Revista KLAN - Në burg ishte betuar: Do marr hakun e babait. Kur e pyesnin se edhe sa vite dënim do bënte, tregonte se i kishin mbetur edhe 12. Të dënuarit e tjerë largoheshin, por pa ia thënë haptas se pas 12 vitesh, Admir Tafili do ishte 48 vjeç, njeriu që ai e quante hasëm rreth 65, ndërsa afërmendsh do ishte në një tjetër kohë. Viti 2022. Por Admir Tafilin e nxjerr vetë policia nga burgu, u arratiset ndër sy të tyre, kryen krimin që kishte ndërmend, duke marrë dy jetë krejt pa faj dhe rikthehet në qeli, tashmë pa asnjë interes se sa do ta dënojë drejtësia. Kjo ngjarje do ishte e denjë për një skenar filmi triller, por është kaq reale dhe e freskët, sa të vetmit që nuk çuditen janë drejtuesit e burgjeve dhe zyrtarët e Policisë së Shtetit.

Një histori vrasjesh që nisën në vitin 2000, ku vdes nga një plumb Drejtori i Policisë së Shkodrës Arben Zylyftari dhe Bahri Tafili, personi që dyshohet se qëlloi mbi të. Por ngjarja nuk mbyllet me kaq, pasi djali i Bahri Tafilit kërkonte gjakun e të atit, duke akuzuar për vrasjen e tij, ish-shefin e luftës kundër krimeve në Shkodër, Prelë Pjetrushin. Admiri pasi dështoi në tentativë për të vrarë Prelë Pjetrushin, duke e plagosur rëndë, tashmë vret në shenjë hakmarrjeje dy vëllezërit e Prelës, Nikolinin dhe Gjovalinin. Pas pesë muajsh arrati dhe vrasjes së dy vëllezërve Pjetrushi, çuditërisht 36-vjeçari e çoi në vend betimin e tij. Në të vërtetë Tafili është njeriu që tërhoqi këmbëzën, pasi vrasësit e vërtetë të dy vëllezërve, indirekt duket se janë vetë strukturat e shtetit, ndonëse në nivele të ulëta.

