Mësoj nga një numër gazetash online se për fat të keq aktori i mirënjohur Roland Trebicka është i sëmurë me kancer në mushkëri. Shteti bujarisht paksa dhënë fonde për t’i mundësuar kurim të specializuar në Francë. Natyrisht, si shumëkush që ka përjetuar fatkeqësi të tilla në familjen, të afërmit e miqtë e vet, më vjen mirë për ndihmën që i ofrohet aktorit të talentuar, ashtu sikurse do të më vinte mirë për cilindo tjetër në rrethana të tilla dëshpëruese. Lexoj ndër komentet që përshoqërojnë lajmërimet e shtypit se shumë artdashës e dashamirës të artistit janë të prekur prej gjestit humanitar edhe i urojnë përzemërsisht shërim e fat të mbarë artistit. Bashkohem edhe unë sinqerisht në këto sentimente e urime të mira.

Megjithatë diçka tjetër më shtyn të shkruaj sot. Para pak kohësh po të njejtat gazeta lëshuan mesazhe sensibilizimi për djalin 6 vjeçar, Emilianon e sëmurë me leucemi, për të cilin nuk po sigurohej dot kura e plotë ciklike, prej së cilës i varej jeta. Pati madje edhe intervista, ku i ati në hall informonte publikisht se ç’premtime pati bërë spitali ku kurohej djali i vogël, sa ishin mbajtur ato premtime, ç’pjesë e kurës po sigurohej falë bujarisë dhe përpjekjeve të individëve privatë, e kështu me radhë. Situatë përnjimend prekëse, ndonëse fatkeqësisht jo e rrallë. Gazetarët zunë të shkruajnë artikuj, e disa u mrekulluan prej reagimit e solidaritetit popullor e përpjekjeve për të gjetur medikamentet në rrugë private deri aty sa titulluan ndonjë shkrim “Faleminderit Emiliano!”

Informime për njerëz të tillë në hall të madh, me jetën që u varet në fije të perit, pa shërbim të mjaftueshëm mjekësor e pa mundësi financiare shohim rëndom nëpër faqe të shtypit.

Shpesh as grafikisht nuk kursehen si fatkeqët katandisur para kamerave si qenie njerëzore ose më mirë objekte të çveshura prej minimumit të dinjitetit që u takon, ashtu edhe syri i ngeshëm publik voyeurist që kundron. Të tilla rubrika nuk mund të shihen veçse si maja pornografike e njolla turpi të shoqërisë e shtetit shqiptar, i cili në shekullin e 21-të nuk u siguron dot qytetarëve shërbimin shëndetësor – të drejtën numër një që meritojnë.

Po si gjithnjë solidarizimi në kor në kësi rastesh është punë jo e mundimshme, madje është aktivitet tipik kënaqësidhënës popullor, që gjithnjë i bën njerëzit të kridhen në shtratin e rehatshëm të përdëllimit sentimental -- aktivitet i cili në thelb s’është veçse formë vetë-dashurie, vetë-admirimi, e shpëlarje imagjinare e vetes prej ndjenjave të fajësisë e gjithfarë mëkateve personale, gjëra që zakonisht nuk kanë jetë më të gjatë sesa deri në lajmin sensacional të radhës. 

Në këtë kontekst ndihma që i ofrohet Roland Trebickës shtron një problem të madh etik, një problem që ka të bëjë me të drejtat e qytetarëve dhe aksesin e njëllojtë që këta duhet të kenë për shërbime bazë, sikurse është shërbimi shëndetësor. 

Sa vlen një jetë njeriu në Republikën e Shqipërisë, ku aksidentet rrugore bëjnë kërdinë, ku vetëgjyqësia kryhet pa mëdyshje, ku ndojta e mjedisit dhe e ajrit është alarmuese, ku tavanet e muret e ndërtesave – madje edhe të spitaleve e shkollave – s’është çudi t’iu shemben mbi krye pacientëve e nxënësve në shkolla? 

Sa kushton jeta në Shqipërinë demokratike të shekullit të 21-të? (Ironikisht, po t’i referohemi BalkanWeb-it, s’merret vesh nëse jeta e aktorit Trebicka vlen sa fondi 47 milionësh siç shkruhej në titull, apo 4.7 milion lekë sa ç’u zvogëlua plot dhjetë herë në brendësi të njoftimit. Nënfish i 47 milionit, a shumëfish i 4.7 milionit? Mos po ngecem gjë në pupla? Lekë të reja? Të vjetra? S’e di. Le të biem dakord – pak a shumë një grusht me para!)

