elbasan.-kryetaretjpg.jpg (450×293)Dikur Z. Durim Hushi, kandidati kryesor për postin e kryetarit të bashkisë së Elbasanit, ishte një nga ithtarët më të flaktë të kandidaturës së kryetarit aktual Z. Sejdini. Sot, kohët kanë ndryshuar dhe janë përballë si kundërshtarë. Elbasani me gjithë punën e madhe të bërë në këtë mandat kërkon shumë punë dhe për këtë Z. Sejdini është i ndërgjegjshëm se i duhet dhe mandati i ri, për të mbaruar idetë e tij. Edhe për dy mëtonjësit e Elbasanit nuk do të ketë përballje direkte, sepse si në të gjitha bashkitë në Shqipëri, problemi më i madh mbetet me sa duket politik sesa problematika e qytetit. Elbasani, larg fjalëve të mëtuesve, ka shumë e shumë punë që të meritojë të quhet një qytet me atributet, që kërkon shekulli i ri. Ndaj përballja me fjalë e tyre, në një farë mënyrë, nuk e justifikon barrën e madhe të angazhimit që kërkon ky qytet.

Gjithsesi inaugurimi i punëve për rrugën Tiranë-Elbasan, i lënë me sa duket enkas në këtë moment fushate, duket se do t’i bëjë vendasit që të mendojnë mirë dhe me pragmatizëm para kutisë së votimit. “Nga çfarë do te doja të kisha bërë kanë ngelur disa gjëra, dhe për këtë arsye po e kërkoj edhe këtë mandat të dytë. Sfida më e madhe që ka një qytet dhe një kryetar bashkie është KOHA. Si nocion filozofik ajo nuk është kurrë e mjaftueshme për të bërë gjithçka që do”, thotë Z. Sejdini. “Qytetarët elbasanas gjenden në një moment historik. Ata kanë shumë për të fituar nga vëmendja dhe projektet e mëdha të Qeverisë për Elbasanin. Unë nuk besoj se do ta humbin këtë shans. Unë besoj se do të zgjedhin të ndërtojnë të ardhmen e tyre bashkë me ne”, i përgjigjet Hushi. MAPO ju lë të gjykoni vetë për premtimet e tyre.

___________________

 
QAZIM Sejdini “Kundërshtari s’ka projekte të qarta dhe të mundshme”

Për kryetarin aktual të bashkisë së Elbasanit nuk ka fare fjalë për kundërshtarin, kurse sa i përket projektit të vet ai e quan krejtësisht të realizuar dhe mandatin e dytë e kërkon për të bërë ato që ai dëshiron më shumë për qytetin.

Zoti kryetar faleminderit për kohën tuaj. Jeni para kërkesës për rimandidimin tuaj dhe në fjalët tuaja gjithnjë keni folur për rritjen e besimit të komunitetit ndaj qeverisjes vendore. Pse jeni i fokusuar kaq shumë tek ky koncept?
“Së pari më lejoni t’ju falënderoj ju personalisht dhe revistën tuaj dhe t’u përgëzoj për profesionalizmin qe keni treguar ne çdo numër te “MAPO-s”. Le te kthehemi tek pyetja: Një nga sfidat me te mëdha qe shtrohej përpara katër viteve në Elbasan dhe e cila haset edhe sot ne ndonjë qytet tjetër ishte ndërtimi i marrëdhënies me komunitetin. Qe ne ditën e pare te mandatin tim përpara katër viteve unë e nisa punën me një ide te qarte, te pandryshuar dhe qe me ka shoqëruar çdo dite: me idenë se një dite do te jepja llogari përpara te gjithë bashkëqytetareve te mi, qofte ata që me kishin votuar, qofte edhe te tjerët për atë çfarë kisha premtuar dhe qeshe angazhuar përpara se te merrja mandatin. Unë do te jepja llogari përpara atyre jo vetëm si një njeri qe do t’u kërkonte një mandat te dyte, por përpara se gjithash si një njeri qe është i lidhur me qytetin, me çdo familje te tij, dhe kam dashur gjithmonë qe kur ti takoja, te mund ti shihja drejt e ne sy, sepse do te mbaja çdo premtim.

