29953_11.jpg (215×170)PRISHTINË- Kuvendi i Kosovës nuk i ka dhënë mbështetje kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për ndërprerjen e bisedimeve të filluara me Serbinë. Mazhoranca dhe opozita kanë zhvilluar sot një debat tejet të ashpër në lidhje me këtë dialog. Përplasja e pikëpamjeve rreth bisedimeve pasoi kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ftoi në interpelancë kryeministrin Hashim Thaçi. 

Me anë të këtij mocioni, Vetëvendosja kërkoi që bisedimet të ndërpriten. Por, me 56 vota pro, 21 kundër dhe 5 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës u shprehën në favor të vazhdimit të bisedimeve, duke rrëzuar kështu mocionin, ndërsa dy kërkesa të tjera të Vetëvendosjes u miratuan. 

E para kërkon nga Qeveria të shtrijë autoritetin e vet në gjithë territorin sidomos në veri, ndërsa tjetra i bën thirrje ekzekutivit që ta informojë Kuvendin për bisedimet me Serbinë çdo tre muaj. 
 

Gjatë debatit parlamentar, dialogut i kanë dhënë mbështetje partitë e koalicionit dhe pakicat, ndërsa opozita kritikoi gjithë procesin. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerësoi se bisedimet Kosovë - Serbi nuk mund të sjellin rezultate. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se këto bisedime janë një paradoks.

_____________

 

Nga Koha Ditore

Prishtinë, 5 maj –(E plotësuar) – Parlamenti i Kosovës nuk votoi në favor të kërkesës së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë. Pas një debati, që nuk kaloi pa polemika të ashpra ndërmjet deputetëve të grupe parlamentare pozitë-opozitë, në bazë të kërkesës së Vetëvendosjes për interpelancë të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi rreth bisedimeve ndërmjet Serbisë e Kosovës, të cilësuara si bisedime teknike, deputetët me 56 vota kundër hedhën poshtë kërkesën për ndërprerje të këtyre bisedimeve. Në favor të propozimit ishin 21 deputetë, kurse 5 abstenuan. Propozimi tjetër i Vetëvendosjes që Qeveria të ndërmarrë hapa për shtrirjen e autoritetit në gjithë territorin e vendit, në veçanti në veri,  u mbështet nga 71 deputetë, 17 ishin kundër, ndërsa 1 abstenoi. Po ashtu deputetët mbështetën me 85 vota edhe kërkesën që Qeveria t’i raportojë Kuvendit çdo tre muaj për përpjekjet dhe arritjet në shtrirjen e autoritetit në gjithë territorin e vendit, kundër ishin 5 dhe 4 abstenuan. 

 

_____________

 

Nga Grupi Parlamentar i VETËVENDOSJE

Në bazë të nenit 65.9 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe nenit 44, paragrafi 1, të Rregullores së Kuvendit, Grupi Parlamentar i VETËVENDOSJE!-s, thërret në interpelancë parlamentare Kryeministrin e  Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për:

 

Të informuar Kuvendin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, për procesin e bisedimeve me Serbinë

 

Arsyetimi:

 

1.    Nga dëshmia e zëvendëskryeministres Edita Tahiri në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme dhe nga përgjigjet e saj dolën në pah të dhëna të reja për bisedimet me Serbinë.

 

2.    Sipas znj. Tahiri ka afrim të qëndrimeve me Serbinë sa i përket çështjes së regjistrave civilë, pra librave të amzës, duke pranuar gatishmërinë e saj për të marrur kopjet në vend të origjinalit të regjistrave civilë. Po ashtu, edhe në fushën e energjisë, sipas saj, ka afrim të pozicioneve drejt dakordimit për një nënkontraktor të veçantë të KEK-ut për veriun e Kosovës. Kjo tregon që këto bisedime po shkojnë drejt kompromiseve të rrezikshme dhe shumë të dëmshme për Kosovën. Mungesa e transparencës ndaj deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës për këto çështje është alarmante.

 

3.    Agjenda e bisedimeve dhe temat atje janë përcaktuar e renditur në fazën përgatitore të këtyre bisedimeve përgjatë takimeve që ka pasur këshilltari i Baroneshës Chatherine Ashton, Robert Cooper, me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me kryetarin e Serbisë, Boris Tadiq, që prej shtatorit të vitit 2010. Një sërë çështjesh jetike për Kosovën jo vetëm që nuk u bënë parakushte për bisedimet me Serbinë por nuk u bënë as tema në këto bisedime. Kryeministri Hashim Thaçi nuk ka raportuar asnjëherë në Kuvendin e Kosovës për këto takime me z. Robert Cooper dhe nuk ka deponuar kurrfarë raporti për këto takime të cilat kanë përcaktuar agjendën dhe kontekstin e bisedimeve me Serbinë.

