PDK dhe partnerët ndërkombëtarë po shqyrtojnë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve brenda tre muajsh. Të hënën dështuan përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për Presidentin e ri. Paraprakisht, Behgjet Pacolli pranoi të tërhiqet nga kandidatura dhe Isa Mustafës iu bë ofertë që ai ta japë emrin për President konsensual. Mirëpo, kreu i LDK’së e refuzoi këtë. Ai insiston në mbajtjen e zgjedhjeve në verën e vitit të ardhshëm.

 

Vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, shtatë javë pas përfundimit të një cikli të gjatë zgjedhor, të nisur më 12 dhjetor të vitit të kaluar.

Përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Rastin Pacolli, duket të kenë dështuar të hënën.

Një diplomat perëndimor ka treguar për Express se autoritetet vendase dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Prishtinë aktualisht nuk shohin zgjedhje tjetër të situatës, përveç shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

Në kushte anonimiteti, ky zyrtar ka treguar kronologjinë e ngjarjeve të dy ditëve të fundit.

“Në takimin që ka pasur Hashim Thaçi me Behgjet Pacollin të dielën në darkë, ky i fundit ka pranuar të tërheqë kandidaturën për postin e Presidentit. Ish-Kryetari i AKR’së është pajtuar që Kryeministri të nisë përpjekjet për gjetjen e një emri konsensual për postin e shefit të shtetit, në mënyrë që të evitohen zgjedhjet e parakohshme”, ka treguar burimi i gazetës.

Të hënën, Kryeministri Thaçi për këtë shkak është takuar sërish me Behgjet Pacollin, ashtu sikurse që të dy janë takuar edhe me përfaqësues të shteteve të fuqishme të akredituar në Prishtinë.

“Qëllimi i Hashim Thaçit ka qenë që, pas gatishmërisë së Pacollit për t’u tërhequr nga kandidatura dhe kërkesave të vazhdueshme të opozitës për President konsensual, t’i bëhet ftesë LDK’së - si partia më e madhe opozitare - që të propozojë emra për President konsensual. Kështu do të krijohej një traditë që Presidenti të zgjidhet me konsensus. Derisa për AKR planifikonte të ndante deri në shtatë ministri”, ka treguar diplomati perëndimor që foli për Express.

Ky propozim edhe i është bërë të hënën Isa Mustafës përmes një ambasadori të akredituar në Prishtinë.

“Mustafa është shprehur se Presidenti konsensual është vetëm një nga kushtet. Kushti kryesor, sipas tij, është mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në verën e vitit të ardhshëm”.

Por, ky propozim nuk është pranuar nga Kryeministri Thaçi.

Një zyrtar i afërt me Kryeministrin ka thënë se në Kabinetin Thaçi aktualisht qarkullon ideja që sërish të bëhen përpjekje për zgjedhjen e Behgjet Pacollit në postin e Presidentit. Sipas tij, nëse në këtë seancë nuk do të ketë kuorum si pasojë e bojkotit të opozitës, atëherë opsioni i vetëm mbeten zgjedhjet e parakohshme.

Ligjërisht, nëse për 60 ditë nuk arrihet të zgjidhet Presidenti i Republikës, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Por, aktualisht njohës të Kushtetutës janë të ndarë se nga cila datë numërohet afati prej 60 ditësh - nga seanca e 22 shkurtit kur u zgjodh Pacolli President, por që u zhvlerësua me vendim të Gjykatës Kushtetuese apo nga dita kur PDK dhe AKR do të provojnë sërish ta zgjedhin Pacollin President.

Neni 82, Pika 3 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës thotë se “nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes nuk zgjidhet Presidenti i Republikës së Kosovës”, atëherë shpërndahet Kuvendi.
Sipas Kushtetutës, dështimi për zgjedhjen e Presidentit nënkupton që zgjedhjet parlamentare organizohen në afatin brenda 45 ditësh nga shpërndarja e Kuvendit.

Kushtet e Isës

Lideri i LDK’së, Isa Mustafa, synon që nëpërmjet bojkotit të arrijë marrëveshje me partitë në pozitë për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Mustafa ka synim që në Kosovë të ketë zgjedhje të reja në vitin e ardhshëm. Në një intervistë për emisionin “Rubikon” të KTV’së, kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ka thënë se opozita nuk do të lejojë zgjedhjen e Presidentit pa konsultimin paraprak mes partive parlamentare, ndonëse sërish vetë nuk do të caktojë një kundër-kandidat.

