Dje, bashkë me 30 kolegë, miq dhe ekspertë e njerëz të nderuar në profesionin e tyre dhe në angazhimin publik në qytet, promovuam tek Akademia e Arteve një iniciativë me emrin “INICIATIVA PËR TIRANËN”. Siç edhe kronika e medias e ka pasqyruar dje, 31 intelektualë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, të shqetësuar për problemet e qytetit tonë, krijojnë këtë forum me qëllim që të ndikojmë, duke shfrytëzuar rastin e fushatës për zgjedhjet lokale të 8 majit, në programin e kandidatëve për Bashkinë e Tiranës. Për këtë u ftuan të dy kandidatët,  Lulzim Basha dhe Edi Rama, për të ndjekur një gamë shqetësimesh dhe idesh që secili prej këtyre pjesëmarrësve kishte për të shprehur, duke i ftuar sërish një javë më vonë, në të njëjtën sallë, në të njëjtin vend, për të dialoguar me pjesëtarët e INICIATIVËS rreth shanseve të përfshirjes në programin e tyre të këtyre ideve, apo adresimin e këtyre shqetësimeve. Zoti Basha iu përgjigj ftesës, zoti Rama jo. Sërish ky forum mbetet i hapur për këtë komunikim në javët e ardhshme. 

Ja, kaq e thjeshtë ishte e gjithë kjo. Dhe kaq e komplikuar njëkohësisht për një mjedis publik, i cili sheh pas çdo veprimi publik një qëllim të fshehtë, një dorë organizatore. Një qëllim të fshehtë përtej atyre që thuhen hapur, përtej atyre që thanë hapur në këtë komunikim publik këta individë të mbledhur në këtë grup “ad- hoc” me qëllimin për të influencuar në debatin e këtyre zgjedhjeve lokale. 

Shqipëria ka nevojë për konceptim tjetër të angazhimit politik dhe atij qytetar, i cili është shumë më i shumëllojshëm sesa skema aktuale që ne kemi: ose parti politike, ose organizatë joqeveritare, ose biznes. Brenda këtij trekëndëshi ka një galaktikë të tërë organizimesh civile , jo politike, të cilat janë dhe mund të jenë shumë të dobishme për demokracinë. Sot, ne jo vetëm kemi një boshllëk në legjislacion dhe në praktikat e strukturimit të shoqërisë sipas këtyre modeleve që Perëndimi i ka elaburuar prej disa shekujsh, por mbi të gjitha kemi një boshllëk dhe keqkuptim të madh në mjedisin publik se çfarë përfaqësojnë këto tip iniciativash. 

Njerëzit para se t’i mbledhë bashkë, ose partia, ose biznesi ose një organizatë joqeveritare, i mbledh bashkë në një mënyrë të lirshme dhe jo-impenjative, pa patur nevojë për statute apo regjistrime në gjykata e tatime, një shumëllojshmëri interesash të përkohshme, që nuk janë as politikë, as biznes, as një organizatë joqeveritare sipas konceptit dhe perceptimit që ne kemi sot për to. 

Grupime të tilla “ad-hoc”, janë jo vetëm shumë të dobishme për shoqërinë dhe demokracinë, por ato janë thuajse domosdoshmëri në rastin e zgjedhjeve lokale. Zgjedhjet lokale për nga përcaktimi janë shumë më afër njerëzve, shumë më larg strukturave politike apo atyre ekonomike. Ato janë një formë identifikimi komunitar, dhe një përpjekje periodike për të zgjedhur krye-qytetarët për një kohë dhe me një mandat të caktuar. 

Zgjedhjet lokale janë në gjenezën e tyre zgjedhje qytetare. Vetëm në shekullin e 20-të ose pak më parë zgjedhjet lokale ishin thjesht zgjedhje komunitare, ku nuk kishte kandidat partie, por kishte lista qytetare ku kandidonin njerëz që vinin nga komuniteti. Pasi kaluam një shekull e ca politizim të këtyre zgjedhjeve, në fakt Perëndimi është “bërë pishman”, ose më saktë “shteti unitar” është penduar për kompetencat e përqendruara në qendër dhe po përpiqet me shumë mundim të lëshojë kompetenca drejt lokaliteteve, drejt bashkësive. Ndaj organizime të tilla si INICIATIVA PËR TIRANËN janë jo thjesht një ndërmendje e disa njerëzve që ftojnë përreth një tryeze disa të tjerë, por janë manifestim i ndërgjegjes së opinionit publik kryeqytetas, që ka nevojë për diskutim dhe debat me themel për Tiranën, ka nevojë për “depolitizimin” 10-vjeçar të betejës për Tiranën, ka nevojë për një diskutim me themel për të tashmen dhe të ardhmen e qytetit tonë.

