Në këtë intervistë dhënë mbrëmë kryeredaktorit të gazetës "Shekulli", Dritan Prifti bën një analizë interesante të fushatës elektorale dhe flet mbi raportet politike dhe personale me aktorët kryesorë të politikës së sotme. Ish-ministri i vënë në qendër të interesit publik pas publikimeve shumë të rëndësishme të akteve korruptive në qeveri, personalisht është angazhuar në këtë fushatë në dy komuna të Fierit. "Do t'i fitoj të dyja", - thotë me bindje, pavarësisht se të paktën një prej tyre njihet si një nga bastionet e PD-së. 


Z. Prifti, në fillim të fushatës elektorale ju dhatë një intervistë për "Shekulli"-n dhe parashikuat një fitore të PS në Tiranë dhe gjithë vendin. Tani që fushata po përfundon, mendoni të njëjtën gjë?

Unë parashikova që, nëse fushata do të ishte politike dhe nuk do të përqendrohej në emra apo luftë kandidatësh, PS i fitonte zgjedhjet. Fushata filloi me luftë kandidatësh dhe emrash të përveçëm, dhe dukej se PD kishte avantazh, madje kjo reflektohej edhe në Tiranë. Më vonë, PS e kuptoj kurthin e një fushate administrative për emra të përveçëm, dhe filloi t'u fliste votuesve politikisht.

PS filloi të fliste për varfërinë e skajshme që ka pllakosur shqiptarët anë e mbanë; për diktaturën e re që po lind nëpërmjet presioneve për të hequr njerëzit nga puna nëse nuk votojnë PD; për dështimin e qeverisë Berisha në 6 vjet që drejton vendin; për korrupsionin galopant që varfëron çdo shqiptar çdo ditë e më shumë; për mungesën e vizionit për të qeverisur vendin nga PD-LSI; për vrasjet politike të pazbuluara; për krimin ordiner që lulëzon; për bujqësinë e braktisur nga shteti; për vrasjet e 21 janarit etj., etj. 

PS filloi të tallej me premtimet fantastike të Berishës, kur në 6 vjet nuk është bërë asgjë. PD filloi të humbte qetësinë duke inspiruar akte të dhunshme ndaj kandidatëve të PS dhe opozitës. Raste të shumta manipulimesh me listat e votuesve u bënë publike.

Pa dashje PD filloi të tregonte para shqiptarëve një fytyrë të dhunshme, duke i kujtuar sërish vitin 1997. Këto zhvillime tregojnë se zgjedhjet po i fiton PS dhe opozita. Pra, unë besoj se opozita do t'i fitojë këto zgjedhje politikisht, dhe në shumicën e bashkive dhe të komunave të vendit.


Po garën e Tiranës si e perceptoni?

Lul Basha ka bërë një fushatë të mirë dhe të qetë. E filloi më mirë se Edi Rama, se dukej që kishte kohë që përgatitej. Edi Rama nuk e kishte vendosur prej kohesh nëse do të rikandidonte vetë, dhe nuk ishte përqendruar tek gara e Tiranës. Basha bëri një fushatë teorike, të tipit amerikan, me projekte të gatshme të parapërgatitura dhe me regji të rreptë ku kontrollohej çdo fjalë. 

Ky stil me kaseta të bëra me regji dhe kontroll të rreptë, pa lejuar median e lirë të ishte prezent dhe pasqyronte fushatën si e gjykonin ato, bëri që Lul Basha të bënte "armiqësi" të panevojshme në disa media, shoqëruar me mungesë pasqyrimi disa ditësh. Kjo ishte një kosto e madhe për Bashën, jo vetëm karshi mediave. Kjo i tregoi elektoratit që Lul Basha nuk është i sinqertë, nuk është i hapur dhe transparent, sepse kërkon të montojë dhe zbukurojë fushatën e tij jashtë realitetit. 

Vrulli i fillimit i Lul Bashës është zbehur shumë këto ditë të fundit të fushatës. Megjithatë, unë mendoj se Basha ka bërë një punë të lavdërueshme në këtë fushatë, por unë po të isha në vend të Berishës, pas vrasjeve të 21 janarit, nuk do të kisha zgjedhur Lul Bashën për kandidat për Tiranën. Pavarësisht ka apo jo faj Lul Basha për vrasjet, vrasjet u bënë me armët e shtetit, dhe Ministri Brendshëm ka faj moral, nëse jo penal. Kandidatë si Bujar Nishani apo Myqerem Tafaj do të ishin më të përshtatshëm për Tiranen.


