Mjaftoi një mesazh prekës dhe thirrës nga Elga Mitre që Emiliano 6-vjeçar të ketë shpresë të madhe se nuk do të shuhet nga sëmundja e rëndë e leucemisë. Pak ditë përpara, pas një lajmi të News 24, Elga qarkulloi një thirrje te miqtë e saj të shoqërisë civile për të dhuruar para për ilaçet e shtrenjta të djalit të vogël. Dhe ajo që ndodh shumë rrallë në Shqipëri, mekanizmi i ndjeshmërisë dhe solidaritetit njerëzor, filloi të funksionojë. Gjergji Vurmo, së bashku me kolegë të ndryshëm, shkon përditë në spitalin e fëmijëve dhe i dorëzon të atit paratë e mbledhura. Etleva Qinami e përhapi lajmin në punën e saj dhe ishte shumë entuziaste që kishte gatishmëri të menjëhershme. Andi Dobrushi, megjithëse jashtë Tirane, u lidh me zyrën që të ishte në kohë me ndihmat që duheshin dhënë. Unë pata telefonata shumë më tepër se sa nga ato që mora për peticionin kundër regjistrimit…. Secili sikur po çuditej nga vetvetja dhe nga tjetri. Të gjithë qarkulluam mesazhe gati naive, mesazhe entuziaste, sikur s’po na besohej që mund ta bënim edhe këtë…

Emiliano jeton në një familje të varfër, të ardhur nga një fshat i Librazhdit dhe vendosur afër Durrësit me shpresën se “afër kryeqytetit-afër mbretit” mund të gjendej shpëtimi. I ati, Florjan Baçi, në këto dy vjet e gjysmë e ka marrë ndihmën për t’i asistuar të birit të sëmurë vetëm nga bashkëfshatarët. Emiliano, i shtruar në spital, pret nga dita në ditë të gjenden medikamentet e shtrenjta dhe shpresa ka qenë shumë e vogël…

Menduam se pavarësisht ndihmës në para nga ana jonë, duhej gjetur një numër telefoni i ministrit, i zv.ministrit…, i dikujt që ka detyrimin të shpëtojë një njeri të vogël dhe t’i japë atij shansin të rritet e të bëhet i madh. Ngadalë u përballëm me çudinë tjetër. Shkoi mirë telefonata me zv.ministrin Bardh Spahia dhe më vonë me drejtorin e Spitalit, Sajmir Ivziku, të cilët e ndërruan lajmin e parë dhënë Florjan Baçit, nga “presim tender të drejtpërdrejtë për ilaçet dhe s’dihet kur do t’i kemi ato”, në “ilaçet do të gjenden menjëherë dhe do të përgatitim urgjent ekspertizën mjekësore për ta bërë të mundur në kohë operacionin e vështirë jashtë vendit”.

Kam shkruar disa herë për problemet e mjekësisë shqiptare: korrupsionin e saj, mungesën e humanizmit, mungesën e organizimit, abuzimet. Në zyrën tonë vijnë rregullisht ankesa për mjekët e korruptuar, mjekët e papërgjegjshëm, mjekët e paaftë. Kemi pasur gjyqe dhe kemi përfaqësuar klientë në Strasburg. Pas çdo shkrimi, reagimi është i fuqishëm, agresiv. Është një eksperiencë shumë e çuditshme: në vend që këta njerëz të ndiejnë përgjegjësitë dhe herë pas here fajet, ndodh e kundërta, mërziten, inatosen a thua se një nga tiparet tipike të shqiptarëve – të mos e pranosh dot fajin, është shumë mirë përqendruar tek ta. Ende nuk e kam zgjidhur dilemën: vërtet ata mendojnë se janë të pagabueshëm në punën që bëjnë, se janë shembulli shkëlqyer i humanizmit dhe ndërgjegjes profesionale, apo reagojnë që të mos prishin status quo-në? Pra të jenë kështu sa më gjatë, të mund të abuzojnë sa më gjatë, të mund të përfitojnë sa më gjatë. E ndërkohë nuk ka pothuajse kurrë për ta ndonjë kritikë e shqetësim nga qeveria qendrore, asnjë ngacmim dhe preokupim në emër të qytetarëve nga qeveria lokale.

