Sa kushtojnë fushatat zgjedhore. Partitë politike shpenzojnë qindra mijëra euro deri në disa milionë euro për të përcjellë imazhin tek qytetarët që votojnë. Klan ka bërë një guidë të tërthortë të çmimeve të tregut të publicitetit, duke sjellë kostot e elementeve kryesore të një fushate. Sa kushton një buzëqeshje e Lulzim Bashës apo e Edi Ramës? Po ato të Sali Berishës dhe Fatmir Mediut? E Baftjar Zeqajt në Fier; Andrea Manos në Korçë; Ferdinand Xhaferrajt dhe Vangjush Dakos në Durrës; e kështu me radhë!? Por, le të kuptohemi që në fillim: E kemi fjalën për posterat që shohim përditë në rrugët e Tiranës (dhe qyteteve të tjera të vendit) prej më shumë se një muaji, tashmë! Nuk ka pikë dyshimi se pyetje të tilla mund t’jua kenë cikur disi trurin tani që zgjedhjet vendore kanë hyrë në fazën më interesante të tyre. Qoftë edhe për faktin se, të gjendura cep më cep të çdo qyteti a fshati të Shqipërisë, sigurisht me fytyrat e kandidatit përkatës të çdo zone, nga brenda mund t’ju ketë gërricur dëshira të dini, pse vallë kaq lirë shiten ato buzëqeshje të ngrira elektorale, saqë të zotët e tyre kanë pushtuar sakaq pëllëmbë për pëllëmbë vendin? Patjetër, kjo do të ishte një pyetje naive! Mirëpo, në këtë fushatë zgjedhore buzëqeshjet nuk rrinë vetëm në rrugë, ato lëvizin me autobusët e të gjitha linjave të Tiranës; varen nëpër fasadat e pallateve; dalin dhe flasin në televizor; pra, bëjnë çmos që ju t’i shihni sepse ky është misioni i tyre deri në 8 maj. E me këtë rast, ndoshta dëgjoni atë se çfarë kanë për t’ju thënë. Por, që t’ja dalin me sukses kësaj sipërmarrjeje, u duhet të shpenzojnë me miliona euro.

Klan është munduar të bëjë pikërisht këtë: Të gjejë se sa kushtojnë këto buzëqeshje. Ose e thënë ndryshe, të arsyetojë deri në njëfarë pike se sa shpenzon një kandidat për kryetar bashkie apo komune për prodhimin e materialeve promovuese dhe publicitare, pa të cilat një fushatë zgjedhore do të ishte e pamundur. Themi deri në njëfarë pike sepse është thuajse e pamundur të llogaritet saktë pagesa e çdo zëri (material a njerëzor) që përfshihet në fushatën zgjedhore, ta zëmë të Ramës dhe Bashës. Kjo do të kërkonte një punë mjaft voluminoze dhe sigurisht një investigim disa mujor, për të kuptuar realisht se sa miliona euro hidhen në tregun e fushatës dhe sa transparente janë partitë politike kur deklarojnë shpenzimet e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas përfundimit të zgjedhjeve. Por, asgjë nuk është e pamundur! Megjithatë, në këtë artikull, kurrsesi të plotë për vetë arsyet e mësipërme, do të gjeni së paku një guidë çmimesh se sa kushton qeraja mujore për reklamimin e një posteri në rrugë, e një billborderi në autostradë, një baneri të varur diku në një shtyllë apo fasadë pallat, apo veshja e një autobusi me fytyrat e kandidatëve për kryebashkiakë. Pastaj, në fund, gjithkush mund të bëjë llogaritë sipas dëshirës…

Për të kuptuar se sa transparente tregohen partitë politike dhe kandidatët për shpenzimet gjatë fushatës zgjedhore, duhet të presim mbylljen e procesit zgjedhor dhe deklarimet e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas Kodit Zgjedhor, ky proces duhet të nisë jo më vonë se 45 pas datës së zgjedhjeve dhe të gjitha partitë ose kandidatët e pavarur duhet të dorëzojnë pranë KQZ-së raportet financiare të fushatës. Legjislacioni parashikon që për fondet me vlerën e mbi 100 mijë lekëve të reja nuk do të lejohen të kalojnë në dorë ‘kesh’, por nëpërmjet një llogarie bankare, edhe në rastin kur ato dhurohen nga donatorët apo biznesmenët e ndryshëm. Mirëpo, transparenca nuk është bërë asnjëherë e plotë dhe përpos shumës që u takon me ligj nga buxheti i shtetit, shpeshherë partitë deklarojnë një shumë tjetër disi më të lartë, por që gjithmonë ende larg shumës së vërtetë të hedhur në tregun e publicitetit.

