Ai ishte psikoterapist. Richard Carlson, për aq sa jetoi, nuk i kurseu fjalët që të tjerët të bënin një jetë të lumtur. Ai e thoshte gjithnjë se nuk ka formulë për të qenë të pavdekshëm. Por i nxiste njerëzit që ta jetonin sa më mirë jetën, për aq sa do të merrnin frymë mbi tokë. Carlson, psikoterapisti amerikan i lindur më 1961, u kthye shpejt në një prej autorëve më popullorë në shumë vende të botës. Shkroi rreth 30 libra me këshilla psikologjike dhe investoi rreth një dekadë me klientët e tij për mënyrat se si luftohej stresi. Kjo bëri që librat e tij t’i shkonin një lexuesi të gjerë. Është e pamundur që të mos gjesh përkime të jetës tënde të përditshme në faqet e këtij libri.

Por formulat e tij nuk e ndihmuan dot Carlson të qëndronte në jetë. Ai u nda nga jeta në mënyrë të papritur nga një atak kardiak më 13 dhjetor të vitit 2006. Udhëtonte nga San Francisko në Nju Jork për të promovuar librin e fundit, por nuk arriti të zbriste i gjallë në tokë. Ishte vetëm 45 vjeç. La dy vajza dhe bashkëshorten Kris, e cila në disa prej librave të tij ishte bashkautore, por edhe personazh.

Libri i tij më i suksesshëm ka qenë “Mos e vrisni mendjen për gjëra të vogla; dhe të gjitha janë gjëra të vogla”. Libri, i botuar në 135 vende të botës ka ardhur shqip nga shtëpia botuese “OMBRA GVG”. I mjafton një thënie në dy rreshta e William James për të shprehur gjithë filozofinë e librit të tij, një shprehje që duhet të udhëhiqte jetën e çdokujt: “Zbulimi më i madh i brezit tim është se një qenie njerëzore mund të ndryshojë jetën e tij, duke ndryshuar sjelljen”. Carlson ka ndihmuar nga afër me këshillat e tij edhe personazhe publikë amerikanë.

Në fakt, pas popullarizimit të madh, klientët e tij në largësi ishin edhe lexuesit. Disa prej tyre kanë pohuar se fjalët e Carlson u kanë ndryshuar jetën. Ai shkruan thjesht. Ndryshe mund të quhej autori i lumturisë. Carlson ka shkruar 100 kapituj të shkurtër se si të mposhtësh stresin e përditshëm, si të bëhesh një njeri i mirë me të tjerët, me familjen, të bën të kuptosh sa e rëndësishme është t’u thuash njerëzve më të rëndësishëm se sa i do, si ta kthesh çdo problem në gjenerator fuqie e si të mos përhumbësh në punët e çdo dite.

Në fund të fundit si ta jetosh çdo ditë si të ishte e fundit. “Shumë njerëz e jetojnë jetën sikur qëllimi i saj sekret të ishte vetëm të kryenin të gjitha punët që kanë dhe çdo punë tjetër që ju del. Ne qëndrojmë zgjuar deri natën vonë, ngrihemi shumë herët në mëngjes, shmangim argëtimet dhe i lëmë të presin personat që duam. Natyra e ‘listës’ tënde është e atillë që do të thotë se do të ketë gjithmonë punë, të cilat do të jenë për të kryer, nuk do të jetë ndonjëherë bosh. Mbaj mend se kur të vdesësh, do të kesh përsëri punë të pambaruara, të cilat duhen kryer. Dhe e di çfarë? Dikush tjetër do t’i bëjë ato për ty! Mos i humb çastet më të çmuara të jetës tënde, duke ndierë keqardhje për atë që nuk mund të shmangësh”, shkruan Carlson që në faqet e para të librit të tij. Ky libër duket në fakt si një bashkëbisedim në largësi me autorin.

