Zgjedhjet lokale & trashëgimia kulturore mund të tingëllojë një lidhje paksa utopike për kandidatët e listuar në faqet e të përditshmeve, por në fakt nuk rezultoi aspak e tillë nga tryeza e rrumbullakët që u zhvillua nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, me përfaqësues të organizatave jo qeveritare të fushës së kulturës, mediave si dhe qytetarë dashamirës të Trashëgimisë Kulturore, me temë “Trashëgimia Kulturore mes premtimeve elektorale”. Pamja e qytetit të Krujës, ku si “pykë” në mes të monumenteve të kulturës ngrihej një pallat shumëkatësh gërricte natyrshëm ndërgjegjen e çdo njeriu që e shihte atë masakër urbane në një qytet që mbart histori si Kruja. Synimi i këtij takimi nuk ishte thjesht tërheqja e vëmendjes së kandidatëve në zgjedhjet vendore të 8 Majit ndaj trashëgimisë kulturore, por një “opozitë” e fortë që ata të vihen para përgjegjësisë që në programet e tyre elektorale të përfshijnë edhe çështjet e ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Për këtë arsye u hartua dhe një promemorie. Sesa do të mundet ky forum të bëjë atë pjesë lokale të politikës për të hapur sytë e për të kuptuar se trashëgimia kulturore shkon përtej një mandati, kjo mbetet për t’u parë, por përpjekjet dhe masat konkrete që do të ndërmerren në këtë drejtim i shpjegon për MAPO-n ideatori i kësaj nisme Artan Lame.

Përse ky takim tani në prag të zgjedhjeve lokale dhe me një synim të caktuar: “Trashëgimia Kulturore mes premtimeve elektorale”?

Një nga çuditë e Shqipërisë është se tashmë kemi një opinion publik përgjithësisht të ndjeshëm për shumë çështje të trashëgimisë sonë dhe është politika, qeverisja qendrore apo vendore ajo që është e pandjeshme. Përgjithësisht ka një opinion publik shumë të ndjeshëm ndaj çështjeve të trashëgimisë nëpër qytete të ndryshme të vendit apo ndaj çështjeve të hapësirave urbane të gjelbra, çështjeve të mjedisit etj. dhe kjo vihet re menjëherë nga mënyra sesi reagon opinioni, sesi përpiqet opinioni të bëjë diçka dhe nga ana tjetër kemi një administratë qendrore apo vendore tërësisht të pandjeshme. Prandaj, përmes një opinioni tepër të ndjeshëm të publikut, ne po përpiqemi në rastin konkret t’i bëjmë presion administratës vendore e cila nuk mund të vazhdojë më të abuzojnë, sepse tashmë kanë të bëjnë me një opinion publik të formatuar dhe që nuk e hedh aq kollaj pas krahëve, sepse në fund të fundit ata janë votuesit.

Por duhet të kemi parasysh se kur themi trashëgimi kulturore nuk bëhet fjalë vetëm për atë kalanë në majë të malit apo për atë kishën në breg të lumit, sepse nuk është thjesht kjo, por trashëgimi është gjithçka që na lidh ne si qytetarë me një kohezion të brendshëm qytetar është ajo që na lidh me njëri-tjetrin, ajo që na lidh me të shkuarën, pra me një kujtesë historike tonën, e cila pastaj duhet parë edhe në funksion të përmirësimit dhe mirëqenies civile në vetë qendrat e banimit. Për të qenë sa më imponues në këtë drejtim, ne zgjodhëm pikërisht momentin e fundit të para hapjes së fushatës zgjedhore apo momentin e parë të vetë fushatës zgjedhore. Pra, është momenti që për fat të mirë politika, pasi tallet përgjithësisht me njerëzit dhe tregon edhe arrogancën me njerëzit dhe opinionin për katër vjet rresht të qeverisjes së saj, muajin e fundit para zgjedhjeve fillon dhe i ul veshët dhe mundohet të dëgjojë opinionin publik. Pikërisht për këtë arsye u zgjodh ky moment për të organizuar këtë takim.

Por si do t’i detyroni kandidatët që në axhendën e tyre të projekteve të përfshijnë edhe çështjet që ju ngrini në promemorien drejtuar atyre?

