“Askush nuk mund ta dorëzojë kartën e identitetit se rrezikon të dorëzojë të dhënat personale dhe të mbetet peng i atyre që i duan shqiptarët e varfër dhe të dhunuar”. Kjo është një deklaratë e bërë nga kreu socialist, Edi Rama, para dy ditësh në qytetin e Korçës, e cila risjell në vëmendje lojën e manipulimit të zgjedhjeve. Edhe pse me një publik të mësuar me faktin se rreth zgjedhjeve përherë diçka ndodh në prapaskenë, prononcimi i kryetarit të Partisë Socialiste ka rëndësi, pasi ai duket se paralajmëron edhe skemën konkrete të deformimit elektoral që, sipas tij, po përgatitet të vihet në zbatim më 8 maj. Duket se kësaj radhe gjithçka lidhet me listat e zgjedhësve, për të cilat selia rozë ka kohë që ngre zërin.

Marrëdhënia e kartave të identitetit dhe listës qëndron në faktin se një shitje e presupozuar e dokumentit të identifikimit prodhon përmes një identiteti zyrtarisht të mirëqenë një votues të kontrolluar. Por nëse ky shqetësim mbetet ende hipotetik apo i bazuar mbi të dhëna operative që partitë zakonisht disponojnë në prag të procesit zgjedhor, shqetësimi me listat e zgjedhësve është i dokumentuar. Teknikisht skema e supozuar e manipulimit konsiston në vendosjen e emrave të personave në listën e zgjedhësve në dy qendra votimi, duke ruajtur të gjitha gjeneralitetet e veta, përveç ditëlindjes që ndryshon. Për të konfirmuar këtë gjë, mjafton të klikohet edhe në faqen zyrtare të gjendjes civile, lista e zgjedhësve e të cilit për emra të caktuar publikon dy vendndodhje votimi.

Pretendimit të ligjshëm se mund të ekzistojnë dy persona me të njëjtin emër, mbiemër dhe atësi, mund t’i sillet si kundërargument incidenca e përkimeve të kësaj natyre që jo vetëm është e madhe, por përfshin familje të tëra. Për të krahasuar këto të dhëna, Partia Socialiste ka nxjerrë një dokument të plotë, ku janë shqyrtuar 8000 emra, që vendos pranë njëri-tjetrit rekordet e kopjuara që figurojnë në dy qendra votimi, ku ndryshon vetëm ditëlindja. Vetë fakti se elementi që bën ndryshimin është pikërisht kjo e dhënë e fundit, e bën të kuptueshëm shqetësimin e Edi Ramës për kartat e identitetit, të cilin ai e ngriti si mesazh publik në Korçë. Transferimi i votuesve pra po realizohet brenda kufijve legalë, përmes pajisjes me karta identiteti të dyfishta. Të paktën kjo del nga ajo çfarë ofron lista e përpiluar nga PS-ja.

Një pyetje që shtrohet këtu është identifikimi i votuesve nga boja timbruese, për të cilën përfaqësuesit socialistë kanë kërkuar specifikime të reja dhe të dhëna plotësuese. Jashtë këtij kuadri që i problematizon zgjedhjet që tani si proces të kontestuar, një element që mbivendoset është fakti se dokumentacioni në dispozicion të PS-së dhe i hartuar prej saj, prek kryesisht Tiranën, ku edhe gara është më e fortë. Kështu lëvizjet e denoncuara edhe më parë nga selia rozë kanë një itinerar Komuna Tropojë-Paskuqan, Komuna Zall-Herr-njësia bashkiake nr. 1, Paskuqan-Bërxull, Paskuqan-njësia bashkiake nr. 4, Paskuqan-Kamzë, Kërrabë-njësia bashkiake nr. 1, Petrelë-njësia bashkiake nr. 2 etj. E thënë përmbledhtazi, manipulimi i konstatuar nga socialistët prek qendrën e vendit dhe gjen rrugë përmes lëvizjes së votuesve. Ky fakt është denoncuar edhe në prokurori, madje duke përfshirë në kallëzimin e vet edhe tre drejtues të tri njësive bashkiake në kryeqytet.

Thënë kjo, është e dukshme se përgjegjësia që buron logjikisht nga padia e PS-së, kryesisht prek përveç Drejtorisë së Gjendjes Civile edhe drejtues të pushtetit vendor, një ndërthurje që po e aktualizon platformën e manipulimit si një rrugë pa kthim dhe mbi të cilën me gjasë 8 maji do të njolloset përfundimisht.

2 Komente

 PO nuk rri Saliu, pa bere manipulime, vetem aty i rri mendja atij, vetem per te vjedhur votat dhe per te qendruar perjetesisht ne pushtet, deri sa vdekja ti ndaje......

Keta te PS kane evidentua rreth 4000 persona te dubluar (te klonuar) vetem ne listat e Tiranes, qe kane emer, mbiemer dhe emer te te atit te njejte, por ndryshojne vetem ne daten e lindjes. POr nga ana tjeter edhe farefisin per koecidence e kane te njejte. Kuptohet qe kjo eshte nje nderhyrje e paster ne sistemin elektronik te regjistrit dhe qe menaxhohet nga ministria e lulit, pra e brendeshme.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).