Kur dihet se njerëz që janë prekur a do të preken nga sëmundje të rënda do të ketë gjithnjë, si mund të zgjedhësh se cilët prej tyre duhen në mos shpëtur së paku vonuar sa më gjatë për në stacionin final, mundësisht me cilësi sa më të mirë jete? 

Kur shëndetësia shqiptare është katandisur në gjendje të turpshme, e kur fonde s’ka (po të përjashtojmë këtu doemos fondet për fushatën e zgjedhjeve, sa për të marrë vetëm një shembull), si mund të zgjedhësh bie fjala midis Rolandit 64 vjeçar me kancer në mushkëri apo Emilianos 6 vjeçar me leucemi akute? Të zgjedhësh Mjeshtrin e Madh që ka argëtuar e u ka dhënë kënaqësi brezave të tërë, apo vogëlushin që një ditë po t’ia dalë të mposhtë sëmundjen, ku ta dish mbase bëhet Shkencëtari i Madh i Shqipërisë, ose ndoshta thjesht qytetar i denjë që kontribuon me punë e djersë të ndershme për mbarëvajtjen e vendit të tij? Cila jetë ka më shumë vlerë se tjetra? Apo ndonjë jetë t’ia lemë në dorë ambasadorit holandez që ky ‘ta ndjekë hap pas hapi’? Rrushi rrushin paftë. Inati iu shtoftë ambasadorëvë varg!

Ç’cilësi të ketë vallë pacienti shqiptar me sëmundje terminale që të kualifkohet prej shtetit, përmbi pacientë në kushte të ngjashme, për ndihmë humanitare e shërbim mjekësor jashtë vendit? Të ketë kompozuar himnin kombëtar? Të jetë kandidat për Nobel? Fitues i Pendës së Artë a të Argjendtë? Të ketë thyer rekordin Europian të peshëngritjes? Hero i Punës? Fituese e këngës në Eurovizion? Ç’indeks zgjuarsie a ç’çmim bukurie të ketë? Ç’merita vallë? Në ç’elita e klube të bëjë pjesë? Po etninë, besimin e pasaportën si ta ketë?

Po a mund t’ia lejojmë vetes pyetje të tilla?

Aktorin që sot publiku e thërret me emrin e karakterit të shumëpëlqyer të viteve 80, Jovan Bregu të Pallatit 176, fati nga njera anë e bën peng të sëmundjes fatale. Natyrisht nuk është kollaj të marrësh fonde kurimi nga qeveria. Lexoj për shembull, te BalkanWeb, se piktura të Safo Markos po shiten në ankand për të përballuar shërbimin mjekësor të artistes që dergjet e sëmurë. Por, në anën tjetër ndoshta gjithaq mund të thuhet se po fati e ‘ndihu’ artistin, duke ia përzgjedhur çastin e dënimit, nëse mund të shprehem kështu. Përse?

Mund të pyetet përse qeveria po i shtrin dorën e ndihmës Roland Trebickës? Ndoshta si reagim ndaj kritikave për heshtje dhe indiferencë ndaj njerëzve të tjerë të shquar që janë gjendur në situata të ngjashme? Ndoshta sepse qeveritarë të lartë kanë njohje, dashuri e nderim të veçantë për aktorin e talentuar si artist e si njeri? Ndoshta dikush nga dinjitarët tanë e ka njeri të afërm? Ndoshta ndjeshmëria, shtysat a moda për bamirësi tani janë më të mbara se kurrë në Tiranën snobe e moderne? Ndoshta. Ndoshta për njërën, disa ose të gjitha arsyet njëherësh! Por, dikush mund të thotë: edhe sepse një ndihmë e tillë bujare strategjikisht s’bën të kursehet, sepse sëmundja trokiti në orë speciale – në çaste të nxehta fushatash elektorale. 

E po të jetë kështu, ç’investim e ç’publicitet më i mirë në prag zgjedhjesh - mbase më i mirë sesa vetë posterat, spotet publicitare e fjalimet në podiumet - mund t’i bëhet një force politike aq të përfolur për lënie në baltë të qytetarëve, sesa shtrirja e dorës së ndihmës një celebrity të adhuruar nga publiku e në nevojë? 