Ja, kaq është INICIATIVA PËR TIRANËN, e thjeshtë, publike, e hapur për të gjithë, në funksion të një debati për zgjedhjet lokale të 8 majit!

_______ _______ _______ _______

 

Pse shkova?

Artan Lame

Mos shko or trim, i thanë trimit. Shkoi trimi, nuk ua vuri veshin këshillave të atyre që e mbajnë mirë me të gjithë dhe... humbi trimi pa nam e nishan, por të pakën e bëri të vetën.

Dje, një grupim i quajtur “Iniciativa për Tiranën” organizoi një tryezë ku ishin ftuar një grup intelektualësh, të cilët duhej të shprehnin idetë e tyre rreth Tiranës dhe zhvillimit të saj. Përballë këtij grupimi do të vendoseshin dy kandidatët e Tiranës, kryetari aktual Edi Rama dhe kandidati Lulzim Basha. U ftova t’i bashkohesha këtij takimi dhe... atëherë zunë hallet e mia. Telefonatë pas telefonate të miqve të PS-së, që më thoshin se pse e si nuk duhej të shkoja.

Mos shko se Luli vrau njerëz në bulevard, më thosh njëri. Sikur ish nevoja të ma thosh ky këtë, se unë kisha qenë vetë në demonstratë më 21 janar. Mirëpo kësaj radhe po thirresha të flisja për Tiranën, e jo për t’i kërkuar Berishës të ikë. Unë penën dhe fjalën kam, po nuk i përdora ato çfarë të bëj tjetër?

Si mund të ulesh ti në tavolinë me atë, pseudoçuditej një tjetër. Le që nuk “po ulesha me atë”, po “përballë tij”, por më kalonin ndër mend milionat e dollarëve të harxhuar nga ndërkombëtarët me OJQ-ra për të krijuar frymën e komunikimit, për të krijuar brezin e ri të prirur për të diskutuar e debatuar. Ne u ulëm edhe me Nard Ndokën dhe me Spartak Ngjelën që i kishim armiq, ndërsa unë mes profesor Aleks Luarasit dhe doktor Halim Kosovës u ula dreqi ta hajë!

Mos shko se Luli është vegël e Berishës, më thosh tjetri. Edhe kjo është e vërtetë, por unë për punë të Piramidës desha ta pyes Lulin dhe, për punë të Piramidës u ul në tavolinë me vetë Berishën, vetë kryetari im, Edi Rama (dhe bëri mirë).

Mos shko se është kurth i Bashës. Po kur qenka kurth i Bashës, pse të mos shkoj e t’ia prish kurthin kurthexhiut? Betejat fitohen duke u përballur me kundërshtarët dhe jo duke iu shmangur atyre. Ishte e vërtetë që në formatin e të ftuarve prej rreth 30 mjekësh, piktorësh, kompozitorësh, artistësh, ekonomistësh, historianësh, profesorësh e doktorësh, kishte me shumicë të orientimit të djathtë, por panelet s’i zgjedh unë, por organizatorët.

Shiko nuk është mirë të vesh, sepse fjala jote ka peshë dhe i jep kredi atyre, më vinte pas fijes një tjetër. Epo kam 10 vjet që jam larguar nga puna në Bashkinë e Tiranës, kam 10 vjet që jetoj përditë me problemet dhe ëndrrat e mia për këtë qytet dhe në këta 10 vjet AS EDHE NJË HERE të vetme nuk u kujtua dikush nga Bashkia të më ftonte të them mendimet, të jap idetë e mia, propozimet e mia për këtë qytet. Dhe tani më thonë se fjala ime paska peshë. Por kur paska peshë, ku duhet ta them unë këtë fjalë që t’ia shoh peshën!!! E nxora inatin duke i kujtuar të shkretin Pandi Raidhi tek i shfryhej Ollgës “grurin, gjalpin e djathin ia doni fshatit, por djemtë s’ia pëlqeni për dhëndurë!”.

Mos shko, se disa nga ata që janë ftuar aty janë shprehur kundër grevës së urisë. Edhe mund të jenë shprehur, por unë vetë jam shprehur pro grevës dhe ato ditë botova edhe një reportazh nga greva. Ç’të bëj tani, të mos i flas me gojë njërit e tjetrit për këtë punë?

