"Shoshori?!! Kush është ky? ... Për këtë person që thoni, shikoni njëherë se mos nuk është i dënuar fare".
Njeriu që flet është Sali Berisha, kryeministër i Republikës së Shqipërisë. I sapo kthyer nga Forumi Ekonomik botëror në Davos, më 2 shkurt, zoti Berisha dha një përgjigje të llojit të vet për një nga akuzat më të rënda që i janë bërë gjatë karrierës së tij politike: ka qenë dëshmitar në një gjyq politik që dënoi me vdekje Hysen Shoshorin, një qytetar tiranas i akuzuar për terrorizëm, agjitacion e propagandë dhe përvetësim të pasurisë socialiste në vitin 1975.

Një vendim që u pezullua pastaj nga plenumi i gjykatës së lartë dhe u shndërrua me 25 vjet burg. Vetë Shoshori, në një intervistë të tij të vitit 2002, pohon të njëjtin fakt dhe shënjon zotin Berisha si një nga dëshmitarët kundër tij në proces. Por dhe shumë vite më parë, bazuar në dëshmitë e bashkëvuajtësve të tij, që në dhjetorin e vitit '90 kur Berisha nisi të shfaqej publikisht e më pas, Shoshori e konsideronte atë si pjesë e mekanizmit që e fundosi në fatkeqësi. "MAPO" ka mundur të sigurojë disa materiale autentike të kohës dhe fillimisht afroi për publikun (në një numër të shkurtit 2009 - shën. red.) dy vendimet e gjykatave komuniste, atë të gjykatës së Tiranës dhe të plenumit të gjykatës së lartë.

Dy dokumente, të cilat, duke ndjekur këshillën e kryeministrit për të zbuluar, nëse është, apo jo, i dënuar në kohën e komunizmit Hysen Shoshori, i japin përgjigje asaj: Po! Shoshori është një i dënuar politik. Pjesa tjetër, nëse Berisha ka qenë apo jo dëshmitar i akuzës komuniste kundër tij, është ende për t´u verifikuar.

Nga njëra anë është dëshmia e vetë viktimës dhe e bashkëvuajtësve të tij të shumtë, por dhe dosja voluminoze e hetimit, e cila deri më tani nuk është bërë publike. Nga ana tjetër, është mohimi i kryeministrit. Një mohim, që të paktën në një nga dy pikat e tij është i pasaktë: viktima Shoshori ekziston dhe është i burgosur politik.

Madje, në listat e ish të përndjekurve që janë publikuar (janar 2009), emri i tij figuron me numër rendor "një" për të marrë dëmshpërblim për ditët e burgut, në masën 8 milionë lekë.

Akuza ndaj akuzatorit të zakontë?

Në fakt, nuk mund të vinte në ditë më të keqe për zotin Berisha. Menjëherë pas miratimit të shumëdiskutuar të ligjit për lustracionin dhe shuplakave periodike, me kah të përcaktuar Uashington, Bruksel, Strazburg drejt Tiranës zyrtare, PS e akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin se ka qenë autor i një denoncimi politik ndaj një qytetari shqiptar që u dënua me vdekje nga regjimi i dikurshëm.

Prova që Erion Braçe demonstroi në Kuvend ishte gazeta "Plaga", numri i saj i dytë dhe edhe i fundit - botimi i saj u ndërpre - organ i shoqatës së të ish të përndjekurve politikë. E botuar më 22 maj të vitit 2002, tirazhi modest i saj, nuk mundi as të dalë në qarkullim, sepse u asgjësua në rrethana të dyshimta. Zëra të pakonfirmuar pohojnë edhe se trajtimi i gazetës në këtë mënyrë erdhi si rezultat i një "aleance fluide" mes të akuzuarit të sotëm, Berishës, dhe një pjese të pushtetit të djeshëm të socialistëve.

Vetë botuesi i saj, Skënder Tufa, gjithashtu i burgosur i ndërgjegjes, një vit më pas u arrestua dhe bëri burg pas një procesi dhe akuze të dyshimtë për favorizim prostitucioni.
Hysen Shoshori atëherë përgjigjej: "Gjatë gjykimit pashë shumë dëshmitarë që nuk i njihja, të cilët bënin dëshminë të frikësuar dhe pa më parë mua. Në mendje më mbeti vetëm njëri që ishte i veçantë nga të tjerët. Trup i gjatë dhe energjik, me hap të sigurt u paraqit për të dëshmuar.

Ai u ndal para trupit gjykues dhe pas formaliteteve, me një theks malësori, me eufori, filloi të flasë para trupit gjykues duke treguar sesi e kishte gjetur traktin që kishte përmbajtje të theksuar armiqësore, të cilën e tundte para trupit gjykues dhe sallës: "...ky njeri është armik i betuar i partisë, prandaj duhet varur në litar"!

Sipas Shoshorit në 2002-in e sipas Braçes në 2009-ën, ky njeri ishte Sali Berisha. "Ky njeri, i cili është një komunist pasionant e fanatik i pandreqshëm, që për të arritur në majat e hierarkisë së pushtetit komunist ka përdorur dhe traktin tim duke ndikuar drejtpërdrejtë në dënimin tim me vdekje, ishte Sali Berisha", - pohonte vetë Shoshori. Pikërisht njeriu që vetë Berisha i vë në dyshim ekzistencën.

Kush është ish-i burgosuri i ndërgjegjes?
Është ende një nga misteret e mëdha të së shkuarës. Një nga ato mistere që nga larg i ngjajnë një konspiracioni kundër një individi, të cilit i kanë shkatërruar jetën, e kanë mbyllur në ferrin e burgjeve komuniste dhe tashmë, pothuaj 20 vjet pas përmbysjes së komunizmit, edhe e mohojnë.

Për tiranasit e vjetër, emri i tij ka qenë mjaft i njohur. Ai konsiderohej si një nga mendjet më të "krisura" të kohës, me një guxim të jashtëzakonshëm që krejt i vetëm, kishte vendosur të sfidonte diktaturën komuniste.

Edhe sipas aktakuzës, edhe sipas asaj që ai vetë ka pranuar fillimisht në proces e më pas edhe publikisht me gojën e tij, gjatë periudhës 1961 - 1974 ka shpërndarë 41 100 trakte. Nga gjithë ky mal urrejtje, poshtërimi publik për diktaturën, organet e saj kanë mundur të sigurojnë një sasi prej 277 copash.

