Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Presidencë një grup të rinjsh, drejtues dhe përfaqësues të Parlamentit Rinor shqiptar.

Pasi e falenderuan Kreun e Shtetit për pritjen e rezervuar, Drejtuesja e Parlamentit Rinor, zonjusha Griselda Qosja dhe përfaqësuesi Rigels Demollari bënë një pasqyrë të shkurtër të aktiviteteve e projekteve të forumit të tyre kombëtar, si dhe të problematikave, objektivave e angazhimeve të vazhdueshme: “Zoti President, ne do të donim të shprehnim mirënjohjen tonë dhe vlerësimin tonë të thellë në lidhje me kontributin tuaj në mbrojtjen e shtetit ligjor dhe në përmirësimin e klimës politike në Shqipëri!

Gjithashtu ju falenderojmë që na mundësuat këtë takim, në të cilin ne mund të shprehemi dhe të ngremë shqetësimet tona, të cilat sigurisht do të donim që ju të mund t’ua adresonit edhe partive politike në Shqipëri. Ne kemi ndjekur me vëmendje fushatën politike dhe fatkeqësisht kemi vënë re që një pjesë e mirë e problemeve tona nuk kanë gjetur një artikulim rigoroz dhe ndër të tjera nuk është paraqitur një plan i saktë apo konkret për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Ju falenderojmë për ftesën dhe që na nderuat që ne të përfaqësojmë zërin e të rinjve këtu ! Gjithashtu në vazhdim të asaj fushatës politike do të dëshiroja të shtoja që ne si organizatë rinore jemi shumë të indinjuar për faktin se fëmijët dhe të miturit po përdoren si dekor për të mbushur sallat apo podiumet elektorale. Ne e dënojmë ashpër këtë akt edhe duke u mbështetur në Konventën ku shteti ynë është bërë pjesë, mbi të drejtat e fëmijëve dhe ky abuzim qëndron paralelisht me krimin, trafikimin dhe keqtrajtimin e fëmijëve.

Ne kërkojmë nga ju, me pozicionin tuaj sovran t’u bëni thirrjen partive politike që të ndalen të paktën dhe këto ditë që kanë mbetur për përdorimin e fëmijëve në fushata gjithashtu dhe ndalimin nga mësimdhënia ! Të mos merren fëmijë nga shkollat dhe të dërgohen në salla elektorale, sepse devijojnë rrugën e arsimimit dhe i japin fëmijëve një rrugë drejt mentalitetit të ashpërsisë politike.“

Presidenti Topi, nga ana e tij, duke shprehur kënaqësinë për takimin me të rinjtë, vlerësoi punën dhe angazhimin e suksesshëm të Parlamentit të tyre duke theksuar: “Së pari, dëshiroj tju falenderoj që keni ardhur këtu në Institucionin e Presidentit, t’ju përgëzoj dhe t’ju inkurajoj për misionin tuaj si Parlament Rinor!

Natyrisht që jam i informuar për projektin tuaj, jam i informuar për progresin tuaj. Unë besoj që nisma juaj e mbështetur edhe nga organizata ndërkombëtare edhe nga institucionet shqiptare është një nismë, e cila duhet patjetër mbështetur. Takimi me ju bëhet në vigjilje të zgjedhjeve të rëndësishme të 8 majit, që sikurse dihet, janë zgjedhje për pushtetin vendor. Ndryshe nga zgjedhjet e përgjithshme politike këto konsiderohen zgjedhje administrative, por janë mjaft të rëndësishme, sepse janë zgjedhje, të cilat rinovojnë institucionet e kryetarëve të bashkive dhe komunave, rinovojnë parlamentet lokale, të cilët konsiderohen qoftë këshilla bashkiakë ashtu edhe komunalë dhe besoj që është një moment shumë i rëndësishëm që duke biseduar me ju të kemi mundësi të japim dhe mesazhe për partitë politike, për njerëzit që janë angazhuar në fushatë, për kandidatët, për stafet, por në radhë të parë për publikun.

Shqipëria është një vend me një popullsi relativisht të re. I parë në këtë këndvështrim, besoj që kontributi i të rinjve dhe i formatuar në këtë rast, tek Parlamenti Rinor, merr një rëndësi të veçantë kështu që dhe kjo vizitë dhe ky takim i yni, fatmirësisht i asistuar gjerësisht edhe nga media, i jep një rëndësi të veçantë edhe mesazhit që del jo vetëm nga goja e Presidentit, por mesazhi që vjen edhe nëpërmjet interesimit, vëmendjes dhe shqetësimit tuaj.

