Këtë shkrim, do t'ju lutesha ta lexonit pasi të keni votuar. Le që, nuk besoj se ky shkrim, si shumë të tjerë do të ndihmojnë votuesin e kësaj radhe të kuptojë se kush prej kandidatëve ishte më i miri për të. Edhe këtë radhë njerëzit votuan kundër dikujt. 

Lao Tzu
Një kinez i vjetër, për të cilin nuk dihet as se kur ka lindur, Lao Cu, ka thënë: "E vetmja gjë që mund t'ju mësoj është thjeshtësia, durimi dhe dhembshuria". Këto 3 elementë neve na duken aliene. Shoqëria jonë momentalisht qëndron mbi themele krejt të tjera. Tangërlliku, arroganca dhe shkelja mbi tjetrin, janë shtyllat e shoqërisë së sotme shqiptare. Fushata zgjedhore që sapo u mbyll jo vetëm i rikonfirmoi këto vlera, mbi të cilat ngrihet shoqëria jonë, por dha sinjale të qarta që ndryshimi duket tepër i largët.
Fushata tregoi që ndërmjet elitës që ka pushtetin dhe popullit nuk ka më asnjë shtresë lidhëse. 

E VËRTETA QË NUK MBËRRIN KURRË
Mediat që duhej të ishin filtri, mbi të cilin informacioni vjen nga ata që "bëjnë lajme" tek ata që "jetojnë me lajme" falimentoi në mënyrë të pashpresë. Publiku ndoshta nuk e di që shumica e "gazetarëve" dhe "analistëve" që i mbushin përnatë ekranet e përditë gazetat, në fakt janë blerë me para cash nga politikanët. Dhe kjo nuk është frazë e përgjithshme. Ata që punojnë në media i njohin një për një kush nga gazetarët, drejtuesit e emisioneve apo analistët ka marrë lek dhe nga cili kandidat i ka marrë.

Prandaj, dhe publiku habitet sesi filani, dje fliste kështu e sot flet ashtu. Sepse publikut nuk ka kush t'ia thotë: ky "Filan", ka marrë para në dorë që të mbështesë njërin kandidat për kryetar Bashkie. Me këta gazetarë të shitur, jo vetëm lajmi denatyrohet, por dhe publiku bombardohet me ide të rrejshme teksa kandidati stoliset me rrobat e padukshme të mbretit. Më e keqja media e blerë ka ngritur tashmë një mur që fsheh turpet e pushtetit nga sytë e popullit.

SHOQËRIA KU DISA JANË MË TË BARABARTË SE TË TJERËT
Shoqëria civile, ajo që normalisht duhej të përfaqësonte të papërfaqësuarit, është një kliente e rregullt e fondeve shtetërore apo dhe private, e cila ka përgjithësisht synime modeste: të bredhë botën duke bërë pallë nëpër konferenca për mbrojtjen e njeriut, të shkollojë fëmijët në vende sa më të mira jashtë e t'i bëjë pjesë të elitës sunduese më pas, të vegjetojë në zyra të rehatshme derisa të dalë në pension. 
Shoqëria civile, ashtu si dhe media, ka bërë kompromisin e vet të turpshëm me pushtetin.

Ata që duhej të mbronin të dobëtit, konsumatorët, të paaftët, njerëzit që hiqen nga puna me lista të zeza, qytetarët që u shkelen përditë të drejtat në këtë vend apo ata që vriten me duar në xhepa në rrugë, në të vërtetë shërbejnë si fasadë imazhi. Imazh i rrejshëm që pushteti do t'u tregojë ndërkombëtarëve. Shoqëria civile, është një shoqëri tarafesh e snobësh.

GËRDEC'N'ROSES
Pika e vetme kur elita që sundon vendin takohet me popullin, është dita e votimit. Por, kjo ditë e votimit, që në mënyrë cinike konsiderohet si "dita kur flet sovrani" zhvlerësohet nga vetë "sovrani". Një popull që voton me urrejtje, një popull që voton me frikë, një popull që e ndërron votën e vet me një thes miell, me 100 euro, apo me një vend pune në administratën e atij që do të fitojë nuk është një sovran.

Një popull që voton përherë të keqen më të vogël, një popull që voton "kundër", nuk është një sovran. Është një i pangrënë që kur i lejohet të afrohet pranë sofrës tregon që nuk është vetëm i pangrënë, por dhe palarë, i paparë e i panxënë. Ne jemi ende të paaftë të jemi sovran. Ja pse, kërkesën që kam për Kryetarin e Ri të Bashkisë, dua ta bëj pas fushatës, dhe pasi ju keni hedhur votën. Sepse, siç thoshte Konfuci, "Studio të shkuarën, në qoftë se do të parashikosh të ardhmen". 