Me këtë përshtypje jam akoma, edhe se e besoj, e vlerësoj, e quaj të rëndësishme dhe humane fjalën e zv.ministrit për të marrë përsipër shërimin e Emilianos. Me këtë përshtypje të hidhur për mjekët jam akoma, edhe se e besoj dhe e vlerësoj korrektesën dhe vullnetin e mirë të drejtorit të QSTUT-së, z. Ivziku.

Kushedi, mund të ndodhë ndryshimi edhe në sistemin shëndetësor. Le të jetë Emiliano një sfidë që duhet kapërcyer.

Një tjetër sfidë e ardhur natyrshëm në këtë ngjarje lidhet me shoqërinë civile, pjesë e së cilës jemi vetë dhe për të cilën ankohemi çdo ditë. Jo rrallë kam shfaqur mendimin se ne mund të kemi organizata të mira dhe punëtore, individë të përkushtuar e me vlerë, por nuk kemi lëvizje të vërtetë të shoqërisë civile, që do të thotë që nuk kemi lëvizje të të drejtave të njeriut, lëvizje të grave etj. Pra, ende shoqërisë civile në Shqipëri i mungon lëvizja. Lëvizja është një gjë ndryshe nga ajo në të cilën jemi tani: vlon, shqetësohet, vuan, ankohet, lufton dhe sakrifikon, s’ka orar pune, s’ka afate projektesh. Nëse nuk funksionon si e tillë, nuk është lëvizje. (E di që mund të kundërshtohem nga shumë kolegë). E megjithëse mendoj kështu, kjo ngjarje po më bën paksa optimiste në opinionin që kam: të nesërmen e ditës së komunikimit elektronik që patëm, në vend të diskutimeve bajate dhe të mërzitshme për politikën, folëm me njëri-tjetrin për mundësitë që ka djali i vogël për t’u shëruar, u uruam.

Ngjarja e Emilianos po na bën ta njohim më mirë vetveten, të njohim njëri-tjetrin, vlerat, ta shohim sa më shumë me sy pozitiv përpjekjen e tjetrit, të jemi bashkë sepse vetëm bashkë dhe me zemër të madhe mund të ndryshojmë energjitë tona e t’i kthejmë ato në pozitive. Të kemi shpresën se shoqëria civile mund të jetë e aftë të ndërtojë elitat dhe alternativat dhe të bëhet një urë e suksesshme midis njerëzve dhe shtetit të tyre që vetëm herë pas here i hap sytë të shohë realitetin. Emiliano është një sfidë që na bën mirë të gjithëve.

Shenim: Emiliano është në Spitalin Pediatrik në Tiranë. Kush të dëshirojë të dërgojë ndihma për të, mund të kontaktojë me të atin, Florianin, në telefonin me nr. 068 31 05 594. 

4 Komente

Dy perfundime nxora (falemnderit Monda per artikullin):

E para, eshte mire te mendosh se qeveria ka ndonjehere ndjeshmeri, dmth reagon, ndaj medias dhe ndaj shoqerise civile, dmth media dhe shoqeria civile nuk jane krejt kot.

E dyta, nuk jam hic optimiste si Ballauri, per mua fakti qe pricat dhe princeshat e shoqerise civile arriten te bashkepunonin per te ndihmuar 1, nje, uno, femije, nuk eshte per te pasur shprese, po per te vene duart ne koke, qe Ballauri gezohet per kete arritje pas 20 vjetesh! Mua personalisht me vjen turp.

