baba-reshat-bardhi.jpg (444×333)TIRANË- Ndahet nga jeta Baba Reshat Bardhi. Kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane ka ndërruar jetë në moshën 76 vjecare pas problemeve të rënduara shëndetësore. I njohur gjerësisht për rolin e tij te rëndësishëm në ruajtjen e mardhënieve tradicionalisht të mira midis komuniteteve e besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri, ai ka vlerësuar tolerancën fetare si domosdoshmëri jetike dhe porosi hyjnore.

Haxhi Dede Reshat Bardhi lindi më 4 mars të vitit 1935 në fshatin Lusëm të Kukësit dhe mësimet e para fetare i ka marrë tek hoxha i fshatit. Më pas ka ndjekur një kurs formimi në Medrese të Tiranës. Më 1954 u dorëzua dervish tek Kryegjyshi Botëror i asaj kohe, Dede Ahmet Ahmataj. Gjatë viteve 1958 – 1967 ka qënë i internuar së bashku me Dede Ahmetin në Drizar të Mallakastrës. Pas viteve 1967 ka punuar për 23 vjet me radhë, punëtor në Ndërrmarjen Bujqësore "Gjergj Dimitrov" në Tiranë.

Veprimtaria

Më 1991, bën peligrinazhin tradicional islamik në qytetin e shenjtë të Mekës dhe fiton titullin Haxhi. Po atë vit, me ndihmën dhe bashkëpunimin e Nënë Terezës, rihap Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Më 20 korrik 1993 organizon dhe drejton Kongresin e Gjashtë bektashian, ku shpallet Kryegjysh Botëror i Bektashinjve. Shtatë vjet më vonë, në shtator të vitit 2000, organizon Kongresin e Shtatë të bektashizmit dhe shtator 2005, Kongresin e tetë bektashian. Pas përmbysjes së regjimit komunist, nën kujdesin personal të Dede Reshatit janë hapur e vënë në shërbim të besimtarëve bektashianë rreth 120 objekte kulti, duke realizuar kështu një ringjallje të vërtetë e të fuqishme të besimit bektashian në vendin tonë. Ka marrë pjesë aktive në konferenca e takime ndërkombëtare kushtuar problemeve të mprehta të kohës, si në Gjermani, Itali, Iran, Turqi, Azerbaixhan, Maqedoni, Kosovë etj.

Vlerësimet

Ai është nderuar me titullin “Pishtar i Demokracisë”, është vlerësuar edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh Bush, në lidhje me qëndrimin e prerë kundër aktit barbar të 11 shtatorit 2001, është nderuar edhe nga Papa Gjon Pali i II gjatë Konferencës Botërore për një dialog ndërkombëtar për të mirën e Paqes. Në këto vite është nderuar në vendin tonë me tituj të ndryshëm si: Qytetar Nderi i Qarkut të Beratit, Kukësit, të Krujës, të Bulqizës, të Martaneshit dhe në mars të vitit 2005, me rastin e 70 vjetorit të ditëlindjes nga Presidenti i Republikës iu dha Urdhëri “Naim Frashëri”. 

4 Komente

 Qoft i xhenetit Inshallah 

Baba Reshati do te mbetet perhere ne zemrat tona.Shpirti i Tij le te ndritoj udhen e te gjithe atyre qe per tradite familjare  e kane Bektashizmin.

Prehu i qete Baba Reshat Bardhi.

Mos ja ndjefte peshen dheut.

e paste dheun e lehte!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).