Sipas Shoshorit, njërën nga ato e ka pasur kryeministri i sotëm, kurse, sipas bashkëvuajtësve të tij, një tjetër trakt ishte dorëzuar nga një tjetër emër publik në Shqipëri, deri vonë diplomat.

Është kurioze të theksohet se diplomati shqiptar, u penalizua fillimisht për një gjë të tillë në 1996, duke iu hequr e drejta e konkurrimit për deputet, por që më pas mundi të rifitojë pastërtinë e figurës së tij. Në gjyq, ndryshe nga sa pretendohet për zotin Berisha, ai thjesht ka shpjeguar rrethanat, në të cilat ka gjetur traktin.

Sipas vendimit të gjykatës së Tiranës, të datës 10 shkurt 1975, vërtetohet se Shoshori ka pranuar se ka vepruar me ndërgjegje të plotë: "...duke pasur për qëllim që traktet t´i lexonin njerëzit që populli të bëhej sa më i pakënaqur nga Partia dhe të ngrihej për të shpëtuar nga kthetrat e diktatorëve...", - shkruhet në këtë vendim. 

Por Shoshori nuk është ndalur këtu. Me një guxim që edhe sot ngjan i jashtëzakonshëm, ai arrinte deri aty sa të shkruante: "...ai njeri që ka një armë dhe nuk shtie në udhëheqësit kryesorë dhe në levat e tyre si të këshillave të lagjeve... është i lig, është frikacak, është servil..." Ky trakt mban datën 22 janar 1968.

Pas një viti të gjatë në hetuesi, Shoshori fillimisht dënohet me vdekje nga gjykata e Tiranës, por në një rikualifikim vërtet të habitshëm të veprave penale, me të cilat e akuzonte drejtësia komuniste, plenumi i gjykatës së lartë e dënon atë me 25 vjet heqje lirie.

Më pas, për të fillon kalvari i gjatë i burgjeve. Spaç, Burrel dhe së fundi Sarandë, ku ishte nga të fundit të burgosur politikë të liruar nga burgu. Pas 16 vjetësh në qeli, pa u vizituar kurrë nga të afërmit e tij, në 17 mars 1991, Shoshori do të kthehej sërish në Tiranë.

Pas 18 vjetësh në liri, Shoshori provon në një mënyrë tjetër, viktimizimin. Plot 75 vjeç (në 2009-ën kur daton deklarata e Berishës - shën. red.) ai mund të bëjë një bilanc të trishtuar duke shtuar dhe një detaj më shumë në jetën e tij të trazuar: arrijnë deri sa t´i mohojnë ekzistencën.

Të jetosh me Shoshorin
Bardhi Metaj është një burrë jashtëzakonisht i veçantë. Një shqiptar i rrallë, emrin e të cilin fillimisht e përmendin bashkëvuajtësit e Hysen Shoshorit. "I hapi derën e shtëpisë dhe ndau kafshatën e varfër të bukës me të. Nuk e njihte më parë, por bëri një sevap të paharrueshëm", - tregojnë disa nga ta që e njohin mirë historinë e Shoshorit dhe pretendimin e tij kundër kryeministrit Sali Berisha.

Vetë Metaj tregon rrethanat, në të cilat është njohur me Shoshorin. "Ishte 17 marsi i 1991-shit, krejt rastësisht, në mbrëmje, hipa në një autobus që sillte të burgosurit e fundit nga Saranda në Tiranë. Isha me gjithë bashkëshorten time, Fatmirën, kur rastësia na uli pranë Hysenit. Nuk e kisha njohur kurrë më parë, por kisha dëgjuar diçka për të", - thotë Metaj, edhe vetë i rritur jetim, me një baba të pushkatuar nga komunistët që kur ai kishte qenë foshnje.

"Insistoi ime shoqe. Ajo më tha se Hyseni nuk kishte ku të shkonte dhe ne e morëm në shtëpi. Ai ngjante si Zhan Valzhani tek "Të mjerët", luajtur nga Zhan Gabeni. Kishte një personalitet të fortë. Është hera e parë që dikush më pyet për të. Vetëm në vitin 1991, në gazetën "Republika", Maks Velo e përmendte këtë fakt dhe madje e krahasonte veprimin e bashkëshortes sime me atë të Nënë Terezës.

Por nuk ishte tamam kështu. Them se çdo shqiptar do ta bënte një gjë të tillë", - pohon Metaj, dy vajzat e rritura të të cilit ende e quajnë Hysenin "Gjysh".

Më pas, Shoshori largohet nga miqtë e tij të rinj dhe vendoset për ca kohë te të motrat. Dhe më tej akoma, shkon të banojë te një tjetër mik i tij. Ende në 2009-ën nuk kishte një banesë të vetën. I sëmurë nga mosha, por ende i paepur nga shpirti i tij rebel, Shoshori, ky njeri me një jetë të pabesueshme, madje nuk ka asnjë fotografi të vetën. Miqtë e tij të shumtë thonë se ai nuk e donte foton.

"Ishte krejt i veçantë dhe koha e djeshme që e vrau dhe e sotmja që e ka lënë në harresë, i kanë këtij burri një borxh të pafundmë", - thonë miqtë e tij.

MAPO, shkurt 2009

Shoshori - Kur gjykatat e dënonin me vdekje

Ishte vetëm 41 vjeç dhe kishte mundur të shpërndante mbi 41 mijë trakte kundër
regjimit komunist. Saktësisht, 41 100 të tillë deri në momentin që u arrestua. Historia
e pabesueshme e Hysen Shoshorit, antikomunistit të vetmuar që u dënua me vdekje
dhe më pas iu fal jeta për ta shtyrë atë në ferrin e burgjeve komuniste, vjen e ndërtuar nga materialet autentike të kohës.

Dy vendime të gjykatave komuniste, asaj të rrethit të Tiranës që e dënoi me vdekje dhe më pas edhe të Plenumit të Gjykatës së Lartë që e dënoi me 25 vjet burg, japin një pamje të zymtë të asaj çfarë ndodhi me një njeri që kundërshtonte komunizmin dhe mbi të gjitha, arrinte deri aty sa bënte thirrje për eliminimin e drejtuesve më të lartë komunistë të kohës, Enver Hoxha e Mehmet Shehu.