Në një situatë ku zonat e gjelbra të qyteteve tona, parqet e qyteteve tona, zonat publike ku mund ndërtohen objekte me vlerë publike dhe të përdorimit publik sa vijnë dhe pakësohen, është e rëndësishme që të tërhiqet vëmendja qoftë e kandidatit qoftë e publikut sesi si mund të ruhen dhe shpëtohen këto që na kanë mbetur. Është shumë e rëndësishme që t’ju drejtohemi kandidatëve duke patur parasysh se një pjesë e tyre janë të rinj, por një pjesë e tyre dhe rikandidojnë dhe në këto kushte t’u kujtojmë sidomos atyre që rikandidojnë se përpara se të bëjnë recitimet e radhës të thonë se çfarë kanë bërë në mandatin e tyre të mëparshëm, sidomos në qytetet që kanë trashëgimi të mirëfilltë historike, si Berati, Gjirokastra, Shkodra, Durrësi etj. Shoqëria civile nuk është një institucion, shoqëria civile është një element që arrin të ndikojë mbi opinionin, por pa qenë institucion detyrues. Detyra jonë është: e para, t’ua vëmë në dukje kandidatëve; e dyta, publikut duke ia kujtuar; dhe e treta në raste ekstreme, kur shihet se qëndrimi ka qenë vërtet negativ, t’i bëjmë publike edhe me shembuj.

Por përpara premtimit të një rruge të shtruar, përse kandidati duhet të zgjedhë trashëgiminë kulturore?

Për fat të keq është e padiskutueshme që qyteteve tona u mungojnë shumë gjëra dhe nganjëherë kandidatët e kanë shumë të thjeshtë t’i bien shkurt me premtimet e zakonshme; do shtroj rrugën apo do zgjeroj trotuarin. Këto lloj premtime, sidomos në qendrat e rëndësishme urbane, janë gati-gati fyese për dinjitetin e qytetarit shqiptar, që t’i ofrohet si alternativë fakti që do kandidati do t’i shtrojë rrugën apo do t’i zgjerojë trotuarin. Qytetari shqiptar madje mund të pranojë të rrijë ndoshta edhe diçka më gjatë me një trotuar të pashtruar apo me një rrugë me gropa, por nuk pranon më që fëmijët e tij të mos kenë më një mjedis publik ku të shkojnë, të mos kenë më një bibliotekë, një qendër kulturore apo historike ku të kalojnë ditën, parqe etj. Pikërisht në këtë aspekt ne këmbëngulim edhe në hapësirat e gjelbra, hapësirat publike, të cilat po zaptohen shumë shpejt.

Vazhdon fushata e privatizimeve masive, ndërkohë që qytete tona u mungojnë gjërat më elementare që duhet të ketë një qytetet. Ka qytete që nuk kanë akoma një bibliotekë apo teatër të tyrin. Le të plotësojmë këto gjëra që janë kardinale në jetën sociale të njerëzve, gjëra që na bëjnë të rrimë bashkë, ndërkohë që një rrugë thjesht na ndihmon të kalojmë rrugën në mënyrë më komode. Nga kjo pikëpamje, një shesh apo një park i rregulluar është më i rëndësishëm sesa një rrugë apo trotuar i rregulluar.

Dhe çfarë mekanizmash do të vini në lëvizje për të vënë përpara përgjegjësisë kandidatët?

Forumi ka vendosur të listojë çështjet më të ndjeshme dhe më problematike të qyteteve kryesore, listë që do t’ua ofrojmë të gjitha medieve, por dhe opinionit qytetar për t’i patur parasysh në takimet dhe diskutimet me kandidatët, por edhe në debatet politike. Nëpërmjet ofrimit të çështjeve dhe argumenteve mund t’u kërkohet kandidatëve një përgjigje direkte, duke vënë në një farë mënyre edhe përpara një lloj përgjegjësie nesër, kur të jenë në krye të bashkive dhe komunave.

A mund të na bëni një listë paraprake të problemeve më akute në qytete kryesore të vendit?

Të gjitha qytetet shqiptare kanë probleme të pafundme, sidomos duke e parë trashëgiminë jo si një çështje objektesh të veçanta me të cilën merret Instituti i Trashëgimisë Kulturore në Tiranë, por si çështje që na bën të jetojmë më mirë në qytete tona dhe bashkësitë tona.

Po bëj një listim të disa prej çështjeve më problematike të kohëve të fundit:

- Në Durrës është çështja e sheshit historik të qytetit dhe shatërvanit qendror të qytetit, që është projektuar të shkatërrohet nga Bashkia. Ka një opinion shumë të ndjeshëm qytetar në Durrës për këtë problem.