Vështirësia e pare ishte mosbesimi qe qytetaret kishin tek institucionet shtetërore ne përgjithësi, dhe tek institucioni i kryetarit te bashkime ne mënyre me specifike, një mosbesim ky i trashëguar. Por pa mbështetjen e përditshme te qytetareve, pa një lloj miratimi informal te shumicës se tyre është e pamundur te bëhen pune te bukura. Mbështetja e përditshme e qytetareve, inkurajimi i tyre ne çdo çast te jep ndjesinë se vizioni qe ti ke për qytetin është vizioni i duhur. Unë arrita qe ketë marrëdhënie me komunitetin ta institucionalizoj. Ne kuadrin e një projekti afatgjate qe ne e quajmë “buxhetimi me pjesëmarrje”, ne mënyre te vazhdueshme dhe ne çdo lagje ne bënim transparente shpenzimet e tona dhe mblidhnim kërkesat dhe nevojat e tyre për investime dhe për prioritetet. Aq shume i suksesshëm ka qene ky proces ne marrëdhënien me njerëzit, sa edhe tani ne takimet elektorale qe bëjmë, njerëzit nuk i perceptojnë aspak si takime ku ne një fare mënyre po ju lypet vota, por si takime diskutimi për prioritete e zonave. Kjo me jep shume kurajë dhe njerëzit besojnë se ne do te vazhdojmë te qeverisim se bashku”.

Cilat janë prioritete tuaja në mandatin e ri dhe a do jenë ato vazhdim i prioriteteve të shkuara?
“Vizioni ynë është i njëjte, sepse është një vizion qe është provuar i nevojshëm, suksesshëm dhe afatgjate. Për mua ky nuk është thjesht një vizion, por baza e një filozofie te re e qeverisjes vendore. Për ne Elbasani nuk ndahet në qendër dhe periferi, Elbasani është një dhe meriton të njëjtën vëmendje në të gjitha zonat. Këtë kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë. Elbasani duhet të vazhdojë në përpjekjet e tij për te qenë një qytet atraktiv për turistet, ne kemi arritur shume ne këtë drejtim dhe do te vazhdojmë ta kemi prioritet te projekteve tona; Elbasanin ne e kemi pare si një qytet policentrik, dhe ne do te vazhdojmë te investojmë ne krijimin e faciliteteve dhe te miniqendrave për çdo rajon. Ne kemi pasur ne një fokus te veçante rininë dhe kemi investuar ne projekte qe ta bëjnë rininë e Elbasanit te ndjehen krenare; ne do te vazhdojmë edhe me tej qe ta bëjmë Elbasanin një qytet atraktiv dhe te tille qe edhe ata te rinj qe shkollohen jashtë shtetit apo në kryeqytet, të ndjehen mirë nëse vendosin te kthehen dhe të kontribuojnë në qytetin e tyre. Dhe mbi të gjitha, ne do të vazhdojmë edhe me tej ne filozofinë tone qe vendimmarrja për gjerat prioritare te qytetit te jete e përbashkët dhe rezultat i konsultimeve me bashkëqytetarët”...

Keni pasur një luftë të madhe kohë më parë nga kundërshtarët tuaja për sa i përket bulevardit dhe shatërvanëve. A mendoni se do t’i zgjidhni përfundimisht  në mandatin e ri, nëse do fitoni, problemet e këtij lloji?
“E vërteta është qe bulevardi dhe shatërvanët ishin ne një fare mënyre “qershia mbi torte” ne gamen e madhe te punëve dhe kontributeve qe kemi dhënë gjate këtyre katër viteve. Është e kuptueshme qe për efekte elektorale, kjo do te vriste sytë rivaleve tanë politike, të cilët nuk u treguan te afte te bashkëpunojnë dhe te merren me thelbin e problemeve që ka qytetit, por me shatërvanët dhe bulevardin. Përtej retorikes se politikës të cilën e mirëkuptoj tek rivalet e mi politike, me ka ardhur keq qe kjo retorike është bërë shpeshherë pengese ne marrjen e vendimeve themelore ne këshillin bashkiak. Por tek e fundit unë besoj se të gjithë jemi në politikë për te përballuar sfida, qofshin këto edhe sfida te kësaj natyre, pra pengesa ne komunikimi dhe bashkëpunim për motive meskine”.

