Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Harry Reed tha sot se me sa duket qeveria amerikane do të mbyllet, ndërkohë që Presidenti Barak Obama dhe udhëheqësit e Kongresit janë mbërthyer në mosmarrëveshje rreth buxhetit.

Senatori Reed tha se nuk është më aq optimist rreth zgjidhjes së mosmarrëveshjeve sa ishte dje pas takimit me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner dhe me Presidentin Obama.

Zoti Boehner tha sot se bisedimet po "përparojnë" drejt arritjes së një kompromisi rreth një plani shpenzimesh deri në fund të këtij viti financiar, që përfundon më 30 shtator. Megjithatë, ai tha se nuk është arritur ende një marrëveshje rreth shkurtimeve buxhetore apo vijave politike, që mbështeten nga republikanët, si për shembull të drejtat e abortit dhe çështjet e mjedisit.

Senatori Reed dhe zoti Boehner u takuan sot përsëri në Shtëpinë e Bardhë në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi buxhetin e vitit fiskal 2011, që filloi tetorin e kaluar. Pa një marrëveshje para ditës së nesërme në mesnatë, shumë funksione të qeverisë federale do të ndërpriten.

Në një mesazh që vuri në Twitter, Presidenti Obama tha se ndërsa ekonomia amerikane po del nga një "recesion tepër i rëndë", do të ishte "e pafalshme" që të mos arrihej një kompromis.

Dhoma e Përfaqësuesve voton sot mbi një propozim republikan për të financuar qeverinë federale edhe për një javë. Senatori Reed tha se është kundër atij projekt-ligji. Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Obama do t’i vejë veton nëse arrin në tavolinën e tij.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).