E keni ndjekur "Shekulli"-n me botimet mbi pasurinë dhe të kaluarën e errët të kandidatit të PD-së për Tiranën?

E kam ndjekur. Pranoni një përgëzim për profesionalizmin dhe thellësinë e investigimit. Më ka ardhur keq që Basha nuk përgjigjet vetë për këto fakte. Ato janë të rëndësishme për një politikan në zgjedhje. 


Po për Ramën çfarë mendoni?

Edi Rama ka hyrë në lojën e vet ditët e fundit. Përgjegjësia e Ramës është më e madhe se ajo e Bashës. Rama si kryetar i PS ka gjithë Shqipërinë, për te konkurruar. Rama filloi me një kosto fushatën, koston e rikandidimit për herë të katërt. Në Shqipëri kjo quhet kosto, kurse bota demokratike këtë e quan avantazh elektoral. Bota e vlerëson eksperiencën, pjekurinë dhe historinë në punë, kurse për ne kjo është konsumim që sjell kosto. 

Në Amerikë rikandidimet fitohen në rreth 90% të rasteve. Janë të pafund rastet e senatorëve apo kongresmenëve mbi 80 vjeç. Bile edhe kur 80-vjeçarët i ka larguar partia e tyre, ata kanë fituar si të pavarur. Megjithatë, për Ramën rikandidimi solli fillimisht një kosto. 

Por Rama e luajti bukur kartën e eksperiencës, e një personi të provuar për suksesin e tij. E vërteta është që Edi Rama, me gjithë defektet e tij, e ka sjellë Tiranën në Europë, gjatë 11 vjetëve si kryetar bashkie. Tirana e PD u kioskëzua në mënyrë të shëmtuar. Tirana e PD i ngjante Afrikës primitive, kurse pas fitores së Edi Ramës në vitin 2000, Tirana filloi të hynte në Europë.

Tirana u asfaltua, u gjelbërua, u zbukurua, u zhvillua me blloqe të reja banimi modern. Tirana është bërë një qytet me infrastrukturë moderne, një qytet ku bashkëjeton i moshuari dhe i riu, dhe ku të gjithë kanë hapësirat e tyre. Tirana do të ishte dhe më e bukur nëse pushteti i Berishes nuk do ta bllokonte në 6 vjet qeverisje.

Të gjithë e mbajnë mend si në 2005-n, menjëherë pasi Berisha rierdhi në pushtet, prishi "Zogun e Zi", pastaj bllokoi KRT-në e Tiranës, duke bllokuar zhvillimin e qytetit. Pastaj u bllokua Unaza e Madhe, pastaj u bllokuan zhvillimet tek Liqeni etj., etj. Edi Rama në 11 vjet kryetar bashkie, vetëm 5 vjet ka punuar i qetë. Në 6 vjetet e fundit ai ka pasur në kurriz Berishën edhe Metën. 

Edi Ramën në këtë garë e favorizon puna e mirë që ka bërë për Tiranën e sotme. Por Edi Rama ka një plan për ta bërë Tiranën një qendër interesante ballkanike. Projekti fantastik i qendrës së Tiranës po ecën shpejt. Qendra e Tiranës ka qenë më e dëmtuara nga konflikti Rama-Berisha. Rama e fitoi dhe këtë betejë.

Qendra e Tiranes po i kthehet qytetarit, po i kthehet argëtimit dhe turizmit, dhe po i largohet trafikut dhe ndotjes. Me përfundimin e qendrës së re të Tiranës, Edi Rama do t'i kthehet Unazës së Madhe, Tramvajit të ri, hapësirave më të mëdha të gjelbra, parqeve të reja brenda qytetit, shkollave të reja etj. Njerëzit e dinë se di Rama punon. Unë votën time e kam për Edi Ramën.


Çfarë ka ndodhur me ju? Dikur e keni kritikuar fort Edi Ramën?

Unë e kam kritikuar Edi Ramën politikisht ose për të meta personale, asnjëherë për punën e tij. Hapini dhe rilexojini gjithë intervistat e mia. Unë kam qenë gjithmonë i kënaqur për punën e Edi Ramës në Tiranë. Unë jam njeri objektiv, dhe nuk mund të hedh poshtë një gjë që e shohin të gjithë.

