kamza-main-square.jpg (450×275)Blu, blu, rozë, rozë sërish blu dhe vetëm blu. Shtylla blu. Flamurë blu dhe pallate të tëra të lyera blu. Me shtresa të gjëra bardhë e blu. NATO, USA të shkruara me të madhe në disa pallate. Blu. Ky është sfondi i Luftës elektorale në Kamëz, e cila nuk zhvillohet më shumë për ide dhe premtime por për sa më shumë vendosje flamurësh... Ndërtesa blu. Shtylla blu. Flamurë dhe flamurë të tërë blu me siglat e PD-së, NATO-s. Dhe, kudo postera të PD-së, me kryetarin aktual të Bashkisë dhe kryetarin e madh të PD-së Z. Berisha. Një plakë, mes të këtij dekori, vështron dhe pastaj e shushatur ulet bash përballë rrotullës, në qendër të Kamzës, në këtë det irreal të lëbyrshëm bluje. Vetë, Berisha-imazh, rri krenar sipër një hapësire sufllaqesh dhe mbizotëron si patriark me imazhin e tij. Blu përballë. Blu dhe këndej... 

Pak më tej, qendrës, tashmë është vendosur edhe shtabi elektoral i PS-së, ku roza thjesht e ka lëbyrur pak pigmentin e fortë urban blu. A mundet që edhe të mendojnë me ngjyrën? Kjo është një pyetje që të duhet ndonjë interpretim filozofik alla Shagal, për t’i dhënë përgjigje. Është kaq e shumtë bluja në këtë vend saqë edhe grupi i këndshëm skulpturor me kalin dhe djaloshin rendës, duket që do të marrë vërtetë arratinë prej saj. Për fat, në bronx s’kanë ku të ikin. Të gjithë këto ditë kanë qenë stresante për banorët e zonës. Flamuj dhe akuza. Sherre kush t’i vendosë më sipër. Grupe militantësh andej-këndej. Ditët e fundit, në shtyllat me flamujt e shumët të PD-së, tani u janë ngjitur me po aq madhësi dhe ata të PS-së. Kuptohet pak më poshtë. Zallamahi dhe orgji e vërtetë ngjyrash e simbolesh partiake. Megjithatë kjo ‘fitore’ e PS-së vjen pas vitesh të tëra, ku gjithçka në këtë vend ka qenë e ngjyrosur me ngjyrën partiake blu. Kryetari i bashkisë aktuale që u kërkon për herë të dytë votat bashkëqytetarëve të tij ka shkuar dhe më tej. Një artikullshkrues do të thoshte me trishtim se edhe muret e Bashkisë janë blu, ashtu ngjyra e interioreve të zyrave, kolltukët e deri edhe tërë orenditë e këtyre zyrave, janë blu! Nga këtu fillon aventura e një kandidati të pavarur, që po mbështetet nga PS-ja. Rakip Suli, biznesmen i njohur, e ka marrë si duket edhe si sfidë identiteti, kur pak javë më parë simpatizantët e tij vendosën me forcë flamujt e mbështetësve të tij. Që atëherë incidentet s’kanë mbaruar dhe madje në to kanë qenë të përfshirë dhe struktura të shtetit.

