E festuar me ulërima triumfale në Shtetet e Bashkuara, vrasja e Bin Ladenit krijon më shumë hutim sesa qartësi, më shumë marramendje se lehtësim. Historia që rrëfen shumë pak ngjan me çfarë po ndodh efektivisht në botë: është pjesë e një lufte kundër terrorit që Perëndimi nuk po e fiton në Afganistan e nga e cila do të donte të dilte, pa pasë ndrequr dot asgjë. Si operacion, ajo nxjerr në dritë natyrën e turbullt, vdekjendjellëse të aleancës mes ShBA dhe Pakistanit: një fuqi, kjo e fundit, që e përdor terrorizmin kundër Afganistanit dhe Indisë dhe që, për vjet me radhë (pesë, sipas Salman Rushdie) e ka mbrojtur Bin Ladenin. Madje e ka mbrojtur deri në atë shkallë sa ta lejonte të ngrinte, në Abbottabad, një shtëpi sanktuar, 800 metra larg qendrës kryesore stërvitore të ushtrisë pakistaneze.

Por operacioni fsheh dy të vërteta edhe më të thella, të lidhura mes tyre. E vërteta e parë është evidente: Bin Ladeni ishte i vdekur tashmë politikisht, i nxjerrë jashtë loje nga trazirat e ndryshme në vendet arabe; dhe mizoria e ekzekutimit të tij i përgjigjet një Lindjeje të Mesme dhe një Islami artificial, të vjetëruar, që ende ka mbetur në mendjen e Washingtonit. Terrorizmi mund të gjallërohet, edhe pse Amerika, së cilës iu vranë mijëra qytetarë në Kullat Binjake, me të drejtë feston dhënien e drejtësisë nëpërmjet hakmarrjes. Njëlloj si në filmin M – Përbindëshi i Dyseldorfit, vrasësi u ndëshkua, por mungon skena e fundit: ajo në të cilën një dorë e fuqishme e rrok fajtorin, e nxjerr nga skena e ekzekutimit dhe e shpie në sallën e gjyqit. Fjala që ia vë vulën filmit të Fritz Lang është: “Në emër të ligjit.” Është ajo formulë performative që nuk u dëgjua, në Abbottabad. Me kremtimet tona ndoshta kemi kontribuar në transfigurimin e M – Përbindëshit të Al Qaedës.

Përveçse i vdekur politikisht, Bin Ladeni ishte bërë irrelevant, para se të vritej. Celulat që i kanë mbijetuar nuk kanë, në fakt, nevojë për ndonjë kapo, që të veprojnë. Megjithatë, dëshira e tij për të farkëtuar një Islam botëror kishte marrë fund tashmë. Bota arabe dhe myslimane duket se i ka hyrë, që prej dhjetorit 2010, një rruge që ndahet rrënjësisht nga vizioni që ai kishte për Islamin, për pavarësinë dhe dinjitetin arab, dhe demokracinë perëndimore. Revolucioni arab nisi me një ngjarje, në Tunizi, që ai do ta kishte refuzuar: vendimi i një të riu arab për të protestuar kundër regjimit duke vrarë veten, por jo duke mbjellur vdekje si kamikaze, me përfytyrimin e ferrit jashtë vetes.

Terrorizmi si metodë emancipuese nuk ka më hapësirë në kronikat e sotme, sepse objektivi i tij strategjik perceptohet, nga miliona arabë, si vetë rrënja e së keqes: si akt që ia shpronëson pushtetin qytetarit të zakonshëm, duke e shndërruar në njeri lakuriq, të infantilizuar, të nxitur për veprim nga frika. Duke ngjallur panik, akti terrorist e bllokon emancipimin nga poshtë, pikërisht sepse vepron në emër të popullit, por jo nëpërmjet popullit. Një pjesë e madhe e Islamit nuk e ndoqi këtë rrugë, pas 11 shtatorit; dhe aq më pak e bëri të vetën ëndrrën e një kalifati teokratik botëror, që kultivonte Bin Ladeni. Kryengritjet arabe e vranë këtë para amerikanëve, me forcat e veta dhe martirët e vet: në Tunizi, Egjipt, Jemen, Siri, Marok, Libi. Sheshet nuk u zgjuan me fjalën e tij, për arsyen e thjeshtë se Bin Ladeni nuk kishte investuar në zgjimin e tyre, por në gjumin e tyre dhe, në më të shumtën e rasteve, në vdekjen e tyre (Al Qaeda ka vrarë më shumë myslimanë se jo-myslimanë, sipas një studimi të botuar në dhjetor 2009 nga Combating Terrorism Center e West Point-it).