Mirëpo sikurse pasunarë të matur e me mend zgjedhin t’i mbajnë rezidencat e tyre përrrallore e stilin lluksoz të jetesës larg syve të robit të zakonshëm dhe qytetarit të mesëm e të varfër, a nuk do të ishte më mirë për qeverinë që një gjest bamirës e ndihmë financiare si kjo të mos e ekspozonte e ta mbante larg syve të publikut? Fundja, ashtu siç rreket të mbajë larg shtetasve mënyrat e përvetësimit të gjithëfarë apartamenteve, vilave, pronave, bizneseve, e llogarive të panumërta bankare, që kanë krijuar polarizim e pabarazi ekonomike të pashembullt në shoqërinë shqiptare – atë pabarazi që lë shqiptarët në rrënim ekonomik e pa shërbime publike.

Me sa duket, jo. ‘Diskrecioni’ (përkorja, maturia), kjo fjalë së fundmi aq fort en vogue në gojë të personazheve mediatikë, nuk shkon në kohë fushatash. Për qeverinë është koha e ‘indiskrecionit’ (papërkorjes, pamaturisë) për të impresionuar, reklamuar dhe influencuar votën. Edhe po të gjykosh nga komentet solidarizuese në shtyp lidhur me rastin në fjalë, impresionimi duket të jetë në rrugë të mbarë.

Por, më anën tjetër, po ta vinim këmbën në këpucë të tjetrit, kështu i bëhet një fyerje e madhe Emilianos së vogël e prindëve të tij; pacientëve në kërkim të medikamenteve të munguara të kimoterapisë; atyre që presin me ankth të marrin dozat e rrezatimit të vonuar a të ndërprerë, të vinë dritat në sallë të operaciont e të rregullohen a zëvendësohen skanerat e aparaturat e amortizuara; qytetarëve që s’kanë me se të paguajnë mjekët, infermierët, sekserët e farmacistët; edhe të sëmurëve që largohen para kohe nga jeta për shkak të keq-diagnostikimit a keq-mjekimit duke lënë familjet me një barrë borxhesh që s’mjaftuan për jetë-shpëtim e mbetën gjithësesi për t’u shlyer një më një, deri në qindarkë të fundit.

Respublika

 

 

5 Komente

 Ja një problem i madh për të gjithë : kushte të  barabarta për të jetuar përballë sëmundjes apo fatkeqsisë shendetsore ; për këtë duhet të shqetsohet Elsa Ballauri dhe jo për fushatën e kandidatëve. 

 Po domosdo, kur vete Ministri i Shendetesise, vete e kurohet ne nje spital privat, e ç'i mbetet popullit te shkrete?

Edhe keto, raste, per te cilat flet shtypi, u gjinden zgjidhjet,  per te treguar humanitetin e atyre qe i zgjidhin, kur i kane mundesite, qe keto te zgjidhen ne grup, dhe jo ne menyre individuale. PO ata qe nuk kane mundesi qe te dalin ne media, si ja bejne valle????

Eshte interesant ky fenomen qe trajton autorja me te drejte ne shkrim; Perse solidarizimi arrin kulmin vetem kur mediatizohet. Ketu mund te lidhet dhe me shkrimin e Koloretos te pak kohe me pare mbi efektin e televizionit ne shoqerine tone; Po nuk u shfaqe ne tv nuk ekziston. Nga njera ane shfaqin sensibilitet dhe solidarizim mediatik, nga ana tjeter te nesermen firmosin per te ruajtur kete gejndje. Aspekte te cilin autorja e shkrimit e ke pershkruar  sakte;

 

Po si gjithnjë solidarizimi në kor në kësi rastesh është punë jo e mundimshme, madje është aktivitet tipik kënaqësidhënës popullor, që gjithnjë i bën njerëzit të kridhen në shtratin e rehatshëm të përdëllimit sentimental -- aktivitet i cili në thelb s’është veçse formë vetë-dashurie, vetë-admirimi, e shpëlarje imagjinare e vetes prej ndjenjave të fajësisë e gjithfarë mëkateve personale, gjëra që zakonisht nuk kanë jetë më të gjatë sesa deri në lajmin sensacional të radhës. 

 

 

Ps. pese yje prurjes...Duhet te beje cdo njeri qe te reflektoje...

 

 

 A u sherua ai Petrit Vasili  valle, se i duhet ketij vendi....

 O admina, bejini nder vetes ne rradhe te pare, duke vendosur nje copez te ketij shkrimi ne kendin e Emuclacionit...Kush ka sy te lexoje, i tha

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).