Është vërtet për të ardhur keq, që Prishtina zyrtare po i kushton kaq vëmendje dhe përkushtim udhëtimit së paralajmëruar në Kosovë të një nëpunësi të MPJ të Serbisë, Borislav Stefanoviç, kryetar i delegacionit serb në bisedimet teknike Serbi-Kosovë, të cilat po zhvillohen në Bruksel me ndërmjetësimin dhe pjesëmarrjen e diplomacisë së Bashkimit Europian. Akoma më tepër ta shton keqardhjen droja për të informuar opinionin publik të Kosovës se kush do ta takojë të dërguarin e Beogradit dhe në çfarë cilësie do të organizohen takimet. Pikëpyetjet mund të krijojnë një listë të gjatë, por rreth vizitës dalin elemente, të cilat nuk kanë të bëjnë aq shumë me nivelin e ulët të këtij të dërguari, se sa me shqetësimin për dinjitetin dhe identitetin shtetëror të Kosovës së pavarur.

Borislav Stefanoviç më 5 maj e cilësoi vizitën e tij një inisiativë të Beogradit, dhe deklaroi se ai nuk ka nevojë për lejen e autoriteteve të Prishtinës për të vajtur në Kosovë. Këto qendrime allakoloniale janë të kuptueshme për këdo, që ka disa njohuri për taktikat dhe strategjinë e Serbisë në drejtim të çeshtjes së Kosovës.

Serbia ka synuar dhe është përpjekur gjithmonë dhe me çdo mënyrë, që bisedimet mes saj dhe Kosovës të jenë jashtë kuadrit ndërkombëtar, sepse çdo kuadër ndërkombëtar bisedimesh diplomatike sanksionon subjektivitetin shtetëror të të dy palëve. Kjo ka vepruar në kohën e Sllobodan Millosheviçit, në kohën e Vojislav Koshtunicës, kështu po vepron edhe në kohën e Boris Tadiçit. Në përputhje me rezolutën e OKB-së të 9 shtatorit të vitit të kaluar po zhvillohen bisedimet teknike mes Serbisë dhe Kosovës, me ndërmjetësimin dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Bashkimit Europian dhe më 17-18 maj do të zhvillohet raundi i katërt i këtyre bisedimeve në Bruksel. Serbia kërkon ta devijojë dhe ta shkëpusë nga ky kuadër ndërkombëtar për disa arsye. Së pari, për të shmangur çdo sanksionim dhe legalizim të subjektiviteti shtetëror të Kosovës në planin diplomatik. Së dyti, për të qenë në gjendje të ushtrojë presion të drejtpërdrejtë mbi zyrtarë të ndryshëm në Prishtinë. Së treti, për të imponuar intepretimin e saj “të gjendjes së pazgjidhur të çeshtjes së Kosovës”. Stefanoviç deklaroi se është mirë për proçesin negociues, që bisedimet të zhvllohen në Prishtinë. Por ai nuk përmendi nëse do të zhvillohen edhe në Beograd, dhe nuk tha që në këto bisedime të jetë i pranishëm edhe përfaqësuesi i BE-së, siç po bëhet në takimet e Brukselit. Pjesëmarrjen e përfaqësuesve të BE e kërkon edhe rezoluta e OKB: Mirë Beogradi e shkel rezolutën, se ka interes, por nuk ka informacion nëse Prishtina zyrtare ka kërkuar paraprakisht që përfaqësuesi diplomatik i BE-së të jetë i pranishëm në bisedimet në kryeqytetin e Kosovë, dhe as nëse Prishtina ka kërkuar që bisedimet shtetërore të zhvillohen edhe në Beograd, gjithmonë me prani të përfaqësuesit të BE. Duke i spostuar nga Brukseli në Prishtinë dhe pa praninë përfaqësuesve të BE, bisedimet humbasin karakterin shtetëror dhe ndërkombëtar.

Natyrisht nuk ka vlerë një debat me fillestarët e mësimeve për artin e bisedimeve, lidhur me rëndësinë e dialogut ndërmjet palëve. Por palët janë një gjë dhe shtetet janë një gjë tjeter. Nuk është justifikim për vizitën e të dërguarit të Beogradit as miratimi dy herë nga Kuvendi i Kosovës i bisedimeve dypalshe. Askush nuk kundërshton zhvillimin e bisedimeve mes shtetit të Serbisë dhe shtetit të Kosovës, por në planin diplomatik çdo gjë fillon nga një parim themelor dhe të pashkelshëm se bisedimet duhet të jenë, dhe nuk mund të jenë ndryshe, veçse bisedime mes dy shteteve.

Kryetari i delegacionit serb në bisedimet teknike Serbi-Kosovë e shpalli vetë vizitën e tij. Përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës u kapën pas sentencës “e lagu, s’e lagu”, me çeshtjen e lejes, a ka kërkuar apo nuk ka kërkuar leje. Në bisedimet diplomatike shtetërore nuk shtrohet çeshtja e lejes hyrëse apo e vizës. Nëse Stefanoviçi do të kërkonte të vinte si shtetas serb për një vizitë në manastirin e Graçanicës, mund të flitesh për leje. Por Beogradi ka deklaruar se ai po vjen për bisedime me autoritetet e Prishtinës. Ndaj çeshtja e parë që shtrohet është nëse Ministria e Jashtme e Serbisë i ka drejtuar Ministrisë së Jashtme të Kosovës kërkesë zyrtare për vizitën e Stefanoviçit dhe për takimet me zyrtarët, që dëshiron të takojë në Kosove. Nga burime të MPJ të Kosovës mësohet se as i është bërë ndonjë kërkesë, dhe MPJ e Serbisë as ka denjuar t’i drejtohet shkresërisht, siç operohet në praktikën diplomatike mes dy shteteve.