E vërteta e dytë lidhet ngushtë me të parën dhe ka të bëjë me luftra amerikane dhe europiane pas 11 shtatorit. Terrorizmi dhe luftrat imperiale kundër terrorit kanë qenë, gjatë këtyre viteve, vëllezër binjakë; dhe të dyve bashkë tani po u merren këmbët. Kanë ushqyer njëri-tjetrin ndërsjelltazi, derisa të vijnë e t’i ngjajnë njëri-tjetrit. Lufta kundër terrorit, që sot ka korrur fitore në një prej betejave të veta, është e njëjta që ka prodhuar Guantanamo-n dhe Abu Ghraib-in: burgjet pa proces gjyqësor, torturën e banalizuar. Pasi rrëzohen kufijtë e të mundshmes, shkruan Clausewitz-i, është shumë e vështirë t’i ngresh sërish: në fakt, as Obama nuk e gjeti dot forcën që ta mbyllte Guantanamon. Ndoshta as ka hequr dorë nga tortura, siç la të kuptonte zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Philip Crowley, para se të jepte dorëheqjen në 13 mars të këtij viti. Të hënën, në BBC, Crowley nuk përjashtoi që të jetë përdorur tortura për të nxjerrë informacion, nga të burgosurit në Guantanamo, për vendin ku fshihej Bin Ladeni. Në vigjilje të dorëheqjes, kishte folur për tortura dhe keqtrajtime të ushtarit Manning (fajtor që i kishte ofruar dokumente WikiLeaks), në burgun e Quantico-s, në Virginia. Pa pritur procesin, Obama tha, në 21 prill: “Manning ka shkelur ligjin.”

Fred Halliday, studiues i njohur i Lindjes së Mesme, ka shkruar në 2004 se në qendër të modernitetit tonë ekziston kjo bashkëfajësi mes terrorizmit dhe eksportimit të demokracisë nga jashtë: “Të dyja ua kanë imponuar me forcë politikat dhe vizionet e veta popujve që konsiderohen si të pazotët për të mbrojtur veten, duke shpallur virtytet e veta historike botërore dhe duke iu referuar projekteve politike që ato vetë i kanë përcaktuar.” Halliday përfundonte: “Terrorizmi mund të mposhtet vetëm në qoftë se moderniteti do ta lërë mënjanë këtë arrogancë qendrore” (evidente në kolonializmin e djeshëm sikurse në terrorizmin e sotëm) (Opendemocracy, 22 prill 2004).

Të dy këto lloje dhune ndaj popujve (terrorizmi dhe lufta kundër terrorizmit) janë bija ideologjish apokaliptike që nuk pyesin për realitetin. Popujt që duhej të ishin “shpëtuar”, kanë treguar se dëshirojnë të kujdesen për veten pa pasur nevojë për Zërin e Padronit. Edhe ata janë gati të vdesin, por pa e glorifikuar vdekjen, si kamikazet. Pa atë që Unamuno e quajti, gjatë luftës civile spanjolle, “kushtrimi nekrofil” i kujt kish zgjedhur për moto “¡Viva la muerte!”. Vrasja e Bin Ladenit është një tjetër shelbim i ardhur nga jashtë, që të zë sytë.

E megjithatë, ka ardhur koha për të hapur sytë, edhe për europianët që zakonisht i venë pas Amerikës pa fjalë. Koha për të kuptuar pse superfuqia ShBA ka tërhequr kaq shumë urrejtje ndaj vetes. Çfarë është perverse te urrejtja, në fakt, është që ajo gjithnjë fsheh një varësi, një admirim sekret, një nevojë për tjetrin, qoftë ky idhull apo Satana. Lufta kundër terrorizmit nuk filloi në 11 shtator 2011, njëlloj sikurse lufta e parë botërore nuk filloi me atentatin në Sarajevë. Fillon me luftën e ftohtë, kur Washingtoni vendosi që të luftojë kundër ekspansionit sovjetik me çdo mjet: duke ndihmuar regjime autoritare, madje edhe duke financuar dhe nxitur radikalizmin islamik në Afganistan.

