Pothuajse të gjithë e njohin historinë e Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës, dy poetëve të pushkatuar nga diktatura komuniste në vitin 1976. Në nderim të tyre në qendër të qytetit të Librazhdit u ndërtua memoriali i tyre. Por sot ata përveç moskujdesjes nga institucionet përkatëse (Bashkia e qytetit e cila i ka në vartësinë e vet), nuk ka bërë as më të voglin interes. Përveç mospastrimit dhe mirëmbajtjes, këto ditë ka dalë dhe një fenomen i ri. Mu në mes të qytetit dhe në sy të publikut, persona të ndryshëm kanë filluar të vjedhin shkronjat prej bronzi, të cilat  i kanë marrë për ti shitur për skrap. Po kështu janë marrë edhe  veshjet e mermerit.
Memoriali
Janë harxhuar rreth 25 milion lekë për ndërtimin e tyre, por sot po kthehen në monumente pa vlerë. Madje shume qytetarë të Librazhdit dhe nxënës shkollës që mbajnë emrin e këtyre dy poetëve janë të indinjuar për këtë shkatërrim. Sipas tyre  disa persona duke përdorur gurë kanë filluar të heqin shkronjat dhe i marrin për skrap. Sipas banorëve së shpejti mundet që fatin e shkronjave ta pësojnë edhe bustet për skrap. 
Shkronjat dhe shatërvani
Janë shkruar me shkronja bronzi poezitë e të dy poetëve, poezi për të cilat u pushkatuan. Sasia e shkronjave ka një peshë me kilogram për  mbledhësit e skrapit. Po kështu sipas projektit   është planifikuar mirëmbajtja e memorialit nga bashkia. Gjithashtu në qendër është edhe një shatërvan që duhet të ketë ujë 24 orë, por ai shatërvan jo vetëm që nuk ka ujë, por që prej katër vitesh nuk funksionon.  Në të shikon vetëm baltë dhe ledh,pluhur dhe asgjë tjetër. Sipas ish-kryebashkiakut të Librazhdit, Shaqir Kuka, ky projekt i memorialëve është njëri nga projektet më të bukura dhe punuar nga artistë e skulptorë të mëdhenj. Punimet për ndërtimin e memorialit filluan ne vitin 2006. Për katër muaj skulptori Sadik Spahia punoi për realizimin mjeshtëror të dy kokave të poetëve të vendosur në një bazament të mbuluar me ujë, në të cilin janë të shkruar me shkronja të arta pjesë të poezive te tyre. Bazamenti 5x10 m, u financua nga Bashkia e Librazhdit dhe Ministria e Kulturës.
Përurimi pompoz
Me 30 qershor 2006, në ceremoninë e përurimit të memorialit ishte i pranishëm ish-Presidenti Alfred Moisiu, ish-ministri i Kulturës, Bujar Leskaj dhe aktorë të njohur të skenës dhe ekranit. Poetët disidentë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, u pushkatuan nga diktatura komuniste në vitin 1974. Me këtë rast kanë qenë të pranishëm familjarë dhe të afërm te ish-poetëve.Kurse ish-ministri Leskaj, ka vlerësuar figurën e poetëve, duke dënuar regjimin komunist. Madje  në ditën e përurimit të memorialëve kanë qenë të ftuar gjigantët e skenës dhe ekranit, Mirush Kabashi, Tinka Kurti dhe Rajmonda Bulku,të cilët kanë recituar vargjet e poezive të shkruara nga poetët. Mirush Kabashi ka recituar me mjaft emocion poezinë "Saharaja" te poetit Vilson Blloshmi, vargjet e së cilës u bënë shkak që të dy poetët të pushkatoheshin. Ndërsa Skulptori Gëzim Hidri thotë për gazetën se ndjehem i habitur madje jam tepër i revoltuar për këtë moskujdesje të këtyre martirëve të demokracisë, të cilët sakrifikuan dhe jetën e vet, për një të ardhme më të mirë. Po kështu dhe familjarët e tyre, janë të shqetësuar për këtë akt vandal në mesin e qytetit, vëllai i Vilsonit, Bedri Blloshmi (ka bërë 25 vjet burg politik gjatë komunizmit) thotë për gazetën se  “për ketë mbajnë përgjegjësi strukturat përkatëse, dhe kam vendosur që do ti heq të dy bustet dhe ti dërgoj në fshatin e lindjes sepse institucionet e qytetit tonë vazhdojnë akoma të na persekutojnë, të paktën pranë familjeve do të jenë nën kujdesin tonë dhe të bashkëfshatarëve. 

