Kur media shqiptare publikoi skandalin tjetër në morinë e pafund të skandaleve të qeverisë (mirënjohje medias e shtypit) lidhur me një kontrate që qeveria shqiptare paska lidhur në prill të këtij viti me kompaninë amerikane “Padesta Group” duke i dhënë asaj 720 mijë dollarë që nuk dihet se për çfarë, unë po diskutoja për   këtë me disa miq këtu në Uashington, D.C.  –Shqipëria qenka më e pasur se Amerika përderisa paska aq para për t’i shpenzuar kot, aq më tepër në këto kohë të vështira, - më thanë ata si me mosbesim për atë fakt që po u tregoja.

 

As unë nuk mund ta kuptoj se si është e mundur që qeveria shqiptare të lejohet të abuzojë në mënyrë aq flagrante me paratë e një populli fukara. Qeveria shqiptare është mbase qeveria më e papërgjegjshme në glob edhe për abuzimet me fondet publike, siç e tregon edhe kontrata në fjalë, edhe prishja e mbikalimit te “Zogu i Zi” ku u harxhuan miliona euro, edhe koncerte e aktivitete partiake që  paguhen nga qeveria, apo edhe abuzimet galopante me të ashtuquajtura rikonstruksione godinash, zyrash, sallash, prishje e shkatërrime objektesh me vlera historike e arkitekturale dhe qindra shembuj të tjerë abuzimesh. Duket qartë se shqiptarët janë një popull që ulin zverkun ndaj qeverisë që e vret, e skllavëron, e shtyp dhe varfëron në mënyrën më brutale në këtë shekull e mijëvjeçar të ri.

Por le të ndalemi te kontrata e lobimit. Për çfarë vallë do të lobojë kompania amerikane? Dihet se Amerika ka qenë e mbetet mik i madh i popullit shqiptar (por jo i qeverisë së inkriminuar) dhe për këtë nuk ka nevojë të lobohet. Amerika dhe Perëndimi ia dhuruan anëtarësinë në NATO Shqipërisë pra edhe për këtë nuk ka nevoje lobimi. As ndonjë ligj për Shqipërinë nuk po diskutohet në Kongresin Amerikan. Për nxitjen e turizmit dhe investimeve amerikane ka institucione shtetërore e joshtetërore si në Amerikë ashtu edhe Shqipëri që po e bëjnë këtë. Për më tepër këto nuk bëhen me kompani lobimi e kompani mashtruese. Pra, pse të harxhohen paratë e shqiptarëve për të pasuruar kompani të huaja që majmen sidomos me paratë e regjimeve diktatoriale (edhe kompania e zgjedhur nga Berisha ka përvoja të tilla), regjime që  sot, me përjashtim të Shqipërisë, kanë filluar të shemben me shpejtësi të paimagjinueshme?

Vetëm diktatorët i shpërdorojnë paratë e popullit për të lobuar për të ruajtur karrigen e tyre dhe Berisha është një ndër ta. I bëj apel medias që të rrisë presionin ndaj institucioneve të luftës kundër korrupsionit dhe ndaj Parlamentit që ato të fillojnë sa më parë hetimet për këtë abuzim tjetër galopant të qeverisë me fondet publike. Ndërkohë, besoj se do të ndërmerren hapat e duhur që kjo çështje të hetohet edhe nga institucionet përkatëse këtu në Uashington, D.C.

Mendoj se dy janë qëllimet që Berisha kërkon të arrijë përmes kësaj kontrate, pavarësisht se çfarë shkruhet në të (gjithashtu mbetet për t’u hetuar nëse ka edhe vjedhje të fondeve publike duke përdorur si manovër e maskë këtë kompani).

Së pari, ai synon të marrë garanci nga qeveria amerikane që ai të mos ndiqet penalisht për aktin terrorist të shtetit më 21 janar ku u vranë katër dëshmorë të demokracisë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Gjithashtu, synohet që të bëhen manovra me qëllim që  qeveritarët të mos përgjigjen penalisht për korrupsionin e tyre. Me këtë nënkuptoj se Berisha kërkon që të krijojë përshtypjen se ai ka mbështetjen e plotë amerikane e ndërkombëtare dhe se askush nuk mund ta vejë para përgjegjësisë ligjore. Më tej, ai mbase po kërkon që qeveria dhe institucionet amerikane të ndikojnë në organet e drejtësisë në Shqipëri që të merren e harxhojnë kohë me gëzhojat, plumbat, filmimet, ekspertimet, të pyesin ca gardistë e qytetarë, deputetë dhe pjesëtarë të tjerë të opozitës, por të mos marrin në pyetje dhe të pandehur Sali Berishën që vetë e pohoi publikisht se kishte dhënë urdhër për të qëlluar mbi demonstruesit dhe se ishte gati të vriste edhe qindra të tjerë.