Padyshim që ne kemi pritur që zgjedhjet e datës 8 maj të jenë zgjedhje sipas të gjitha standardeve. Ju i keni ndjekur edhe mesazhet e herëpashershme që kanë dalë nga kjo Zyrë. Padyshim keni parë dhe interesimin e jashtëzakonshëm, edhe të partnerëve ndërkombëtarë, mesazhet e tyre, dhe është thënë që zgjedhjet e 8 majit do të jenë shumë të rëndësishme edhe në një tjetër këndvështrim, jo thjesht për të rinovuar institucionet, për të rritur kualitetin e tyre, por për të pasur mundësi që të demonstrojmë që ne dimë të bëjmë zgjedhje të mira, të rrisim standardin e këtyre zgjedhjeve, sepse është një moment shumë i rëndësishëm edhe për rrugën që ka Shqipëria drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Pra duket sikur këto fjalë janë konsumuar shumë, thuhen takime pas takimesh, thuhen edhe sot, por natyrisht që janë fjalë që duhet të nguliten mirë në mendjen, në radhë të parë të partive politike. Çdo qytetar në Shqipëri, çdo institucion ka kontributin e vet, por në radhë të parë, kontributi për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme është tek partitë. Performanca e partive, e kandidatëve të tyre do të bëjnë të mundur që ne të marrim notë pozitive, që kur të hartohet Raporti i Komisionit Evropian të kemi një vlerësim pozitiv dhe jo vlerësime, të cilat janë të një natyre shumë relative. Përmenden momente pozitive, por jepen edhe mjaft momente, të cilat nevojiten që të përmirësohen.

Ne kemi parë dhe vazhdojmë të shohim një përballje të ashpër, ndoshta jo dhe aq shumë të kandidatëve midis tyre, por të stafeve, por kjo është një veçori e këtyre zgjedhjeve, por edhe të përfaqësuesve të medias. Media është një instrument i jashtëzakonshëm i demokracisë. Jo rastësisht ai quhet pushtet, sepse nëpërmjet medias partitë politike, institucionet përçojnë tek shoqëria këndvështrimet e tyre, por edhe vetë institucionet marrin nga publiku nëpërmjet medias perceptimin. 

Unë natyrisht që jam President i Republikës, por jam edhe qytetar. Jam qytetar i Tiranës që në mënyrë të pandashme jam i interesuar si institucion por jam i interesuar dhe si qytetar dhe besoj që këtë lloj perceptimi, këtë lloj ndjeshmërie e ka çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, pavarësisht ku jeton, jeton në një qytet të madh, jeton në një qytet të vogël, jeton në një komunë. Çdo njeri ka nevojë të delegojë votën tek pushteti, por ka nevojë që të asistohet edhe nga pushteti, sepse çdo njeri kërkon që të ndërtojë një jetë gjithnjë e më të mirë. Unë kam konstatuar personalisht, dhe padyshim që vjen në sens kritik : ashpërsi në komunikim, retorikë të ashpër, e cila transmetohet tek ambienti publik në mënyrë të tillë që vjen e përkthehet edhe në momente dhune. Pra ajo që është e papranueshme në realitetin tonë është përdorimi dhunës, pavarësisht nga votimi, por ajo që është shumë e rëndësishme dhe dëshiroj ta ndaj me ju sot dhe ta përcjell tek politikanët, tek ata që angazhohen drejtpërdrejt me stafet e kandidatëve, tek vetë kandidatët, pavarësisht se konkurojnë për bashki apo komuna, që të injektojnë një klimë të qetë në përmbyllje të fushatës.

Unë personalisht do të dëshiroja të mos kishim një përballje tifozësh, se shohim që ka më shumë protagonizëm të tifozëve, ka më shumë protagonizëm të analistëve të medias se sa të kandidatëve drejtpërdrejt. Kjo është një eksperiencë botërore, ky është një model perëndimor që kandidatët në përgjithësi shpalosin vizionin e tyre, idetë e tyre.

