Nga prezantimi dhe ballafaqimi i ideve dhe programeve të kandidatëve duket një tentative serioze për të qenë sa më konkretë në premtime, pavarësisht nga fakti që jo rrallë, në mos dhe dendur, ka ide që nuk ka si të gjejnë jetë, pasi ose janë shkruar ose deklamohen keq nga kandidatët. Po nxjerr në vëmendje të lexuesit vetëm disa momente ku bazohem për të votuar për alternativën e kandidatëve për bashkinë e kryeqytetit.
Siguria e jetës
Siguria e jetës është një koncept i gjerë dhe përfshin shumë drejtime. Në këtë rast po merrem me kuptimin e drejtpërdrejtë të saj, sa siguri na jepet për jetesë të qetë. Z. Basha sapo la detyrën e ministrit të brendshëm me qëllimin për të marrë bashkinë e kryeqytetit. Mbi supet e tij rëndojnë shumë akuza dhe pikëpyetje, të cilat heqin dilemën nga duhet të votosh.

Janë të drejtpërdrejta 4 të vrarët e 21 janarit, por jo më pak të rëndësishme janë edhe vrasje të tjera politikanësh apo njerëzish të thjeshtë, që sistematikisht mbushin kronikat e zeza të lajmeve. Tiranasit kur votojnë do të mendohen mirë, të paktën për sigurinë e thyer tashmë të jetës së tyre.

Z. Basha premtoi kamera për të vëzhguar qytetin e Tiranës, por doli qe ka te prishura kamerat që filmuan vrasjet e 4 të pafajshmëve nga ambientet e kryeministrisë. Për çfarë i duhen popullit të Tiranës kamerat prej së cilave fshihen zararet e zullumqareve, të mafiozëve dhe të vrasësve me pagese, të cilat regjistrojnë vetëm shkeljet e vijave të bardha në trafik?

Një kryebashkiak me ide të qarta e forcë për veprim aktiv

Duke dëgjuar argumentet e kandidatëve krijon bindjen që z. Rama parashtron projekte konkrete, nga detajet e të cilave kupton se kemi të bëjmë me diçka tashmë të pjekur dhe të mirëdebatuar në stafe teknike. Projektet e Bashës më shumë të lenë përshtypjen e recitimit të një vjershe të shkruar në nxitim nga dikush tjetër, ku recituesi nuk ka pasur mundësitë për t'i hyrë vetë në brendësi.

Të kërkosh votën për kryebashkiak duhet të kesh ide të qarta, program ku është mishëruar mendimi dhe pasioni yt, por edhe forcë e kurajë për ta zbatuar atë që i premton elektoratit. Nëse thjesht parashtron një pasazh propozimesh, që mund të gjenden jo pa shumë vështirësi nëpër faqet e internetit apo qoftë dhe në projektet ekzistuese të bashkive e institucioneve përkatëse me donatorët e huaj, nuk krijon bindjen në publik që e ke me gjithë seriozitetin e nevojshëm zbatimin praktik të tyre dhe për pasojë, të paktë do të jenë votuesit e mashtruar.

Nëse ulen taksat, si do të mbërrijmë në një cilësi jete më të mirë?

Në këtë pikë do të fokusohem tek idetë për rritje ekonomike të bashkësisë së Tiranës, për buxhet të qëndrueshëm të bashkisë, investime e punësim, gjelbërim, argëtim, pra shtimin e shërbimeve ne funksion te bashkëqytetareve etj.

Kandidati demokrat për kryeqytetin pretendon se do e kthejë Tiranën në një qytet pothuaj pa taksa (do heqë rreth 50 taksa ekzistuese dhe do ulë me pesëfish ato pak që mbeten). Të gjithë e dimë se aktualisht të ardhurat nga pushteti lokal janë sa 4% e gjithë të ardhurave të buxhetit të shtetit, ose 25 herë më pak se ato që grumbullon qeveria.

Ndërkohë, në vendin fqinj, Maqedoni, ato janë të planifikuara 4-5 herë më të larta se tonat, ose sa 18% e buxhetit total (i kujtoj lexuesit se sa vërejtje e kritika ka nga faktori vendas e ndërkombëtar për mosdecentralizim të pushtetit të këtij vendi). Pra duket që në Maqedoni i është dhënë shumë më tepër pushtet ekonomik vendorëve, dhe nuk i janë lënë të merret me cikërrima si tek ne.

Kandidati demokrat kërkon nga qytetarët e Tiranës votën për t'i ulur të ardhurat e pushtetit lokal jo pak, por me 5 herë, pra t'i çojë ato në raportin më pak se 1% të totalit të të ardhurave. Veç populizmit dëmsjellës dhe synimit për ta kaluar Bashkinë e Tiranës në varësi totale tek pushteti qendror gjithçka tjetër "nuk ka vegë që e mban".