Vite më pas, vetë Shoshori ka akuzuar se një nga dëshmitarët e shumtë që kanë hapur varrin e tij "legal" ka qenë dhe kryeministri i vendit Sali Berisha, atëherë gjithashtu anëtar i Partisë së Punës. Vetë Berisha e ka mohuar një gjë të tillë, madje ai ka vënë në dyshim deri dhe ekzistencën fizike të akuzatorit të tij të sotëm. Revista "MAPO" afron detaje rrëqethëse nga dy proceset e shkurt-marsit të vitit 1975, plot 34 vjet më parë.

Vendimi i gjykatës së Tiranës,
Është tetë faqe. I shkruar me makinë shkrimi dhe i firmosur nga kryetari i trupit gjykues dhe dy ndihmësit e tij. I firmosur dhe nga prokurorja e çështjes dhe sekretari i gjykatës.
Të pandehurit janë dy: Hysen Shoshori dhe Ramiz Vladi, i pari i datëlindjes 15 maj 1934, lindur në Prezë e banues në Tiranë, punëtor në uzinën e artilerisë, i martuar me dy fëmijë.

I arrestuar më 29 gusht 1974. Bashkëvuajtësit e Shoshorit saktësojnë se ai është arrestuar në krah të ambulancës së madhe në Tiranë, me nëntë trakte në xhep, aty ku ka qenë dikur muzeu i luftës që u prish për t´i lënë vendin kullave nëntëkatëshe. Është arrestuar në flagrancë duke ngjitur traktet e tij në një shtyllë. E survejonin prej ditësh me radhë.

Bashkë me të në proces, viktima tjetër Vladi, bashkëmoshatar me të, gjithashtu punëtor në uzinën e artilerisë, është arrestuar një ditë më pas. Shoshori akuzohej për vepra terroriste, agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe për të mos e mbyllur këtu, i ishte veshur dhe akuza për vjedhje të pasurisë socialiste. Vladi akuzohej për moskallëzim të krimit. Prokurorja e çështjes kërkoi shpalljen fajtor të Shoshorit për të gjitha veprat penale, me të cilat akuzohej dhe dënimin e tij me vdekje, kurse për Vladin pesë vjet burg.

Vërejtjet e gjykatës
"Gjatë gjykimit u provua se i pandehuri Shoshori ka kryer krimin e agjitacionit dhe
propagandës... veprimtarinë e tij armiqësore e ka filluar që nga viti 1967 dhe e ka
vazhduar deri më 29 gusht 1974 kur u kap duke shpërndarë fletushka me përmbajtje
armiqësore kundër Partisë së Punës, pushtetit popullor dhe udhëheqësve të shtetit", - shkruhet në vendim.

Sipas tij, u provua se Shoshori e ka ndarë mllefin e tij kundër pushtetit dhe me Vladin, të cilit i ka thënë: "Populli po vuan, nuk ka liri, ka diktaturë. Ai i ka lavdëruar sistemin kapitalist dhe revizionist dhe i ka thënë se sipas mendimit të tij, duhej ndërhyrja e sovjetikëve për ta shpëtuar popullin shqiptar".

Vendimi saktëson se gjykata ka mundur të mbledhë gjithsej 277 trakte të cilat "kanë përmbajtje nga më të poshtrat dhe shpifje nga më të poshtrat. Kërkohej hapja e kufirit e bëhej thirrje për t´u ngritur kundër pushtetit."

Vetë Shoshori e pranon një gjë të tillë. Sipas tij, ai donte që "populli të bëhej sa më i pakënaqur nga partia dhe të ngrihej për të shpëtuar nga kthetrat e diktatorëve".
Në të njëjtin konkluzion kishte arritur dhe ekspertiza grafike e datës 15 nëntor 1974, që u ishte bërë trakteve; ato rezultonte se ishin shkruar me dorën e Shoshorit. Por deri këtu ishte "konsumuar" krimi i agjitacionit.

Më e keqja vinte se Shoshorit 41-vjeçar i ishte vënë tyta e akuzës në ballë: akuza për kryerjen e akteve terroriste.

"Në fletushkat e ndara më 22 janar 1968 ka shtyrë persona të tjerë për të kryer vepra terroriste kundër udhëheqësve të partisë dhe pushtetit duke u shprehur se..."Ai njeri që ka një armë dhe nuk shtie në udhëheqësit kryesorë dhe levave të tyre të këshillave të lagjeve, është i lig, është frikacak, është servil".

Megjithatë, me një argumentim krejt të pamendueshëm për kohën, gjykata interpreton ligjin në një mënyrë që edhe sot tingëllon mjaft e fortë.
"Kjo akuzë (e prokurorit) nuk bazohet në ligj", - vëren gjykata fillimisht. Sepse sipas saj: "Për të pasur nxitje për të gjitha krimet,... duhet që nxitësi ta drejtojë veprimtarinë e tij jo në mënyrë abstrakte kundrejt personave të panjohur, por drejt një subjekti konkret, me qëllim që të krijojë tek ky determinimin, vendosmërinë e nevojshme për të kryer një krim të caktuar. Duhet që nxitësi jo vetëm të dëshirojë kryerjen e një krimi, por është e nevojshme që me veprimet e tij të bëjë që kjo dëshirë e tij të përqafohet nga një person konkret".

Gjykata citon nenin 12 të Kodit Penal, që kërkonte ekzistencën e marrëveshjes mes bashkëpunëtorëve, kur gjithashtu është e nevojshme të krijohet kontakt mes bashkëpunëtorit dhe nxitësit në krim.

"I pandehuri Hysen Shoshori duke mos iu drejtuar personave konkretë nuk ka bërë nxitje, por vetëm ka bërë thirrje për kryerjen e veprave kundër shtetit nga ana e personave të panjohur... në esencë kjo nuk është gjë tjetër veçse shfaqje mendimi për kryerjen e krimeve të tilla".

Duket se të paktën ishte vendosur t´i kursehej jeta, por hetuesia kishte një tjetër "as" të pistë nën mëngë dhe kjo ishte vjedhja e supozuar. Pra, viktima nuk do të dënohej për terrorizëm, çka do të bënte shumë bujë, por për vjedhje për të demonizuar në mënyrë ordinere "armikun e betuar".

Akuza mbi akuzë
Ishte normale që në atë kohë, për "armiq" të llojit të Shoshorit, hetuesia ta shoqëronte akuzën politike edhe me ato të kryerjes së krimeve ordinere. Ashtu siç ndodhte rëndom dhe e kundërta; vjedhës përsëritës në një moment të caktuar konsideroheshin dhe si kontingjent politik.