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-ës, KQZ-ja publikoi hetimin dhe formularët që shprehnin shpenzimet totale të partive gjatë fushatës. Shumat ishin marramendëse: fondet e dhëna nga buxheti i shtetit për partitë që përfaqësoheshin në Parlament kapnin shumën 179 milion lekë të reja. Por, KQZ-ja konstatoi se shuma e shpenzuar në fushatë ishte gati edhe një herë më e madhe. Pra, të gjitha partitë që morën pjesë në zgjedhjet e 2009-ës kishin shpenzuar gjithsej 366 milion lekë të reja për të reklamuar veten. Nga të dhënat e raporteve, Partia Demokratike kish bërë fushatën më të shtrenjtë duke shpenzuar plot 157 milion lekë të reja; pas saj menjëherë PS-ja me 101 milionë lekë; LSI-ja me 22.8 milion lekë të reja; Partia Republikane me 13.1 milion lekë, Partia Agrare Ambientaliste me 11.2 milion, Partia Demokracia Sociale me 10.4 milion, e kështu me radhë.

Me fillimin e garës së 8 majit u projektua se këto zgjedhje do të ishin tepër të forta, si nga ana politike, për vetë polarizimin e muajve të fundit me ngjarjen e 21 janarit, dhe nga ana publicitare, ku zakonisht fiton ai që shpenzon më shumë dhe më mirë. Kryeministri Sali Berisha mori vlerësime pozitive kur deklaroi se për zgjedhjet e 8 majit do të mbahet një fushatë në dietë, duke nënkuptuar urdhërin se ndalonte përdorimin e çdo lloj burimi të administratës shtetërore, qendrore e lokale, në funksion të fushatës dhe se veprimtaritë e saj çdo zyrtar do të marrë pjesë me shpenzimet e partisë. Është e vështirë të thuhet sot se sa është respektuar kjo! Një vit më parë, Parlamenti votoi një ligj të ri mbi kontrollin financiar të partive, duke parashikuar vetëm kontrollin mbi buxhetin e partive politike, pa u dhënë të drejtë ekspertëve kontabël të monitorojnë financimet e subjekteve politike gjatë periudhave të fushatave zgjedhore.

Pra, monitorimi i subjekteve politike do të bëhet për buxhetin total vjetor të partive, ndërkaq nuk do të jetë specifik për zgjedhjet vendore. Kjo parantezë u bë për të kuptuar se, me shumë mundësi, edhe pas mbylljes së procesit zgjedhor, vështirë se KQZ-ja do të bëjë një transparencë të plotë të asaj se sa është shpenzuar konkretisht. Organizata të tilla si “Transparency International Albania” do të ngrejnë zërin në konferencat e radhës, ku do të akuzojnë partitë dhe kandidatët për fshehje të burimeve të tyre financiare. Në fund, gjithçka do t’i ngjajë një flluske.

Por, le t’i kthehemi çështjes konkrete: atë të kostos së fushatës. Askush nuk e di (përveç organizatorëve të fushatës) sa postera, billborde, banera, reklama televizive e të çfarëdo lloji, ka prodhuar një kandidat për kryebashkiak apo një parti politike (sepse ky ngelet një informacion i klasifikuar, të cilin zor se mund të ta servirë njeri), por gjithsesi nga prania e buzëqeshjeve në rrugë dhe në kanalet televizive, na ndihmojnë të krijojmë një ide se janë prodhuar e realizuar vërtet shumë.

