20110501051941_fotoart.jpg (250×164)Sali Berisha duhet të jetë i pari që e di se më 8 maj, përpara një fitoreje, i duhet një vlerësim pozitiv për zgjedhjet. Një fitore pas zgjedhjeve të qortuara nuk i vlen asnjë çikë; ndërsa një humbje pas zgjedhjeve të rregullta e normale nuk i prish asnjë punë. Hë për hë. Nëse nuk ka kuptuar kaq pak gjë, do të thotë se është shumë i trashë. Por gjasat janë që ta ketë kuptuar. Kjo do thotë se ka hequr dorë nga ideja për të vjedhur vota? Jo, kjo do të thotë se ai do të evitojë në maksimum manipulimet në stil të gjerë e brutal, të cilat do ta bënin çdo gjë të dukshme e spektakolare. Nuk do të ketë marifete me listat, përdorim të policisë, mobilizim bandash elektorale nëpër qëndra votimesh, etj, etj. Por ka menduar për marifete të tjera; madje, më shumë se kaq; shpresën për fitore e ka bazuar tek një terror psikologjik që kryhet nën rrogoz e larg syve të njerëzve. Ky terror kryhet mbi të gjithë votuesit, por në radhë të parë mbi ata që mbijetesën e kanë siguruar në saj të një vendi pune në administratën publike. 

Dje isha në Poliçan të Skraparit. Dhe aty më tregonin se si vetëm gjatë javëve të fundit janë punësuar në Kombinatin Ushtarak (jashtë çdo nevoje dhe në shpërfillje të çdo rregulli e ligji) një numër i konsiderueshëm njerëzish, të cilët sipas të gjitha gjasave do të pushohen pas zgjedhjeve, ngaqë ky kombinat funksionon (duhet të funksionojë) mbi baza të vetfinancimit. Përveç kësaj, Meta ka ngritur skuadra elektorale të tipit fashist të përbëra nga njerëz të punësuar në këtë kombinat (por edhe në institucione të tjera lokale të varura nga qëndra), të cilat ushtrojnë dhunë mbi këdo që ka një vend pune. Kush nuk bindet, e sheh veten të papunë. Doni prova? Shkoni dhe flisni me Myqerem Xhaferrin dhe Ilirjan Lulajn, dy nga drejtuesit e atij kombinati, që në fakt nuk janë më drejtues. Saktësisht, janë të papunë, ngaqë nuk pranojnë të vihen në shërbim të bandave të Ilir Metës. Ndërsa më tregonin atë që kish ndodhur me ta, dhe atë që po ndodh me të tjerë, thoja me vete: “O Zot, ç’është kjo punë kështu? Pse duhet të ndodhin këto gjëra në vitin 2011?” Në fakt, aty më thoshin, se një terror i tillë mbi njerëzit nuk është verifikuar as në vitin 1991.

Për këtë arsye, jam i prirur t’i besoj të gjitha lajmet që jepen në shtyp mbi presione që bëhen mbi doktorë, mbi mësuesë, e mbi punonjës të tjerë të administratës. Rëndom janë lajme të padokumentuara, pasi ata që i pësojnë këto presione nuk pranojnë ta nxjerrin fytyrën. Por ka tek-tuk dhe njerëz që ngrejnë zërin, të cilët në këtë klimë terrori psikologjik e në këtë atmosferë të tërheqjes e heshtjes së përgjithshme përballë këtyre bandave me pushtet, do t’i quaja pa frikë heronj, dhe do të hahesha vënçe me ata që termin ‘hero’ e asocjojnë se s’bën veç me mundime e sakrifica mbinjerëzore e veç me rrethana krejt të pazakonta. Nuk ka pse të jetë gjithnjë kështu. Mësuesi që është intervistuar më poshtë nga gazetari Agron Lisi i Gazetës Shqiptrare është një hero. Të paktën, për mua.