Në fakt, edhe tani pas më se tre muajsh nga ai krim shtetëror prokuroria nuk ka marrë në pyetje as Sali Berishën, as zyrtarë të tjerë të lartë që në fakt duhej të merreshin të parët në pyetje.  Edhe denoncimet për korrupsion të zyrtarëve të lartë ose po neglizhohen, ose po zvarriten hetimet që mbase edhe mund të mbyllen me manovra procedurale (uroj që të mos jetë kështu).

I bëj thirrje medias ta denoncojë fuqishëm këtë strategji kriminale të qeverisë dhe Sali Berishës ndërsa prokuroria duhet të kryejë me përkushtim, kurajë e ndershmëri detyrën që i është besuar. Disa thonë se prokurorët kanë frikë nga Berisha. Atëherë unë them se prokurorë e gjyqtarë frikacakë nuk mund ta kryejnë misionin e tyre dhe mbase do të ndihen më të qetë e më mirë në avokatinë private.

Së dyti, fakti se kjo kontratë e pandershme dhe abuzuese lidhet një muaj para zgjedhjeve të 8 majit, dëshmon se Berisha kërkon të blejë patjetër miratimin dhe njohjen e zgjedhjeve të 8 majit nga Departamenti Amerikan i Shtetit, BE, OSBE-ODIHR dhe institucione të tjera ndërkombëtare në një kohë që mazhoranca në qeverisje synon dhe po bën të gjitha përpjekjet që t’i manipulojë e falsifikojë këto zgjedhje. Pra Berisha paguan qindra mijëra dollarë (mbase pagesa të tjera miliona euro e dollarë nuk janë zbuluar ende) nga paratë e taksapaguesve shqiptarë që OSBE-ja, qeveria amerikane dhe Bashkimi Europian të bëjnë atë që bënë me zgjedhjet e 2009-s, pra edhe zgjedhjet e 8 majit t’i konsiderojnë si të rregullta dhe sipas shumicës së standardeve ndërkombëtare, edhe nëse zgjedhjet janë të manipuluara dhe falsifikuara. Disa deklarata të ndërkombëtarëve shumë dite para zgjedhjeve që u bëjnë thirrje partive të njohin rezultatet e zgjedhjeve, por pa theksuar se do të njihen vetëm zgjedhje sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare, mund të krijojnë përshtypjen se janë në linjën e strategjisë së Berishës.

Unë dua të besoj se Berisha gabon nëse mendon se Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Presidenti Obama do të blihen me para për të mbrojtur një qeveri vrastare e të korruptuar të Sali Berishës dhe për të quajtur të rregullta zgjedhje të manipuluara e të falsifikuara. Nëse ngjet ndryshe, unë, veç hapave të tjerë që do të ndërmarr, deklaroj që sot se do t’ia bëj të njohur Presidentit Obama se për këtë shkak ai nuk do ta ketë më mbështetjen dhe votën time në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Nëse ndonjë mendon se kjo nuk peshon gjë në zgjedhjet presidenciale, po u them se nuk është aspak ashtu.

Sot më shumë se kurrë më parë në Shqipëri qëndrimi ndaj zgjedhjeve të 8 majit është një test për vetë ndershmërinë e qeverisë amerikane, Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, OSBE-së, ODIHR-it, shoqatave që do të vëzhgojnë zgjedhjet, ambasadat e huaja dhe ndërkombëtarët e tjerë në Tiranë.

Interesat e Shqipërisë kërkojnë që populli të mos njohë e pranojë zgjedhje të manipuluara e falsifikuara edhe sikur të gjithë ndërkombëtarët t’i certifikojnë e njohin zgjedhje të tilla si zgjedhje të rregullta, çfarë do të përbënte edhe fyerje, injorim dhe denigrim për ne shqiptarët dhe Shqipërinë. Shqiptarët e ndershëm nuk duhet të vonohen më as edhe një minutë që të vendosin vetë standarde të larta për zgjedhjet e tyre dhe pavarësisht se kush i falsifikon e manipulon, ata nuk duhet t’i pranojnë por duhet të protestojnë fuqishëm. Nëse ndonjë ndërkombëtar vjedhjet, manipulimet dhe falsifikimet e zgjedhjeve edhe më 8 maj do t’i konsiderojë standarde demokratike, kjo është punë e tyre, por që nuk do ta detyrojë më popullin shqiptar të bëjë të njëjtën gjë. Dhe kjo nuk është kundërvënie apo anti-asnjë ndërkombëtari, por luftë për të mirën e Shqipërisë, për parimet e demokracisë, për zgjedhje sipas gjithë standardeve europiane, për vendosjen e shtetit ligjor.