Edhe Lul Basha nuk e ka hedhë poshtë punën e Ramës në Tiranë. Unë e kam sulmuar Edi Ramën politikisht duke qenë në opozitë me atë, nga pozitat e LSI apo mazhorancës qeverisëse. Lufta politike gjithmonë ka ekzagjerime. Rama më ka sulmuar mua me ekzagjerime, dhe unë kam bërë të njëjtën gjë ndaj tij.

Për çudinë time, Edi Rama ka ndryshuar pozitivisht edhe si njeri. Ndryshe nga 10 vjet më parë, sot ai mua më duket normal. Është njeri që ne biseda private flet për nënën e tij, për gruan e tij, për vëllanë e tij. Është njeri që të dëgjon dhe të merr mendim. Para disa javësh po bisedoja me Edi Ramën për të publikuar disa pasuri të padeklaruara të Ilir Metës. Rama m'u lut që të mos hidhja dyshime mbi Ilir Metën duke përdorur një pasuri që është në emër të një gruaje të ve, që ka një fëmijë jetim. 

"Një pasuri më shumë apo më pak për Ilir Metën, nuk bën ndryshim të njerëzit. Njerëzit tashmë e njohin Ilir Metën", - me tha Rama. Unë vërtet u çudita me këtë ndryshim pozitiv të Edi Ramës. Ai 10 vjet më parë do të kishte përdorur çdo mjet për të goditur kundërshtarin. Sot ai m'u lut mos të merresha me një grua të ve, dhe një fëmijë jetim. 

Edi Rama ka ndryshuar pozitivisht si njeri, është bërë më i dashur, më serioz, më i përgjegjshëm. Kjo pjesë, mbase më shumë se çdo gjë tjetër, ndikoi që unë të rreshtohesha në krah tij dhe të opozitës në këtë fushatë.


Jeni me Edi Ramën politikisht, apo për ndryshimin njerëzor që keni parë tek ai?

Mos të ngatërrohemi. Marrëdhëniet personale sigurisht që kanë ndikimin e tyre maksimal, por unë jam njeri dhe politikan, dhe veproj njerëzisht dhe politikisht. Sot unë jam politikisht në opozitë. Në këto kushte kuptoj qartë sa e rëndësishme është fitorja e Edi Ramës e Tiranë. 

Opozita duhet të fitojë Tiranën për të balancuar pushtetin absolut të Sali Berishës në qeverisje. Kjo fitore i leverdis Shqipërisë më shumë sesa opozitës. Fitorja e Tiranës nga Edi Rama do t'i jepte fund luftës brenda së majtës. Segmente brenda PS, të shitura tek Berisha, do të merrnin goditjen përfundimtare me fitoren e Ramës.

Në të kundërt ata do të gjallëroheshin dhe PS do të fillonte të vajtonte për disa vjet. Berisha, Nano dhe Meta do të përdornin gjithë mjetet e tyre për ta shkatërruar PS përgjithmonë. 

Kjo nuk i leverdis Shqipërisë. Shqiptarëve nuk i leverdis një Shqipëri e copëtuar mes Berishës, Nanos e Metës. Kjo do të ishte një tragjedi kombëtare, një papjekuri kombëtare, një kthim i turpshëm mbrapa.



Si mendoni se del LSI në këtë fushatë?

Nuk besoj se ekziston akoma ndonjë shqiptar që voton Ilir Metën për ideologji apo bindje politike. Ata që do të votojnë LSI në këto zgjedhje votojnë vetëm për interes, do të votojnë vetëm ata që kanë ndonjë vend pune apo që do të marrin para të thata në dorë nga LSI. 

Mbetet për t'u parë sa interresaxhinj do të ketë mundësi të joshë LSI në këto zgjedhje. Unë mendoj se LSI do të dal nga 2-4% këto zgjedhje. Në zgjedhjet lokale të 2007-s, LSI mori 10%. Këto zgjedhje do të marrë absolutisht më pak se gjysma e 2007-s. Askush nuk voton LSI sot për ideale.


Çfarë mendoni për kandidaturat e LSI në këtë fushatë?