Shoshori nuk i shpëtoi kësaj "ligjësie" dhe ai u akuzua për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste në masën e 7078.40 lekë. Hetuesit kishin llogaritur deri në qindarka gjithçka dhe i atribuonin të pandehurit deri dhe vjedhjen e 250 gramëve semenca apo 200 gramëve fletë bakri apo dhe 0.15 metra katror meshin.

Katër dëshmitarë, Shuaip V., Perlat K., Ismet D., dhe Isak Gj., deklaruan se vjedhjet ishin kryer. Për Vladin nuk kishte shumë histori; ai e dinte që Shoshori ishte armik, por nuk e kishte denoncuar. E dënojnë me dy vjet burg.

Vetë i pandehuri kryesor ishte në prag të vdekjes: gjykata vërente se "...me veprimtarinë e tij shumë të theksuar kriminale prej një armiku të tërbuar kundër popullit shqiptar dhe socializmit e ka vënë veten e tij jashtë shoqërisë dhe çmohet se një dënim i zakonshëm nuk mund të ndikojë në edukimin e tij".

Ndaj, për këto arsye, vendoset: "Ta deklarojë fajtor për krimin e agjitacionit dhe propagandës... dhe e dënon me dhjetë vjet heqje lirie. Ta deklarojë fajtor për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste... dhe ta dënojë me vdekje me pushkatim. Ta deklarojë të pafajshëm për krimin e veprës terroriste".

Kundër këtij vendimi kishte vetëm një afat prej pesë ditësh për të bërë ankimim. Nga ky Moment, Shoshori dërgohet në qelitë e burgut të vjetër, që sot njihet me emrin burgu 313 dhe pret marrjen parasysh apo jo të kërkesës së tij për falje. Pesë ditë, në të cilat ai u mbajt i izoluar me kaskë në kokë për të shmangur vetëvrasjen: edhe vdekjen duhet ta jepte skuadra e pushkatimit.

Plenumi i Gjykatës së Lartë
Shoshori ankohet dhe pothuaj një muaj më vonë, më 13 mars 1975 nis procesi i dytë ndaj tij. Ishte ankuar dhe prokurori i çështjes që këmbëngulte se Shoshori duhej të dënohej me vdekje për krimin e terrorizmit dhe jo të akteve të vjedhjes. Aranit Çela, atëherë kryetar i gjykatës së lartë nis procesin dhe në fund të ditës jepet dhe vendimi.

Ribëhet rishtas një rezyme e veprimtarisë së tij, pranohet si i drejtë vendimi i gjykatës së Tiranës për veprimtari terroriste të Shoshorit - me një interpretim rishtas të pabesueshëm për kohën të ligjit - dhe shkohet madje edhe më tej.

Plenumi vërente se "...krimi i përvetësimit të pasurisë socialiste është vepër me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, por pasojat e rrjedhura prej tij nuk janë të asaj shkalle që për të pandehurin të zbatohej dënimi me vdekje".

Dhe më pas, me 19 firma, gjykatësit vendosin lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së Tiranës, ndërsa për "vjedhjen" Shoshori i shpëtonte plumbit dhe do të dënohej me 15 vjet burg. Gjithsej, ... "duke bërë bashkimin e dënimeve, i gjykuari Hysen Shoshori të dënohet me 25 vjet heqje të lirisë", firmos Aranit Çela.

Këtu mbaroi llogaria e Shoshorit me gjykatësit dhe për të nisi kalvari i vuajtjeve në Spaç, Burrel e Sarandë, prej nga ishte nga të fundit të burgosur politikë të liruar në marsin e vitit 1991. Sipas një njoftimi të ministrisë së Drejtësisë, i takon të marrë 8 milionë lekë dëmshpërblim për vitet e burgut. Një jetë e këputur që shtatë vjet më pas, numëronte me gojën e tij, si një nga dëshmitarët kundër tij edhe vetë kryeministrin e sotëm.
Lorenc Vangjeli, MAPO, shkurt 2009

* * * 

Intervista e Artan Hoxhës

Gazetari Artan Hoxha transmetoi dy ditë më parë dëshminë tronditëse të Hysen Shoshorit, njeriut të dënuar nga regjimi komunist me dëshmi të Sali Berishës. Ai rrëfen se gjetja e kasetës origjinale ishte një nga gjërat më të vështira. Hoxha tregon edhe një pjesë të pathënë, çfarë i ka ndodhur njeriut që regjistroi dëshminë, burgimi i tij në Shën Koll dhe vizita e zyrtarit të policisë.

Artan, çfarë u shtyu të gërmonit në historinë e Hysen Shoshorit?

Historia e 77 vjeçarit Hysen Shoshori, gjithnjë më ka tërhequr vëmendjen, jo vetëm si reporter por edhe si qytetar i thjeshtë. Sa herë që emri i tij përmendej në ndonjë shkrim në media bëhesha kurioz për të mësuar fatin tragjik të këtij njeriu. Çfarë e kishte shtyrë atë të shtypte jo pak, por plot 41100 trakte kundër regjimit komunist. Një shifër e pazakontë, e denjë për rekordet Guinnes.

Për më tepër po të kemi parasysh periudhën kur Hysenit i është dashur ti shtyp këto trakte, duke nisur nga viti 1961 deri në gushtin e vitit 1974. Sa punë titanike i është dashur atij, ku e ka gjetur gjithë atë letër dhe sa kujdes ka treguar për të mos përfunduar në duart e Sigurimit të Shtetit. Më dukej diçka e pamundur, e pabesueshme, që një njeri i thjeshtë, me profesion xhenerik, krejt i vetëm të kishte bërë një veprim të tillë. Të gjitha këto pikëpyetje më shtuan kuriozitetin dhe më nxitën që të gërmoj mbi jetën e këtij martiri të antikomunizmit. 
 

Kur keni dëgjuar për herë të parë emrin e Hysen Shoshorit?
Nuk e kujtoj me datë të saktë, por mbaj mend mirë personat me të cilët po bisedoja dhe tavolinën ku isha ulur. Një grup ish të burgosurish politik më ftuan të pija një kafe me ta. Më "i riu" prej tyre ishte në moshë dy herë më i madh nga unë. Mes ish të burgosurve të diktaturës që më ftuan mbaj mend Gjergj Ndrecën, Fatmir Lamajn dhe Nuredin Skraparin, ky i fundit një ish-inxhinier nafte, i dënuar për sabotim në vitin 1975, pothuaj në të njëjtën kohë kur është dënuar dhe Hysen Shoshori. 