E fillojmë me një element që bie menjëherë në sy: Autobusët e veshur me posterat e dy kandidatëve kryesorë për Tiranën. Shumica e linjave urbane, por sidomos ajo e Unazës dhe e Tiranës së Re, i janë dorëzuar ofertave për reklama. Kandidatëve Rama dhe Basha, prenotimi i një autobusi, veç për një muaj, i këtyre dy linjave më kryesore të kryeqytetit, u ka kushtuar plot 1500 euro, pa TVSH (këtu futet vetëm vlera e qerasë, ndërsa printimi i posterit veshës llogaritet më vete). Marrja me qera e 10 autobusëve kushton pra, deri në 15.000 euro. Shuma të mëdha janë shpenzuar sidomos për marrjen me qera të objekteve reklamuese në rrugë, ose siç quhen ndryshe “city lights”. Ato janë të shpërndara në të gjitha zonat e Tiranës, në pikat më të rrahura nga kalimtarët, në hyrje dhe dalje të qytetit, dhe konsiderohen një mjet efektiv i publicitetit. Qeraja e një “city light-i” në muaj është 450 euro (pa TVSH), ndërkohë që në të gjithë kryeqytetin ka afërsisht 250 të tilla. Sikur secili nga kandidatët të ketë marrë me qera 50 të tilla, ka paguar 22.500 euro për gjithë muajin e fushatës zgjedhore. Një funksion të ngjashëm me “city light-et” kanë fituar edhe stacionet e autobusave, të cilat gjatë fundmuajit mars dhe prillit janë kthyer në reklamues të shkëlqyer të buzëqeshjeve të kandidatëve. Qeraja për të veshur me postera një stacion autobusi varion nga 700-800 euro (pa TVSH). Pra, nëse një kandidat ka prenotuar, le të themi, 20 stacione autobusi, atëherë shuma që ka paguar është 14-16.000 euro.

Por, veç këtyre elementeve, kandidatët për zgjedhjet e 8 majit kanë përdorur rëndom të gjitha mundësitë që u ofrojnë billborderat në rrugët kryesore të qyteteve, në fasadat e pallateve, në autostrada; apo posterat e formateve të ndryshëm, nga ata që ngjiten nëpër mure dhe banerat që vendosen në shtylla përgjatë rrugëve. Kompanitë që mundësojnë reklamimin e billbordeve e llogarisin çmimin e tyre në bazë të madhësisë së tij, pra me metra katrorë. Pra, një billboard me përmasa 4x3 m2 kushton 20 euro/m2, ndërsa një tjetër me përmasa 16x4 m2 (nga ata që sheh rëndom përgjatë autostradës Tiranë-Durrës) kushton 15 euro/m2. Kurse, kur bëhet fjalë për billborde të mëdhenj, për shëmbull nga ato që varen në fasadat e pallateve, pra me përmasa nga 70m2 deri 200m2, çmimi shkon në 35 euro/m2.

Pra, për një sipërfaqe të këtyre përmasave duhet të paguash nga 2500-7000 euro qera mujore, pa TVSH. Nga ana tjetër, printimi i një posteri në përmasat A3 me ngjyra, por pa përfshirë dizejnimin e tij, mund të shkojë në 2-3 euro/copa. Ndërsa, fletëpalosjet shkojnë diçka më shumë se 1 euro/copa. Por, gjithsesi, këto çmime varen shumë nga studioja e dizajnit dhe prestigji i saj, pasi çmimet variojnë dhe për përcaktimin e saktë të çmimit do të ishte e nevojshme një studim i këtij tregu. Duhet pasur parasysh se kandidatët dhe partitë politike kanë prodhuar me mijëra fletëpalosje, broshura, flajera, postera të përmasave të ndryshme, të cilat kanë një kosto që shkon në mbi 100.000 euro.