Kush ishin Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

Vilson Blloshmi dhe Genc Leka lindën në muajin Mars. Vilsoni, lindi më 18 mars të vitit 1948, ndërsa, Genci më 23 mars të vitit 1941. Që të dy ishin nga i njëjti fshat, nga Bërzeshta e Librazhdit, që të dy ishin poetë. Ashtu siç kishin lindur në të njëjtin muaj, ata patën të njëjtën vdekje dhe në të njëjtën natë. Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u pushkatuan mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977, për të vetmin "faj", se kishin lindur poetë. Jeta e tyre u fik nga plumbat e xhelatëve, ndërsa trupat e njomë u flakën në të njëjtën gropë. Të dy poetët e kallur nën dhè u lanë në harresë deri në shembjen e diktaturës, ndërsa poezitë e tyre u shpallën heretike. Diktatura i groposi, por të dy poetët kishin skalitur pavdekësinë me krijimtarinë e tyre, poezinë. Ata ishin poetë të lindur dhe i këndonin bukurisë, njeriut të thjeshtë.
Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, ishin mësues dhe poetë të talentuar që aspironin për liri dhe demokraci, për një jetë më të mirë. Ndaj tyre u organizua një gjyq politik i inskenuar. Komiteti i Partisë së Librazhdit kishte bërë një plan masash për gjykimin dhe dënimin e Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Pra, në Komitetin e Partisë merreshin vendime për pushkatimin e poetëve. Edhe diskutimet që do të bëheshin në gjyqin politik, ishin përgatitur në Komitetin e Partisë dhe aty ishin caktuar gjashtë vetë për të diskutuar ato që ishin përgatitur në Komitetin e Partisë. Në planin e masave të Komitetit të Partisë, thuhej se: "Gjykatat Popullore punojnë për të realizuar vendimet e Kongresit të 7-të të PPSH". Akuzat ishin të rënda për "krim, sabotim ekonomik, agjitacion dhe propagandë".
Vilson Blloshmi rridhte nga një familje patriotike. Ai fliste frëngjisht dhe anglisht në mënyrë të shkëlqyer. Shkruante poezi, por edhe përkthente poetët më në zë perëndimorë, sidomos ata francezë. Akuza kryesore ndaj tij ishte poezia "Saharaja", ku ai e simbolizon Shqipërinë të shkretë dhe pa miq e pa shokë, por Vilsoni u akuza edhe pse kishte thënë se, "që të bëhesh njeri i afirmuar, duhet të dish edhe gjuhë të huaja". Regjimi nuk i donte njerëzit që dinin gjuhë të huaja. Megjithëse dinte gjuhë të huaja, ai shikohej me sy të keq nga Partia e Punës dhe qeveria komuniste. Në aktakuzë thuhej se: "Vilson Blloshmi e ka filluar që në bankat e shkollës, në Normalen e Elbasanit, veprimtarinë armiqësore". Ai i kishte thënë një shoku në shkollë se, "vendi nuk ka literaturë të bollshme dhe njerëzit nuk marrin dije"...
...Genc Leka, ishte një mësues shembullor, por për probleme të biografisë e çuan në punë ndërtimi. Edhe pse punonte shumë, ai gjente kohë që të shkruante edhe poezi. Në aktakuzë ishte shkruar se ai ka bërë agjitacion, duke u shprehur se, "normat janë të larta dhe shpenzimet e ulëta sa mezi jetohet". Ai u akuzua për poezi pesimiste dhe jo realiste, sipas prokurorit, "poezitë shprehnin dëshpërim". Interpretimi i poezive e rëndoi akuzën. Edhe poezitë e natyrës cilësoheshin si politike.

8 Komente

asgje e re... njoh njerez qe kane ribere varret e prinderve dhe gjysherve nga 3-4 here...

 

As n'te gjalle e as n'te vdekur...

 

smiley

hajt se gencit e vilsonit nuk kishte per t'i ardh hic keq. e kane per capen e bukes, nuk e bejn per akt politik.

gjigande e skenes monda bulku?

monda eshte kandidate per misnitre kulture, keshtu eshte thashethemi.

ka dicka shume sublime ne kete ngjarje. nje fare deshperimi sublim. si atehere kur veterani i luftes shet medaljet per te blere buke. jam i sigurte se do ta bente, por s'do shkonte kshtu tuj feshkellyer rruges..

http://tiranacalling.wordpress.com/2010/...

une kurre nuk e kam kuptuar tamam pse u pushkatua poeti Blloshmi. Dmth cfare kishte kaq po kaq te rrezikshme ne to qe shkruante ai. Nuk diskutoj qe ngjarja pershtatet fiks ne kornizat e mendimit qe letersia eshte armike e diktatures, qe mendimi kundra s'falej etj etj, ama perseri nuk e kam kuptuar vajtjen gjer ne pushkatim! Kur nuk u pushkatua Trebeshina (gjithnje ne qeofte e vertete promemoria e tij dhe/apo ne paste vajtur me ter mend ne duart e Enver Hoxhes), kshu me rregull treshi nuk do i binte te pushkatoheshin keta dy poetet. Me kete dua te them qe do doja te dija info shtese nqse dikush ka, qe cfare coi ne kete mase ekstreme? Pa e perjashtuar qe shkaku te kene qene vetem poezite.

 Dikush mund ta sjellë dosjen e hetimit apo dosjen gjygjsore besoj se është e hapur ndoshta dhe e botuar por s'më kujtohet mirë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).