Ata kishin ndjekur emisionin tim dhe kërkonin ti ndihmoja për të publikuar disa shqetësime të tyre në lidhje me mënyrën se si tallej shteti shqiptar me hallet e ish të burgosurve politik. Midis të tjerash në atë bisedë është përmendur edhe rasti Shoshori. Mua më tërhoqi vëmendjen historia e tij dhe u kërkova të më ndihmonin për ta publikuar atë që kishte ndodhur. Me mirësinë që i karakterizon zakonisht njerëz të tillë, të cilët jeta i ka përplasur pa mëshirë më premtuan që do të më ndihmonin. 
 

Çfarë ka ndodhur realisht me atë njeri?
Fillimisht unë mblodha të gjitha shkrimet që ishin botuar për Shoshorin në media. Më pas me ndihmën e ish të dënuarve politikë, kontaktova me disa shokë të Hysenit, me të cilët ai kishte ndarë vuajtjet e burgut. Mes tyre më tërhoqi vëmendjen Skënder Tufa, një mik i Hysenit, me të cilin ai kishte qëndruar në burgun e Spaçit dhe atë të Sarandës deri në momentin që u lirua më 17 mars 1991.

Skënder Tufa kishte pësuar të njëjtin fat si Hyseni, për të vetmit fakt, kishte guxuar të publikonte në një gazetë periodike pikërisht dëshminë rrëqethëse të shokut të tij të burgut. Në dhjetor të vitit 2002 Tufa botoi në gazetën me emrin sinjifikativ "Plaga", intervistën e Shoshorit. Kaq kishte mjaftuar që edhe Tufa të vihej në qendër të sulmeve nga njerëz që qëndronin pas njeriut të akuzuar prej Hysen Shoshorit, Sali Berishës. Sapo Berisha u rikthye në pushtet në korrik të vitit 2005, Skënder Tufës iu rezervua një fat tragjik për t'ia mbyllur gojën dhe për ta detyruar të heshte.

Ndaj tij u inskenua një aksion policor, me një akuzë të sajuar pikërisht nga njerëzit e kryeministrit në radhët e policisë. Pas 10 viteve burg në regjimin komunist të Enver Hoxhës, Skënder Tufa përfundoi serish në qeli, këtë radhë për më shumë se katër vjet në qelitë e burgut të Shën Kollit. Sapo ai u vendos në këtë burg, një drejtues i lartë i Policisë së Shtetit shkoi ta takonte duke i kujtuar pikërisht dëshminë e Hysen Shoshorit.

Nga ai moment Tufës iu rezervua një "trajtim special" nga autoritetet e burgut deri ditën që u lirua. Kur doli nga burgu, Tufa nuk kishte çfarë të humbiste më, veç jetës. Ai kontaktoi me mua dhe unë pranova që ta hulumtoja historinë e tij, e cila ishte thjeshtë një pasojë e dëshmisë që nuk duhej publikuar kurrë të Hysen Shoshorit. Por sigurisht këto janë detaje që emisioni "Xhungël" do ti zbardh në vijim të historisë "Dëshmitari". 

Cili është roli i kryeministrit aktual Sali Berisha në dënimin e tij?
Unë nuk mund të them më shumë nga çfarë ka thënë me gojën e vet Hysen Shoshori. E kisha dëgjuar disa herë dëshminë e tij të citohej në parlament nga deputetë të opozitës së majtë, e kisha lexuar në gazetë, por gjithnjë kryeministri dhe anturazhi i tij mediatik, ia dilnin mbanë që të mohonin këtë akuzë.

Ata thoshin se gjithçka ishte një trillim dhe një sajesë dashakeqe nga mbeturinat e Sigurimit të Shtetit dhe të regjimit komunist që synonte të baltoste pikërisht atë që e përmbysi regjimin e urryer. Ata kërkonin prova bindëse dhe të pakundërshtueshme. Makineria propagandistike e kryeministrit arriti deri aty, sa kur çështja u ngrit në parlament nga opozita, publikoi një intervistë të djalit të vetëm të Hysen Shoshorit, i cili deklaronte se babai i tij nuk e kishte akuzuar kurrë Berishën dhe se gjithçka ishte një sajesë për përfitime politike.

Pavarësisht hulumtimeve që kisha bërë dhe informacionit që mblodha, gjithnjë dyshoja se historinë do të ma kundërshtonin nëse nuk kisha pamje filmike. Rrezikoja të përfundoja njëlloj si botimet në median e shkruar nëse nuk publikoja me pamje filmike, me zë dhe me figurë dëshminë e Hysen Shoshorit! Për fat të mirë, pas shumë përpjekjesh, arrita që ta shtie në dorë intervistën e filmuar, sigurisht duke marrë të gjitha përgjegjësitë për publikimin e saj.

A keni pasur presioni për botimin e saj?
Sigurisht që kam pasur. Jo më kot puna me këtë histori ka zgjatur për vite me radhë. Madje në një moment humba dhe besimin e atyre që më kishin ndihmuar, që kishin pranuar të flisnin para kamerës me zë dhe figurë, duke rrezikuar jetën e tyre. Mjafton të përmend faktin që personat të cilët më ndihmuan të ndërtoja këtë histori, i kam telefonuar vetëm 24 orë pasi u transmetua në NEËS 24 emisioni "Xhungël" me titullin "Dëshmitari". Edhe ata janë habitur pasi në të vërtetë nuk e prisnin që kjo video-dëshmi të publikohej një ditë.

Traktet
I cilësuar si antikomunisti më i vendosur në gjithë vendet e lindjes, Hysen Shoshori për 13 vite me radhë shtypi dhe shpërndau i vetëm plot 41100 trakte ku bëhej thirrje për rrëzimin e regjimit komunist të diktatorit Enver Hoxha. 

Shaptilografi
Shaptilografin me të cilin Hysen Shoshori shtypi traktet, e grabiti në muzeun e relikeve të luftës Nacional-Çlirimtare. Shaptilografi ishte përdorur nga grupet guerile gjatë Luftës së Dytë Botërore për të shtypur trakte kundër Nazi-Fashistëve.
 

Arrestimi
Hysen Shoshori u arrestua në orën 23.00, të datës 16 gusht 1974. Ai u kap teksa po shpërndante trakte tek Ambulanca Qendrore. Aty, atë natë atë e prisnin më shumë se 10 roje të Sigurimit të Shtetit. Operacioni për kapjen e tij mbante emrin "Kafka".
 

