e rregjimit Berisha, eshte i perlyer...Aktivisht sherben per te mbajtur ne kembe nje piramide kriminale, klanore dhe mafioze. Aman o burr, se dhe per Berishen, para 2005 te njejtat vlersime jepnin robte, personalisht eshte peri burre, i dashur, familjar, nuk ben ai korrupsion por bejne te tjeret, vetem se me pas dolli se robte e tij te aferm u perfshin ne afera nga me te ndryshmet. 

Gjithashtu e njejta mendesi per Berluscen ne Itali. I dashur me rrethin e ngushte te bashkepuntoreve, galant. Eshte i krimbur ne lek, nuk ka nevoje te beje me korrupsion, packa se per te arritur deri aty ka shfrytezu mbeshtetjen e piste te mafies, me evazione fiskale etj....Dhe po i vujne sot pasojat. Keto legjenda personale nuk na lene rehat...

Tashti, eshte hera e fundit qe bej replike, sepse duket sikur po mbroj Xhaferrin me cdo kusht, gje te cilen as ai vete nuk e ka te nevojshme.

Ai robi mesa di une eshte krejt i paperlyer dhe kjo ishte edhe arsyeja perse Berisha ngulmoi qe ai te vihej Ministri i Kultures, pavaresisht se ai ka krejt zanat tjeter. Por Berishes i duhej ne ate post pas Ylli Pangos nje njeri i cili te mos kishte kush ta kapte nga cepi i xhaketes, thjesht qe ceshtja Pango te harrohej shpejt. Dhe ky djali, qe eshte inteligjent dhe me kulture qytetare dhe krejt korrekt, per arsye se nuk ishte i zanatit, ia refuzoi Berishes fillimisht. Por ishte kembengulja eBerishes (qe kur i hypen dicka ne koke nuk gjen derman as ai e as ti, derisa ti dali e tija) ajo qe beri qe ai te shkonte ne ate ministri.

Se si do ti veje filli metej, nese do te rrije i paperlyer apo do te zhgerryhet si derrat e tjere, kete une or lum miku nuk e di, sepse me thene te drejten, as per veten time nuk do ta vija doren ne zjarr dhe jo me per njerez qe nuk jane nen kontrollin tim. Por une di per aq sa ka qene deri tani.

 Qytetaria e Xhaferrit le shume per te deshiruar, te pakten PR qe ka bere ne media. Une nuk mund te imagjinoja dot sesi do i zgjidhte problemet e Durresit Xhaferri kur nuk ka asnjelloj eksperience ne menaxhim administativ te nje qyteti. Cfare risie ka sjelle ne Ministrine e Kultures, qe mund ta perdore si kolateral per eksperience? 

Ndoshta po te kishte kandiduar Oketa, PD mund te kishte nje shanc ne Durres, po Xhaferri nuk e perfaqeson dot PD-ne. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).