Bruksel, 8 maj - Agron Bajrami, kryeredaktor i “Kohës Ditore”, ishte ndër panelistët në konferencën për lirinë e mediave në Ballkan dhe Turqi, të organizuar të premtën në Bruksel nga Komisioni Evropian e ku ishin rreth 500 pjesëmarrës.

Ai, duke folur për shembullin e Kosovës, tha se Kosova ndan të njëjtat sëmundje sa i përket lirisë së shprehjes, por ka edhe specifikat e veta. Duke përmendur raporte të organizatave, si Freedom House, OSBE dhe të tjera, Bajrami tha se Kosova në 5 vjetët e fundit ka ecur prapa. Ai përmendi raste kur Qeveria krijon dhe financon media dhe ushtrim të represionit ndaj mediave përmes trysnisë komerciale dhe ekonomike. 

Agron Bajrami në debat lansoi një diskutim edhe lidhur me përgjegjësinë e përfaqësuesve ndërkombëtarë në rajon, sidomos në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë. “U tha se është establishmenti politik ai i cili kryesisht qëndron prapa presionit ndaj mediave. Por çfarë të thuhet për faktin se në rastin e Kosovës edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë janë pjesë e këtij establishmenti, kur marrin pjesë në vendimmarrje dhe në zbatimet e tyre. Edhe ata janë pjesë e presionit ndaj mediave“, tha Bajrami. Ai tha se përmes presioneve gazetarëve shpesh u imponohet dilema: „a të kujdesen për të ushqyer familjen apo të mbrojnë standardet profesionale?“.

Bajrami tha se duhet siguruar edhe „liria pas shprehjes“ e jo vetëm „liria e shprehjes“, sepse pasojat ndodhin pas publikimit të informatave që nuk i shkojnë në favor ndonjë strukture politike. Ai tha po ashtu se “Koha Ditore” ka sakrifikuar duke humbur financiarisht për shkak se ka kritikuar disa ndërmarrje publike për keqmenaxhim të parave publike. 

Remzi Lani nga Shqipëria përmendi edhe një fenomen që disa vende të rajonit kopjojnë edhe fqinjët, të cilët nuk janë shembull i mirë, si Turqia, Hungaria apo edhe Italia.  

Edhe gazetarët nga Turqia ishin kritikë ndaj BE-së po ashtu, duke thënë se „BE-ja nga njëra anë kritikon Qeverinë turke për dhunë ndaj gazetarëve, ndërsa në anën tjetër punon dhe mbështet të njëjtën qeveri“.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).