- Në Lezhë është çështja e Kalasë së Lezhës, një problem që vë para përgjegjësisë kandidatët lokalë për vizionin që ata kanë për rrjetëzimin e Kalasë së Lezhës; ta kthejnë në një mejhane apo të marri atë hije që duhet të ketë kështjella ku kanë ndodhur dy nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë: Lidhja e Lezhës dhe më pas vdekja e heroit tonë kombëtar.

- Në Gjirokastër kemi çështjen e memorialit të Rilindësve.

- Vlora gjithashtu ka shumë probleme sidomos në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë; p.sh. çfarë projektesh kanë kandidatët për zgjerimin e Parkut te zona e Shtëpisë së Pavarësisë, për zonën te Sheshi i Flamurit, për zonën e lagjeve të vjetra të qytetit apo zonën dhe kodrën e Kus Baba-së, që duhet të ishte ballkoni i Vlorës dhe që është mbushur me ndërtime pa leje. Apo për zonën e Kalasë së Kaninës, që duhej të ishte dhe ajo një pjesë që pret të rrjetëzohet, por që është totalisht e abandonuar.

- Korça ka probleme jashtëzakonisht të rënduara; me pazarin e vjetër që është në degradimin maksimal dhe që është në limitet për të ngritur pikëpyetjen nëse do mbijetojë apo do zhduket. Ka probleme me fillimin e ngritjes së pallateve në lagjet aristokrate të qytetit, që do të ishte një krim i pafalshëm ...

... Dhe në fund Tirana, që është rasti tipik i këtyre problemeve që mund t’u shtrohen kandidatëve. Çështja e Piramidës, sesi e gjykojnë dy kandidatët prishjen apo ruajtjen e saj. Ansambli Historik një projekt për ta kthyer në identitet që nisi dhe mbeti përgjysmë. Stadiumi që është projektuar të prishet apo të ribëhet i riu, duke ruajtur strukturën. Parku i Liqenit, i cili po vazhdon të mbushet me ndërtime pa leje, duke u grabitur çdo ditë e më shumë. Apo fushat e Dinamos, të cilat nën zë me një marrëveshje të pashpallur të të dy palëve i kanë dënuar “me vdekje” si dhe Hapja e Bulevardit përtej stacionit të trenit, që do të ishte një prej ndërmarrjeve më të mëdha zgjeruese edhe sistemuese të qytetit; shtrirja e Bulevardit të qytetit nga stacioni i trenit drejt Paskuqanit, që do të integronte pjesën informale të qytetit me pjesën e vjetër të qytetit.

Po në rast abuzimesh apo siç thoni ju “masakrës urbane” të qytetit, si do të proçedohet me denoncimet që ju keni parashikuar në promemorie?

Në fakt, prej kohësh e kemi patur idenë për të gjetur një mënyrë që shoqëria civile apo qoftë dhe forumi ynë në mbrojtje të trashëgimisë të arrijë të konstituohet si palë civile në një proces gjyqësor ku dëmtohet interesi i qytetarëve dhe nuk flet askush. Ndërsa në rastin konkret, duke qenë se ne akoma nuk jemi institucionalizuar si shoqëri civile, u ra dakord që për raste krimesh urbane të bëhet një denoncim i vazhdueshëm dhe agresiv mediatik. Ne do të jemi agresivë në këtë drejtim, sidomos në ato raste ku do kemi kandidatë që rikandidojnë. 

2 Komente

A ka ndonje artikull sot per te qetesuar pak shpirtin bre? apo t'ja ngopim e te ulim koken andej nga "kenga qe po degjon shumembedhjete"? smiley

Forumi ka vendosur të listojë çështjet më të ndjeshme dhe më problematike të qyteteve kryesore, listë që do t’ua ofrojmë të gjitha medieve, por dhe opinionit qytetar për t’i patur parasysh në takimet dhe diskutimet me kandidatët, por edhe në debatet politike.

Z. Lame, dakort me kete.  

Por mire do ishte qe krahas listes se ketyre ceshtjeve te "listohen" kandidatet.  

Marrim Durresin, bie fjala.  Kandidat eshte ish/eshte Ministri i Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri.  Sidomos ne kete rast e keni fare te lehte te pyesni kandidatin ne fjale se cfare ka bere per ceshtjet qe shqetesojne forumin tuaj, por edhe qytetaret.  

E me radhe te gjitha qytetet e tjera.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).