Unë nuk dëshiroj që të kuptohem apo të nënkuptohem në mënyrë të njëanshme, por dëshiroj të jap një mesazh, i cili është shumë parimor. Para dy ditësh, unë mora pjesë në ceremoninë e Lumturimit të Papa Gjon Palit II, një figurë botërore jo vetëm fetare, por një figurë që u përket të gjithëve. Iu referova këtij momenti, sepse nga kjo figurë ka dalë një sentencë e jashtëzakonshme, që ka të bëjë në radhë të parë me ju, me rininë. ‘Guxoni të thoni të vërtetën, sepse e vërteta është baza e lirisë, dhe liria është baza e demokracisë’! Pra, në rast se ne nuk do t’i themi gjërat ashtu siç janë, atëherë do të lëmë të tjerët që ta përpunojnë sipas interesave të tyre. Ne duhet ta themi të drejtën dhe unë e vlerësoj këtë takim për të pasur një mundësi më shumë për të thënë një të drejtë, që është e drejta e perceptimit të publikut. Unë do të kisha preferuar që për çdo qytet, pa marrë një qytet konkretisht, të mos kishte thjesht një debat midis kandidatëve, të kishte disa, sepse problematika e një qyteti nuk mund të mbyllet thjesht në komunikim me qytetarët, qoftë fizikisht, – gjithsesi ai është shumë i rëndësishëm, – por duhet të ketë përplasje të vizioneve, përballje të vizioneve. Në rast se ne mendojmë që i mbyllim këto me një debat, edhe atëherë themi që kemi pamjaftueshmëri. Duhet të ketë disa debate. Fatkeqësisht, kjo periudhë e fushatës elektorale iku pa debat. Njerëzit e kanë këtë mundësi. Pra, roli i jashtëzakonshëm i medias të jep mundësinë që nëpërmjet ekraneve televizive të kesh mundësi që duke u përballur disa herë kandidatët midis tyre, të japin vizionet specifike për qytetin. Pra, një qytet është shumë dimensional. Nuk mund të diskutosh thjesht për infrastrukturë. Njerëzit nuk kanë nevojë vetëm për rrugë, që gjithsesi janë shumë të rëndësishme. Njerëzit kanë nevojë për shërbime, pra mund të diskutosh për politikat e shërbimeve. Mund të diskutohej për infrastrukturë rrugore, mund të diskutohej për artin, kulturën, që është një dimension i jashtëzakonshëm shpirtëror i qytetit, mund të diskutohej për sportin. Njerëzit janë të ndjeshmërive të ndryshme. Mund të diskutohej për jetën sociale në qytet. Mund të diskutohej për të moshuarit. Mund të diskutohej për politikat specifike për rininë, por edhe të rinjtë nuk mund të merren në bllok, sepse veçoria e moshës është e tillë që kërkojnë patjetër një vëmendje të kualifikuar, specifike. Pra, them fatkeqësisht, sepse jemi në përmbyllje të fushatës. Ne nuk mund të japim leksione ‘ex catedra’ nga institucioni për kandidatët. Secili e shpalos vetë, secila parti e shpalos vetë, por unë kam rastin të shpreh një perceptim qoftë timin personal, qoftë tuajin që ju e shprehët, por edhe të qytetarëve që unë kontaktoj çdo ditë, të gjithë kanë nevojë të informohen në mënyrë reale, sepse sa më shumë zhurmë të bëhet, aq më shumë kakofoni krijohet. Dhe sa më shumë kakofoni, aq më shumë të paqartë mbeten qytetarët. Ndryshe diskutohet në një auditor, ndryshe diskutohet në një stadium. Ndryshe mund të diskutosh në një sallë koncertesh, ku detyrohesh të ngresh zërin. Është momenti që të diskutojmë me zërin e arsyes, sepse mjaft gjëra janë bërë për së mbari, por shumë gjëra duhet të bëhen më mirë.

Qytetet, sikurse thashë, kanë shumë dimensione, shumë interes. Kur ju thashë që do të diskutohet edhe për aktivitetet bazale funksionale të bashkive dhe të komunave, do të diskutojmë edhe për çështje që ne, në gjuhën e komunikimit të përditshëm, e akuzojmë politikën. Kanë kaluar momente, të cilat ne bëjmë sikur nuk i shikojmë, bëjmë sikur nuk i dëgjojmë, por në fakt është pjesë e ndjeshmërisë publike. Vetëm këto ditë diskutohet edhe për ndjeshmëri të njerëzve të cilët shkojnë nëpër stadiume. Do të thoni ju, ‘po na prekni një pjesë të aktivitetit njerëzor dhe sentimental të publikut’, por është pjesë e sentimentit të publikut të qytetit. Kur politikanë të veçantë shkojnë fusin hundët dhe deri tek interesat e sportit, kjo e parë thjesht në sipërfaqe, duket pa rëndësi, por është shumë e rëndësishme, sepse futesh pikërisht në mënyrë të padrejtë për të prishur rregullin në një veprimtari, e cila i takon qytetarit. Kjo pastaj ndodh edhe nëpër ambiente të tjera, ku unë sapo u shpreha, ku vendin e parë duhet ta kenë ata që konkurrojnë. Është komoditet i madh që të fusësh të tjerët të diskutojnë për ty. Jo, je vetë ti që ke marrë përgjegjësinë të konkurrosh, të japësh vizionin tënd për qytetin. Dhe kur ta kërkosh votën, të kesh respekt për votën. 