Incident famujsh
Në këtë vazhdë, pjesëtarë të policisë bashkiake nuk kanë hezituar t’i pengojnë militantët e PS-së, që në datën 8 Prill sapo ka kaluar ora 12.00, referuar ligjit, janë orvatur të ngjiten për të vendosur flamujt e tyre. Këtu ka filluar lufta. Nga kush e pyes, Ilir Sulën, në shtabin e PS-së. “ Nga bashkia kuptohet. Ne i kërkuam me një shkresë zyrtare arsyen e heqjes së posterave dhe ata nuk na kthyen asnjë përgjigje. Ndaj, dhe ne i vendosëm aty ku ishin ato të PD-së ”. Keni përdorur forcën, i themi. “Kategorikisht jo. U munduam pa i cenuar ato më 12 e 2 minuta por kemi hasur pengesa nga militantët e PD-së dhe nga policia bashkiake e Kamzës. Nuk kuptonim arsyen se ne po vendosnim posterat tona dhe s’kishim punë me ta…”. Prej 20 vitesh s’ka pasur poster tjetër në këtë vend dhe ndaj militantëve socialistë u është dashur shumë të nxjerrin dhëmbët. Dhe, strategjia e PS-së ka dalë e zgjuar. I lindur në Fushë Alie, Z.Suli, përcjell një zonë, e njohur për cilësitë e saj luftarake. Me pak fjalë, këtë traditë biznesmeni Rakipi, e ka përçuar me mençuri. Mbështetësit e tij e kapin madje luftën e tyre që me përcaktimin Kamza ime, që kryetari aktual përdor për qytetin e tij, ndërsa të shikosh, sipas tyre, në takimet në Kamëz, kandidati i tyre vizitohet më shumë nga të djathtë sesa me të majtë. “Kur mendon se të gjitha rrugët e shtruara janë pa trotuar, kanalizim dhe sipër zhavorrit është direkt asfalti, atëherë e kupton punën e kryetarit aktual, na thotë. Ku ishin këto katër vjet pse nuk i bënë tamam si duhej?”-thotë një militant me mllef.

Kamza
Po rrugët e sotme të Kazmës janë vërtetë të habitshme. Prej njerëzve që kalojnë, dekoreve, amullit dhe pa-sensit. E mbi të gjitha kanë emra ‘të habitshëm’, që shpalosin gati të gjithë gjeografinë e kontinenteve. Kamza e sotme është një vend nga ku është më mirë të mos qëndrosh shumë. Jo thjesht se nuk të afron asnjë tërheqje por kaosi dhe parregullsia nuk të ngjall asnjë kënaqësi. Duhet thënë se Kamza, si një zërë qytetthesh, krijesa të socializmit, ishin nga ato vende, ku ndërtuesit mund të bënin mrekullia në shtete normale, por Kamza e sotme shpreh pak a shumë atë që shqiptarët janë realisht. Kaotikë dhe pa vizione zhvillimi. E pavarësisht forcës që do të fitojë, Kamza është thjesht një pikë shfryrje e politikës për interesat e saj. Ndaj, lufta e 300 simpatizantëve të PS në qendër të Kamzës, shtuar me disafshin e PD-së nga ana tjetër, dhe lufta absurde e famujve ngjan aq normale. Ende në këtë vend votohet në mjedise private, ndaj aksioni i simpatizantëve kundërshtarë për të bërë diçka në orën 12.02 të datës 8 prill 2011 ngjante aq normal në Kamëz. Ngjarja s’do të mbyllej lehtë, kur të dy palët do të bënin luftë të pastër nervash. Për fat, u gjet një ‘zgjidhje’, që t’i kënaqte të gjithë: Flamujt e PD-së sipër dhe të PS-së, në të njëjtën shtyllë më poshtë.

Histori ardhjesh
Gjeografët demografë përcaktojnë dy momente të ardhjes së banorëve të Kamzës. Është ajo e viteve 1946-1975, dhe ajo tjetra nga viti 1975-1991. Të 6000 banorët e parë të ardhur, që kryesisht ishin një përzierje e zonës së Skraparit me Matin, ishin shumë pak për masën e 90.000 banorëve, që do të arrinte në kohën tonë. Miniera e Valiasit do të mblidhte dhe banorë të tjerë nga vende të tjera të Shqipërisë, ndërsa qyteti më 1990 do të ishte një nga kulmorët për sa i përket lëvizjes demokratike me lëvizjen e punëtorëve të minierës. Në dokumente historike pretendohet se që nga shekulli i XVIII këtu ka pasur ulje nga banorët e malësive për shkak të kushteve që ofronin fushat e gjëra. Ndërsa feudalët më të mëdhenj vendas Bushatllinjtë e Shkodrës dhe Ahmet Kurt Pashës së Beratit dhe më vonë dhe Toptanasit, donin ta vinin në pronësi të plotë të gjithë zonën. Kaq e vërtetë është kjo saqë në kohën e socializmit, hapësira e Kamzës u përdor si hambari i kryeqytetit dhe ferma “Gjergj Dimitrov”, që ishte këtu, rezultonte si një nga më prodhimtaret në Shqipëri. Pas viteve ’90, ajo u kthye në Bashki dhe sot është nga bashkitë kryesore në vend.

