Atentati ndaj personazhit të njohur për lidhjet e tij me politikën, Dritan Avllaj, dyshohet se është porositur nga Kosova. Të paktën, kjo është një prej pistave që po hetohet nga sektori i vrasjeve në Policinë e Tiranës, pasi edhe informacionet e mbledhura në rrugë operative kanë orientuar hetuesit drejt këtij dyshimi.

Sipas të dhënave të mbledhura nga grupi hetimor rezulton se hetimet për atentatin ku Avllaj, i njohur ndryshe si “Tan Lepri”, shpëtoi mrekullisht, janë përqendruar në tre pista. Pista e parë dhe më kryesore, sipas policisë ka të bëjë me konfliktet e mundshme që Avllaj mund të ketë në Kosovë, aty ku është parë shpesh kohët e fundit, madje përkrah njerëzve të njohur të këtij vendi, si Kryeministri Hashim Thaçi.

Hetuesit dyshojnë se konfliktet apo mosmarrëveshjet që Avllaj mund të ketë pasur në vendin fqinj, mund të jetë një pistë e vlefshme në hetimin e ngjarjes, që deri tani nuk ka asnjë autor të ndaluar. Sipas policisë, mësohet se Dritan Avllaj kohët e fundit është lidhur shumë me Kosovën, ku përveç angazhimeve të tij në fushatën elektorale, zotëron edhe disa biznese në Prishtinë. E megjithëse informacionet e mbledhura në drejtim të zbardhjes së kësaj piste, hetuesit nuk kanë lënë jashtë vëmendjes as konfliktet e mundshme që Avllaj mund të ketë pasur në Shqipëri.

Konfliktet e vjetra është njëri prej dyshimeve, duke qenë se në të shkuarën, Avllaj u ka shpëtuar edhe dy atentateve të ngjashme me atë të datës 24 mars në kryeqytet. Arsyet e dy ngjarjeve të mëparshme, në njërën prej të cilave Avllaj ka mbetur i plagosur, do të jenë pjesë e dosjes hetimore që aktualisht ka në dorë policia. “Po hetojmë në dy-tri pista të rëndësishme. Deri tani kemi mundur të mbledhim informacione të vlefshme, që mund të na çojnë drejt zbardhjes së ngjarjes” - tha një zyrtar i policisë për “MAPO”-n. Duke mos dhënë detaje për këtë ngjarje, zyrtari i policisë pohoi se identifikimi i autorëve të Dritan Avllajt, i njohur ndryshe si “Tan Lepri”, mund të jetë çështje ditësh. Edhe pse vetë Avllaj, gjatë deklarimeve të dhëna për llogari të hetimit, mohoi konfliktet personale, grupi hetimor dyshon se atentati i mbrëmjes së të enjtes mund të ketë lidhje pikërisht me ndonjë konflikt të mundshëm të objektivit, pra Dritan Avllajt. Mësohet se jashtë vëmendjes së hetuesve nuk janë lënë as konfliktet e mundshme në fushën e ndërtimit, në zona të preferuara të kryeqytetit.

Ajo që konfirmohet deri tani është fakti se grupi hetimor do të verifikojë çdo detaj që lidhet me shtetasin Dritan Avllaj, i cili u qëllua 9 herë nga dy persona që udhëtonin me motoçikletë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes pranë “Tregut Elektrik”, në lagjen “Ali Demi” në kryeqytet, kur dy persona qëlluan në pjesën e pasme të makinës së tij. Xhami antiplumb i automjetit dhe shkathtësia e shoferit shpëtuan Dritan Avllajn nga ngjarja e rëndë, edhe pse një nga 9 plumbat e goditi në shpatullën e djathtë, fatmirësisht pa pasoja për jetën. Pas mjekimit, Avllaj u largua nga Spitali Ushtarak në Tiranë, ndërsa për policinë tha se nuk kishte mundur të identifikonte autorët, pasi të dy mbanin kaska në kokë. Po ashtu, ai ka pohuar se nuk ka konflikte personale, edhe pse e shkuara e tij e lidh atë me të paktën dy atentate të ngjashme, në njërin prej të cilin mbeti i plagosur në krah.

Pista 1 Sipas policisë, ka të bëjë me konfliktet e mundshme që Avllaj mund të ketë në Kosovë, aty ku është parë shpesh kohët e fundit, madje përkrah njerëzve të njohur të këtij vendi, si Kryeministri Hashim Thaçi.

Pista 2 Konfliktet e vjetra është njëri prej dyshimeve, duke qenë se në të shkuarën, Avllaj u ka shpëtuar edhe dy atentateve të ngjashme. Dosjet e dy ngjarjeve të mëparshme do të jenë pjesë e hetimit që aktualisht ka në dorë policia

Pista 3 Jashtë vëmendjes së hetuesve nuk janë lënë as konfliktet e mundshme në fushën e ndërtimit, në zona të preferuara të kryeqytetit. Njëri prej këtyre projekteve, ai tek Liqeni, u hetua nga Prokuroria e Tiranës.

5 Komente

 si shkoi ajo puna e ndertimeve te liqeni?

 Eshte bo me Salen Tani, po blen News 24 per llogari te ketij te fundit. 

Do pefundoje si Miri i Xhikes me plumb mbas kokes.Eshte vetem ceshtje ditesh apo muajsh.Jane larje hesapesh tipike per gangsteret e Amerikes te viteve 60-70.

 Bravo Kosova,e dija qe atje porositet vetem suxhuk.

.... mund të ketë pasur në vendin fqinj, 

Po lajthisin fare kta gazetarët po vazhdojnë avzin e "vëllezërve kinezë" e "miqve nga Kosova "

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).