KONFUCI
Si do të jetë e ardhmja? D.m.th., a do të mbahen premtimet, do ta thjeshtonte dikush pyetjen. Hapësirat e gjelbra, parqet e lojërave, rrugët e shtruara, janë kërkesat tradicionale para kandidatit për Kryetar. Unë, nuk kam të tilla kërkesa.
Në kushtet e një shoqërie ku paraja është gjithçka, kur me para blihet mbështetja televizive, blihen veshkat e të varfërve, blihen vota, blihet seksi e blihet ajri i pastër në zona "rezidenciale", unë nuk besoj që votat për kryetarin e ri do të mund të bëjnë rezistencë ndaj elitës ekonomike në të ardhmen.

Këshillat Bashkiakë do të blihen. Projektet do të lobohen nga të pasurit. Në qytet do të ketë pemë, nëse të pasurit do të pranojnë të ketë pemë. Do të ketë rrugë të shtruara, kur ndërtuesit të kenë nevojë për t'i shtuar vlerën pallatit të tyre. Kjo nuk do të varet kurrë nga kandidatët, dhe votat do të jenë përherë politike. Elita politike prandaj është elitë. 

Elita qëndron përherë sipër, ne që votojmë gjendemi gjithmonë poshtë. Urat në mes, janë prerë. Ky është fati i një shoqërie lakuriq e të dreqosur. Hipotekat, vendet e reja të punës, tramvajet, janë filmi me Harry Potterin që popullit i jepet të shohë para zgjedhjeve. Prandaj, unë për Kryetarin e ri të Bashkisë, nuk kam asnjë nga kërkesat tradicionale. Unë kam vetëm një kërkesë. Kryetari i vërtetë i Bashkisë së Tiranës, për mua, do të jetë ai që do të fusë në funksion referendumin. Unë dua, që për çdo gjë që ndodh në këtë qytet, UNË, POPULLI, të pyetem.

NGA VILNIUS NË ZYRIH
Në Lituani votojnë me celular. Në kantonet e Zvicrës sa herë që Këshilli Bashkiak merr një vendim ua çon për konfirmim qytetarëve të vet me postë. Ata votojnë atë që u intereson, dhe votën e postojnë mbrapsht. Çdo vendim, që tek dhënia e një trualli të Bashkisë për ndërtim, tek futja e autobusëve të rinj, e deri tek ndërtimi i një shatërvani, bëhet vetëm me miratimin e qytetarëve të Kantonit.

Unë, mes Kabulit edhe Zyrihut, kam zgjedhur Zvicrën. Unë kërkoj, që populli të mos (bëhet sikur) pyetet 1 herë në katër vjet. Unë kërkoj që gjithçka që ndodh në këtë qytet ku unë jetoj, ta miratoj unë, e jo ata që jetojnë më shumë jashtë sesa brenda.

Unë kam një kërkesë të vetme e të thjeshtë: Bashkia e Tiranës të fusë frymën e referendumit për të tëra çështjet. 

Unë dua, që të tërë vendimet e Këshillit Bashkiak, jo vetë të jenë transparente, por, të bëhen me miratimin e shumicës. Unë jam gati që në këtë vend të ndërtohen trame, edhe pse unë nuk e përdor tramin; që të shtrohen rrugë, edhe pse unë mund të mos e përdor kurrë atë; të ngrihen xhami, edhe pse nuk jam mysliman; të ngrihen pallate me 40 kate, edhe pse i urrej kullat; të rrëzohen kinematë, edhe pse më pëlqejnë filmat!

Unë dua, që të gjitha gjërat që nuk i dua, të ndërtohen, edhe me taksat e mia, por jo kur këtë e vendosin elitat financiare, por kur këtë e vendosin pabuksat e tjerë si puna ime.

Unë dua, që në këtë qytet, çdo vendim të jetë referendar!

REFERENDUMI
Cinizmit të disave që ne nuk jemi Zvicra, apo mosbesimit të disa të tjerëve që populli prapë do të manipulohet edhe në këto referendume, mund t'i përgjigjem me një buzëqeshje. Ne jemi Zvicra, por vetëm për ata që jetojnë te "Kodra e Diellit". Unë dua që të jemi Zvicër dhe për ata që jetojnë te "Kodra e Priftit". Populli mund të manipulohet edhe me referendum.