 

4.    Znj. Edita Tahiri po i quan këto bisedime ‘dialog teknik ndërmjet Kosovës e Serbisë’ duke shtuar se kështu i quan ato edhe Grupi Ndërkombëtar Drejtues ndërkohë që pranon se Bashkimi Evropian si ndërmjetësues që është i quan bisedimet ‘dialog ndërmjet Kosovës e Serbisë’ pa cilësorin shtesë ‘teknike’. Njëkohësisht, sipas znj. Edita Tahiri, përmes këtij dialogu synohet që Serbia të tërhiqet nga veriu i Kosovës. Duke qenë se kjo assesi s’është çështje teknike, konfuzioni i këtillë do të mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë Kosovës.

 

5.    Qeveria e Kosovës dhe kryesuesja e delegacionit të Kosovës znj. Edita Tahiri qëllimisht kanë dështuar t’i ofrojnë Kuvendit të Kosovës procesverbalet dhe transkriptet e bisedimeve. Madje, ajo refuzon të përgjigjet nëse ekzistojnë ose jo ato. Për më tepër znj Tahiri, ftonte që të bëhej pjesë e bisedimeve në Bruksel këdo që kërkonte të shihte transkriptet dhe procesverbalet si zëvendësim për llogaridhënien. Një sjellje e këtillë është e papërgjegjshme dhe joprofesionale. Kryeministri Thaçi duhet të përgjigjet nëse e din a ekzistojnë apo jo transkriptet dhe procesverbalet nga Brukseli, e nëse ato ekzistojnë, atëherë të tregojë nëse i ka ato.

 

6.    Znj. Edita Tahiri pat premtuar para Komisionit për punë të jashtme se menjëherë, madje për çështje orësh, do t’i dërgojë në Komision, listën e të gjithë pjesëmarrësve dhe funksioneve të tyre në delegacionin e Kosovës për bisedime në Bruksel përfshirë këtu edhe anëtarët e grupeve punuese. Ajo nuk e bëri këtë gjer më sot. Po ashtu, znj. Tahiri nuk e përmbushi as premtimin tjetër për dërgimin me shkrim në Komision të pozicioneve të saj dhe ekipit të saj në bisedimet në Bruksel si dhe të konkluzioneve të arritura atje deri më tash. Po ashtu, ajo nuk na e solli as Platformën e premtuar për bisedime të cilën tha se menjëherë do t’ia dërgojë Kryetarit të Kuvendit të Kosovës z.Jakup Krasniqi e më pas edhe Komisionit.

 

7.    Dihet që deklarativisht dhe zyrtarisht Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi, në emër të Qeverisë së Kosovës, duhet ta sqarojë para deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës nëse e njeh ai Republikën e Serbisë. Ky qëndrim është shumë i rëndësishëm për procedimin e këtyre bisedimeve. Një gjë e tillë bëhet edhe më urgjente kur znj. Edita Tahiri para Komisionit u përgjigj në mënyrë konfuze se njëherë nuk e pranon Republikën e Serbisë e mandej se e pranon atë kur e përmend në të njëjtën fjali kur flet për Republikën e Kosovës.    

 

8.    Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se përgjegjës për bisedimet me Serbinë është Kryeministri Thaçi dhe ai duhet që personalisht të jap shpjegimet e tij para deputetëve të Kuvendit dhe popullit të Kosovës.

 

Teksti i mocionit që propozohet për votim

 

Në bazë të nenit 44, paragrafi 4, pika (d), të Rregullores së Kuvendit, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! fton deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të votojnë mocionin me rekomandimet në vijim:

 

1.    Të ndërpriten bisedimet me Serbinë

 

2.    Qeveria të ndërmarrë hapa konkretë për të shtrirë autoritetin e shtetit të Kosovës në të gjithë territorin e saj, veçanërisht në veri

 

3.    Qeveria e Kosovës të informoj rregullisht, çdo tre (3) muaj Kuvendit e Kosovës për përpjekjet e saj për të vendosur kontroll në tërë territorin e Kosovës

 

Në emër të Grupit Parlamentar: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Liburn Aliu, Albulena Haxhiu, Albana Fetoshi, Alma Lama, Rexhep Selimi, Albana Gashi, Afrim Kasolli.

 

1 Komente

A ka noi video te kesaj? Se gjith diten do ta shifsha nje C-SPAN t'Kosoves.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).