Një shi i rrëmbyeshëm kishte nisur që me mëngjes në periferi të Shkodrës. Dy vëllezërit Gjovalin dhe Nikolin Pjetrushi atë 18 mars nisen për në punë dhe vetëm pak metra pasi kishin dalë nga banesa, automjeti i tyre ndalet. Mbi 17 plumba u derdhën në makinën ku udhëtonin dy vëllezërit Pjetrushi. Vdekja ishte e menjëhershme dhe policia që mbërriti në vendin e ngjarjes nuk bëri gjë tjetër përveçse dërgoi dy të rinjtë drejt morgut. Nuk kishte dyshime të tjera. Këta dy vëllezër nuk kishin pasur konflikte me askënd, por po “paguanin” haraçin e rëndë se vëllai i tyre kishte qenë pjesë e forcave të policisë. Emri i vetëm që artikulohej për vrasjen e 43 dhe 25 vjeçarëve, ishte ai i Admir Tafilit. Policia e Shkodrës e mori seriozisht situatën. Thirri edhe forcat RENEA për t’u ardhur në ndihmë. Tafili ishte jo vetëm i lirë, por edhe i çliruar shpirtërisht sipas perceptimit të tij. Ishte kaq gjakftohtë dhe i kënaqur me atë çfarë kishte bërë, saqë vendosi të mbërrijë në Tiranë. Në një lokal jo larg repartit special RENEA, Tafili kishte porositur një kafe dhe i vetëm po e shijonte me qetësi. Kthente nganjëherë sytë për nga televizori që jepte shpesh titra për vrasjen e dy vëllezërve, por nuk e tradhëtonte veten. Mendohet se një telefonatë ka ardhur nga një efektiv i policisë së Shkodrës që rastësisht ndodhej në Tiranë. Ai kishte njohur Tafilin dhe më pas lajmëruar se i dyshuari ndodhej në lokal. Pa kaluar shumë kohë, forcat speciale RENEA e arrestuan Tafilin. Në trup iu gjet një pistoletë TT e mbushur dhe katër krehëra me fishekë. Për fat ata fishekë nuk i përdori kurrë, mbase e kuptonte se çdo rezistencë do i kushtonte jetën. “Po, unë i vrava dy vëllezërit, kisha kohë që i ndiqja deri kur më erdhën në pritë. Për këtë kam lajmëruar edhe Prelë Pjetrushin pak kohë më parë. Mora hakun e babait”. Me qetësi kaq absolute, 36-vjeçari ka rrëfyer gjithçka, duke mohuar se ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë në këtë krim. Policia rendi drejt sallës së konferencave dhe për çudi dha lajmin se operacioni u mbyll me sukses, sepse u arrestua i dyshuari kryesor i këtij krimi. Ndërsa Prelë Pjetrushi, u kthye nga Amerika për t’i dhënë lamtumirën e fundit dy vëllezërve të tij. Iku me plagë të trup, por u kthye me zemër të copëtuar. Sepse puna që ai bënte si punonjës policie, ishte shkaku që vëllezërit e tij të pafajshëm nuk jetojnë më. Mbase tani e kupton se këmbëzën e shkrehu Admir Tafili, por krimi ishte “parapërgatitur” nga ai shtet që Pjetrushi i shërbeu. Sepse pyetjet që ngrihen kanë mbetur pezull. Si mundi 36-vjeçari të ikte nga sytë e tetë punonjësve të armatosur të policisë? Si e siguruan lejen nëntë orëshe me motivacionin se kishin nënën e sëmurë, kur kjo e fundit ishte në shtëpi dhe jo spital? Dhe gjithçka u gatua në fillimin e tetorit të vitit të kaluar dhe u servir për mëngjesin e datës 18 mars, që la pas dy viktima.