Sidoqoftë, është i pari ministër që del hapur me fjalë (se me vepër janë të gjithë ministrat hije) kundër decentralizimit të pushtetit, një tendencë kjo e përbotshme. Pushteti lokal duhet të dalë një ditë e më parë nga prehri i pushtetit qendror. U takon kandidatëve të kryeqytetit të programojnë, premtojnë e realizojnë decentralizim sa më të shpejtë. Çfarë premton z. Basha është kthim prapa, është regres.

Populizmi dhe demagogjia janë tejet të rrezikshme për ekonominë e një vendi. Të gjithë ne si taksapagues do të dëshironim të kishim të ardhura sa më të larta dhe të mos paguanim mundësisht asnjë taksë. E lumtur do të dukej një familje ku familjarët të mbanin vetë gjithë të ardhurat që realizonin, duke derdhur vetëm 1% të të ardhurave tek kryefamiljari, ndërkohë që do të shtonin kërkesat për ushqim më të mirë, mobilie më të mira, shtëpi dhe makina më luksoze, shtim të argëtimit, gjelbërimit, mbjellje pemësh dekorative e frutore më të shumta, kopsht përreth shtëpisë të lulëzuar etj.

Por pa para kjo është vetëm një ëndërr e bukur dhe aspak më shumë. Edhe kandidati Basha nuk mund ta realizojë dot një gjë të tillë, por thjesht kërkon të na mashtrojë sa të na marrë votën.

Pra nuk mjafton vetëm dëshira, duhet propozuar e vepruar me këmbë në tokë, me realizëm. Kur me premtimet ekonomike mashtrohet thjesht për të grabitur votat kjo është deri kriminale. Sot, qytetarët e Tiranës kanë vlerësime pozitive për atë që është bërë me qytetin e tyre në dekadën e fundit, por do të ishte shurdhëri e madhe të mos dëgjosh kërkesat e tyre në rritje për më shumë pastrim, për më shumë gjelbërim, për më shumë rrugë e trotuare etj.

Kjo pasi kërkesat dhe kultura e gjithsecilit nga ne vjen në rritje. Nëse ul me tri e pesë herë taksat, me se do të përballohen gjithë këto shpenzime në rritje? (Nëse marrim të mirëqena premtimet e z. Basha shpenzimet e bashkisë do të rriten jo pak, por 4 - 10 herë, ndërkohë që të ardhurat ulen 3-5 herë?!!). Pra, alternativa e Bashës ose është për më pak ndriçim, më pak gjelbërim, më shumë llum, më pak ujë etj., apo për mbulimin e gjithë shpenzimeve të buxhetit lokal nga pushteti qendror?!

Nëse është kjo e fundit dalim në një tjetër politikë edhe më dritëshkurtër, ku zgjedhjet për kryetar bashkie dhe këshill bashkiak janë krejt formale, pasi ata nuk kanë thuajse fare buxhet të tyre, por thjesht janë manekine të pushtetit qendror (siç edhe posteri televiziv i PS shndërron fytyrën e z.Basha në atë të kryeministrit Berisha).

Pushteti lokal duhet të shkojë drejt marrjes së shumëfishtë të pushtetit ekonomik dhe jo me drejtim nga e kundërta. Kjo është çështje parimore e kohëve moderne.

Nëse është seriozisht i shqetësuar z. Basha për taksat e larta të qytetarëve tiranas si mund të shpjegojë heshtjen e tij në qeveri kur u dyfishua taksa për Televizionin Publik Shqiptar, nga 600 lekë në 1200 lekë? Nëse do të pyetej qytetari i thjeshtë patjetër që do të refuzonte në mënyrë kategorike këtë shtesë takse, të një televizioni antipublik.

Përse atëherë kjo zhurmë kaq e madhe nga z. Basha për taksat e Bashkisë së Tiranës? Jam më se i bindur që në praktikë do të jetë një tjetër piruet, duke hequr disa emra taksash e duke i zëvendësuar me të tjera, por që në total do të jenë rëndesë më e madhe me taksa për qytetarin e Tiranës. Këtë e kupton cilido votues dhe nuk do të ta tolerojë talljen e radhës sa për të marrë votën.

Nuk do të dua të mendoj që ka për qëllim të veprojë njëlloj si ka vepruar kur ka qenë në qeveri. Vetëm në më pak se 6 vite qeverisje, qeveria e Lulëzim Bashës ka rritur borxhin publik më shumë se dy herë nga sa ka qenë. Votuesi kryeqytetas duhet të mendohet mirë, për të këqijat e mëdha nga pranimi për kryebashkiak të një personi që do të zhyste në borxhe të mëdha edhe kryeqytetin.

Me 400 milion euro te "zhdukura" në "Rrugën e Kombit" mund te bëheshin fare mirë 150 - 200 km autostradë për gjithë bregdetin shqiptar, aq të nevojshme për turizmin. Ose për qytetin e Tiranës do të ishte një shumë me herë më e madhe se gjithë buxheti i këtij qyteti për 4 vitet që Basha kërkon të bëhet kryebashkiak.