Për të gjithë ata që, përtej kurtheve, janë të interesuar se çfarë i kërkova unë Lulzim Bashës, po ju vë këtu pyetjet që i bëra atij faqe të gjithëve:

“- Ansambli Monumental i Qendrës së Tiranës përmbledh trashëgiminë publike më me vlerë të qytetit dhe zonën më të frekuentuar nga të gjithë. Por, copë pas cope, e qeveri pas qeverie, hapësirat po zihen dhe objektet po shkatërrohen. Po rrezikohet stadiumi ‘Qemal Stafa’, po rrezikohet sheshi ‘Nënë Tereza’ etj.

Cili është qëndrimi yt ndaj Ansamblit Monumental të Qendrës së Tiranës, i cili rrezikohet aktualisht nga të katër anët?

Cili është qëndrimi yt ndaj Qendrës Kulturore “Pjetër Arbnori”, ose e njohur ndryshe nga të gjithë si Piramida?

Berisha është shprehur se projekti i Edi Ramës për sheshin ‘Skënderbej’ është i paligjshëm, kriminal e plot të tjera të llojit. Cili është qëndrimi yt ndaj projektit të sheshit ‘Skënderbej’? Do ta prishësh?

- Tirana ka nevojë të ngutshme për shtimin e hapësirave të gjelbra sportive dhe rekreative. E vetmja zonë e mbetur që mund të përdoret për këtë qëllim, është kompleksi sportiv ‘Dinamo’, poshtë liqenit. Kohët e fundit me një vendim të KRRTRSH-së të kryesuar nga Berisha, edhe kësaj zone iu ndërrua destinacioni në zonë ndërtimi.

Cili është qëndrimi yt ndaj zënies me ndërtime të kompleksit sportiv ‘Dinamo’, që është e vetmja hapësirë e mbetur sportive e Tiranës.

- Kam dëgjuar të flitet për bibliotekë universitare bashkiake, por unë përpara kësaj dua të dëgjoj për bibliotekë bashkiake. Gjithashtu kam dëgjuar të flitet për kampus universitar, por edhe përpara kësaj, dua të dëgjoj për kampus kulturor të qytetit”.

Javën tjetër do të doja të dëgjoja mendimin e Lul Bashës për këto pyetje dhe për të tjera që u shtruan në atë takim. Nëse ato do të jenë dredhuese apo nëse do të thotë se është për prishjen e Piramidës, për mbushjen me pallate të kompleksit sportiv, për prishjen e sheshit ‘Skënderbej’, e të tjera si këto, sërish do të marr penën dhe t’u them mos e votoni.

Unë penën dhe fjalën kam, me ato e bëj betejën time.

P.s.: E shikoni se sa e ligë është politika? Në vend ta harxhoja këtë shkrim duke ju folur për qytetin tim, e harxhova duke ju treguar cicmicet, duhet a s’duhet të shkoja. Dhe ju, në vend të mendoni për Piramidën, parkun a sheshin, po harxhoni kohë me mua që përpiqem t’u mbush mendjen se pse duhet të shkoja. Politika prapë ia doli të na marrë mendjen.

Gazeta Shqip

3 Komente

 edhe une do kisha nje pyeje per bashen te tipit

 

Si minister i infrastruktures, i prishe qytetit mbikalimin te zogu i zi (me justifikimin se bashkia nuk kish mbushur formularet per prerjen e pemeve) duke shkaktuar humbje te parave, rendim te trafikut e ndotje. Si kryetar bashkie i tiranes, cfare do te kishe deshire shkaterroje?

Me Lamen jam dakort. Kurse Cili te thote c'te doje, kredibilitet as ka dhe as ka per te pasur per nje kohe te gjate.

Henri Cili: Njerëzit para se t’i mbledhë bashkë, ose partia, ose biznesi ose një organizatë joqeveritare, i mbledh bashkë në një mënyrë të lirshme dhe jo-impenjative, pa patur nevojë për statute apo regjistrime në gjykata e tatime, një shumëllojshmëri interesash të përkohshme, që nuk janë as politikë, as biznes, as një organizatë joqeveritare sipas konceptit dhe perceptimit që ne kemi sot për to.

Po, po por e keqja eshte se ty s'te beson njeri qe interesat s'i ke afatgjata politike dhe biznes smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).