Refuzon pjesëmarrjen në mitingun elektoral të PD–së ku do merrte pjesë nënkryetarja Jozefina Topalli, shkarkohet nga detyra e zëvendësdrejtorit dhe si në kohën e komunizmit “internohet” si mësues i thjeshtë në një shkollë fshati. Hiqmet Roda, 60 vjeç, që mban mbi supe 40 vite punë, si mësues në shkollat e rrethit të Krujës, duke e nisur nga cikli i ulët e deri në të mesmen është përballur me një rast flagrant, duke bërë që të regjistrohet si ndër skandalet më të rënda në këtë fushatë elektorale të 8 majit. Bëhet fjalë për mitingun e zhvilluar më 9 prill në Fushë-Krujë, ku e pranishme ishte kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Vetë Roda në intervistën e tij shprehet se janë detyruar mësuesit për të firmosur për të marrë pjesë në këtë takim elektoral. Roda, për disa vite ka qenë drejtues shkollash të ndryshme të rrethit, si shkolla nëntëvjeçare dhe të mesme të rrethit, si dhe drejtues i arsimit në rreth dhe në ministrin e Arsimit. Përveç diplomës si mësues i ciklit të ulët ka edhe tre diploma si mësues i Histori- Gjeografisë dhe Fizkulturës për tetëvjeçaren, mësues Histori– Gjeografi për të mesme. Si specializim pas universitar për Psikologji – Pedagogji. I dekoruar me urdhrin Naim Frashëri si dhe një sërë kualifikimesh të ndryshme. 

Z.Roda, po bëni dorëzimet në shkollën nëntëvjeçare Fshat–Fushë Krujë, si zëvendësdrejtor, cila është arsyeja e largimit tuaj nga kjo shkollë ? 

Ditën që kryetarja e Parlamentit Jozefina Topall, do bënte prezantimin e kandidatit për kryetar Bashkie të Fushë-Krujës, z.Bilal Stafuka, drejtori i shkollës ku unë punojë deri dje si zëvendësdrejtor erdhi me një listë, duke mbledhë firmat dhe detyruar mësuesit që të merrnin pjesë në këtë takim elektoral. Ndërsa më tha se kam urdhër nga Zyra Arsimore e rrethit Krujë, që të mblidhte firmat e të konfirmonte pjesëmarrjen gjithsecili. Firmosa dhe krahas firmës bëra shënimin “nuk vijë shkolla është e depolitizuar dhe departizuar dhe nuk ka lidhje me politikën. Me ligj është institucion arsimor. Pas mbledhjes së firmave na mbledhin në drejtori dhe na tha, sot vjen Jozefina Topalli në Fushë-Krujë, nuk duhet të mungoni në këtë takim.
Pas komunikimit nga ana e drejtorit të këtij urdhri, kërkova të flas. Drejtori nuk më la të flas dhe kërkoi të mbyllej mbledhja. Megjithatë unë u ngrita duke debatuar me të se nuk mundej të më hiqte të drejtën e fjalës dhe u shpreha “të nderuar kolegë për të qenë transparentë me ju unë pasi kam firmosur në letrën që drejtori jonë mblodhi firmat, krahas firmës kam vendosur edhe një shënim, të cilën jua citova më sipër dhe nuk do të marr pjesë në këtë takim. Nuk ndërhyj në vendimmarrjen e secilit dhe ju gjykoni si të doni, por ky veprim i drejtorit dhe zyrës Arsimore me porosi të Partisë për mua është antiligjorë, sepse shkolla është depolitizuar, është antidemokratike dhe bie ndesh me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për arsimin. Kjo është një fyerje për ne mësuesit që duan të na vënë në rrjeshtë si bagëtitë për të vajtur në vathë.
Ndërkohë që drejtoi i shkollës reagoi duke thënë kush të dojë të vijë, kush të dojë të mos vijë. Unë ndërhyra duke i thënë se kjo që ju drejtor shprehët është një hipokrizi dhe t’i mbledhësh firmat që të konfirmojnë pjesëmarrjen nuk ka logjikë. Ti si drejtues shkolle të takon të zbatosh ligjin e të mos na fyesh si kolegë. Me këtë veprim ti po kthehesh në një vegël të partisë dhe pushtetit aktual dhe humb të drejtën për të qenë drejtor shkolle. Drejtori u largua nga zyra dhe pas tij edhe unë vajta tek zyra ime, ku pas pak minutash drejtoi i shkollës, Bashkim Lama erdhi në zyrën time dhe grisi listën duke më thënë unë nuk po e dërgoj atje. Përgjigja ime ishte mos e gris, nëse je burrë më jep listën ta fotokopjomë e të marrë unë një kopje. 

