Kisha ortodokse serbe është ndër kishat politike më të përziera në jetën dhe veprimtaritë politiko-shoqërore të vendit, në krahasim me simotrat në vendet e tjera të kontinentit europian. Por ajo po fiton primatin edhe në drejtim të klasifikimit si kisha më e përdorur nga shteti në drejtim të subversionit ndaj sovranitetit dhe identitetit të shteteve e popujve të tjerë. Fushata e kishës serbe kundër shtetit të pavarur të Malit të Zi dhe identitetit kombëtar malazez arriti kulmin, kur në prag të regjistrimit të popullsisë, që filloi më 1 prill, patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej iu drejtua më 29 mars shtetasve të Malit të Zi që të bashkohen rreth fesë së tyre, kombit të tyre dhe gjuhës së tyre, dhe të regjistrohen si serbë të fesë ortodokse.

Është vërtet pa precedent politik dhe fetar, që kreu i një kishe kombëtare të një shteti t'u drejtohet me thirrje shtetasve të një shteti tjetër, që të regjistrohen ashtu siç ua kërkon patriarku i kishës së shtetit fqinj. Analisti i çështjeve fetare, Mirko Djordjeviç i deklaronte gazetës serbe "Blic" se "nuk është në frymën e kishës të dërgojë mesazhe të tilla dhe duke vepruar kështu, kisha ka dalë jashtë misionit të saj". Daliborka Uljareviç, drejtore e Qendrës së Edukimit Civil në Podgoricë, thekson se "Mesazhi i patriarkut serb përfaqëson kufizim të të drejtave të njeriut. Konventa për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Kushtetuta e Malit të Zi garantojnë të drejtën e çdo qytetari për të mos deklaruar kombësinë dhe fenë".

Ndërmarrja e një misioni jashtëpastoral, por politik dhe subversiv ndërkombëtar, në dëm të një shteti dhe populli fqinj, nuk duket se ishte një trill aksidental i kreut të kishës ortodokse serbe. Është një politikë e qëllimshme e kishës serbe, e cila në mënyrë intensive dhe ofensive, është përpjekur që të shkatërrojë themelet e shtetit të ri të pavarur të Malit të Zi. Po në të njëjtën ditë, pra në prag të regjistrimit të popullsisë, një përfaqësues i kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, Nikodim Bogosavljeviç, e shkallëzoi kryqëzatën kishtare serbe kundër identitetit të shtetit dhe kombit malazez, deri në pikën që në radion "Svetigora" deklaroi se kombi malazez nuk është krijim i zotit, por i djallit, dhe nuk mund të ketë bekimin e kishës.

Kemi të bëjmë me një fushatë të orkestruar presioni dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Malit të Zi, për të detyruar njerëzit që ta shpallin veten serbë. Partia Socialdemokrate e Malit të Zi deklaroi lidhur me këtë fushatë të kishës ortodokse serbe se kisha serbe po përdor të njëjtën retorikë kundër malazezëve si nazistët gjermanë kundër çifutëve.

Ofensiva subversive dhe ndërhyrëse e kishës ortodokse serbe në punët e brendshme dhe në jetën e popullit të Malit të Zi nuk duhet parë vetëm si pasqyrë e frymës dhe e politikës etnocentriste serbe, që ka ndjekur dhe ndjek kisha ortodokse serbe kundër të gjithë popujve joserbë në ish-Jugosllavi dhe jashtë saj. Në të është e dukshme vula e politikës zyrtare të qeverisë së Beogradit, e cila që në kohën kur Mali i Zi u shpall i pavarur me referendum popullor, është përpjekur që ta dëmtojë dhe asgjësojë sovranitetin dhe identitetin kombëtar të Malit të Zi. Ky objektiv i Serbisë u bë i qartë edhe në dokumentin shtetëror dhe programatik të qeverisë së Beogradit, të quajtur "Strategjia e marrëdhënieve të shtetit amë me serbët në rajon", në të cilin rivendikohen për pakicat serbe në vende të ndryshme të Ballkanit disa të drejta ekskluzive, që dëmtojnë karakterin kushtetues të shtetit përkatës.