 Elsa Ballauri eshte shume e mire shkruan gjithmone bukur sic eshte vete gjithmone eshte shquar per inteligjence dhe deshire per te ndryshuar sa do pak gjendjen ne ndihme te shoqerise, por eshte e veshtire ne ate shoqeri qe ata qe manaxhojne mjeksine arsimin dy ndikues te rendesishem per qenien njerezore dhe kulturen e nje populli, te kene humanizmin ose ndjeshmerine ne fokus per njeriun. 

Kam shkruar disa herë për problemet e mjekësisë shqiptare: korrupsionin e saj, mungesën e humanizmit, mungesën e organizimit, abuzimet. Në zyrën tonë vijnë rregullisht ankesa për mjekët e korruptuar, mjekët e papërgjegjshëm, mjekët e paaftë. Kemi pasur gjyqe dhe kemi përfaqësuar klientë në Strasburg. Pas çdo shkrimi, reagimi është i fuqishëm, agresiv. 

"reagimi eshte agresiv", shprehje e bukur, reale per nje kafshe te eger pylli, siduket ne aspektin njerezor ajo shoqeri po i humbet vlerat njerezore te respektit dhe kujdesit ndaj njeriut.Eshte "ndihma ne te holla" privatisht, me lutje andej ketej, rruga me e drejte per te shpetuar nje njeri? Shoqeria njerezore eshte e ndertuar ne ate menyre qe nje pjese e kontributit te saj te shkoje ne Spitale per rikuperimin e njeriut ne rast fatkeqsish semundje etj.Lenia ne meshiren e fatit te ketij problemi te madh zbulon se sa i madh eshte gabimi qe behet ndaj kujdesit te njeriut si pjese e shoqerise. Lypja per shpetim nuk eshte dinjitoze,per nje shtet qe pretendon te hyje ne Europ me lypje! Se pse si Emiliano ka me 100 ra raste ne Shqiperi dhe fondet per te mbuluar te" tilla raste" vidhen, prandaj reagimi eshte agresiv, sic thote Elsa kur preket ose vihet gishti mbi kete plage (Korrupsioni).

Elsa Ballauri eshte shume e mire shkruan gjithmone bukur sic eshte vete gjithmone eshte shquar per inteligjence dhe deshire per te ndryshuar sa do pak gjendjen ne ndihme te shoqerise

smiley

 Kështu fillon një e nga një deri në organizime më të mëdha .Po ne nuk japim  qesim psh të themi për kryqin e kuq nuk kemi besim .Fondacioni i Liri berishës kam lexuar që mer shuma të mëdha nga bizneset (dhe Taçi oil prandaj e pagoi Realin 2milion për të shkuar biletat në ndihmë të fondacionin për fëmijët otistë :smiley) qëllimisht është lënë mjeksia në këtë gjëndje dhe mjekët janë kthyer në gangsterë gjobvënës se sigurimet shoqërore janë një organizëm gjigand që mbulon çdo gjë sëmundje , pensione , invaliditet , ilaçe,spitale e ambulanca dhe kështu s'ka mundësi kontrolli e fondet rrotullohen sipas urgjencave finaciare.

Me këtë përshtypje jam akoma, edhe se e besoj, e vlerësoj, e quaj të rëndësishme dhe humane fjalën e zv.ministrit për të marrë përsipër shërimin e Emilianos. Me këtë përshtypje të hidhur për mjekët jam akoma, edhe se e besoj dhe e vlerësoj korrektesën dhe vullnetin e mirë të drejtorit të QSTUT-së, z. Ivziku.

Dhe Elca i bën ca furçe këtyre që janë përgjegjsit kryesor të gjëndjes së shendetsisë .S'ka faj po të duan ata si japin as ujë fëmijës .Të vjen të ulërasësh! Po një nga arsyet se mjekët janë kthyer në hajdutë e arrogantë janë pikërisht këta të papërgjegjshëm që ikanë mbyllur gojën mjekve me liberalizimin e hajnisë . .

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).