Dikush mund të thotë se nuk ka rëndësi aspekti protokollar apo teknik, por në diplomaci kjo do të thotë shumë. Në gjendjen aktuale të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, simbolika ka rëndësi të veçantë. Sepse, nëse do të pritet nga autoritete të larta në Prishtinë i dërguari i Beogradit, pasi ka shpallur se do të vijë, dhe pa u kryer formalitetet e detyrueshme zyrtare të korespondencës diplomatike, do të krijonte te shumë ndërkombëtarë përshtypjen se jemi para një forme të pranimit të nje statusi jobarazie, për të mos thënë forme varësie nga Beogradi.
Borislav Stefanoviçit mund t’i pëlqejë roli i kacnecit të kralit nga Beogradi, siç do të bënte po të shkojë në Novi Sad apo në Novi Pazar, dhe ai po tenton të çvleftësojë realitetin e Prishtinës si kryeqytet i një shteti tjeter. E pakuptueshme është se si në Prishtinë konstatohet një entusiazëm në disa qarqe levantine, të cilët i ka gëzuar shumë lajmi se po vjen Borko Stefanoviç, dhe sipas të cilëve, kjo mund të jetë një shenjë se Serbia po njeh praktikisht pavarësinë e Kosovës. Naivitetet mund t’i falen çdo shteti të ri, por jo Kosovës, me historinë e marrëdhënieve të saj me Serbinë.

Më datën 5 maj presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, deklaroi se “është mirë që Borislav Stefanoviç do të bisedojë me përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme në Prishtinë, të cilët do ta informojnë atë për qendrimet e palës shqiptare për vazhdimin e dialogut në Bruksel”. Personalisht e kam shumë të vështirë të kuptoj se si një zyrtar i lartë i qeverisë, i parlamentit apo i presidencës së Kosovës, që duhet të jetë në një post zyrtar më të lartë se kryetarja e delegacionit të Kosovës, zëvëndëskryeministrja Edita Tahiri, do të ketë kurajon shtetërore të ulet në tryezën e bisedimeve me një nga drejtorët aq të shumtë të MPJ të Serbisë, si Borislav Stefanoviç, i cili në gjithë karrierën e vet diplomatik ka vetëm shërbesën e tij si sekretar i tretë në ambasadën e Serbisë në Uashington para 8 vjetësh. Vetëm në Ballkan ndodh që një diplomat, edhe pse ka shërbyer vetëm një mandat në nivel të ulët si sekretar ambasade, të cilësohet pa pikën e skuqjes “personalitet i shquar i diplomacisë”.

E theksoj këtë, sepse kryetarja e delegacionit të Kosovës në bisedimet, që po zhvillohen në Bruksel, është zonja Edita Tahiri, e cila ka postin e zëvëndëskryeministrit. Pra një nëpunës i MPJ të Serbisë e quan normale dhe të drejtë, që ai të vijë në Prishtinë dhe të kërkojë që ta presin dhe të bisedojë me zyrtarë më të lartë se sa zëvëndëskryeministri.. Kjo është logjika e metropolit kolonial, nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë edhe sot e kësaj dite. Serbia mund të mos heqë, por Kosova nuk mundet ta pranojë këtë trajtim inferior nga kascneci dhe nga krali i Beogradit.

Me politesë e shprehu kundërshtimin ndaj kësaj vizite zëvëndëskryeministrja Edita Tahiri, e cila e quajti jo të përshtatëshme kohën, kur kryetari i delegacionit serb po vjen për bisedime në Prishtinë. Me përvojën e gjatë, që ka në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe si ish ministre e jashtme e Kosovës, zonja Tahiri e kupton se sa mesazh i keq i jipet edhe Kosovës, edhe rajonit, dhe Europës, nga pranimi i bisedimeve në nivele kaq të pabarabarta. Nëse Serbia do të kishte vërtet ndonjë mesazh hapnjohës për të sjellë në Kosovë, mund t’ia kishte referuar zëvëndëskryeministres së Kosovës. Por Serbia nuk ka ndër mend mesazhe të pranimit të shtetësisë apo të pavarësisë. Madje edhe nëpunesi i MPJ të Serbisë, me emrin Borislav Stefanoviç, i cili si diplomat duhet ta mbajë gojën mbyllur ndërsa zhvillohen bisedimet, po jep majtas e djathtas deklarata provokuese pothuaj çdo ditë se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë, se mund të bisedojë ndarjen e Kosovës, etj.

Stefanoviç dhe çdo zyrtar tjetër serb mund të vizitojë Kosovën si zyrtar i një shteti tek shteti tjeter. Nëse Prishtina zyrtare do të dëshirojë të ruajë dinjitetin dhe integritetin shtetëror, ajo duhet t’i verë atij përballë në tavolinën e bisedimeve homologun shqiptar nga MPJ e Kosovës.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).