Ndërsa ai e grisi listën. 

Pse mendoni se e gris listën? 

Këtë e bëri për të humbur gjurmët. 

Më pas ç’farë ndodhi ? 

Unë nuk mora pjesë në këtë takim elektoral, mësuesit e tjerë nga i gjithë rrethi, madje edhe mësues që nuk banojnë e votojnë në Tiranë, të imponuar morën pjesë në këtë takim elektoral. Pas një jave thirrem nga Drejtori i Zyrës Arsimore në Krujë, Fatmir Goga dhe më komunikoj lirimin nga detyra si zëvendësdrejtor shkolle dhe do të dërgojmë në një shkollë tjetër, por se ku do të komunikojmë së shpejti. E pyeta arsyeja? Përgjigja ishte se je grindur më drejtorin e shkollës. Pasi i shpejtova të gjithë atë çfarë thashë më sipër dhe në fund e pyes: Atëherë kush e ka gabim unë apo drejtori i shkollës? Ligjërisht më tha e ka drejtori, por unë nuk kam se ç’të bëj, por kam urdhër. E pyeta nga kush dhe më tha ti e kupton vetë. Të nesërmen vajta në shkollë normalisht. Ndërsa më thonin shokët se është marrë vendimi që të shkoj mësues në shkollën nëntëvjeçare, Nikël. Askush nuk më jepte zyrtarisht vendimin. Vajta të mërkurën 28 prill dhe takova drejtorin e zyrës Arsimore, Fatmir Goga. I them se kam dëgjuar fjalë rrugësh, por jo zyrtare se jam transferuar në Nikël dhe më tha po. I thashë pse nuk edhe të ma komunikoje në kolektivë, nuk më kthej asnjë lloj përgjigje. 

Cili ishte shkaku sipas jush që nuk ua komunikonin në kolektiv lirimin tuaj? 

Sepse e dinin se do përballeshin me një veprim të kundraligjshëm dhe reagimin tim duke argumentuar lëvizjen e paligjshme, që po kryenin, një muaj para mbylljes së vitit shkollor. 

Pse mendoni se ju larguan nga shkolla? 

Thjeshtë dhe qartë arsyeje politike sepse kundërshtove eprorin tim, i cili shkeli në flagrancë ligjin me urdhër të Drejtorit të Arsimit të rrethit. Unë kam punuar edhe më parë në Nikël dhe nuk kam asnjë problem për këtë shkollë apo banorë përreth. Por, largimi im e theksoj ishte politik, pasi unë jam i diplomuar dhe në profilin tim. Unë do i kujtoja Drejtorit të Zyrës Arsimore Krujës vetëm një gjë dhe këtë ja kërkoj publikisht: Sa drejtues shkollë ka pa arsim përkatës, me shkollë të mesme dhe jashtë kritereve, por me urdhër partie.

Intervistuar nga Agron Lisi
 
Marrë nga ResPublica

6 Komente

 Drejtori u largua nga zyra dhe pas tij edhe unë vajta tek zyra ime, ku pas pak minutash drejtoi i shkollës, Bashkim Lama erdhi në zyrën time dhe grisi listën duke më thënë unë nuk po e dërgoj atje. Përgjigja ime ishte mos e gris, nëse je burrë më jep listën ta fotokopjomë e të marrë unë një kopje. 

Ndërsa ai e grisi listën. 

 

 

I shkreti drejtor. Do i kete aq klase shkolle sa te beje llogarite per zgjedhjet e ardhshme dhe ky. Jo per gje po keta nje cope rroge kane dhe vetem ndonje deftese fallco mund te japin. Nuk bejne tendera rrugesh a shitje territoriale greqise. I duhet vendi i punes edhe pas 2 vitesh (ne mos drejtor, mesues).

 

 

 

A demokraci e shkrete ! Po e shkrete do jesh perderisa te ka marre persiper te te coje perpara nje njeri si Sali Berisha (diktator dhe spiun i UDB -se  ,i tille eshte edukuar ,i tille do vdese ...........