Shpenzimet e vërteta të një fushate zgjedhore bëhen në televizione. Është kjo media e cila ka edhe ndikimin më të madh tek qytetarët, çka realisht i bën kaq të lakmueshme për partitë politike dhe kandidatët e tyre. Ama, spotet publicitare kushtojnë sa qimet e kokës, pavarësisht se ky fakt nuk i tremb klientët e tyre politikanë që hidhen në betejë për të fituar votat. Është fakt se partitë politike në Shqipëri gjatë fushatës harxhojnë më shumë të ardhura për reklamat në televizionet e ndryshme, se në çdo lloj medie tjetër reklame. Sa më prestigjoz të jetë televizioni ku shfaqet reklama, aq më shtrenjt kushtojnë sekondat në transmetim. Po aq shpesh sa ndryshojnë kostot për çdo televizion, aq të ndryshme janë orët që ti zgjedh se kur duhet të transmetohet spoti yt. Që do të thotë se shfaqja e spotit në mëngjes, paraditë, pasdreke apo në mbrëmje, ka çmime të ndryshme. Mëngjesi dhe mbrëmja janë shumë të kushtueshme, përderisa ka edhe përqendrimin më të lartë të teleshikuesve. Madje çmimet ndryshojnë edhe për emisione të veçanta: pra, gjithçka varet nga numri i teleshikuesve që e ndjekin emisionin, nga ku matet edhe suksesi i tij.

Një spot i gjatë 20-30 sekonda në televizione të ndryshme mund të shkojë së paku nga 70-80 euro për një herë transmetim, deri në 1000 euro në emisione të veçanta. Duke qenë se fushata zgjat 30 ditë, shpenzimet kapin një shifër marramendëse sepse spoti mund të transmetohet mbi 10 apo 15 herë në ditë. Duke marrë një mesatare të transmetimit të spotit 12 herë në ditë, me një shumë prej 300 euro për spot, një kandidati do t’i duhej të derdhte 3600 euro në ditë ose e thënë ndryshe, mbi 100.000 euro në muaj, por vetëm një televizioni. Sigurisht, kjo mbetet një shumë e hamendësuar, pasi shuma ka tendencë të rritet me shtimin e transmetimit të spoteve në ditë.

Por, partitë nuk e përfundojnë fushatën tek reklamat televizive, billborderat, posterat, city light-et, veshjet e stacioneve të autobusave dhe këtyre të fundit gjithashtu, sepse për të organizuar një fushatë zgjedhore si ajo e Ramës dhe e Bashës në Tiranë, apo e PD dhe PS në të gjithë Shqipërinë, angazhohen shumë më tepër elementë. Të gjithë kanë një kosto. Duke filluar që nga flamurët partiakë që kundërshtarët ua djegin njëri-tjetrit, e deri tek mijëra kapele dhe bluza që u shpërndahen mbështetësve të tyre (një kapele shkon deri në 2 euro, ndërsa një bluzë diçka më shumë se 4 euro/copa). Pa harruar këtu edhe futjen e internetit, konkretisht rrjetit social Facebook. Është folur shumë mbi faktin se si kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ka arritur të ketë më shumë se 200 mijë mbështetës në Facebook, apo rivali i tij Edi Rama, afërsisht 100 mijë. Është e thjeshtë: Me anë të opsionit “Facebook advert”, ti mund ta reklamosh faqen tënde në qindra mijëra profilet e shqiptarëve që kanë një llogari në Facebook. Por, për çdo klik, Facebook të kërkon 0.18 euro shpërblim. Që do të thotë se për të pasur 100-200 mijë fansa duhet të shpenzosh 18.000-36.000 euro.

Sigurisht, Basha dhe Rama (apo të tjerë kandidatë që kanë ndjekur reklamimin online) nuk i kanë thithur të gjithë fansat në këtë mënyrë dhe rrjedhimisht nuk kanë harxhuar kaq para, por një pjesë e mbështetësve online janë fituar nëpërmjet opsionit “Facebook advert”. Mos harroni se veç shpenzimeve që u përmendën më sipër ka edhe të tjera, që kanë të bëjnë me realizimin e spoteve reklamuese, organizimin e koncerteve apo takimeve elektorale, ngritjen e çadrave etj., pa harruar atë që flitet gjithmonë në heshtje: pagesat për blerjen e një vote. Megjithatë, ne si votues, fillimisht duhet të vrasim mendjen dhe pastaj të bindemi, nëse buzëqeshjet e kandidatëve, ndonëse të ngrira, janë të sinqerta e do të mbeten të tilla.

Revista Klan 

14 Komente

falemnderit per foton e pare. c'gezim te mos jesh ne tirane!

Mos u bej egoiste se s'te rri mire dhe me trishton. smiley 

po ti foton prandaj e vure, qe te gezonim dhe ne femija smiley, se boll trishtime ndajme me ju e madje te amplifikuara.