Cilat ishin gjërat që nuk mundët ti bëni në këtë mandat dhe çfarë ka ndryshuar sipas jush, në qytetin tuaj nën drejtimin tuaj?
”Nga çfarë kam premtuar nuk ka ngelur shumë, pothuajse nuk ka ngelur asgjë pa u bërë. Nga çfarë do te doja të kisha bërë kanë ngelur disa gjera, dhe për këtë arsye po e kërkoj edhe këtë mandat te dyte. Sfida me e madhe qe ka një qytet dhe një kryetar bashkie është KOHA. Si nocion filozofik ajo nuk është kurrë e mjaftueshme për te bere gjithçka që do”.

A mendoni se vizioni i kundërshtarit tuaj për qytetin është sfidues dhe si e shikoni si kandidaturë përballë?
“Gjithmonë e kam theksuar se unë garën elektorale nuk e kam me rivalin tim, cilido qe mund te jete ai, por me votuesin, me premtimet qe kam bere dhe me ndjesinë e optimizmit për qytetin qe e shoh ne sytë e tyre dhe që rritet çdo ditë. Deri tani nuk kam parë tek kandidati rival as projekte të qarta dhe të mundshme (premtimet elektorale nuk janë projekte), as prova se mund ti realizojë ato që premton. Mbi të gjitha kandidatit rival i mungon koherenca në historinë e tij si politike ashtu edhe njerëzore, pra i mungon ajo koherencë 20 vjeçare që ti mundësojë njerëzit ta besojnë”.

___________________


DURIM Hushi “Problemet s’ kanë ndryshuar me ardhjen e zotit Sejdini”

Asgjë nuk është bërë sipas kandidatit aktual të bashkisë. “Programi im synon zhvillimin ekonomik, kthimin e krenarisë elbasanase dhe standarde moderne jetese për të gjithë qytetarët. Programi im synon rikthimin e shpresës”, thotë ai.

Jeni kandidat për kryetar bashkie në një nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë. Si e mendoni përballjen me kundërshtarin tuaj dhe ku jeni fokusuar më shumë?
“Fatkeqësisht më duhet të them se nuk pres ndonjë përballje me Z. Sejdini. E kam ftuar në debat, por ai ka preferuar të bëjë monolog në vend të dialogut. Gjithsesi, e kuptoj Z. Sejdini. Ai e ka të vështirë t’u japë llogari qytetarëve të Elbasanit për të gjitha premtimet që u ka bërë dhe nuk i ka mbajtur. Besoj se do vazhdojë t’u shmanget ballafaqimeve dhe debatit, taktikë që gjithashtu e ka kopjuar nga kryetari i partisë së vet. Ky është maksimumi që mund të bëjë Z. Sejdini, pasi formimi akademik dhe profesional nuk i lejon më tepër. E meqë Z. Sejdini nuk ka asnjë ide të vetën për zhvillimin e qytetit, i duhet të jetë gjithnjë në lidhje telefonike me Z. Rama, për të mos e humbur rrugën në drejtimin e Bashkisë. Kemi parë se çfarë ka sjellë kjo për Elbasanin. Lajmi i keq është se në axhendën e Z. Rama, e rrjedhimisht të Z. Sejdini, nuk është zhvillimi i qytetit, por destabiliteti dhe zgjedhjet e parakohshme. Lajmi i mirë është se qytetarët e Elbasanit nuk janë të detyruar të ndjekin “të vetmen rrugë”, por mund të zgjedhin alternativën e jetës, të shpresës, të mirëqenies që u ofron ‘Aleanca për Qytetarin”.