Iku, iku Rama. Filloi kenga e manipulimeve. Vota eshte e fshehte dhe ka nje procedure qe e garanton kete dhe eshte i pamundur cdo lloj presioni per menyren se si do te votojne keta njerez. Per pjesemarrjen ne mitingje Nano me mire te flase per perdorimin dhe keqperdorimin e administrates se bashkise se Tiranes dhe bashkive te tjera ku drejtojne socialiste, qe e detyrojne kete administrate te marre pjese edhe ne protesta te dhunshme. C'lidhje ka nje polic bashkiak te sulmoje kryeministrine, kete une s'do ta kuptoj kurre. Nejsa ma, humbja e Rames po kuptohet qe tani dhe bashke me te edhe mos pranimi i rezultatit.

Nuk di ç'behet ne skrapar por ne Lezhe nuk kam pare ndonjehere fushate me te ashper.Luftohet per çdo vote.Te vijne ca eksponente krimi me ftesa ne dore ne emer te AA per pjesmarrje ne aktivitetet e kandidatit te tyre.Per nje jave me kane ardhur 3 here ne shtepi.Une nuk punoj ne shtet por prape te bezdisin pa mase dhe te bejne presione indirekte.Nuk me ka ndodhur kurre me pare keshtu.Kam kuptuar se keto jane me te vertete zgjedhje politike dhe me shume te tilla i konsideron PD.Mendo pastaj ç'i punojne administrates publike.

Lista te tilla me nenshkrime si dhe nr celulari per te verifikuar pjesmarrjen ne mitingje jane nje dukuri e njohur ne kete fushate. Militantet e pushtetit me urdher ose te frymezuar nga ky pushtet terrorizojne vartesit e tyre. E gjithe propaganda boshe me thirrje per tu shmangur incidenteve rezulton si bllof i radhes, shpelarje goje pasi shteti i ka mundesite qe te penalizoje drejtues institucionesh qe veprojne e denoncohen cdo dite per keto veprime. 

Si ne cdo fushe tjeter te jetes kjo tregon mungesen e ligjit te ne, ku lufta e klasave te diktatures eshte zevendesuar me luften e bindjeve politike e ku edhe ai i painteresuari  ne politike e ka te veshtire te mos kerceje vallen e radhes te imponuar nga pushteti.

Rotacioni paqesor i pushtetit ne 2005 mund te quhet qe tani nje mrekulli per demokracine tone te brishte. Me gjendjen aktuale, nje gje eshte e sigurte, rotacioni i ardhshem nuk do te behet ne menyre paqesore. Per kete pushtetaret e sotem nuk kane kohe te mendojne, pasi prioriteti i tere eshte mireqenia, lavdia personale.

 

tani, une jetoj ne Lezhe dhe punoj ne fushte per pd-ne. me miqte e mi pi kafe per qejf, por kam disa miq te mite socialiste qe jane te tmerrshem. kane nisur te me kercenojne ne mneyra nga me te ndryshmet.

nejse. ne Lezhe ka nje karakteristike te vecante. nje pjese e mire e atyre qe punojne ne bashki punojne per kandidatin socialist dhe vazhdojne te marrin rrogat ne bashki, aq ka qene presioni mbi ta. bilez ka nga ata qe edhe me kercenojne personalisht, mua qe deri dje u kam shtypur dokumentat sepse as dine as te shtypin ne kompjuter dhe me dine djale te urte.

fushata eshte agresive. sepse ps po lufton si e cmendur per cdo vote. mjafton te shohesh faqet ne facebook te dy kandidateve te lezhes per kuriozitet dhe te shohesh se cili eshte agresivi me i madh.

detyra e nje personi qe ben fushate eshte te shkoje dere me dere per te bindur njerezit te votojne per ta. dhe nese dikujt si pelqen mundet thjeshte te thoje boll. dhe dere me dere ketu ne Lezhe po shkojne te dyja palet. si kudo ne shqiperi.

por pergjithesisht do te thoja se ka demokraci. asnjera pale nuk guxon ta quaje veten te fituar. dmth ia kane friken votes se popullit. dhe kjo eshte me e rendesishmja per momentin.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).