Kushton fushata kushton,para nja tre ditesh humbi nje cante plot,po ec o burre i tha Shefi se mos i kemi me inventar,na ka ndihmu dhe koha me shi shume.

po e imagjinoja sikur te jete e vertete; me pas e ne vazhdim me ke ketu duke imagjinu' qe ajo qe imagjinova nuk eshte e vertete.

Eh, pikerisht, politika ka nje kosto monetare! Ky eshte problemi! Qe ketu, politika fillon te behet pis. Qe ketu, politika fillon te kapet nga interesat e dyshimta.

Qe kur politika filloi t'i largohej shesheve dhe i shkeli syrin televizionit dhe marketingut, pikerisht atehere politika vdiq.

Dhe nuk po flas vetem per Shqiperine. Ne jemi nje vend tejet i prapambetur dhe gati-gati primitiv, ndaj edhe fenomenet ketu verehen me qarte, por ky eshte nje problem mbareboteror. Mjafton te shikosh kasaphanen USA apo kabarene e poltikes USA.

Prandaj klasat politike anembane botes po popullohen dita-dites nga tipa... le te themi... te cuditshem.

 

Pa harruar këtu edhe futjen e internetit, konkretisht rrjetit social Facebook. Është folur shumë mbi faktin se si kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ka arritur të ketë më shumë se 200 mijë mbështetës në Facebook, apo rivali i tij Edi Rama, afërsisht 100 mijë. Është e thjeshtë: Me anë të opsionit “Facebook advert”, ti mund ta reklamosh faqen tënde në qindra mijëra profilet e shqiptarëve që kanë një llogari në Facebook. Por, për çdo klik, Facebook të kërkon 0.18 euro shpërblim. Që do të thotë se për të pasur 100-200 mijë fansa duhet të shpenzosh 18.000-36.000 euro.Sigurisht, Basha dhe Rama (apo të tjerë kandidatë që kanë ndjekur reklamimin online) nuk i kanë thithur të gjithë fansat në këtë mënyrë dhe rrjedhimisht nuk kanë harxhuar kaq para, por një pjesë e mbështetësve online janë fituar nëpërmjet opsionit “Facebook advert”.

Facebook advert nuk te sjell detyrimisht "fansa" o miku ! eshte thjesht reklame e shenjestruar ! Dmth, mua do me dali tek reklamat anash faqes, faqja zyrtare e Lul Bashes, qe une te behem fans ... por behesh apo s'behesh fans, eshte tjeter gje ! kjo varet nga ty, jo nga reklama !

Kur miqte e tu ne FB jane fan te Bashes prsh, ty te del kjo gje tek "reklamat" anash, prsh : "Filani esht fans i Bashes" .... dmth, ik behu fans dhe ti

Kjo gje ndodh me çdo prokut ne facebook, mjafton qe nje friend i joti te kete bere "like" ... por kjo s'te detyron ty te jesh fans detyrimisht!

Nejse, meqe ra fjala per Facebook-un ne fushate, po ju informoj se Basha organizon neser nje interviste tjeter online me fansat e tij, ku secili mund te shtroje pyetjet e tij.

 

Të dashur miq, Lulzim Basha do të jetë përsëri bashkë me ju drejtpërdrejt në Facebook, nesër, datë 5 Maj në orën 11:30 AM.
Dërgojini pyetjet tuaja për të, në diskutimin "Takim me Lulzim Bashën - 2

Aman, vetem per kete uroj mos kete harxhuar shume.

 I did not know that Che Guevara was running in this election! smiley

 Shpenzimet per reklamat politike, mua mu duken shum te larta. Kjo tregon se partite kryesore, notojne ne para. Tani po kuptoj une se pse ishte zhdukur leku nga tregu, dhe kish filluar tregtia me klering (mall me mall), ndersa listat shtoheshin neper dyqane, per buke e vaj. 

Eh... sikur keto miliona te ishin perdorur tamam ne sherbim te popullit, njerezit do ishin shume te lumtur kur te shkonin te jepnin voten e tyre!

aj uont sam of dhous milljens. smiley

Xhast sam? Dont ju uont dhem oll? smiley

nga bohet tak ngjela se spo ja degjojme zerin fare smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).