Le të mos e harrojmë këtë, kur dëgjojmë Obamën të shpallë se dëshironte “t’ia dorëzonte Bin Ladenin drejtësisë” (bring to justice) pikërisht në momentin kur po e ekzekutonte. Gjatë luftës sovjetike në Afganistan, Reagan-i i quante muxhahidinët jo xhihadistë, por luftëtarë të lirisë (freedom fighters). E megjithatë, dihej se ishin terroristë dhe asgjë më tepër. Në një intervistë lëshuar Nouvel Observateur më 15 janar 1998, këshilltari i Carter-it për Sigurimin Brzezinski, tregon se si Washington-i i ndihmoi xhihadistët kundër qeverisë prosovjetike të Kabulit, në korrik të vitit 1979, ose gjashtë muaj më parë se të ndërhynte Bashkimi Sovjetik. Ndërhyrja e Kremlinit u provokua qëllimisht, “për t’i shkaktuar një Vietnam” politik-ushtarak. Brzezinski nuk është bërë pishman për këtë ndihmë ndaj terroristëve të ardhshëm, dhe gazetarit të skandalizuar i përgjigjet: “Çfarë ngre më shumë peshë në historinë botërore? Talibanët apo kolapsi i perandorisë sovjetike? Ndonjë mysliman i ndërkryer tek-tuk, apo çlirimi i Europës Qendrore dhe fundi i Luftës së Ftohtë?”

Janë deklarata të tilla që të pështjellojnë, të marrin mendtë. Gjithë këta të vdekur – në NYC, Madrid, Londër; në Tanzani, Kenia, Indonezi, Indi, Pakistan – sa peshë ngrenë, në Planet e Mëdha të superfuqive? A ia vlejnë ekzekutimin e një njeriu të vetëm? A kanë ndonjë dobi politike? Fjalë si ato të Brzezinski-t dëgjoheshin rëndom në diskursin komunist: por për demokracitë janë helm. Dhe nëse janë kështu punët, pse na kanë thënë, atëherë, që lufta kundër ndonjë terroristi mysliman të ndërkryer tek-tuk ishte lufta kritike, e pafund, madje nëna e të gjitha luftrave? Bin Ladeni ishte përbindëshi i Frankenstein-it që e fabrikuam me duart tona: në vitet 1970-1980 gur shahu në lojrat e mëdha euro-ruse; në shekullin XXI, armik ekzistencial.

Të rinjtë protagonistë të revoltave arabe kërkojnë diçka krejt tjetër: jo ndonjë armik ekzistencial (e kanë pasur këtë për dhjetëvjeçarë me radhë: Amerikën dhe Izraelin), por kushtetuta pluraliste, ligje të barabarta për të gjithë, ndarjen e pushteteve. Nuk është e thënë që t’ia arrijnë: i kërcënon despotizmi, duke filluar nga ai integralist. Por, për t’u mbrojtur nga demoni i Frankenstein-it, nuk mundemi veçse të shpresojmë në ta. 

Botuar në La Repubblica

Marrë nga Peisazhe të Fjalës

22 Komente

Bin Laden ishte terrorizem

Terrorizmi nuk eshte Bin Laden

sa kollaj e marrin edhe keta. po sikur te jete qe ky bini i ladeneve te ishte me i miri nga terrorristet? po sikur ky te ishte ai qe i mbante ne fre? kjo me tremb ta vazhdoj e mbylla.

 Kaq te zgjuar per politike keta italianet dhe 20 vjet po me Berlusconin ne krye mbeten. Gjynah.

Tjeter gje ajo, PF, se t'i futesh asaj rruge ne US u votua Bushi jo nje po dy here.   

Por, po pate deshire kuptohet, e vazhdojme biseden mbi gjera konkrete te shkrimit smiley.

po bushet kater here monda. tashti nga bushet ka ngel pa u bere president nipi.

Tre here, Bush baba ishte president nje here.

 E festuar me ulërima triumfale në Shtetet e Bashkuara,

Ne fakt perkthimi tamam tamam nga italishtja do duhej te ishte: "E festuar me thirrje triumfale..", jo "e festuar me ulerima triumfale". Thirrja eshte nje gje, ulerima eshte nje gje tjeter. Barbara te artikulli flet per "grida", jo per "urla". 

katallani, me duhet te pranoj qe s'i kushtova rendesi "semantikes" ne perkthim, por me interesuan idete e shkrimit.  Perkthyesi qe ma dha "me paralajmeroi" qe perkthimi ishte bere shpejt e shpejt.  Megjithate "gridare" ka per sinonim "urlare" dhe per rrjedhoje ekuivalentin perkates. 

Sa per ceshtjen e festimit ne vetvete, me britma, thirrje, ulerima a si te duash ta perkthesh, edhe ne shtypin amerikan e me tej, ka pasur kendveshtrime te ndryshme, kritike.  