Kjo kontratë e qeverisë dëshmon veç të tjerash edhe se sa e frikësuar dhe në ethe është qeveria “Berisha” për humbjen që duhet të pësojë në zgjedhjet e 8 majit dhe se sa shumë i tremben Berisha dhe disa qeveritarë të tjerë daljes para organeve të drejtësisë për krimet dhe korrupsionin që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë. Arsyeve të shumta që kanë shqiptarët për të votuar kundër korrupsionit marramendës të qeverisë që edhe e vret e varfëron popullin, u shtohet edhe abuzimi me këtë kontratë lobim-mashtrimi me vlerë qindra milionë lekë.

Unë i nxis të gjithë votuesit në Shqipëri që të shkojnë të votojnë në zgjedhjet e 8 majit dhe të mos bëhen vegla të qeverisë dhe pushtetit për të falsifikuar e manipuluar zgjedhjet. Me votën e tyre shqiptarët (përfshi këtu edhe njerëzit e ndershëm që janë anëtarë a simpatizantë të së ashtuquajturës e djathta) duhet që më 8 maj t’ia shkurtojnë jetën qeverisë vrastare e të korruptuar, duke mundësuar kështu një Shqipëri më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre.

8 Komente

 Jo vetëm se është i papërgjeshëm por dhe se i korruptuari mendon se të gjithë korruptohen shto këtu dhe mundësinë e ndarjes së parave me kontratë .Shkurt hesapi se si Enveri harxhonte para për grupe e parti Komuniste (për mbështetje ndërkombëtare ) dhe Sala kërkon mbështetje ndërkombëtare kundër shqiptarëve me paret e shqiptarëve. 

Kur thirret ne kateder Zefi, do thote se sigurimsat ( ishspiunet) jane ne grahmen e fundit.

Zbritja e Zefit ne fushe eshte senjal se kriminelit Alia i ka hyre frika se po humb Tiranen.

 I shkreti Zef,e ka more molli per Atdheun,pa ik Sala ky nuk vjen ne Atdhe,pse? ka fryke i shkreti,se kush i ka thone se me te kap Sala me ndonje cep ka me te shkep ne dru.

Zefi sikur erdhi ne atdhe si drejtor i USAID a dicka e tille.

Lumidrin & Brad,

Sipas jush, kushdo qe shan Berishen, o eshte frikacak, o histerik (si ajo profesoresha tek artikulli tjeter), ish-sigurims. E keni pyet veten ndonjehere, qe Zefi mund te kete te drejte, ne pikat qe ngre? A e lexuat artikullin, apo sa pat Zefin i hoqet vize.

Perdorni ndonjehere llogjiken, kuptohet nqs keni!

 

Thefi nuk eshte frikacak, eshte bashkpuntor i Alise, liroi nga burgu kater terrorist, ku ju gjeten arme ne shtepi, gjoja per tu mbrojtur nga terroristet shqiptare, thua se vrasjet ne Peshkepi i kishin bere shqiptaret e jo greqerit.

Thefi , ishprofesor drejtesie nen rregjimin hoxh-alia, iku ( sa dollar mori , nuk e dime) ne amerike, nga frika apo nga deshira per te shijuar jeten, ate e din Thefi.

Thefi hodhi poshte punen e palodhshme te atyre djemve qe duke vene edhe jeten ne rrezik, mendonin per ruajtjen e vendit tyre nga terrorist greqer, ku te mos ndodhte me Peshkepi.

Ndersa per Floren, lexo komentet qe kam bere, po e perseris un jam me Floren, me guximin e saj qytetar, ti drejtohet politikaneve "vrases".

Çfare minister rendi, eshte ky Basha, kur po digjej kryeministria, nuk ka guxim te hyje tek kasollja e galigatit ku eshte i fshehur komandanti legjendar, djali i Kristaqit qe ka firmosur vdekjen e poetit Avzi Nela, dhe ta kap prej zhelesh çarapkuqin, " eja deli zot ketyre qe ke paguar per te shkaterruar e djegur" , pse fshihesh si nje diktator.

Kur nuk ke kurajo ti sherbesh se mires, natyrisht do i sherbesh se keqes.

Une Bashen e kam " zet" ( si i thojne andej nga jugu) sepse jam i sigurt, sikur te mos binte rregjimi diktatorial,  do kishte qene nje komunist teper i zellshem.

 

 Rama s'eshte çarapkuq, zadrimor dmth. Kshq mos na ofendo ne zadrimoret smiley

 Me 720 mij dollare , qeveria mund tu subvenciononte naften shum fermerve, gje qe do i sherbente shtimit te prodhimit bujqesor. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).