Data 2 për Admir Tafilin ishte ters edhe fat. Më 2 gusht 2000, i vritet i ati në një tentativë të policisë për ta arrestuar, pasi ishte i dyshuar për vrasjen e bashkëfshatarit. Sipas versionit zyrtar, thirrjes së policisë për t’u dorëzuar, Bahri Tafili dhe djali tij Genci, i përgjigjen me zjarr. Që në shkrehjet e para të armëve të mbushura plot, mbetet i vdekur Arben Zylyftari. Ai mori një plumb në zemër dhe nuk pati mundësi të mbijetonte. Më pas forcat e policisë të drejtuara nga Prelë Pjetrushi, futen në banesën ku ishte fshehur Bahri Tafili me të birin dhe aty vritet Bahri Tafili, ndërsa djali i tij Genci arrestohet. Policia doli me një bilanc të rëndë. Ishte hera e parë që vritej në krye të detyrës një drejtues i lartë i punonjësve të rendit. Zylyftarit iu bënë nderimet e duhura dhe ditën e varrimit, u shpall dëshmor i atdheut. Por në heshtje dhe gati fshehurazi ishte mbuluar edhe një tjetër arkivol. Ai ishte i Bahri Tafilit, në krye të të cilit qëndronte i biri, Admiri. Thuhet se është betuar edhe para kufomës së të atit se do ia merrte hakun, kushdo që të ishte personi që e vrau. Në mesin e atyre punonjësve të policisë që kishin qenë në aksion, ishte mjaft e vështirë të zbulohej kush kishte qëlluar mbi Bahri Tafilin, por diçka ndodhi. Mendohet se një nga efektivët që ishte i pranishëm, t’i ketë treguar Admir Tafilit se mbi të atin e tij kishte qëlluar Prelë Pjetrushi. Kjo ishte tradhëtia apo sajesa e parë që i bënë ish-shefit të krimeve, për më tepër që ende nuk ishte përgjigje zyrtare se kush qëlloi mbi të shumëkërkuarin. Në aksion ishin të pranishëm më shumë se 20 efektivë, por dikush tha se armën mbi të kërkuarin e kishte shkrehur Prelë Pjetrushi. Kaq mjaftonte për Admirin, që nuk do e shqiste kollaj nga mendja. Pjetrushi lëviz në pozicion dhe emërohet shef i luftës kundër krimit në komisariatin e Malësisë së Madhe. Në vitin 2001, teksa po kthehej për në banesën e tij në Shkodër, ai bie në pritë. Qëllohet me një breshëri arme, por megjithëse mori disa plumba që i rrezikuan jetën, përsëri shpëtoi. Kjo ngjarje vuri në pranga vetëm një vit më vonë Admir Tafilin. Me kanun quhej një “gjak i marrë”, pasi Admiri kishte qëlluar një herë mbi Pjetrushin. Në aparencë dukej se gjithçka kishte përfunduar. Të arrestuarit do përballeshin me drejtësinë, ndërsa Prelë Pjetrushi, i vënë nën shënjestër, duhet të largohej sa më parë. Ish-shefi i krimeve merr rrugën drejt Amerikës, bashkë me familjen e tij, si e vetmja mundësi për t’u kuruar nga plagët e marra, por edhe për të shpëtuar nga ndonjë hakmarrje e mundëshme. Ndërsa dy vëllezërit u dënuam me 20 dhe 25 vjet burgim. Genci si bashkëpunëtor në vrasjen e Arben Zylyftarit, mori çerek shekulli dënim, ndërsa Admiri si autor i plagosjes së rëndë të Prelë Pjetrushit, do të kalonte në burg plot 20 vite. Të paktën ky ishte vendimi përfundimtar i gjykatës. Familjarët, por edhe vetë ata shpesh akuzonin se Zylyftari nuk ishte vrarë nga babai i tyre, por nga vetë forcat e policisë që kishin marrë pjesë në aksion. Madje aludonin se ka pasur shkëmbim zjarri, por punonjësit e policisë, të papozicionuar mirë kishin qëlluar mbi Zylyftarin. Ata shkuan më tej kur akuzuan se kur Bahri Tafili ishte dorëzuar dhe më pas ekzekutuar me gjakftohtësi nga efektivat e pranishëm. Fundi nuk mund të quhej aspak sukses, pasi u mbyll me shumë gjak. Një drejtor policie i vrarë dhe një i shumëkërkuar. Ndërsa në pranga përfundoi Genci Tafili, që para se të arrestohej pa trupin e pajetë të babait të tij.

