Raporti konfidencial i KLSH-së: Horrori i mbetjeve spitalore

Mbetjet spitalore si shiringa, bisturi, age, serume etj., madje edhe inde trupore te njeriut hidhen ku të mundën duke u bërë rrezik i përhershëm për shëndetin e banorëve edhe pse për trajtimin e tyre ekziston një rregullore e posaçme që prej nëntorit 2007.

Rregullorja është hartuar nga Ministria e Mjedisit dhe ajo e Shëndetësisë dhe në të përcaktohen me detaje mënyra se si do të trajtohen mbetjet spitalore, nga burimi i tyre deri tek asgjësimi përfundimtar. Megjithatë, thuajse në të gjitha spitalet e vendit me përjashtime të vogla, gjendja mbetet alarmante.

Duke parë këtë situatë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ndërmarrë një kontroll pranë Ministrisë së Shëndetësisë duke siguruar të dhënat shkresore nga drejtoritë rajonale spitalore në lidhje trajtimin e mbetjeve spitalore duke hartuar edhe një raport për to.

Gazeta ka siguruar një kopje të kësaj korrespondence ku pasqyrohet gjendja reale e trajtimit të mbeturinave që dalin nga spitalet, të cilat në vend që të digjen në inceneratorë apo të trajtohen nga persona të specializuar trajtohen njëlloj si plehrat urbane, madje transportohen me të njëjtat automjete që mblidhen mbeturinat e qyteteve.

Pjesë e raportit të KLSH-së është edhe kontrolli në terren për mënyrën se si trajtohen mbetjet. Në fakt, rregulloret dhe ligjet për trajtimin e mbetjeve spitalore ekzistojnë madje janë sipas standardeve të vendeve të BE-së, por mungon ajo që është më e rëndësishmja, respektimi i tyre.

Kështu, gjendja paraqitet tepër alarmante në spitalin e Bulqizës, ku mbetjet spitalore sipas KLSH-së hidhen në të njëjtin kazan ku mblidhen edhe mbeturinat urbane. Kjo ka bërë që një lagje e terë të jetojë çdo ditë me këtë problem, pasi kazanët ndodhen në territorin e saj duke bërë që fëmijët të luajnë me shiringa, bisturi apo tuba plastikë që përdoren për serume.

Në këtë rast, përmendet lagja "Minatori" në Bulqizë, banorët e të cilës përballen çdo ditë me frikën se fëmijiët e tyre mund të infektohen. Situata bëhet edhe më e rendë kur bëhet fjalë për trajtimin e mbetjeve nga materniteti. Raporti përmend skena të denja për filma, horror ku mbeturinat e maternitetit, të cilët në mjaft raste përbëhen nga inde te trupit të njeriut, përfshirë edhe placentat, hidhen në kazanët e plehrave urbanë duke u bërë ushqim për qentë. Kjo bën që mbetjet trupore të shpërndahen në lagje duke rrezikuar seriozisht shëndetin e banorëve.

Thuajse e njëjta situatë është edhe në spitalin e Fierit. Edhe këtu, mbeturinat spitalore nuk trajtohen sipas rregullores por hidhen në vendgrumbullimin e mbeturinave urbane. "Ky vend depozitimi është jashtë çdo kontrolli higjeno-sanitar dhe depozitimi i mbetjeve spitalore përbën rrezik shumë të madh në përhapjen e sëmundjeve dhe epidemive të ndryshme tek banorët përreth ashtu edhe për qytetarët e Fierit", -thekson KLSH.

Situata paraqitet e ngjashme edhe në spitalet e Tropojës, Bilishtit, Gjirokastrës, Peshkopisë, Pogradecit dhe Sarandës. Ndërkaq, disi më e përmirësuar paraqitet situata në Delvinë ku mbeturinat digjen. Ndër spitalet e marra nën shqyrtim, në performancën më të mirë paraqitet ai i Beratit, ku plehrat ndahen në dy grupe, të rrezikshme dhe të parrezikshme dhe më pas digjen.