Kamza Blu
Ajo do të merrte atributet në vitin 1996 dhe që atëherë, kushdo që ka dalë nga Tirana dhe i është drejtuar veriut në hapësirën e Kamzës, ka qenë nën autoritetin e flamujve blu të saj. Kjo ngjyrë është kthyer në fe. Në ditët tona, Kamza ashtu si edhe Kavaja kanë një urrejtje gati patologjike për të kuqen dhe këtë e lidhin me komunizmin, që për ta do të thotë jeta shumë e keqe të së shkuarës. Jo më kot, në këtë vend, është mbledhur popullsia më e varfër e Shqipërisë, e cila identifikon me ngjyrën ‘lirinë’ e saj nga varfëria. Gjithçka në qytet është blu: institucione, ndërtesa, flamurë, dhe deri në veshje. Urrejtja për të kuqen në këtë vend është instiktive. “Aj, po ke qejf blunë. Kush mban t’kuqen asht komunist”, më thotë një djal i ri, i lindur me siguri në vitet pas ’90, dhe që ka ardhur nga emigracioni. Insiston për të mos e thënë emrin dhe ca më shumë të fotografohet, por ndërkohë i pëlqen shumë që të flasë për blunë.

Kuptohet jo estetikisht. “Ke qejf! Blu si deti. Blu dhe blu”. Ikën pastaj në një klub, ku një rresht pulash të pjekura bëjnë rreth-e-qarkun e tyre nga një zgarë qymyri. Përballë tre pallate blu i bëjnë hije zgarës që pjek dhe fytyrës së brengosur të një burri, që i patrazuar i këqyr teksa rrotullohen. Mbesim, teksa fotografoj. Kthehet përgjysmë: “Është varfëri e madhe. Para 7-8 vitesh kisha një aktivitet po të mos ishin këto pula vërtetë do ta mbyllja. Me ato mbaj katër fëmijët”. Çuditërisht del se është i PS-së “Kjo fushatë e ka balancuar situatën mes të majtëve dhe të djathtëve. Gjithmonë ka qenë djathtas këtu dhe kandidati i ri e ka organizuar partinë më mirë. Edhe vendosja e këtyre flamujve është më e ekuilibruar. Dhe njerëzit janë më të qetë”, më sqaron. “Por kjo është vrasje” më thotë. “Flamurë dhe flamurë pa fund. Ka vite që më duket se jetoj vetëm me flamuj dhe nën hije famujsh blu”, më thotë burri që ka qenë inxhinier. 

“Revolucioni kulturor” Blu
Në kohën e revolucionit u ndaluan gjithçka në Kinë madje deri te Beethoveni dhe Moxarti ndërsa gjithçka kuqëlonte. Duket se në Kamëz, ‘revolucioni’ ka qenë i tillë, por blu. “Faktikisht kam pasur vërejtje se kanë bërë më shumë luftë klasash. Kam shtëpinë matanë dhe rruga s’është rregulluar. Po vinë vetëm tani që është fushata. Dhe kemi dhe diskriminim me marrjen e emrave. Diçka jo normale. Kemi shumë njerëz këtu bij të popullit shqiptar. Por emrat janë ‘Gjenevë’, ‘Pekin’, ‘Uashington’. Ka mbetur vetëm ‘Afganistan’. Ngjyra dhe ngjyra dhe shiko si i bën pallatet. Pse me një ngjyrë? Njerëzit duhet të jenë…” Burri, që më flet, ka një pezm patriotik dhe nuk di për kë të votojë. Është nga Zall Herri, por ditën e kalon këtu me ndonjë punë. Ndahemi. Një tropojani të qeshur i bën punë që po fotografojmë pa fund pallatet. Ka vendosur disa rroba para shtëpisë, ku banon dhe shet. Kjo është dita e tij e punës, pas migrimit të vet. Pas pak minutash del se është burrë me shumë dëshira.  “Kjo fushatë s’më duket normale. Shumë njerëz. Rrëmujë dhe flamuj andej këndej. Pse nuk shikojnë punët e tyre dhe të jetojnë qetë?”-më thotë si i habitur. Njerëzit duhet të shikojnë më shumë se ku të krijojnë punë dhe jo të merren me budallalliqe dhe me ofendime për njëri-tjetrin, më shton pastaj tepër miqësor. Ka ardhur para dhjetë vitesh në Tiranë dhe tash i ka mbetur vetëm të shesë rroba para pallatit të tij, bardhë e blu, të stampuar me shqiponjën e madhe kombëtare.