Por mesazhi më i rëndësishëm është për të gjithë njerëzit, të cilët janë në rolin e spektatorit, pra që i dëgjojnë, por kanë rolin e jashtëzakonshëm, sepse janë kontributorët direkt të demokracisë, të votës së tyre. Nëpërmjet këtij takimi, unë dëshiroj edhe njëherë të ripërcjell tek të gjithë shqiptarët që kanë të drejtën e votës, që ta respektojnë datën 8 maj. Është votë e tyre. Një votë duket sikur është shumë pak, por në demokraci një votë është shumë e rëndësishme, sepse votë pas vote jepet verdikti i qytetarëve. Dhe kjo përkthehet jo në interesin e atyre që do të ulen nëpër kolltuqet e këtyre institucioneve, por përkthehet në besueshmërinë që duhet të kenë qytetarët për ata që do t’i drejtojnë. 

Dhe një mesazh do të doja ta jepja për të gjithë ata që konkurrojnë për këshillat bashkiakë dhe komunalë. Duhet të ndihen më shumë. Të futesh në listën e Këshillit Bashkiak nuk është thjesht një dëshirë e një shefi partie. Jo, është përgjegjësi, sepse sipas Kartës së Autonomisë Vendore, që unë uroj që ata që konkurrojnë ta kenë asimiluar fillimisht, të kuptojnë se çfarë është. Edhe ata që janë në përbërje të trupave të këshillave bashkiakë të kuptojnë se çfarë është Karta e Autonomisë Lokale për të kuptuar se sa të rëndësishëm janë, sepse kam patur rastin të evidentoj, që futen, kalojnë katër vite dhe nuk dinë ç’është Karta e Autonomisë Lokale. Nuk kuptojnë se sa i rëndësishëm është roli i tyre në pushtetin vendor për të parë që pushteti vërtet në letra është i decentralizuar, por në realitet ka shumë probleme. E specifikova rolin e këshillave bashkiakë, sepse qytetet në këtë 4-vjeçar kanë demonstruar fizionomi të ndryshme. Ka pasur qytete që kanë arritur konsensusin në trupat e këshillave bashkiakë, ndonëse ato janë projektime politike të partive, por koshienca e tyre ka dominuar mbi emocionet partiake, sepse vendimet e këshillave bashkiakë janë shumë të rëndësishme për jetën e qytetit. Dhe përfytyroni sa absurde do të tingëllonte, në rast se ne do të mendonim që, një rrugë, një rrugicë do të ishte i një krahu partiak dhe një rrugicë tjetër i një krahu tjetër. Jo, qyteti këtu e ka bukurinë. Demokracia këtu e ka bukurinë. Në një qytet, në një pallat, bile-bile ka raste në Perëndim, edhe brenda një familjeje, interesat, vizionet janë të ndryshme, janë të diferencuara. Dhe bukuria e demokracisë është që secili mendon ashtu siç e percepton ai mjedisin dhe politikën, por është shumë e rëndësishme që kanalizimi i votës të bëhet në mënyrë korrekte dhe sjellja të jetë qytetare. 