Pas dënimit nga gjykata, u quajt një kapitull i mbyllur dhe nuk kishte shanse të hapeshin varre të reja. Por nëse data 2 gusht 2000, për Admirin do ishte ters (pasi iu vra babai), po kjo datë, (duke ndryshuar vetëm muaji dhe viti), do ishte fat për të. Pasi siguruan një leje nëntë orëshe, për të vizituar nënën e sëmurë, dy vëllezërit nën shoqërinë e tetë punonjësve të policisë së burgut të Shënkollit u dërguan drejt banesës së tyre. “Leja do të kryhej në datën 02.10.2010, nga ora 09.00 deri në orën 18.00, nën shoqërimin e forcave të policisë të I.E.V.Penale Lezhë. Në datën 02.10.2010 është bërë shoqërimi i dy të dënuarve për në familjen e tyre. Në orën 11.30 të dënuarit kanë mbërritur në familjen e tyre dhe rreth orës 15.10 nga forcat e policisë që po e shoqëronin është konstatuar se i dënuari Admir Tafili, është larguar nga nga banesa e tij, nëpërmjet dhomës së gjumit ku po qëndronte bashkë me bashkëshorten”- thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Burgjeve. Që nga data 2 tetor të vitit të kaluar Admir Tafili ishte i lirë. Ndërsa vëllai tjetër, që ishte bashkë me të në banesë, nuk tentoi të arratisej. Në momentin që u fut policia brenda ai nuk ka bërë asnjë rezistencë dhe është kthyer në qeli, duke mos marrë asnjë ndëshkim ligjor. Problemi për policinë tashmë ishte Admiri. Të dënuarin që e patën në burg, por duke i dhënë leje nëntë orëshe ai e shfrytëzoi për arratisje dhe vetëfitoi lirinë. Kërkimet e policisë, sidomos gjatë kufirit me Malin e Zi rezultuan krejt pa sukses për forcat e rendit. Ndërsa arratisja e Tafilit në atë banesë njëkatëshe, në një fushë të hapur shtoi dyshime të shumta. Shumë pyetje tjera janë ngritur, por kjo duket se nuk do gjejë përgjigjie aq thjesht. Në fakt ky është thelbi i gjithçkaje, pasi nëse Tafili nuk do ishte arratisur, sot në fshatin Grudë të Shkodrës nuk do ishin varrosur dy vëllezër.  Nga qelitë e burgut Genci Tafili është shprehur se nuk e kish menduar që Admiri do të mund të kryente këtë vrasje: “Ndoshta për vetë dorasin Prel Pjetrushin edhe më ka shkuar mendja se mund ta vriste, por për dy vëllezërit e tij nuk e mendoja. Miri ka patur tronditje të madhe nga ajo që kemi pësuar si familje. Ka vajzë e djalë të sëmurë prej ngjarjes së ndodhur në vitit 2000. Kemi kërkuar drejtësi e nuk e kemi gjetur askund”.

Ndërsa familja Pjetrushi ka mbuluar me dhe dy djemtë e saj, Tafilajt janë ngujuar. Të paktën sipas zakonit ata tashmë janë në gjak. Por çfarë nuk ndodh në sistemin e drejtësisë, më saktë aty në burgje. Nëse Tafilin me neglizhencën e treguar, e lanë të lirë, bëjnë edhe marifete të tjera. I nxjerrin të dënuarit e akuzuar për krime të rënda dhe ua “çojnë” në grykën e plumbit të hasmit. Kjo ndodhi pak ditë më parë me Astrit Kurmemën, të cilit i ishte dhënë një lejë pesë ditore për sjellje të mirë. Leja është lëshuar po nga burgu i Shënkollit. Por pikërisht në ditën e fundit të lirisë, 45-vjeçari i dënuar nga gjykata me 20 vjet burg për vrasje (përfituar nga gjykimi i shkurtuar do vuante 14 vjet heqje lirie), në momentin që po kthehej për në banesë një person i ka shkuar nga pas dhe ka shkrehur një plumb të vetëm në kokë. Nga burgu i Shënkollit njërin e lanë të lirë dhe vrau, tjetrin e nxorrën për sjellje të mirë dhe e vranë.

4 Komente

sa të vetmit që nuk çuditen janë drejtuesit e burgjeve dhe zyrtarët e Policisë së Shtetit. 

Jo more jo, ketu nuk cuditet me asnje njeri. Cfaredo qe te ndodhe e cfaredo qe te bjere, fajin e ka vetem opozita. Dhe per kete te gjithe jane te bindur. Une nuk e kuptoj perse nuk e nxjerrin jashte ligjit kete opoziten qe te bihem rehat, ashtu si ne kohen e Enverit!

 Kto ktu jane fjale boshe. Autori i ktij shkrim nuk ka degju asnji here per bemat e Prele Pjetrushit dhe se si asht pa nga koleget e tij dhe njerzit qe kane pase pune me te n'kohen kur ka pas punu n'polici... Zotni Prela asht i vetmi fajtor per kte tragjedi!

P.s. si spo dine me u ndryshke kurr kto tokarevat mor cuna... hekur i forte ky hekri rus! lol

Kjo "leje" qe nuk duhet te lejohet nuk sjell gje tjeter vecse tragjedi!!! smiley

Se si mund t'i jepet leje atyre qe kane ceshtje te renda penale vetem ne Shqiperi ndodh...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).