Fëmijët që shesin për familjen

- Një ditë në jetën e një tregtari ambulant 12-vjeçar. Mes punës së përditshme dhe barrës për mbajtjen e familjes -



Transporti Publik në Tiranë ka hallet e veta vonesa, mbingarkesës, higjiena etj., etj. Por kohët e fundit duket se listët së gjatë të problemeve i është shtuar edhe një tjetër. Fëmijët endacakë që shesin artikuj të vegjël brenda autobusit. Kapëse rrobash, leukoplastë, qese plastike. Madje, ka edhe nga ata që provojnë fatin duke u përpjekur të shesin në urban edhe aromatizues makinash. Urbani nuk është tregu i tyre i qëndrueshëm, aty dalin të punojnë gjatë orëve të pikut, atëherë kur edhe numri i udhëtarëve është shumë i madh. "Xhiron e parë në autobus e bëj nga ora tetë e mëngjesit", - tregon Samueli 12 vjeç. "Hipi në stacionin që kam afër shtëpisë (pranë '21 Dhjetorit') dhe zbres te tregu i madh. Se aty shes gjatë ditës". Por biznesi në këtë orë të mëngjesit nuk i ecën pothuajse fare. Ndodh që ndonjë zonjushe t'i ketë vrarë këmbën këpuca dhe blen një pako leukoplast. Në fakt, nuk blen një, por pesë pako për 100 lek. "Sepse kjo është oferta e ditës".

Samueli nuk është i vetmi fëmijë që në orën tetë të mëngjesit nuk ulet në bankat e shkollës, por nis aktivitetin e tij si tregtar. Në rrugët dhe tregjet e Tiranës sheh me dhjetëra fëmijë të tillë, që tregtojnë çikërrima. Dikush për t'i ardhur në ndihmë familjes e të tjerë për të ndarë lekët me familjen.

Një ditë biznesi
Si të tjerë moshatarë të tij që merren me këtë biznes, edhe Samueli del nga shtëpia në mëngjes herët. Hipën në urban dhe niset drejt "Tregut Industrial". Nga shtëpia e tij deri në treg, janë gati 10 stacione dhe gjatë kësaj rruge ai përpiqet të shesë diçka. "A dëshironi të blini një leukoplast. Pesë copë një mijë lek". - Jo faleminderit, - refuzoi një grua në mënyrë të sjellshme dhe shtyhet mes njerëzve për të gjetur një vend ku mund të mbahet në autobusin e stërmbushur. Më pas, pyetja përsëritet dhe përsëri dëgjon një refuzim. "Kështu ndodh çdo ditë. Rrallë ndodh të shes diçka në mëngjes", - thotë ai. Në stacionin pranë tregut, hidhet me të shpejtë nga autobusi dhe po me të njëjtën shpejtësi kalon rrugën e madhe. Është ora 8:40 e mëngjesit dhe ai ka nisur punën e përditshme. Refreni është po i njëjti. "Dëshironi leukoplast?".

Rreth orës 10 të paradites frytet e punës përmblidhen në dy ose tri pako të shitura. Është koha për të ngrënë mëngjesin, i cili përbëhet nga një byrek 30 lekësh, që e blen tek tregtari ambulant. Puna vazhdon. Deri më mesditë, ai shëtit të gjitha rrugicat e tregut. Një herë, pastaj rikthehet prapë e prapë. Në mesditë duhet ndryshuar sërish vendi i shitjes. Samueli hipën në Unazë dhe fillon të pyesë udhëtarët nëse dëshirojnë leukoplast. Nuk arrin të punojë as dy stacione pasi, pasi fatorinoja e nxjerr nga autobusi. Nuk ishte hera me fat. Ai pret në stacion autobusin tjetër. Këtu ka pak më shumë fat. Arin të shes një pako. Autobusi vazhdon të ec, dita po ashtu. Ka ardhur pasditja dhe Samueli thotë se do të shkojë në shtëpi të hajë drekë (në orën 15:00). Del nga autobusi, në po të njëjtin stacion ku kishte hipur në mëngjes. Aty thotë se do të hip sërish pas dreke. Do të bëjë një tjetër xhiro biznesi dhe do të zbres në "Bllok". "Në darkë aty ka më shumë njerëz", - thotë ai duke buzëqeshur.

Familja
Duket sikur familjet e këtyre vogëlushëve kanë dalë nga libri "Të mjerët" i Viktor Hygo. Njerëz të varfër që sakrifikojnë fëmijët e tyre për një dorë para. Nëna e Samuelit është një 36-vjeçare që nuk punon. Qëndron në shtëpi dhe nikoqir ato pak lek që i sjellin fëmijët dhe bashkëshorti, i cili nuk ka një punë të qëndrueshme, por çdo ditë del me shpresën se do të gjejë diçka për të bërë. E gjithë ekonomia e kësaj familjeje varet nga lekët që çojnë në mbrëmje fëmijët. Samueli dhe motra e tij 9-vjeçare. Ajo është e vetmja që shkon në shkollë, është në klasë të katërt. Pasdite del të shesë më të vëllanë, bajamet e pjekura që ia ka përgatitur paradite e ëma, nga të cilat nuk çon në shtëpi më shumë se 1 mijë lek. I vëllai kalon më shumë kohë rrugëve dhe lekët që çon ai në shtëpi janë rroga e familjes. "Ka raste që çoj edhe 7 mijë lek në shtëpi. Po ato janë të rralla", - thotë. Me lekët që sjellin fëmijët dhe me 6 mijë lek ndihmë ekonomike që merr në muaj, kjo familje shtyn ditët e saj, në qytetin e madh. Nuk është e vetmja familje në Tiranë që gjendet në këto kushte. Samueli ka me dhjetëra shokë si ai, me të cilët shpenzon kohën e punës dhe atë të lirë. Pothuajse të gjithë e kanë braktisur shkollën. Kush më vonë e kush me herët, asnjëri prej tyre nuk e ka përfunduar arsimin bazë 9-vjeçar. Më kot mundohet Ministria e Arsimit të vendosë gjoba për ata që nuk shkojnë në shkollë, më kot mundohet Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale të ndërtojë programe për heqjen nga rruga të këtyre fëmijëve. Përballë urisë është e sigurt se këta fëmijë do të gjejnë një mënyrë për të mbijetuar, dhe prindërit e tyre do të kenë përherë në qafë gurin e pendesës për fëmijërinë e munguar të bijve të tyre.

*Samuel është një emër i përdorur nga redaksia, për shkak të moshës minorene të djalit


Shifra CRCA
50 mijë fëmijë punojnë në gjithë Shqipërinë
3% nëpër ndërmarrje
Lypsa, 800 vetëm në Tiranë
Tiranë, 500 nxënës kanë braktisur shkollën


Në botë
250 milionë fëmijë punojnë
10 milionë fëmijë punojnë në ambientet e shtëpisë


Shifra Instat
9.8 për qind e fëmijëve të moshës 6-14 vjeç janë të përfshirë në punë
0.3 për qind e fëmijëve punojnë në zonat urbane
Në zonat rurale punojnë 16 për qind e fëmijëve të moshës 6-14 vjeç.

4 Komente

Per kete teme zakonisht njerzit skane se cte shkruajne..

Fatkeqsisht fjalet tona nuk e permiresojne jetesen e tyre smiley 

Une s'di pse ky Samueli nuk ja nis te bredhe neper Europe, tani qe kemi liberalizim.

edhe cuni sales u tha se shiste fisheke per familjen.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).