Monda, ti rrofsh qe na e solle edhe perkthyesit/es rrofte qe e perktheu ne rradhe te pare. Ne lidhje me idete e shkrimit, festuesit qe pashe une ne tv ishin shumica studente 18-20 vjecare qe gjeten nje rast tjeter per nje party, as me shume as me pak. Shumica e njerezve ne rrethin tim te pakten nuk festuan gje, thjesht u lehtesuan. Ne lidhje me punen e kapjes gjalle, sikur edhe nje nga ata ushtaret qe u derguan te ishte vrare si pasoje e urdhrit per ta kapur te gjalle, une do e kisha quajtur deshtim operacionin. Edhe po ta kapnin te gjalle. Po te imagjinosh skenen, Obama do dilte e do thoshte: "e kapem te gjalle, po nje ushtar i yni u vra". Megjithe idete mbi demokracine e mbi te drejtat e njeriut, kur vjen puna te implementimi i tyre, ka edhe ca ligje te tjera qe futen e te veshtiresojne punen, plumbi psh u bindet ligjeve te fizikes smiley. Per ate punen se cfare dinte Osama edhe cfare s'dinte e mund t'u nxirrte te sekretet ne gjyq prandaj e vrane, jane hipoteza naive sipas meje. Osama ka pas 10 vjet kohe qe te nxjerre sekretet e nuk i ka nxjerre. Pse do i nxirrte tani ne gjyq? Cfare do thoshte psh? Nuk e bera une 11 shtatorin? Apo, kisha lidhje me CIA-n dhe e bera se ma urdheroi CIA? Kur imagjinoj skenat e nje gjyqi te tille kam akoma me shume marramendje se ato qe ka Barbara Spinelli tani. 

- Bin Laden, je i akuzuar se ke vrare 3000 e kusur njerez, si deklarohesh?

-Jam i pafajshem, zoti gjykates, e ka bere CIA. Ose ose: - Mire bera, ju infidels keni shtypur myslimanet, keni shpallur lufte ndaj gjithe myslimaneve, etj etj etj. Pasuar nga thirrje per gjithe vellezerit myslimane te ngrihen ne lufte.

Mu kujtua Miloshevici ne Hage tani, qe e perdori sallen e gjyqit per propagande. Edhe vuuuu pjesa nacionaliste serbe: shife shife Miloshevic trimin si po hedh valle ne goje te ujkut. Jam shume i bindur se nje gjyq i tille do e kishte ndezur situaten me shume. Plus, gjyq farse do ishte, se me vdekje do e denonin prape se prape. Apo mund te benin gjyq me dyer te mbyllura psh, po cfare kuptimi ka gjyqi pastaj? Shume marramendje me kete skenarin e gjyqit.

"The cost of bin Laden: $3 trillion over 15 years"

e pabesueshme!!!!!

Nothing personal. It's just business. smiley

... ose sic do thoshte Berlusca: "muoviamo l'economia"!!

mire mer olsib mire po halli eshte se po qe just business mos po na gjejne shpejt e shpejt nai osame tjater se qeka pune me leke kjo... amkuptove???

Te kuptova shume mire.

Po nuk eshte e thene qe te gjejne nje Osama tjeter. Taktikat qe padronet e Amerikes dhe te gjithe botes perdorin per "te shkundur ekonomine" dhe per te rritur koleksionin e aseteve te tyre, jane nga me te shumellojshmet.

Ti shiko pershembull cfare ndodhi fale te ashtequajtures Krize Ekonomike te 2008-es qe s'ishte gje tjeter vecse nje vjedhje sistematike dhe e ligjeruar e popullit te thjeshte nepermjet "retorikes" financiare e bankare.

Une nuk e kuptoj se c'i duan gjithe keto asete keta qelbesira! Sikur edhe 7 jete te kishin si macet prape nuk do t'iu duheshin te gjitha keto.

 

ej po keta tonet ketu nuk po i marrim vesh se cfare u duhen kaq miliona euro e dollare qe kan vjedh, e jo ekonomine e hajneva te medhej botnore. nuk i hyj aq thelle me teorive te komplotit se ku i dihet se ku del muhabeti.

po ky rasti i osames si shume i nderlikuar se tashti na doli se paska jetuar 800 metra larg i baze ushtarake pakistaneze. po amerika pakistanit i ka bere dhoro nja ca dhjetra miliarda qe ta luftonte kete e ate. ne mos qindra miliarde. tani na doli edhe gruja 27 vjecare qe nuk e japkan pakistanezet se eshte nga jemeni. po prape si ato marifetet ekonomike te 2008 qe thua ti, ai varrimi ne det per respekte gjithe muslimaneve kudo qe ndodhen, m'u duk i cik jo aq i "perpunuar". si shume zbukurime, helikopteri qe ra, six team tashti na doli 50 veta. nje here ishte me kallash osama nje here pa. jo po urdheri per ta vra, jo po po te ishte laskuriq. shume e ngaterrume.

por ama kishin thene para nje jave alkaeda se po ta vrisnin osamen do plasnin nje bombe atomike diku ne europe. tani kjo si ishte?