Strategjia e Serbisë shkaktoi alarm tek qeveria e Malit të Zi, dhe sekretari i shtetit i ministrisë së jashtme dhe të integrimit europian të Malit të Zi, Nebojsha Kallugjeroviç thirri më 11 mars ambasadorin e Serbisë në Podgoricë, për t'i paraqitur një protestë zyrtare me notat më të ashpra, lidhur me pretendimet e qeverisë serbe që pakica serbe në Mal të Zi të ketë të drejtën e shtetformimit dhe që kisha ortodokse serbe të ketë rol qendror në Mal të Zi. Qeveria malazeze e cilësoi dokumentin e qeverisë serbe të "strategjisë për serbët në rajon" si një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punët e brendshme të shtetit sovran të Malit të Zi dhe në kundërshtim me parimet bazë të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Jo rastësisht strategjia e mësipërme e qeverisë serbe u paraqit në prag të regjistrimeve të popullsisë, që u organizua njëkohësisht në gjithë vendet e ish-Jugosllavisë, në Mal të Zi, në Kroaci dhe në Kosovë. Regjistrimi ishte planifikuar të organizohej në të njëjtën ditë edhe në Serbi e në Maqedoni.

E pakuptueshme dhe e papranueshme është që edhe regjistrimi i popullsisë në Shqipëri ishte planifikuar të fillonte në të njëjtën ditë me shtetet e ish-Jugosllavisë. Është një nga sinjalet e shumtë, që nuk mund të mos shkaktojë një dyshim, sepse përfshihet edhe Shqipëria në të ashtuquajturën Jugosllavi e re, ku në vend të Sllovenisë, kanë futur Shqipërinë. Dhe që ironia e konsiderimit të Shqipërisë si shtet ish jugosllav të jetë më e madhe, edhe shtyrja e regjistrimit në Shqipëri u bë njëkohësisht me ish jugosllavët, dhe është caktuar për në të njëjtën kohë me Serbinë dhe me Maqedoninë, në vjeshtë. Ndërhyrja e kishës ortodokse serbe dhe e shtetit serb në procesin e regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi është një veprim i qartë i ambicieve dhe planeve ekspansioniste të Serbisë në Ballkan. Serbia synon të rrisë në mënyrë artificiale numrin e pakicës serbe në Mal të Zi, sepse nëpërmjet këtij manipulimi, ajo mund të përligjë pretendimet e saj se shumica e popullsisë në Mal të Zi janë serbë dhe Mali i Zi është shtet pa identitet kombëtar të vetin. Serbia dhe kisha ortodokse serbe po spekulojnë së tepërmi me parimin etno-fetar, sipas të cilit çdo ortodoks jugosllav është serb dhe si të tillë duhen trajtuar edhe malazezët, që janë ortodoksë. Në funksion të kësaj, kisha ortodokse serbe nuk e njeh kishën ortodokse autoqefale të Malit të Zi, (siç nuk njeh as kishën ortodokse autoqefale të Maqedonisë), dhe po përpiqet më të gjitha mënyrat ta eliminojë atë. Kisha serbe ka mbështetjen e shtetit, sepse edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, kur shkoi të përuronte konsullatën e re të Serbisë në qytetin Herceg Novi të Malit të Zi, më 16 mars, (në prag të regjistrimit), nuk i bëri vizitë kreut të kishës ortodokse të Malit të Zi, por në mënyrë sfiduese vizitoi eparkinë e kishës ortodokse serbe në Nikshiq.