Duke lënë fajtor kryeministrin Hashim Thaçi për situatën aktuale, Mustafa ka thënë se koalicioni qeverisës do të mund të llogarisë në pjesëmarrjen e deputetëve të tij në Parlament gjatë votimit të presidentit vetëm nëse nënshkruan kontratë me Thaçin dhe partitë parlamentare që pas një viti vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Kreu i LDKsë ka prezantuar paketën për rrugëdaljen nga kriza, për të cilën ka thënë se ka biseduar edhe me AAK’në, por ende jo edhe me Vetëvendosjen. Ai ka shprehur gatishmërinë për takim me Thaçin, por, sipas tij, iniciativa i takon atij apo u.d. të presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Mustafa ka shtuar se nëse Thaçi dhe koalicioni mund të sigurojë 2/3 pa LDK’në, le të urdhërojë e lë të zgjidhet presidenti. Sa i përket akuzave të Thaçit se deputetët opozitarë shkelën Kushtetutën me bojkotimin e seancës, Mustafa ka thënë se këtë version e shohin vetëm syzat e Thaçit. Mustafa ka thënë se LDK’ja nuk do të heshtë kurrë kur të shkelet Kushtetuta, kur të blihet vota me rritje pagash dhe se nuk do të lejojë që një parti të sundojë vendin.

Ai është shprehur i gatshëm për zgjedhje qysh tashti dhe ka thënë se këtë sinjal ua ka dërguar edhe degëve të LDK’së. Sa i përket koalicioneve të mundshme parazgjedhore, në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Mustafa ka thënë se këtë duhet t’ia lënë kohës.
Për Mustafën, Lista Dr. Ibrahim Rugova dhe Ukë Rugova janë kapitull i mbyllur, por secili qytetar mund të hyjë në LDK duke respektuar strukturat e saj.

AKR mbështet koalicionin

Partia e themeluar nga Behgjet Pacolli, AKR, vazhdon të shpresojë në daljen nga kriza edhe me emrin e Behgjet Pacollit për President.

AKR është zbutur të hënën në qëndrime, kur bëhet fjalë për koalicion me PDK’në.
Partia e cila dy ditë më parë kërcënoi me dalje nga koalicioni, tani “lufton” ta ruajë atë dhe të përpiqet të gjejë zgjidhje me opozitën për të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e Presidentit.

Ibrahim Makolli, u.d i Presidentit të AKR’së, deklaroi pas mbledhjes së kryesisë se do t’i qëndrojë besnik marrëveshjes me PDK’në për aq kohë sa do të respektohen pikat e saj.

Makolli ka thënë se gjatë kësaj mbledhjeje janë diskutuar katër pika kryesore, përmes të cilave AKR shpreh zotimin e saj për mbështetje të koalicionit qeverisës me PDK’në, që nënkupton se AKR i qëndron besnike marrëveshjes së arritur me partnerin e koalicionit me të gjitha pikat e saj dhe po ashtu kërkon zbatimin e saj në përpikëri.

Kryesia e AKR’së ka rikonfirmuar mbështetjen për Behgjet Pacollin si kandidat për president të Kosovës, ndërkohë Makolli nuk ka dashur të flasë në mënyrë hipotetike, nëse PDK’ja mund të mos e mbështesë Pacollin në votimin për President.

“Ne nuk do të merremi me situata hipotetike. Po them kemi një marrëveshje para vetes dhe do të jemi në mbështetje të kësaj marrëveshjeje në secilën pikë të saj. Në rast, për çfarëdo lloj arsyesh, të mosplotësimit të ndonjërës prej këtyre pikave, natyrisht AKR dhe Koalicioni për Kosovë të Re e rezervon të drejtën e rishikimit dhe ndërmarrjes së veprimeve të tjera të mëtutjeshme. Ne jemi të vendosur që kjo marrëveshje me partnerin e koalicionit të realizohet me përpikërinë më të madhe”, ka thënë ai.

Një prej pikave të diskutuara në mbledhjen e kryesisë së AKR-së ishte edhe ftesa për opozitën që të reflektojë pozitivisht në seancën e Kuvendit të Kosovës.

“Partitë opozitare pakënaqësinë e vet, ose refuzimin e vet mund ta shfaqin nëpërmjet votës në Kuvendin e Kosovës. Është e drejtë e partive politike që të bojkotojnë, por nuk e di nëse kësisoj po i bëjmë shërbim të mirë vendit, sepse po krijojmë praktika që edhe nesër kushdo qoftë, partitë opozitare të bojkotojnë, ose të mos marrin pjesë në seanca të tilla”, është shprehur Makolli.

Sipas tij, pas sqarimit të Gjykatës Kushtetuese se nuk ka vakuum në institucionin e Presidentit, ka pushuar nevoja për seancë të jashtëzakonshme.

Aleanca Kosova e Re ka inkurajuar partitë politike parlamentare dhe joparlamentare për konsulta të vazhdueshme që kanë të bëjnë me reformat në Ligjin zgjedhor, veçanërisht në ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjedhjen e Presidentit.

3 Komente

Ne te gjithe ballkanin nen patronazh e diktim nderkombetar nuk funsionojne qeverite e instituicionet. Ne Bosnje, Ne maqedoni, Ne Kosove, Ne shqiperi...

Sa e veshtire eshte te gjendet fajtori?

Mire, po a te ka dhene leje PD-ja ta fusesh edhe Shqiperine ne nje thes me te tjerat?

lol, fajtori e ka nje emer. Ai eshte opozita dhe vetem Edvin rama. hahahahahahhaha

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).