Petlla, keto nuk jane me teori komploti. Mbase ishin nje here e nje kohe. Por sot, keta tipat jane aq te sigurte qe ja kane arrit me budalleps aq shume njerezit saqe nuk preokupohen me qe te mbulojne veprimtarine e tyre kriminale.

Kush ka sy per te pare, kush ka nje minimum intelekti e mbi te gjitha kush nuk ndjek televizionin, e sheh qarte se si eshte sajuar bota ne te cilen jetojme.

Njerezimi pati nje lloj qetesie pas tmerrit te 2 luftrave boterore, por me mbarimin e luftes se ftohte duket se po rikthehet prape atje ku ishte.

Na rrofshin gjithe ato perpjekje e gjithe ai gjak i derdhur.

e deshperuese duket, po si themi ne nuk vdes njeri per buke ne shqiperi! edhe i fusim nje te qeshme. ashtu duket sic e shkruan ti, po jemi shtu shum i themi ne knej kur bohet keq muhabeti edhe nuk dime t'i japim zgjidhje, (jo zgjedhje). hajt se me mire do behet mjaft qe njera nga palet qe do humbe ta pranoje kesaj rradhe humbjen se jane ngref shume keq njerzit e jane te mbush keq. kriza ekonomike ka bere te veten edhe sic e di edhe vete ne ne pergjithsi besojme te komplotet masoniko - amerikano-ruseo-kinezo-cifuto-myslimano-katolike uhhhh, ket e keme trashegim nga ato vitet para 1990. na duhet nje armik i pamposhtshem qe te kemi arsye te luftojme ose te qahemi, edhe kur ky armik nuk ekzston, ose ekziston po ne nuk e gjejme se ku eshte, atehere e shpikim.

O petlla! Po ta perseris edhe nje here: nuk kane lidhje fare teorite e komplotit ketu.

Provo te shikosh dokumentarin (Cmim Oskar 2011) "Inside Job" per t'u sqaruar persa i perket te ashtequajtures "Krize ekonomike"! Por edhe per vjedhjet e tjera nuk eshte e veshtire qe te informohesh.

Ato qe shkruajta nuk kane lidhje me zgjedhjet ne Shqiperi. E mora shkakun nga komenti yt per triliardat e lojes "Kush e kap Osamen".

Tung! smiley

 Artikull i bukur dhe kuptimplote. Autoria i rendiste mire argumentat e saja. Ne fakt e prisja nje artikull te tille, nje reagim te tille. Ne shume pika, autorja bashkohej me mua. 

Përveçse i vdekur politikisht, Bin Ladeni ishte bërë irrelevant, para se të vritej. Celulat që i kanë mbijetuar nuk kanë, në fakt, nevojë për ndonjë kapo, që të veprojnë. Megjithatë, dëshira e tij për të farkëtuar një Islam botëror kishte marrë fund tashmë. Bota arabe dhe myslimane duket se i ka hyrë, që prej dhjetorit 2010, një rruge që ndahet rrënjësisht nga vizioni që ai kishte për Islamin

dmth qe prej dhjetorit 2010 sherbimi sekret italian i ka nxjerre nga borderoja talebanet apo cfare?

 swed1, nuk e kuptoj se ç'lidhje ka sherbimi sekret italian me talibanet. Autorja flet per revolucionin ne boten arabe, qe s'ka te beje me islamin por me lirine/vrijheid, revolucion qe i gjeti te papregatitura vendet e industrializuara (botes pare), dhe qe i fshiu planet e CIA-s dhe Pentagonit. 

Lufta kunder terrorizmit eshte lufte per zemrat e mendjet.Armet nuk vrasin vetvetiu duhen gishta qe te terheqin kembezen dhe keto gishta komandohen nga trute.Ceshtja shtrohet nese keto tru do te mbushen per se mbari apo per se prapthi me idete e mullaheve.

Revolucionet arabe tregojne forcen transformuese te  teknologjise.nepermjet smart phones dhe internetit te rinjte arabe mund ta njohin boten e te verteten vete dhe jo dorazi neprmjet imameve ekrstremiste.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).