Janë të papranueshme rastet e dhunës. Dhuna nuk tregon asgjë tjetër, tregon vetëm injorancë. Shqipëria e vitit 2011 nuk duhet të ketë raste dhune. Në rast se dhuna, si episod i izoluar mbetet pjesë e ekzekutimit të injorancës së një individi, do të uroja që të mos ketë asnjë lloj suporti të karakterit politik, sepse kjo do të bëhej pastaj totalisht e rrezikshme për demokracinë. Ne kemi pak ditë para datës 8 maj. Unë i them të gjithëve që të përmbajnë veten. Njerëzit e dinë fare mirë, sepse ka një koshiencë kolektive me një traditë dhe eksperiencë 20-vjeçare. Vërtet ishin problemet në ditët e para të demokracisë në Shqipëri, por mbas 20 viteve, njerëzit e dinë, kanë koshiencën e tyre për t’u motivuar, për të shkuar për të votuar, për të zgjedhur njeriun që ata duan. Dhe asgjë, në një terren artificial nuk duhet të denatyrojë demokracinë! Kjo është arsyeja që të gjithë ne jemi të motivuar për t’i dhënë këto mesazhe dhe ky mesazh jepet në radhë të parë nga rinia, nga ju, që jeni shpresa reale e një të nesërmeje me rregulla të plota të funksionimit të demokracisë dhe të shtetit ligjor, sepse keni mundësi të shkolloheni në kushte të tjera, të merrni leksione demokracie qysh në fillim, të dini të ekspozoni në mënyrë të civilizuar, të dini të jepni mendimet tuaja hapur, pa asnjë lloj autocensure, dhe e nesërmja në këtë mënyrë do të jetë më e mirë. Vetëm duke pasur ide të qarta, duke shpalosur të vërtetën, por duke pasur respekt për atë që keni përballë, vetëm ashtu do të kemi respekt për institucionet dhe për shtetin ligjor. Ju e keni parë, aty ku flitet me zë të lartë, e ke shumë të vështirë të dallosh argumentin, të dallosh arsyen. Aty ku flitet në mënyrë të qytetëruar, në fund fare mbaron debati, kundërshtarët politikë i japin dorën njëri-tjetrit dhe është publiku ai që i gjykon. Këto janë eksperienca që nuk i krijojmë ne për së pari. Këto janë eksperienca që vijnë nga bota perëndimore dhe fatmirësisht, ne kemi rastin t’i shohim, duke filluar nga kandidatët për presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që vërtet kanë vizione të ndryshme, por në fund fare, secili prej tyre mendon për Amerikën, mendon për institucionet, mendon për lirinë, mendon për demokracinë. Të mos japim shembuj që nuk janë për një vend evropian. Mëria nuk duhet të jetë për një qytetar të Evropës! Jo! Forca e argumentit të bën që të fitosh, por edhe po nuk fitove, duhet të mendosh që ky është verdikti, duhet ta pranosh! 

Pra, edhe njëherë, unë ju falenderoj që erdhët. Ju inkurajoj! Do të keni gjithmonë mbështetjen e këtij Institucioni, sepse modeli i ndërtuar prej jush në mënyrë të fortë, të qartë qysh në fillim, do të garantojë që edhe e ardhmja do të jetë më e fortë, për t’i shkuar asaj fjale që ne e kemi shumë të bukur, që ‘Fillimi i mbarë është gjysma e punës’. 

Edhe njëherë urimet më të mira! Faleminderit edhe përfaqësuesve të medias!”

 

9 Komente

Së pari, dëshiroj tju falenderoj që keni ardhur këtu në Institucionin e Presidentit, t’ju përgëzoj dhe t’ju inkurajoj për misionin tuaj si Parlament Rinor!

 

Por mesazhi më i rëndësishëm është për të gjithë njerëzit, të cilët janë në rolin e spektatorit, pra që i dëgjojnë
 

 

Unë nuk dëshiroj që të kuptohem apo të nënkuptohem në mënyrë të njëanshme, por dëshiroj të jap një mesazh, i cili është shumë parimor

 

Fjale te menchura nga goja e Presidentit! smiley

presidenti i republikes le te behet nje here burre tirm dhe te tregoi me gisht korupsionin qe ka pushtuar ate toke te vogel dhe pastaj te takohet me goca te reja.

K'tij fjalimi i duhet kthy me laps ne dore per pikat e sermit qe kullon!

 

sa më shumë zhurmë të bëhet, aq më shumë kakofoni krijohet.  

 

smiley

O Bomo, tani qe e mblodhe pak vehten nga shpullat e frymorit, kerkoji pak llogari prokurorise per zvarritje te hetimeve si per 21 janarin, ashtu dhe per kaseten e kokemodhit. Apo thuj cpo te duhet se te egersohet prape frymori! Apo ke haru se je president mer *oqe? 

Qiqra ne hell.  Inflacion fjalesh.  E wool-in-three.

Parlament rinor, president dhe llafolloge:

http://www.balkanweb.com/kryesore/1/fushata-e-pd-nxenesit-e-vaqarrit-detyrohen-te-lene-mesimin-61526.html

Nxënësit e shkollës 9-vjecare dhe të mesme në Vaqar janë detyruar të lënë 3 orët e fundit të mësimit, pas urdhërit që iu është dhënë nga mësuesit dhe drejtori i shkollës për të marrë pjesë në mitingun e kryetarit aktual të komunës Vaqarr, Skënder Drita, i cili është njëkohësisht edhe kandidati i Partisë Demokratike për këtë komunë. Nxënësit e shkollës bëjnë me dije se iu është kërkuar të lënë orët e mësimit dhe të marrin pjesë në miting.

“Na kanë thënë në shkollë se duhet të dalim jashtë se kishte një miting sot në orën 14:00”, shprehet një nxënës.

_____________

O Rinia, nuk behen keto pune me sajdisje.  O Rini.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).