LSI nuk ka shumë njerëz dinjitoz për të kandiduar. Ata që janë dinjitoz, Meta nuk i kandidon, sepse atij i duhen besnik ndaj vetes, më shumë se dinjitoz. Po ju përmend dy prej tyre: Erisa Xhixhon në Tiranë dhe Albert Sanxhakun në Lushnjë. Erisa është një aktiviste e forumit rinor të LSI, një vajzë e mirë dhe studente e mirë.

Ajo ka një eksperiencë pune rreth dy vjet në arsim, dhe s'ka asnjë aftësi apo kualifikim të drejtojë një minibashki në Tiranë. Ilir Meta e zgjedh atë të përfaqësojë LSI, sepse Erisa ka rreth 5 vjet që ndihmon në familje si dado (babysitter) e fëmijëve të Ilir Metës, dhe se është e fejuar me një kushëri të çiftit Meta-Kryemadhi.

Eksperienca si kujdestare e fëmijëve të Monikës nuk e bën Erisa Xhixhon të kualifikuar për të drejtuar një njësi vendore në Tiranë. Kjo eksperiencë e bën atë të besueshme për Ilir Metën, por jo për Tiranën. Kurse Albert Sanxhaku është një kameleon që ndërron ngjyrë në çdo palë zgjedhje. Ne zgjedhjet e 2005-s, Albert Sanxhaku ishte me PS. Në zgjedhjet e 2007-s, ai ishte me LSI.

Në zgjedhjet e 2009-s, ai kaloi përsëri me PS, por fshehurazi punonte për Ilir Banon e PD. Kurse në zgjedhjet e tanishme kaloi përsëri me LSI-PD, dhe kandidon për këtë koalicion. Sanxhaku nuk ka bindje politike, ai kalon nga një krah tek tjetri në bazë të interesit të momentit dhe ofertës financiare.

Unë nuk besoj se LSI do të fitojë ndonjë njësi vendore në Shqipëri. Mbase fiton ndonjë aksidentalisht, por në shumicë kandidatët e saj do të humbin. PD nuk ka asnjë interes të votojë kandidatët e LSI, në bashkitë apo komunat që koalicioni përfaqësohet nga LSI. 

Nëse ata votojnë LSI, këta kandidatë do të rikandidojnë dhe pas 4 vjetësh, nëse fitojnë sot. Strukturat e PD nëpër bashki dhe komuna nuk kane interes e mbyllin karrierën e tyre politike duke votuar LSI, që është vetëm në një koalicion rastësor me PD. 

Dalja veç e veç në fushatë e Berishës me Metën, tregon se Berisha aleancën me LSI e ka vetëm të përkohshme. LSI është një forcë politike që nuk ngjall me asnjë shpresë, dhe misioni i saj politik ka përfunduar me dështim.


Po kandidatet e LSI në qarkun e Fierit si paraqiten?

Lushnja, Fieri dhe Mallakastra janë shumë të majtë. Në 2007-n, në zgjedhjet lokale LSI doli 16%. Tani LSI nuk e kalon 4% në këtë qark. Në njohjen time, asnjë kandidat i LSI në këtë qark nuk fiton. Megjithëse Meta vuri si kandidatë disa miqtë e m'i, me shpresën se unë nuk do t'i luftoja, ai gaboi. Të gjithë këta kandidatë humbin zgjedhjet.

Në Libofshë dhe Topojë humbin se u provuan mandatin e kaluar dhe i zhgënjyen të gjithë. Gjithë miqtë dhe mbështetësit e mi në Libofshë e Topojë duhet të votojnë kandidatët e PS, sepse janë punëtor dhe serioz. Në Frakull kandidatin e LSI nuk e njohin, sepse ka 10 vjet që ka ikur nga zona. Në Portez kandidatin e LSI nuk e mbështet as fisi i vet, dhe nëse ai nuk është për familjen e vet, nuk ka si ta besojnë të tjerët.

Në Kurjan kandidati i LSI përveçse ka rritur barkun e vet, nuk ka bërë asgjë në 4 vjetët që kaluan si kryetar komune. Në Greshicë dhe Kutë populli është socialist dhe nuk voton për dy ish-socialist që përfaqësojnë Metën dhe i japin oksigjen Berishës. Vërtet nuk besoj që ndonjë kandidat i LSI mund të fitojë.