Bashkia e Elbasanit mbulon një territor të madh ku problematika është e madhe. Çfarë do të diferenconit ju nga ato dhe cilat janë prioritetet tuaja?
“Problemet kryesore të Elbasanit mbeten në fakt ato të katër viteve më parë, kur në krye të Bashkisë erdhi Z. Sejdini. Për shkak të premtimeve të pambajtura nga ana e tij, Elbasani vazhdon të ketë infrastrukturë me cilësi të dobët në qendër dhe mungesë gati totale të saj në periferi. Elbasani është një qytet që sot, njëlloj si katër vjet më parë, i mungon dinamizmi. Me këtë dua të them se biznesi nuk stimulohet aspak; përkundrazi, masat që ka marrë Bashkia vetëm kanë penguar zhvillimin e tij. E gjithë kjo ka bërë që problemi i papunësisë të mbetet i pazgjidhur e madje të agravohet. Sot, rinisë së Elbasanit i mungon perspektiva dhe shpresa. 

Programi im synon zhvillimin ekonomik, kthimin e krenarisë elbasanase dhe standarde moderne jetese për të gjithë qytetarët. Programi im synon rikthimin e shpresës. Ne kemi projekte të mëdha. Qeveria shqiptare ka filluar ndërtimin e autostradës së re Elbasan - Tiranë, e cila pritet të ketë efekte të shumta dhe të shumëllojshme në jetën e qytetarëve elbasanas. Në përputhje me logjikën e këtij investimi madhor kam një projekt për studimin dhe projektimin e një parku industrial, gjë që do të rrisë biznesin dhe punësimin në Elbasan. Ndërtimi i kampusit universitar, që unë preferoj ta quaj “qyteza e të rinjve” është një tjetër projekt i madh që kam. Projekti i tretë i madh është ndërtimi i një parku historiko-arkeologjik, ku rikonstruksioni i kalasë së Elbasanit zë vend qendror. Ky projekt synon ta kthejë qytetin në destinacion turistik. Projekti i katërt i madh është hartimi dhe miratimi i një plani urbanizimi modern që respekton dhe rivlerëson hapësirat qytetare, që do t”i japë fund masakrës urbane të deritanishme dhe që krijon mundësi për zhvillimin e biznesit”.

Pak javë më parë ka pasur akuza në lidhje me bulevardin e qytetit dhe shatërvanet. A keni ndonjë ide sesi këto dhe të tjera probleme të përditshme mund të zgjidhen? 
“Problemi është se Z. Sejdini në krye të Bashkisë së Elbasanit gjatë plot katër vjetëve i ka dhuruar qytetit vetëm një bulevard në qendër dhe disa shatërvanë. Shatërvanët u shndërruan shumë shpejt në kosha mbeturinash, ndërsa bulevardi u shtrua dhe rishtrua disa herë e, po të ecësh tani mbi të, ka rrezik të heqësh ndonjë pllakë, pasi cilësia e punimeve është vërtet e parametrave klienteliste. Këto probleme nuk mund të zgjidhen prej atij që i krijoi. Ato kërkojnë vizion, mirëmenaxhim dhe devotshmëri ndaj qytetarëve - cilësi që kryetari aktual i Bashkisë na ka dëshmuar që nuk i zotëron”. 

Kë veçoni si problemet më akute të qytetit dhe çfarë shikoni ju si mundësi për t”i zgjidhur ato? 
“Mendoj se urgjentisht duhet trajtuar problemi i ndotjes urbane. Nuk mund të lejohet më që plehrat të digjen në mes të qytetit, apo fare pranë qendrës së informacionit për turistët. Por ndoshta ky është vizioni i Z. Sejdini për të promovuar turizmin në Elbasan. Unë do ta largoj fushën e djegies së mbetjeve urbane nga qendrat e banuara dhe lumi Shkumbin, dhe do të ndërtoj një landfill modern. 
Një problem tjetër akut është ndryshimi i standardeve të jetesës në periferinë e Elbasanit. Qeverisja katërvjeçare e Sejdinit ka bërë që banorët e periferisë të jetojnë më keq se zonat nga të cilat erdhën. Për nga cilësia e shërbimeve dhe infrastruktura periferia e Elbasanit i ngjan më shumë një fshati se sa një qyteti. Në periferi mungojnë shërbimet bazike dhe njerëzit rrezikojnë përditë shëndetin e tyre për shkak të paaftësisë dhe mosvëmendjes nga ana e Bashkisë.