Dënimi
Gjykata e dënoi fillimisht Hysen Shoshorin me vdekje me pushkatim. Por ndërsa ai priste ekzekutimin, 47 ditë më vonë dënimi iu fal nga me vdekje në 25 vite burg. Shoshori bëri vetëm 17 vite burg pasi u lirua me rënien e komunizmit më 17 mars 1991.

Skënder Tufa, i dënuari politik që intervistoi Hysen Shoshorin

Bashkëvuajtësi me të cilin Hysen Shoshori qëndroi fillimisht në Burgun e Spaçit dhe më pas deri sa u lirua, në burgun e Shën Vasilit në Sarandë, është Skënder Tufa. Të dy të dënuarit me akuza gati të njëjta u njohën në vitin 1981 në burgun e tmerrshëm të Spaçit. Miqësia e tyre u forcua dhe ata qëndruan bashkë deri në momentin që u liruan në mesin e marsit 1991.

Të dy të dënuarit politikë u liruan në të njëjtën ditë dhe për ta ishte rezervuar i njëjti fat. Ata udhëtuan me autobus nga Saranda në Tiranë, ku nuk i priti askush nga familjarët e tyre, të cilët ishin internuar nga Sigurimi i Shtetit. Hysen Shoshori i tregoi Skënder Tufës dhe bashkëvuajtësve të tij, se njeriu që kishte dëshmuar kundër tij në vitin 1975, ishte pikërisht politikani që kishte dalë në krye të lëvizjes opozitare për të rrëzuar komunizmin, Doktor Sali Berisha.

Nisur nga ky fakt Skënder Tufa e intervistoi mikun e tij të burgut në vitin 2002 dhe e botoi për herë të parë intervistën në gazetën e të persekutuarëve "Plaga". Kjo intervistë është mohuar disa herë nga kryeministri Berisha, duke thënë se ishte e falsifikuar.

20 Komente

Nje deshmi nga Maks Velo lidhur me personazhin.

 

CENI Në rradhët e gjata të kampit më bënte përshtypje një njeri, që gjithmonë vihej në rrjesht me papunësinë. Ishte si një personazh i Balzakut. Nuk e di përse m’u fiksua si personazh i tij, me lëvizje të ngadalta, zakonisht i vetmuar, fjalëpakë. Më thanë, ky është Ceni, Hysen Sheshori, tiranas. Dukej që ish i burgosur i regjur dhe që ish pa asnjë ndihmë. Në fund shkonte te sporteli, dhe po të kishin, i jepnin një çaj të tepërt, çaj i thënçin se ajo ish një ujë i ftohtë pa sheqer. Më treguan historinë e tij. Në prill të 1959, me një shaptilograf kish shtypur një trakt thirrje në të cilën demaskonte propagandën zyrtare. Shpërndau trakte nëpër gjithë Tiranës deri më 1974 kur e kapën. Tekstet e trakteve i nderonte. I shpërndante natën poshtë dyerve ; të shtëpive private ose apartamenteve, i ngjiste nëpër mure, shtylla, shkallë. Kish hedhur deri nëpër ambasadat si tek ajo polake, rumune, italiane, jugosllave. Më shumë i hidhte nëpër veturat kur kishte kokteje ose nga muret. Këtë punë e bënte nga ora 11 deri në orën 1 pas mesnate. Përpara bënte një plan për shpërndarjen e tyre duke nderuar lagjet. Lajme për këto trakte u dhanë nga “Zëri i Amerikës”, “Radio Moska”, “Radio Beogradi”. Sigurimi i shtetit ish në këmbë. Qëndronin në vende me fushë pamje, majë pemëve, nëpër apartamente që i kishin për survejim. Tani e kuptova atë që më kish ndodhur më 1966. Ish dimër, janar, por janar i butë si ai i Tiranës, dhe ta kishte qejfi të rrije jashtë. Ora ish afër dy e natës dhe unë isha aty nën pemët ku është tani Galeria e Arteve. Isha me një vajzë, sa ishim puthur dhe dëgjoj një zhurmë të lehtë, ngre kokën dhe majë pemës kish një njeri. Me qetësi pa i thënë gjë asaj u largova. Ata paskeshin qenë për Cenin. E kapën më 16 gusht 1974 te rrugica karshi ambulancës, porsa kish vendosur traktin me dy pika mastic. I vendoste ose në fillim të rrugës ose në fund. Kishin hipur në plepat e ish Muzeut të Luftës. Iu hodhën sipër, e shtrinë përtokë e goditën. Si i vuri hekurat Kadri Ismailati e futi në një veturë “Varshava” dhe e çoi direkt në Ministrinë e brendshme. Në bodrumet e Ministrisë kish mjete të posaçme torture. Ishin kriminela të regjur : Kadri Ismailati, Ali Korbi, Koço Josifi, me në krye Nevzat Haznedarin. “Trego shokët…”, kurse unë shokë nuk kisha. Por ata nuk besonin. Mbas torturave i thanë Bujar Shkabës, mjekut, “bëji derman, se na e la hetuesinë përgjysëm”… “Çojeni në spital, bile me urgjencë…” Të nesërmen e çuan në birucat e burgut të ri, në katin e dytë. E dënuan me vdekje me pushkatim. Vdekja ish shpëtim, por ç’e do se hapet dera dhe i komunikojnë faljen e jetës, dënim 25 vjet. Ata prisnin që t’iu thonte ndonjë falenderim, por Ceni ish dëshpëruar keq, donte vdekjen. Bëri 16 vjet burg. U lirua në marsin e 1991. Ish me të burgosurit e fundit që u liruan nga kampi i Shën Vasisë në Borsh. Dhe ajo që më ngacmonte më shumë në këtë histori ishte kur mora vesh arsyen pse Ceni e kish bërë këtë sakrificë, pse ish bërë armik i vendosur i pushtetit. I kishin marrë një copë toke, aty në kodrat, ish një tokë e mirë që Ceni e ëndërronte gjithmonë dhe nuk ua kish falur komunistëve.  Marrë nga : Maks VELO, Palltoja e burgut, Shtëpia Botuese “LETRAT”, Tiranë 1995, fq. 70-72. P.S. Tekstin e solla siç është i botuar, pa e korrigjuar. Libri është i botuar me ndihmën e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve (gjë që ndoshta shpjegon edhe gabimet e shumta drejtshkrimore). Në atë vit, Sali Berisha ishte President i Republikës.      

Lorenc Vangjeli eshte kandidat i PS PER KESHILLTAR BASHKIAK. PPU, si blog model dhe free and fair per te gjithe, te beje pak seleksionim, mos te na sjelle propagande te kandidateve ne gare.