Por, jam i bindur që është më vështirë të blesh një qytet të tërë sesa një këshill. Referendumi, do të bëjë që qytetarët gradualisht të kuptojnë që ata kanë vlerë. Vendim pas vendimi, ata do të njohin pushtetin e vërtetë të vendimmarrjes.

Pjesëmarrja e vazhdueshme në votimet referendare për çështjet e qytetit do të detyrojë elitën që ta marrë popullin me të mirë çdo ditë e jo një herë në katër vjet.
Referendumi, do t'i bëjë njerëzit të ndjehen më shumë qytetarë e më pak outsiders. Ata, do të quhen tiranas, jo se flenë gjumë në një banesë në Tiranë, por, se ata mund ta ndryshojnë vetë Tiranën. Referendumi, do ta bëjë qytetarin të ndjehet përgjegjës dhe fajtor. Faji, nuk do të mbetet më jetim. Referendumi, do të na bëjë ta duam e ta urrejmë këtë qytet si një produkt tonin, jo si diçka që e ndërtojnë të tjerët, e neve vetëm na lejojnë të banojmë në të.

Referendumi, do të na mësojë të mos votojmë kundër një njeriu, po kundër një interesi abuziv. Referendumi, do na bëjë të ndjehemi për herë të parë në këto 100 vjet pavarësi, vërtet qytetarë. Disave mund t'u duket një utopi. Në fakt, është kërkesa më e thjeshtë, që kërkon vetëm zarfe e pulla poste. Por, ajo që mungon, është dëshira e elitave sunduese për të mos e ndarë pushtetin, për ta mbajtur popullin trup e shpirt të sakatosur.

Kjo është momentalisht, e parealizueshme. Ata që na duan vetëm një muaj, muajin e fushatës, do të preferojnë të premtojnë anije kozmike e miliona vende pune. Por nuk do të premtojnë kurrë referendum, sepse, referendumi, ua heq pushtetin elitave e ua jep qytetarëve. Referendumi, ngjan, hë për hë, një ëndërr e largët.

Por shumë prej nesh janë akoma të rinj, dhe unë nuk kam në plan të vajtoj anës Elbë-s, anës Spree-së. Unë kam hequr dorë prej kohësh nga filozofia e votimit të së keqes më të vogël. Unë, kërkoj futjen e frymës së referendumit. Dhe herët a vonë, me dashje apo jo, me votë apo jo, do ta marr këtë të drejtë. Të drejtën për t'u ndjerë sovran. 

6 Komente

Me pelqeu ky shkrim, ndoshta sepse ishte i pari pas kaq ditesh qe e lexoj nga fillimi der ne fund. Dhe sidomos per paragrafin e pare, nuk mund te mos jem me teper se dakord me autorin. Me pelqeu nervi qe ndjeva ne te shkruar, por jo urrejtje e mllef, pashe nje njeri qe kerkon nje te drejte qe i takon ligjerisht.

5*. Le  te shpresojme se kete artikull nuk do e lexoje vetem "elita".

 Kinezi i mire Lao Cu ka thene shprehjen e bukur mbi thjeshtesine ,dhembshurine dhe durimin, per boten aziatike e cila realisht i ka si busull keto tre kualitete,kurse ne injorancen kemi mesuar ta mbulojme me arrogance dhe pompozitet.Qe ne periudhen e komunizmit dhe deri tani,zyrtare te larte,te imituar nga zyrtare te vegjel,kane krijuar komunitetin e te paprekshmve pikerisht nga kjo koperture.

Referendumi eshte demokraci e drejtperdrejte. Demokracia e drejtperdrejte e zhvesh pushtetarin nga pushteti. Ne nje vend ku jo vetem nuk pyetet populli, por edhe i fshihen popullit vendimet e marra, eshte marrezi te endrosh se mund te kete delegim te vendimeve tek populli ne formen me ekstreme sic eshte referendumi. Per pushtetaret tane do te ishte sikur te dorezonin pushtetin me deshiren e tyre!!!!

Ideja eshte fantastike, por pikerisht per kete e pamundur te realizohet ne kushtet tona!

 

 Ahh, enderra ne beze, i themi ne. Bashkiaket e zgjedhur, te pakten per çeshtjet e ndertimeve kryesore, te udhehiqen nga nje grup arkitektesh te zote, te cilet formojne ate qe quhet; Urbanistika, nje organ ku ben studimin dhe projektin e qytetit te tyre, dhe ne disa raste japin mendim edhe per komunat, kur keto te fundit i therasin per keshillim. 

ideja e referendumit gjigande!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).