Kjo gjendje është e patolerueshme. Kjo gjendje akuzon direkt Z. Sejdini dhe stafin e tij për premtime të pambajtura, për papërgjegjshmëri qytetare dhe për mungesë vizioni. Praktikisht, këta qytetarë të periferisë sot nuk duhet të ndjehen të shfrytëzuar, ata duhet të ndjehen të përjashtuar nga qyteti i drejtuar prej Sejdinit. Deri tani ky është qyteti i Sejdinit, por jo i tyre. Ne do ua kthejmë qytetin qytetarëve.

Këtë do ta realizojmë me anë të një plani afatgjatë që përfshin edhe modernizimin e funksionimit të sistemit të pastrimit, duke garantuar eficencë maksimale për një qytet të pastër në të gjithë hapësirën e tij. Disa zona specifike si Zaranika dhe Manazdere, do të përfitojnë nga projekte të mirëfillta rikonstruksioni për t’u dhënë këtyre zonave cilësinë e duhur të jetesës dhe mundësinë për kushte dhe standarde bashkëkohore”.

A mendoni se e keni potencialin e grupit tuaj dhe mbështetjen e duhur për t”iu përgjigjur premtimeve tuaja?
“Premtimet e mia do të realizohen për tre arsye: së pari, sepse unë bëj vetëm premtime që mund t”i realizoj. Këtë ua kam dëshmuar zgjedhësve të mi dhe ata e dinë këtë. Së dyti, sepse projektet e mia gëzojnë mbështetjen e plotë të Qeverisë shqiptare. Nisma për ndërtimin e rrugës së re Elbasan - Tiranë është provë e qartë e kësaj mbështetje. Kryeministri i vendit ka deklaruar disa herë se do të financojë të gjithë projektet e mia për Elbasanin. Së treti, sepse kam një staf të aftë që më mbështet. Ky staf është angazhuar për përgatitjen e programit tim elektoral dhe natyrisht do të kontribuojë në qeverisjen e ardhshme të Bashkisë së qytetit. Ne kemi vizion, aftësi dhe ndjeshmëri për hallet e qytetarëve”.

Mendoni se forca juaj politike e ka besimin e mjaftueshëm në qytet për vizionin tuaj?
“Unë vij si kandidat i një koalicioni fitues. Vij si kandidat i një koalicioni që vendos para së gjithash interesat madhore të kombit, objektivat që shqiptarët kanë 20 vjet që i ëndërrojnë. Kjo na jep epërsi morale ndaj kundërshtarëve tanë. Ndërsa ata synojnë shkatërrimin dhe destabilitetin e vendit, ne synojmë ndërtimin dhe zhvillimin. Qytetarët elbasanas gjenden në një moment historik. Ata kanë shumë për të fituar nga vëmendja dhe projektet e mëdha të Qeverisë për Elbasanin. Unë nuk besoj se do ta humbin këtë shans. Unë besoj se do të zgjedhin të ndërtojnë të ardhmen e tyre bashkë me ne”. 

4 Komente

Skam kohe me e lexu. Ka dy te verteta te mireqena sipas meje :

1. No big deal, elbasanllinjte vendalinj  jane te gjithe kushurinj me njoni tjetrin. ne mos kushurinj, patjeter krushqi, e kushedi nai rast thjesht miq smiley 

 

2. Pyeta nje mikeshen time , ultras demokrate smiley

- per cil do votosh mi dreq ?