Artikulli eshte i shkurtit 2009 he botuar ne MAPO-n e Henri Cilit.  

Ndersa deshmia e Maks Velos eshte e 1995-es dhe qe eshte autentike eshte mese e sigurte. 

Po, ne ç'pjese te artikullit qendronte propaganda? Kam pershtypjen se keni lexuar vetem emrin e autorit, e jo tekstin.

Propaganda qendron tek rrenat qe perseriten qe ne 2002, pastaj ne '04, '09 dhe tani ne '11. Vangjeli nje kamikaz ramist deri tani pa qyrkun zyrtar te PS, sot e ka veshur edhe ate qyrk. Eshte aq i besueshem sa eshte Edi Rama apo kamikazi i Mero Bazes medemek ne Bruksel Ernest Bunguri.

Ok plako. shko futi ndonje birre, ose me mire çaj kamomili qe te qetesohesh. Une theshe ku eshte propaganda ne ato qe thote artikulli, jo sa here eshte perseritur historia e treguar. 

Ka ama nje fakt, po deshe ta degjosh. Shoshori ka shperndare i vetem, per 15 vjet, mbi 41 mije trakte antipushtet ne Tirane -- me shulme se tere letersia e disdences-- (pak rendesi kane arsyet pse) dhe ka bere 15 vjet Spaç etj. Shoshori mund te jete edhe i rrjedhur, dhe ka gjithe te drehten e botes te jete i rrjedhur (ju vte s'di ç'do kishit bere). Por, vetem per ate qe ka bere, kryeministrit ne pergjithesi dhe Berishes qe feston 20 shkurtin me Cilijeten dhe AC/DC ne veçanti, nuk i lejohet te thote: "shikoni se mos nuk eshte i denuar fare ai ". Kjo eshte ta burgosesh per se dyti.

me fal se ceshtja eshte serioze por ashtu eshte edhe ac/dc, me respekt per muziken.

pikerisht ngaqe muzika eshte serioze nuk e meriton klipin me Sali e Ciljeta, dy gishtat lart : "E hodhem qelbesiren!" Ka nje moshe njeriu per çdo gje, do te thoshte ndonje prind, ose vete Berisha ne nje situate tjeter

Dhe qe te jemi te sakte, Vangjeli nuk e ka botuar kete shkrim te gazeta Mapo (e Cilit), por tek revista Mapo, e Veliajt dhe ka edhe nje interviste me Artan Hoxhen te bere tani qe eshte edhe kandidat. Apo jo?

Per revisten MAPO, nese eshte ashtu, OK, nuk e dija. Intervista me Artan Hoxhen nuk e di e kujt eshte. Nga shekulli nuk kuptohej. E megjithate nuk ndryshon thelbi i çeshtjes. Sigurisht qe te tilla gjera nuk do t'i botoje 55-a.

Po pastaj qe eshte kandidat i PS, per keshillin bashkiak? Pune e madhe.  Hidh faktet ne tavoline se Politick show eshte...

Po cfare faktesh do nga une o zoteri. Faktet jane ne fushe te madhe dhe nuk me takon mua t'i them se nuk jam aq shpirt kazem sa t'i permend tjetrit se ka ilete ne mendje sic eshte rasti i Shoshorit. Duke ditur edhe burgun e ketij personi. Ndersa "shoku" i burgut Skender Tufa, qe eshte denuar per prostitucion, kete denim e ka marre pa ardhe ne pushtet akoma Berisha. Po Artan Hoxha e Lorenc Vanjeli jane kamikaze, nuk e kane per dert edhe pse shpifin diten me diell.

Po pastaj qe eshte kandidat i PS, per keshillin bashkiak? Pune e madhe.

Ky eshte turpe per qytetin e Tiranes te perfaqsohet nga keta lloj kllounesh.Po cfare kontributi ,eksperience,ndihme apo talenti i afron ky PS-se,hidhini nje sy CV-se tij deshtake,me te cilen ai mund te punesohej vetem ne  OJQ-te majtiste antiglobaliste si puna e Mjaft-it. Po pse paskan mbaruar figurat intelektuale  te PS-se  qe ti bjeri radha ketij  gazetari te rendomte i pa arsimuar,militan e medioker qe perpiqet te duket "moderne" ,kur del ne Top Channel, nga lepirja e flokeve si adoleshent me xhele nga ai blere tek 1 dollarshi.

 kaposh,

   Mos e merr me vrull ate punen e "turpeve" per qytetein e Tiranes.Se qe ta dishe dhe ca me mire akoma, ala nuk i ka dale tamam era kesaj punes se "puneve te dikurshme". Ne se do te flasi dikushi, qe e ka perjetuar,  kush e  denoncoi ish Zv.Minsitren e Shendetesise, per aparatin e pare qe solli OMS- si ..."Insijatore te  demtimit te shendeti te udheheqesave.." mund te te bjeri pake ..zali.Ai aparat  per kontrollet e dinamikes se zemres, erdhi kontribut i pjesmarrjes se Shqiperise ne OMS.Disa mjeke te njohur  "punuan",  qe  aparati i pare  elektronik, te vendosej ne Kliniken e Udheheqjes..Dmth te vizitoheshin e shumta 15 burra shteti, kur qindra  neper spitalet te mos  e kishin ate fat.Dhe  aparati vajti ne ate Klinike.

   ZV.Minsitria e mori vesh dhe i beri Manush Myftiut nje ankimim.Pataj ate e thirri vete  Enver Hoxha.E si u vrejt ca, prej argumentave te ZV.Ministres, e dergoi tek Manushi.Aty ajo mori vesh se cilet, pikerisht, ishin ata te dy mjeket, qe  e kishin denoncuar, "per veprimtari, ne dem te shendetit te udheheqjes.... " 

 I doli era qysh ahere asaj "pune". Ndaj le ti leme ca gjera se  eren nuk e shuan koha..

 

 

 Ai tregimi i Maks Velos ishte me interesant si tregim per "kush eshte Hysen Shoshori" ndersa te tjerat nuk thane ndonje gje te re se "kush eshte Shoshori" ne te vertete. Thjesht ai ka qene nje fshatar i pakenaqur qe ka bere 41 mije trakte me nje shaptilograf te vjedhur nga "muzeumi i luftes"!!!!! Kush te linte te vidhje kaq lehete nje shaptilograf ne mes te Tiranes, persa i perket ketyre fakteve ne pamje te pare le shume per te deshiruar! E pa mjaftueshme per mua si lezues i thjeshte per tu bindur!Do te ishte shume sinjifikative qe sot te dilte nje deshmitar, lexues, prej 41 mije trakteve, qe te deshmonte se po une jam nje prej atyre qe kam lexuar trakte te Shoshorit, eshte nje egzemplar i ralle kjo puna e "41 mijshit" e cuditshme  per mua!! Kush i numuroi keto ?