 

 

Spitalet dhe trajtimi i plehrave në disa prej tyre:
Bulqizë
Mbetjet nuk trajtohen, hidhen në kazanët e plehrave urbane duke u kthyer më lodra për fëmijët
Fier
Mbetjet nuk trajtohen, depozitohen tek fusha e plehrave të qytetit
Bilisht
Mbetjet hidhen tek fusha e mbeturinave të qytezës
Delvinë
Mbetjet digjen
Berat
Mbetjet trajtohen sipas rregullave, ndahen sipas rrezikshmërisë dhe digjen
Gramsh
Mbetjet trajtohen pjesërisht


Rregullorja si duhet të trajtohen mbetjet spitalore

Rregullorja bën përgjegjës direkt spitalet për trajtimin e mbeturinave të tyre. Në çdo rast, spitalet duhet të ndajnë mbeturinat në dy grupe: të rrezikshme dhe të parrezikshme. Ato që janë të rrezikshme paketohen në thasë të posaçëm plastike dhe etiketohen me një shenjë të posaçme dalluese për mbetjet spitalore. Mbetjet trajtohen nga persona të specializuar dhe në kushte të veçanta. Çdo spital duhet të ketë një numër të vetin, të cilin ia stampon paketimit të mbetjeve për treguar origjinën e tyre.
Në rastet kur trajtimi do të bëhet në një vend tjetër, duhet që mjeti transportues të mos ketë rrjedhje. Po ashtu kontenieri transportues duhet të jetë i mbrojtur nga shiu, era apo uji të cilat mund të shkaktojnë dekompozimin e tyre. Në rastet kur kemi të bëjmë me mbetje njerëzore apo shtazore ato duhet të mbahen në kushte frigoriferike me temperaturë jo më të lartë se 1010° C për të shmangur dekompozimin. Në çdo rast, transportuesi duhet të jetë etiketuar me shenja të dallueshme për të bërë të ditur se është duke transportuar mbetje spitalore.
Rregullorja gjithashtu, saksionon kushte të veçanta të djegies së tyre si dhe mirëmbajtjen e inceneratorëve. Në çdo rast, nëse mbetjet janë future për t'u djegur ato nuk duhet të nxirren nga iceneratorët nëse nuk janë bërë hi.

 

Raporti

Raporti i KLSH-së për mbetjet spitalore është hartuar pas një kontrolli të ushtruar në Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me hartimin e legjislacionit për trajtimin e mbetjeve spitalore gjatë të cilit është verifikuar edhe se si ato trajtohen në terren nga spitalet. Raporti me problematikën në fjalë është konfidencial dhe është hartuar gjatë javëve të fundit, para se kreu i KLSH-së të raportonte në Kuvend.
Gazeta ka siguruar një kopje të këtij raporti ku përmendet e gjithë problematika e trajtimit të mbetjeve spitalore në rrethe të ndryshme të vendit. Gjatë ditëve në vijim do të vijohet me botimin e skandaleve të tjera, në sektorë të ndryshëm siç janë tatimet, tenderët, rrugët, mbledhja e të ardhurave nga dhënia me qira apo shitja e pronave publike, etj.

 

Nuk bëhet fjalë thjesht për ndotje mjedisore

Këto mbetje nuk mund të konsiderohen si mbetjet e tjera pasi rrezikshmëria e tyre është shumë herë më e madhe. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Enver Roshi shpjegoi për gazetën se trajtimi i këtyre mbetjeve kërkon një kujdes të veçantë për shkak të rrezikshmërisë që ato kanë.
"Padyshim që janë shumë të rrezikshme dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ndotjen e mjedisit por edhe për infektimin e personave që bien në kontakt me to. Djegia e tyre mund të sjellë edhe sëmundje kancerogjene", pohon Roshi.

 

 

7 Komente

bereqavers..

He se do kaloje dhe kjo pa u "zgjuar" ... 

pse eshte konfidencial ky raporti? njerzit qe shkojne me shurru mbrapa spitaleve shofin perdite gjymtyre, veshka, apendisite etj.

e tmerrshme, stafi spitalor ndot arenat e pshurrjes publike..

Nga ana tjeter brenda nuk eshte me mire, bile gjer lart, ne zyra, copa mishi te veshur me te bardha me bollek...

se mora vesh ku i hedhin ato indet trupore. mos em thone qe s'ka mafie ketu ti marri e ti shesi per transplante ne europe, apo se kemi genin te forte ne

 He mo edhe nje pisllek me shume, nuk na ben gje ne.... Ne e kemi te keqen nga rregulli dhe pastertia......

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).