- ?? qyqja, per PD-në dhe per Qazimin mi

 

Kjo i permbledh pak a shume te gjitha smiley

Arsyet, jane te qarta si dirta e diellit smiley

 

 

 Pse Ruzhdije s'ke kohe ti lexosh. Eshte interesante te shihje ironine politike te dy kundershtarve, ku akuzonin njeri-tjetrin per paaftesi. Mu duk lufte politike smiley e kulturuar. 

n'fakt, nqse ndjek ate llogjiken e dikujt ktu, nis nga pershtypjet ne fb, une kam nja 2 prej Elbasani dhe qe te dyja jane me ket te PS-se sipas atyne online polls qe kam pa. Tani, po evitoj me dal ne nji konkluzion qe "meqe 100% e miqve te mi elbasanas ne fb kane me votu per PS, ashtu kane me votu 100% e elbasanllinjve" po nga ato rezultatet online del qe ky i PS e ka te fitume

une jam nga elbasani dhe me vjen keq kur lexoj projekte kaq te varfra... kaq pak ambicioze... dakort do shtrijme kembet sa kemi jorganin, por dreqi ta haje, do enderrojme dhe gjera te veshtira ndonjehere, do kerkojme dhe do japim maksimumin ndonjehere.

elbasani ka nevoje per njerez te fresket, ide te fresketa, energji te re. askush nuk flet per metalurgjikun, nje nga problemet kryesore te qytetit... djegia e plehrave ne bulevard nuk eshte asgje krahasuar me ndotjen e vazhdueshme nga kombinati metalurgjik, kam asistuar ne elbasan ne nje tymnaje te papare ne 11 janar, nuk merrej dot fryme ne gjithe qytetin, mjegull e vertete... dhe askush nuk prononcohet. gjoja vendosen filtrat, gjoja vijne kontrolle, absolutisht genjeshtra, absolutisht krim! nuk behet asnje studim, nuk merret asnje mase. me justifikimin se krijon punesim, elbasanasit nuk ngrihen te protestojne kunder ketij perbindeshi ndotes qe po i merr frymen... per te mos folur per fabriken e cimentos... per te mos folur per plastiken qe po degradon dita dites lumin shkumbin... mjedisi eshte problem global, por ne fund te fundit ndjehet dhe jetohet cdo dite ne nivel lokal

turizmi... nuk ka asnje zyre turistike, asnje informacion, ne lagjen kala qe eshte nje nga pjeset me te bukura dhe me te ngrohta te qytetit, nuk gjen asnje historik, asnje guide... askush qe te tregoje me pasion per te kaluaren e qytetit, per gojedhenat, per traditat... asnje guide per fshatrat e elbasanit, per prodhimet bujqesore, ullinjte, djathrat, gatimet, etj. te pakten nje broshure... asnje vend i posacem ku te behet piknik ne natyren rreth e qark qytetit...sa kushtojne 5 stola prej druri?...

aktiviteti kulturor pothuajse zero, dikur organizohej nje festival teatri ballkanik, tani kane shteruar fondet... asnje ide e re, shume pak koncerte, dhe kur i bejne, lemeritesh nga mediokriteti... ekzistojne talente, ekziston nje shkolle muzike, nuk organizohet asgje gjate vitit, vetem ne kohe fushate dhe per festa, si puna e shatervaneve, qe hapen vetem ne raste speciale!

a mund te quhet projekt krijimi i nje landfilli? jemi ne shekullin e 21, bota po flet per energji te rinovueshme, per zhvillim te qendrueshem, per menaxhimin e mbetjeve, per riciklim... ne elbasan do behet landfill! pse nuk mendohet per riciklimin e letres dhe qelqit? per shtimin e hapesirave te gjelbra? per mbrojtjen e hapesirave te gjelbra? per edukimin mjedisor te qytetareve? etj.etj.

sfida nr1 per qytetaret e elbasanit eshte zhdukja e apatise, dembelizmit dhe gjetja e kurajos per t'i shikuar te vertetat ne sy.... me mire as miq, as armiq, por thjesht qytetare qe bashkepunojne me dinjitet dhe profesionalizem.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).