Portugalia po kërkon ndihmën e ombrellës mbrojtëse të euros: këtë e bëri të ditur kryeministri i dorëhequr dy javë më parë José Sócrates, i cili qëndron në post deri në zgjedhjet e reja në fillim të qershorit.

Në Bruksel vendimi u përshëndet dhe u premtua se kërkesa do të shqyrtohet shpejt. Por me sa duket kërkesa për ndihmë në këtë çast pati edhe arsye të taktikës zgjedhore.

Këmbana për fushatën zgjedhore në Portugali ra dhe ishte një e rënë dramatike. José Sócrates deklaroi mbrëmë (6.4.), se opozita ishte fajtore që ai detyrohej t'i kërkonte ndihmë financiare Komisionit Evropian. "Refuzimi i programit për stabilitet dhe rritje në parlament e përkeqësoi dramatikisht gjendjen financiare të vendit tonë. Refuzimi i këtij programi, i cili ishte përshëndetur dhe mbështetur nga institucionen e BE-së, ishte sinjali më i keq, që mund t'iu dërgonte vendi tregjeve financiare dhe institucioneve ndërkombëtare. Sinjali i gabuar në çastin e gabuar."

Të hënën (4.4.) Sócrates kishte thënë në një intervistë televizive, se do të vazhdonte të bënte gjithçka për të mos qenë i detyruar që të kërkojë ndihmë nga jashtë: "Jam i palëkundur, ta mbroj Portugalinë nga një skenar i ndihmës nga jashtë. Nën një program ndihme ne jemi të detyruar të ndërmarrim të gjitha masat, që janë të lidhura me ndihmën. Ky do të ishte një program kursimi, shumë më therës sesa ajo që parashikohej në programin tonë për stabilitet dhe rritje."

Përkundrazi, tani Portugalia ka mbërritur në një pikë, në të cilën është e papërgjegjshme të vazhdosh të refuzosh ndihmën, deklaroi kryeministri në detyrë. Sipas tij këtë e ka treguar edhe shitja me ankand e bonove shtetërore aftshkurtra. Portugalisë iu desh këtu të ofronte sërish norma shumë më të larta interesi sesa përpara. Megjithatë, ekspertët e bursës e vlerësuan emetimin e bonove si relativisht të suksesshëm; të paktën sasia e kërkuar ishte dyfish.

Kthesa pikërisht në ditën kur parlamenti u mblodh për herë të fundit para shpërndarjes, ushqen dyshimin, se Sócrates e ka zgjedhur datën edhe nga konsiderata të taktikës zgjedhore. Ai jo vetëm që bëri herë pas here përgjegjëse opozitën për situatën dramatike gjatë deklaratës së përgatitur dhe të lexuar në televizion, Sócrates nuk do të jetë i vetëm përgjegjës para zgjedhësve as për kërkesën për ndihmë.

Përfaqësues të qeverisë kishin theksuar vazhdimisht, se qeveria në detyrë nuk mund të vendoste vetëm për kërkesën për ndihmë financiare te Komisioni Evropian. Kësisoj presidenti i Komisionit Manuel Barroso di në parim për kërkesën për ndihmë të Portugalisë, por kërkesë zyrtare nuk ka ende. Sócrates kërkon ta paraqesë hapin drejt ombrellës së shpëtimit si masë të domosdoshme, për të cilën e mbajnë përgjegjësinë të tjerët. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).