Unë nuk kam punuar fort kundër tyre, por më vjen turp që ata përfaqësojnë akoma Ilir Metën. Brenda vetes dhe ata kanë turp, por interesi apo frika e momentit i detyron të vazhdojnë.


Shumë njerëz prisnin që ju të nxirrnit ndonjë video të re këtë fushatë. Ju nuk e bëtë. U trembet, apo po mbroni Berishën?

Më vjen keq, nëse kam zhgënjyer dikë. Unë kam bërë fushatë për PS dhe opozitën këto zgjedhje, ashtu siç e kisha deklaruar. Siç e dini, unë kam shumë armiq, për shkak të videos së parë dhe denoncimeve të shumta që i kam bërë korrupsionit qeveritar. Nuk dua të bëj armiq të tjerë, duke vazhduar historitë me video.

Unë kam një familje dhe 4 fëmijë, dhe kam përgjegjësi të jetoj për t'i mbështetur fëmijët të rriten dhe të bëhen të mbarë. Më duket se unë kam bërë për opozitën më shumë se çdo opozitar tjetër, të paktën për këto zgjedhje. Kam rrezikuar shumë. Njerëzit kishin vënë baste se unë do ta pësoja si Kosta Trebicka.

Komshinjtë e mi nuk ngjiten në një ashensor me mua, nga frika mos e pësojnë nga ndonjë bombë për shkakun tim. Askush nuk mund të më kërkojë mua të bëj më shumë, me video të tjera. Nuk do të nxjerr asnjë video tjetër. Nuk e bëj për te mbrojtur askënd, as Berishën, as Metën.


Meqë jemi te videot, Berisha nuk ju ka sulmuar asnjëherë pas largimit tuaj nga qeveria. Pse?

Kjo pyetje i duhet bërë Berishës, jo mua. Kam muaj që unë s'kam asnjë komunikim me Berishën. Kam punuar normalisht me atë. Ai ka shprehur fjalë të mira për punën time si Ministër. Tani jemi në një situatë tjetër. Unë kam zgjedhur vetë të jem kundërshtar politik me Berishën. Mendoj se kështu i përfaqësoj më mirë zgjedhësit e m'i.


Në Fier jeni përqendruar shumë në komunën Dermenas dhe Libofshë. Njerëzit aty thonë që ka mundësi që t'i fitoni të dyja...

Do t'i fitoj të dyja. Mbështes aty kandidatët e PS, që janë njëkohësisht miq të mi shumë të mirë, Viktor Fasko dhe Naun Doko. Të dyja do të fitohen me diferencë shumë të madhe. Diferencën po e thellon ditët e fundit zhurma që po bën PD-LSI se do t'i vjedhin dhe marrin me dhunë votat.

Myzeqarët nuk e kanë harruar dhunën e PD të viteve 1994 dhe 1996. Kjo i acaron njerëzit. Ata do të votojnë fort për të mbështetur dy kandidatë punëtorë e të përkushtuar, por do të votojnë dhe që të ndryshojë faqja e këtyre 2 komunave, që për hir të së vërtetës janë të braktisura dhe keqmenaxhuara nga ish-kryetarët.

Njerëzit në këto komuna kanë shumë halle, kurse ish-kryetarët e këtyre komunave kanë rritur barkun dhe pasuritë e tyre, duke harruar plotësisht premtimet e tyre dhe kush i votoi. Kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha, infrastruktura bujqësore e blegtorale, planet urbanistike, pronësia mbi tokën, ndriçimi, rrugët janë më keq se në vitin 1992, kur u rrezua komunizmi.

Fshati është braktisur nga pushteti qendror, por dhe nga përfaqësuesit e tyre lokalë, prandaj duhet votuar opozita, me shpresën e ndryshimit të madh, që e duam kaq shumë.


Si shkojnë hetimet e prokurorisë ndaj jush?

Unë paraqitem sa herë që më thërrasin prokurorët. Kam dhënë sqarime dhe do të vazhdoj të jap sa herë të nevojitet. Kam gjetur kohën, pavarësisht se në fushatë, të shkoj dhe jap sqarime. Shpresoj që në përfundim të hetimeve të sqarohet çdo gjë, dhe të pastrohet çdo dyshim që është hedhur mbi mua.

Unë, pavarësisht se në mes të ujqërve, si Ministër kam punuar pastër dhe me përgjegjësi. Nuk kam abuzuar kurrë me detyrën. Nuk kam ngatërruar kurrë jetën private, me atë publike.