Mjafton të shohësh dinamikën demografike të Malit të Zi gjatë tridhjetë vjetëve të fundit për të kuptuar ofensivën e organizuar dhe presionin e madh shtetëror dhe fetar të qeverisë serbe dhe të kishës serbe mbi popullin dhe shtetin malazez. Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 1991, numri i pakicës serbe në Mal të Zi ishte 3.3 për qind e popullsisë së republikës. Në regjistrimin e vitit 1991 ishte 9.3 për qind e popullsisë. Në vitin 2003, kur ishte profilizuar perspektiva e shkëputjes së Malit të Zi nga i ashtuquajturi "Unioni Serbia dhe Mali i Zi", Beogradi përdori të gjitha mjetet e presionit dhe të korruptimit për të rritur artificialisht numrin e pakicës serbe, e cila në mënyrë të habitshme doli 31 për qind, një kërcim shifror i pajustifikueshëm për çdo kriter dhe ekspertizë shkencore demografike. Fryrja artificiale e pakicës serbe është një metodë, që Serbia po e përdor në të gjitha vendet e rajonit, ku ka komunitet serb. Qëllimi është që pakicat serbe të fitojnë statusin shtetformues, që ka "Serpska republika" në Bosnjë-Hercegovinë, status i cili i krijon mundësi Serbisë të luajë me ekzistencën e shteteve, siç po shohim në Bosnjë.

Është një objektiv, që Serbia po e synon edhe në Kosovë me komunat serbe në veri, por në Kosovë, duke pasur popullsi shqiptare, ajo nuk mund të prodhojë artificialisht serbë dhe nuk mund ta shtojë numrin e pakicës serbe, ndaj Beogradi zyrtar u bëri thirrje serbëve atje ta bojkotojnë regjistrimin e popullsisë, që gjithashtu filloi më 1 prill. Se sa ambicioze është taktika serbe e shtimit artificial të pakicës serbe në shtete e tjera, e provon edhe rasti i Shqipërisë, ku befas prodhohet në epruvetë dhe një pakicë serbe myslimane, një absurditet, që i bën të qeshë shumë vetë edhe në Beograd. Qëllimi është që Serbia të pretendojë një numër sa më të madh serbësh në Shqipëri, që të ketë fushë më të gjerë presioni mbi shtetin shqiptar. Pre e manipulimeve serbe kanë rënë edhe disa zyra shtetërore në Shqipëri, të cilat në disa dokumente kanë përdorur termin e shpikur "pakica serbo-malazeze". Nuk mund të ketë pakicë dykombëshe, "serbo-malazeze". Ka ose pakicë malazeze, ose pakicë serbe, sepse pakicat nuk mund të kenë dy shtete amë.

Regjistrimi i popullsisë është një proces shtetëror dhe laik. Shtetet, që janë në këmbë për interesat e tyre kombëtare, nuk lejojnë që të gërryhet sovraniteti dhe identiteti kombëtar nga një tolerancë qeveritare, që vjen nga klientelizmi ose nga implikimi me forca regresive të brendshme dhe të jashtme, të cilat guxojnë të ndërhyjnë në procesin shtetëror të regjistrimit dhe në thelbin kushtetues e sovran të shtetit. 

14 Komente

Une jam edhe vete ortodoks, po me te trashe dhe copa injoranti qe i kemi ne keto prifterinjte mo, nuk e ben nona. Si nuk mesun pak nga katoliket mer burre!

Është një nga sinjalet e shumtë, që nuk mund të mos shkaktojë një dyshim, sepse përfshihet edhe Shqipëria në të ashtuquajturën Jugosllavi e re, ku në vend të Sllovenisë, kanë futur Shqipërinë.

Po Shqiperia ende feston festen e Jugosllavise, te cilen kane 20 vjet qe s'e festojne asnje nga vendet e ish jugosllave, prandaj dhe ndodhin keshtu gjerash.

o shab qe te beka pershtypje kisha serbe dhe malazezet ,po kisha greke qe ka uzurpuar kishen kombetare shqiptare dhe ben ligjin ne greqi ,qe eshte e pandare nga shteti ,qe ka ne varesi te drejtperdrejte ministrine e 'arsimit kombetar',qe ka  per dogme parimin 'cdo grek ortodoks e cdo ortodoks grek',nuk te ben pershtypje?apo s'jua mban te flisni per fortlumturine,,,,,,

Jo se te nje teme tjeter, gazetaret shqiptare kishin shkruar qe behet presion per nderrimin e kombesise te disa shqiptareve ne ate serbo-malazes (!) Serbo-malazes nuk ka, nuk ekziston. Jane te ndryshem, serb dhe malazes, shpresoj qe ky artikull ti kete sqaruar pak.