Ajo qe skuptoj une eshte rrethana e ndodhjes se Berishes ne gjyqin e Shoshorit,Shoshori ka qene nje puntor i uzines se artilerise, clidhje ka kjo me Berishen?Se kuptoj kete! 

Me kete opinion nuk dua te mbroj nje opinion pro Berishes, thejesht me ben pershtypje disa fakte!

E verteta e kesaj deklarate duhet per mua te plotesohet me shume, edhe me deshmi te tjera!Ne qoftese mungojne kjo kthehet ne nej fars!

 

Ky Sheshori o Artian, traktet i shperndante ne tirane dhe ndoshta saliut i ka rene ne dore nje fletushke e tille dhe ka shkuar e ka bere denoncim. Me vone, kur Sheshorin e kapen ne flagrance duke shperndare trakte, mundet qe hetuesit te kene therritur saliun te deshmoje per traktin e gjetur. Deshmine e saliut, pra pak a shume fjalet qe ka thene, i ka treguar Sheshori ne nje interviste. 

Ose mundet qe edhe saliu ta kete pare vete Sheshorin dike shperndare trakte kunder pushtetit popullor dhe te kete bere denoncimin ne polici. Ne fund te fundit, per saliun shteti komunist ishte me i shtrejte se cdo gje, perfshi edhe familjen. Fakti qe ai e mohon kete gje tani eshte thjesht paburreria e tij.  

 Tano, nuk e di sa vjeç je, qe te te them se pse nuk e kupton. Nuk ka rendesi, se ku punonte Shoshori. Ate e kapen, pasi kishte hedhur trakte. E kupton??? kishte ndare trakte ne tere Tiranen. ..... Dhe keto trakte lexoheshin, konspektoheshin, dhe merrnin destinacionin perfundimtar, sipas atij qe i lexonte. Disa i merrnin dhe i fusnin ne gji, si nje gje te çmuar... disa te tjere, i hidhnin, si diçka pa vlere, kurse disa te tjere, i shpinin tek vendi. A e kupton, se vjen ajo radha e punes, ne te tilla raste.

Ju deshen 15 vjet qe sigurimi ta kapte, po nderkohe ai kish shperndare 41 000 trakte, a e kupton, te pakten 41 mije njerez kishin patur nje kontakt fizik me keto trakte, dhe nga keto trakte vetem 277 kishin arritur qe ti shpetonin ekzekutimit. A e kupton tani ti raportin e te mireve me te keqinjte ne ate kohe ?????

Tani qe e kapen, duhej ndeshkuar, dhe ndeshkimi duhej te ishte publik, qe ky pis mileti te vinte mend. Po duhej edhe anturazhi, duhej spektatori, duheshin dhe aktoret, se pa ata nuk behej shfaqja. Dhe si ne te gjitha perrallat, behej lufta midis te keqit dhe te mirit.. dhe se ky i miri, duhet qe te kishte dhe shoke shume....bile shoke nga lagja, nga shkolla, nga fshati, shoke pune vullnetare, shoke aksioni, shoke organizate baze partie e tj tj.

Dhe ne mos gabohem, gjyqin ja kane bere andej nga Fakulteti i Mjeksise, se andej e kishte dhe shtepine. E kupton tani, psene....

Dhe ne kete gjyq, merrnin pjese, perveç banoreve, edhe mjeket, infermieret e spitalit, pedagoget e Fak Mjeksise, etj etj. Po tani me kuptove. Dhe gjithmone ne te tilla mbledhje dalin dhe heronjte, besniket, ata qe japin ehe jeten per ATE...

DHE DUHET TA DISH, SE SI ATEHERE DHE SOT, I NJEJTI MEKANIZEM FUNKSIONON, TE PANJOHURIT QE DUAN TE BEHEN DIKUSHI, ME PARE DUHET TE BIEN NE SY, PER DEVOTSHMERI, PER BESNIKERI, PASTAJ TE MESON VETE ZANATI.....

 

 alidems nuk du me e zgjat kete debat per kete pik se eshte e kote.

 Shoshori fatkeq  duhet te kishte siguruar edhe disa deshmitare ne ngjarje, per te qene edhe me i sigurte, edhe me  i besueshem, se nuk eshte kollaj te perballesh me nje skile si Berisha! 

 Djema, une Cenin e kam njohur para shum vitesh, ma prezantoi Ligori (edhe ky disident), dhe me Cenin kemi bo nete te tera muhabet. Eshte njeri i drejte, per Cenin kam folur pakez tek Vizione te qarta. Ceni kish respekt te madh per mua dhe ne debatet qe bonim, me ka treguar ter historine e tij. Shkruante aty, ne ca blloqe te gjera si ato te shendetesise, shante Zotin, megjithse e kundershtoja, ia kam lexuar ato qe shkruante, kish riperseritje, pakez kontradikte per ceshtjen e fese, dhe e keshilloja ti reduktonte, te mos bente riperseritje me fjale te tjera. Kish gjera filozofike, por te pakez te lodhshme per nje sy lexuesi te ngritur, dhe e keshilloja ti hiqte gjerat e teperta. Per ceshtjen e Buall Mavrise, kisha ndigjuar, por nuk ishte interesi i Shqiperise te dilnin disa te palara te drejtuesve te saj, persa kohe dhe Shqiperia nuk ishte futur ne disa organizma euro-antllatike. Biles Ligorit i thashe athere, se jane nxituar ne botimin e atyre fakteve, se mund te prisnin edhe pak. Ne fakt, grupet e punes prane PE dhe EU, po mirreshin me Shqiperine ne ate kohe. 

 

e qitet edhe lorenc vangjelin armik te popllit smiley 

Po skeni cer ti boni Lorencit se ka ate zene e trash si arush mali smiley  Pine mer cinaren sic e pi lorenci dhe mase mase ju thrret dhe ju Fevzua te letyra e vet qe e qun opinion.

kush di te me thote pse berisha deshmitar? nga mjek ne preze, traktet? nuk e kap.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).