17 Komente

 Djale i mire Prifti.

dmth tani Edi Rama nuk pi me droge 3000 dollaresh dhe nuk vesh me tanga? smiley

Thoni ca te doni, po me Salen nuk ja mba b... ketij te kruhet smiley

 

Prifito te ben Hoxhe ai pastaj, sikur te shkosh me shume sesa duhet. smiley

wow... kilometrike. dhe hell aj'm gonna riid dhat! smiley

dezhavy, eniuej. smiley

Zhvarrimi i nje kufome politike...per Albananistanin eshte gje mese normale ama...

Askush nuk mund të më kërkojë mua të bëj më shumë, me video të tjera. Nuk do të nxjerr asnjë video tjetër. Nuk e bëj për te mbrojtur askënd, as Berishën, as Metën.
 

Sigurisht qe s'e ben per te mbrojt as Berishen, as Meten por e ben per te mbrojtur veten, se e pe si ja fute vetes kur te gjeten videon tjeter.

Nje gje s'kuptoj, nese me te vertete Prokuroria a kush dreqin po ben nje hetim per korrupsionin e Metes, si ka mundesi qe s'ja ka konfiskuar te gjitha videot, kompjuterat, oret, etj. etj. Priftit si prova materiale?

ka leshte video te tjera ky. e ben sa per demek presion. po te kish video te tjera, ky duhej denuar te pakten me 15 vjet burg per obstruction of justice. nuk do kish burre nene qe te deklaronte ne nje shtet me ligje, qe ka prova korrupsioni masiv, dhe qe nuk i do qefi t'i publikoje apo t'ja dorezoje prokurorise apo organeve te drejtesise. Ky duhet kalbur ne burg. llafazani i leshte. pellushi. smiley (ndjese per nja dy shprehje tek tuk... smiley )

Çfarë ka ndodhur me ju? Dikur e keni kritikuar fort Edi Ramën?

Unë e kam kritikuar Edi Ramën politikisht ose për të meta personale, asnjëherë për punën e tij. Hapini dhe rilexojini gjithë intervistat e mia. Unë kam qenë gjithmonë i kënaqur për punën e Edi Ramës në Tiranë. Unë jam njeri objektiv, dhe nuk mund të hedh poshtë një gjë që e shohin të gjithë.

smileysmiley. smiley.

ky qenka i papare fare.....

 

emo, nuk te kujton pak ''kujdestarin'' te filmi ''lulekuqet mbi mur'', ky:

zoti kuestor, une jam i pafajshem, une e dua fashizmin... zoti drejtor flisni edhe ju. une jam i pafajshem... zoti kuestor patrulla qelloi e degjuan te gjithe. une....

ndersa kuestori: le ta mbajme ca kohe brenda, njerezve te tille u ben mire. behen akoma me te vlefshem...smiley

Djale i mire Prifti.

Djal flori'!

Nomal , 2 milion Euro smiley

 Hahahahahahahaha, car lloj interviste. Keta te shekullit kane rrjedhur

 Nuk e kuptova ate punen e pasurise se Ilir Metes dhene nje gruaje me nje femije jetim !?

Prifti: Edi Rama ka ndryshuar, me Berishën nuk kam komunikim

 

Si ka mundesi?

             Rama nuk e thith,

                           me hunde ne tavoline?

 

Po Berisha?

       nuk ti ruan votat,

                qe te vidhnin socialistet?

hajt mer mo!

Di gje njeri se pse ky kriminal nuk eshte ne burg njekohesisht me koke-lopen Ilir Meta?

ktij njeriu nuk ja heq dot meriten e demaskimit te metes (pa u ndal te arsyet). Kjo eshte e vetmja merite e tij vecse.

Kurse Albert Sanxhaku është një kameleon që ndërron ngjyrë në çdo palë zgjedhje. Ne zgjedhjet e 2005-s, Albert Sanxhaku ishte me PS. Në zgjedhjet e 2007-s, ai ishte me LSI

ta thote ky ket gje pastaj...vari hejbet atij muhabeti!

Jo vetem ajo o Bredh, por shumica e gjerave qe thot ky me siper te ben ti thuash "u be tenxherja ti thote kusise, qe qeke nxirre ca".

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).