Ndjenja që përjetohet është ajo e një çlirimi. Më shumë se në pozicionin e lexuesit, duket se je ti ai që rrëfehesh, veçse jo përmes zërit tënd. Sa herë mund t’i kemi thënë vetës mjaft më! Mjaft më me orët e gjata të punës, për një zënkë që të shkatërron ditën, mjaft më për të bërë çdo gjë në përsosmëri, për të mos u ndier inferior...Lista është jashtëzakonisht e gjatë. Carlson të shtyn në nënndërgjegje për të gjetur aty përherë e në çdo rast optimizmin. Gjithçka për të fillon nga të pranuarit e vetes ashtu siç je. “Nuk kam takuar ende ndonjë person të përsosur, jeta e të cilit ka vetëm qetësi të brendshme. Nevoja për përsosmëri dhe dëshira për paqe të brendshme bien ndesh me njëra-tjetrën...Me kujdes mendo se jeta është shumë mirë, pikërisht ashtu siç është ndërtuar, në këtë mënyrë. për sa kohë nuk do ta gjykosh, gjithçka do të shkojë mirë”. Carlson ka një këshillë për të gjithë: ta jetojnë jetën sikur ajo të ishte dita e fundit. Të mos e lëmë një fustan për një ceremoni të veçantë, të shkojmë pranë familjes apo njerëzve të afërt edhe pse një mal me punë të presin. “Pavarësisht se kush je ose çfarë pune bën, kujto se asgjë s’është më e rëndësishme se sa vetë lumturia jote, qetësia e brendshme dhe personat që do më shumë në botë. Në qoftë se je i fiksuar për të kryer të gjitha punët, nuk do ta kesh kurrë sensin e të qenurit mirë!”, shkruan autori. Në fakt, vetë ndoshta nuk e kishte menduar se do të largohej kaq shpejt nga jeta. Vetë ai ishte ndonjëherë personazh i këshillave që jepte. As ai nuk ishte i përsosur në të jetuar me qetësi jetën. Në fakt përjetimet personale e kishin ndihmuar shpesh t’u rrëfente të tjerëve ndjesitë.

Carlson kishte menduar edhe vdekjen. Është pikërisht kapitulli përmbyllës i librit, ndonëse pas botimit të tij shkroi shumë të tjerë dhe jetoi edhe një dekadë. “Kur do të vdesësh? Pas pesëdhjetë vjetësh, pas njëzet vjetësh, pas dhjetë vjetësh mbase apo pas pesë vjetësh? Asnjë nuk i është përgjigjur kësaj pyetjeje. E vërteta është se asnjë nga ne nuk e ka idenë se sa gjatë do të jetojë. Fatkeqësisht ne sillemi sikur do të jetojmë gjithmonë. Ne i shtyjmë gjërat të cilat thellë në shpirt e dimë se duam t’i bëjmë - t’u themi njerëzve që i duam se i kemi gjithmonë pranë zemrës, të kalojmë kohë me veten tonë, të vizitojmë një mik të mirë, të shkojmë për peshk me fëmijët e kështu me radhë. E ndiej të përshtatshme për ta përfunduar këtë libër, duke sugjeruar që ta jetoni jetën sikur të ishte dita juaj e fundit. Nuk ua sugjeroj si një recetë për të qenë të pakujdesshëm apo për të mos përmbushur përgjegjësitë tuaja, përkundrazi dua t’ju kujtoj se jeta në të vërtetë është e çmuar, shumë e shtrenjtë. Të lutem mos harro metodën më thelbësore të të gjithave: Mos e vrisni mendjen për gjërat e vogla!”

6 Komente

Monda, falemnderit shume ee smiley, se ne memedhe s'e jeton njeri diten sikur te ishte e fundit, duhej edhe nje dore karlsoniane nga OMBRA GVG*.

Ne vend qe te perkthejne William James-in...

*Ca dmth GVG?

richard carlson ben dhjetera levizje karateiste, jeta e vret me nje plumb revolveri!

Pavarsisht se nuk e njoh kete autorin, ky sikur me paska "vjedhur" smiley mendimet, sepse une kam vite qe ju them njerzeve kendej ; mos e vrit mendjen, mos mendo shume smiley , etj, sa qe jam bere njeriu me popullor ne ndermarrje smiley

.smiley

Pjero, se mos na ka ndodhur ndonje gje andej nga ndermarrja, mor aman.  se na bere merak.smiley

 Jane perkthyer shume libra me kete stil. Buscaglia thote afersisht te njejtat gjera dhe me po te njejten menyre te thjeshte te shprehuri.Nuk eshte se ka ndonje risi te madhe.Gjithsesi ideja eshte shume pozitive.

Keshillat dhe psikoterapisti nuk shkojne bashke ne nje fjali (gjeresisht i perhapur si keqkonceptim), megjithese e kuptoj pse psikoterapisti eshte hedhur ne titull.

James-i do pune trop; te pakten nje fjalor te stabilizuar terminologjik.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).