E keni vene re se te pakten nje here ne jave GSh sulmon kishen ortodokse???

ZOTI na mbrofte nga patriotet...

 Si sahat!! 

Cilen Kishe ortodokse, greken apo serben ? Vallahi sulm dite per dite duhet , 6 here ne jave, te djelen pushim te merituar, se ata na sulmojne ore e minute or tunxh

More te tera me rradhe ti marrin.  Ne Skandinavi kane filluar te digjen kishat nje nga nje.  Nuk na duhen keto institucione te felliqta arsyevrasese dhe kombshkaterruese.

hahaaaaa!!! Drejt.

Sulmi me i mire ndaj Kishave serbe dhe Greke esht lindja e Kishes Ortodokse Shqiptare. Aty vdesin ata!!! Ate duhet te synojne ortodoksat shqiptare : Ne rruge, te gjithe, qe te kene kler shqiptar, dhe jo kler te huj ! 

Sipas rregullave te BE behet census te popullsise ne gjithe BE-n, perfshi Sllovenine, ne 2011.  Po ashtu dhe vendet qe duan te aderojne (Ballkani) jane te "lutur" te perfundojne censusin.

Kjo sa per censusin.  Dmth autori s'ka pse aludon pse Shqiperia census ne te njejten kohe me ish-Jugosllavine e gjera te ketij lloji.  Mjaftojne presionet e brendshme dhe te jashtme sic pasqyrohen edhe ne artikull pa mitizuar censusin.  

une prape nuk e kuptoj nga doli kombi malazez??? per shqiptaret ata jane shki.

gjuha e  njejte , feja e njejte, komb sllav, historia e njejte , vazhdimesi e te njejti trung serb....gjografikisht dhe demografikisht... 

e vetmja gje eshte qe politikisht duan te jene me vete, po te thuash qe jane komb me vete ???? nuk e di po me duket pak e tepert, serbo-malazeze eshte e njejta gje. keta quhen ndryshe serbe maloke smiley 

 

Po popujt e tjere te ish-Jugosllavise, nuk jane e njejta etni sllave?

Malazeset jane ndryshe nga serbet. Kane patur historine, shtetin e vet me shekuj perpara shpalljes te pavaresise ne 2004 . Nje malazes nuk pranon qe eshte serb. Serbo-malazes nuk ka kuptim.

 jo. Sllovenet jane ndryshe, ne gjuhe etni dhe fe.

kroatet jane ndryshe ne fe dhe kombesi.

boshnjaket jane miks fesh. islam, katolik dhe ortodoks. kane patur mbreterit e tyre deri para pushtimit otoman. por jo identitet kombetar mirefilli si boshnjoak.

aman kur kane patur malezeset noi her noi shtet???nje prift ne maje te cetinjes qe beri principate ne shek 19 por jo shtet dhe qe kerkoi te bashkohej me serbine. kaq. gjithmone pjese e mbreterise serbe kane qene ose shqiptare (balshajt qe ata i quajne balshic).  tito i beri republike ata dhe maqedonine per te ulur rendesine e serbise ne jugosllavi.

. me perpara ishte mbreteria e serbeve, kroateve dhe slloveneve. 

Shtet, principate njelloj eshte, dhe te tille, si principate them, kane qene qe ne kohen e mesjetes. Historikisht kane dy drejtime te ndryshme, serbia e mali i zi. Pastaj qe jane te ngjashem, ok, po them serbo-malazes eshte dicka artificiale.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).