Kandidati Basha premton të punësojë në 4 vitet e ardhme për qytetin e Tiranës, sa 2-3 fishi i atyre që ka punësuar vetëm në letër qeveria ku ka qenë ministër. Pra, atë që nuk e bëri kur ishte në qeveri për 6 vite, medemek do ta bëjë me shumëfish në bashkinë e një qyteti.

Z. Basha pretendon se do sjellë ne Tirane turistë të shumtë, si dhe qeveria e tij e cila mburret se ka sjellë 12 herë më shumë turistë, ndërsa nuk po shohim rritje të të ardhurave nga turizmi. Po kështu kjo qeveri raporton se po rriten eksportet nga mineralet dhe nafta shqiptare, por në buxhetin e ekonomisë shqiptare nuk hyjnë as një e dhjeta e valutës së mallrave të eksportuara.

Kjo është njëlloj si t'i premtosh një familje që do t'i punësosh familjarët, por pa shtuar as edhe një lek në të ardhurat e saj. Ose që dyqanxhiu të numëronte jo shitjet ditore, por të maste suksesin e dyqanit të tij me numrin e vizitorëve që hyjnë e dalin në dyqanin e tij, por ku asnjeri nuk bën blerje.

Kandidati Basha premton atë që nuk është e qeverisë lokale apo dhe premtime që nuk i ka realizuar qeveria e z. Basha në 6 vite e që ai pretendon ti realizojë brenda 6 muajve. Kështu mund të përmend të shumëpërfolurin regjistrim të pasurive informale, që nuk po realizohet prej vitesh nga ALUIZMI i qeverisë.

Përse duhet besuar z. Basha edhe për çështje ende të pazgjidhura të qytetit të Tiranës, kur qeveria e tij mashtron se jemi vendi qe kemi rritjen më të lartë të globit/Europës, por me rritjen ekonomike në dy vitet e fundit sa gjysma e asaj që jemi rritur në dekadën e fundit. Po kështu mund të rendisja dyshimin për të tjera realitete të hidhura:
• Jemi vendi që në 6 vite 6-fishuam kreditë nënstandarte ose i përkthyer ndryshe që kishim 1 në 20 persona të parregullt në shlyerjen e kredive, ndërsa tashmë kemi 1 në 7 persona të parregullt.
• Jemi vendi ku i rregullti paguan jo vetëm energjinë dhe ujin që harxhon vetë, por edhe atë që nuk shlyen i parregullti. Z. Basha u do votën tiranasve në mënyrë që kur të shkojmë tek dyqani në darkë për të blerë bukë shitësja të na kërkojë të paguajmë edhe bukët që i kanë vjedhur hajdutët.
• Jemi vendi ku korrupsioni dhe krimi i organizuar po bën kërdinë. Ish-ministri Basha nuk guxon të artikuloje qoftë dhe një fjali antikorrupsionit galopant të qeverisë. Nëse do mbajë të pacenuar këtë nivel të korrupsionit, përse kërkon votën dhe të qytetarëve të Tiranës? Të korruptuarit kurrë nuk livrojnë shërbimet që me të vërtetë kërkon populli. Sot është turp të deklarosh që je i ndershëm dhe kërkon zbatimin e drejtësisë në këtë vend. Pushtetarët të konsiderojnë si të marrë apo të leshtë nëse thua të vërtetën dhe kërkon zbatimin e ligjit. Në fakt edhe kur ngrihet si shumë zëri për shkelje të ligjit, pushtetarët përshtasin menjëherë ligjin me paudhësitë që kanë bërë.
• Premton që do të qeverisë më mirë Tiranën, kur është pjesë e një qeverie që keqqeveris, jo qeveris e jo më të mirëqeverisë.
• Pabarazia e madhe që kultivoi kjo qeveri, ku 2% e popullsisë ka mbi 50% të pasurisë së vendit kërkon një rishpërndarje edhe më të madhe në favor të të varfërve, kurse kandidati Basha as që mendon për ta, për votuesin e thjeshtë. Nuk u takua asnjëherë me të varfërit, shtresat në nevojë, paraplegjikët... por qeveria e tij ku ishte ministër i la në mëshirë të fatit dhe nuk denjoi ti dëgjojë. Duket ka urrejtje për ta se qeveria e tij vuri taksën e sheshtë që ishte thjesht përfitim për shtresën e lartë dhe në kurriz të të varfërve.
• Shtohen deklamimet pro ish-pronareve, por veç familjarëve të shtetarëve të lartë, të gjithë të tjerët kana marrë asgjë dhe dita që kalon u largon mundësinë e marrjes së ndonjë shpërblimi, pasi partia që ata kanë mbështetur në këto 20 vjet, fal e shet pasuri të tyre kundrejt ryshfeteve të majme. Prona vetëm tek pronari i ligjshëm nuk po shkon.
• Statistikat tona ndjekin standardet ndërkombëtare, por maten e manipulohen me standarde barbare.
Më mashtrove një herë, është faji yt, më mashtrove të dytën faji ndahet në mes, u mashtrova të tretën, faji është tërësisht imi. Nuk dua ta ndjej veten fajtor pa faj!
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).