***
“Dhe, biznesi- thotë Lisien. Do ketë frymëmarrje po iki ky”. Ky është kryetari aktual, sipas tij. “Shtylla s’lyhet vetëm me blu dhe tjegullat i ka bërë blu. Jo çdo gjë blu”. Ka ardhur bashkë me një shokun e tij që të marr flamurë të PS-së. Por, ato mungojnë. Ikin disi me pezm. Flasin pak si të fortë, por nuk ndajmë dot pasionin e moshës apo pasionin ideali tek ata. Pak më tutje, dy djem moshatarë të tyre, kanë hapur dy flamurë të PD-së dhe po mundohen t’i futin diku. Kudo kryefjala është flamuri. Është kohë dielli dhe një vapë betoni duket se ngrihet nga kudo. Burri që shet rroba më ndjek me një vështrim të qeshur nga matanë, kur largohem. Kurse, dy djemtë e rinj kënaqen që nuk fotografoj dot blunë e madhe të një pallati. Era që fillo të valojë i fryn famujt e PD-së që lodrojnë njësoj me ata të PS-së pak më poshtë. Është një festë e çmendur, gati një orgji famujsh zgjedhorë në Kamzën e vitit 2011. Plaka pothuaj s’ka lëvizur nga vendi. Edhe ajo është në udhëkryqin e saj në udhëkryqin e madh të Kamzës, pak metra poshtë Dr. Berishës dhe mëtonjësve të rinj të zonës së saj. 

10 Komente

Se kuptoj ,c'fare i lidhe te varferit, me te djathten ?!  HAhahaah smiley  ,ne Shqiperi cdo gje ecen mbrapsht ,normale smiley

Po se ne Shqiperi e djathta premton rritje pensionesh dhe e majta heqje taksash. Shkurt, lemsh para porte...

Kamza jone heroike me Partine Demokratike! smiley

 orgjira dhe shtremberime si fushata Obamize-me e zgjedhjeve te funit. dola nga qendra 1 dite (kto zgjedhjet e funit) dhe aty ishte sa me thone edhe partia e te drejtave te njeriut me miting 10-vetesh. dmth boj ca duhet me bo, megjithse ne kamez eshte kthy ne fe te vertete boja.

Kam probleme me perdorimin e termave te seksualitetit nga gazetat dhe revistat shqiptare. Ato te heqin edhe orgjine nga qejfi. Ato te zhveshin dhe te cseksualizojne, te rrahin me shemti.

ato te heqin edhe  orgjine nga qejfi.

thua te kene arritur deri aty deri aty?

aty dhe pak me tej. ato te heqin gazetaret nga qejfi smiley

 Ehh, sa kohe kam pa kaluar nga Kamza, ndoshta 15-20 vjet. Kam pas nja 3-4 shok ushtrie nga Kamza. 

 Oh gjynaf i nderuar Pjer, e paske lene jashte Vizioneve Kamzen.Por ndoshta ajo i ka tejkaluar edhe vizionet e tua. smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).