“Instituti për Studimet Ndërkombëtare” ka kryer një studim për Shqipërinë, 20 vjet pas rënies së komunizmit në vitin 1990. Ky artikull i drejtorit të ISN-së, Albert Rakipi, përmbledh rezultate të këtij studimi duke i analizuar ato 

asdasd1990.jpg (450×314)

 

Për këdo që ka vizituar Shqipërinë në komunizëm, ndjenja e parë që mund të ketë pasur, siç dëshmon Karl Kaser i Universitetit të Gracit, ka qenë ndjenja e vizitës në një planet tjetër dhe ideja e kthimit prapa për të paktën një gjysmë shekulli. 
Në njëzet vjet qysh nga rënia e komunizmit, asnjë vend i ish-Lindjes nuk mund të ketë ndryshuar kaq shumë. Njëzet vjet që nga rënia e Murit të Berlinit dhe e valës së ndryshimeve në Bllokun Lindor, Shqipëria duket krejt ndryshe. Në bulevardin kryesor, vetëm pak metra larg parlamentit dhe pikërisht atje ku njëzet vjet më parë ishte një statujë e madhe e Stalinit, tani gjendet një flamur i NATO-s, që simbolizon anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. 

Padyshim, Shqipëria dikur një nga vendet më të izoluara të botës, ka pësuar një zhvillim të madh në sajë të një transformimi të jashtëzakonshëm politik, ekonomik dhe shoqëror. Pas njëzet vjetësh, shteti gjigant i krijuar nga komunizmi, një shtet që jo vetëm që nuk arriti dot të siguronte të mirat publike dhe politike bazë për qytetarët, por ishte një kërcënim ndaj lirisë, pronës, jetës dhe të ardhmes së shqiptarëve, u zhduk përgjithmonë. Së bashku me regjimin a ashpër komunist janë zhdukur edhe ekonomia tejet e centralizuar, si dhe një shoqëri e indoktrinuar. 

Nëse njëzet vjet më parë qoftë edhe arkitektura, e qyteteve shqiptare, ngjyra e fasadave, mënyra e veshjes dhe e ecjes së qytetarëve në rrugë reflektonte një rend social (bazuar tek frika,) një kontrate sociale të imponuar nga regjimi kjo nuk mund të thuhet me siguri pas dy dekadash tranzicioni. Ajo që aktualisht pamja e qyteteve shqiptare, arkitektura, deri edhe veshja e mënyra e ecjes në rrugë, reflekton është një zhvillim dinamik herë herë kaotik, por ende jo një rend social të qartë dhe aq më pak një kontrate të re sociale. 

Me zhdukjen e atij shteti shtypës, të krijuar nga komunizmi, me zhdukjen e ekonomisë së centralizuar të stilit bolshevik, të asaj shoqërie të frikës dhe individit të indoktrinuar, atëherë si janë sot në Shqipëri shteti, ekonomia dhe shoqëria? Cili është bashkëveprimi midis tyre?

Përgjigja e parë dhe e menjëhershme është se njëzet vjet pas rënies së regjimit komunist, shteti, ekonomia dhe shoqëria janë në tranzicion. I përdorur shpesh për të përshkruar vitet e para të demokratizimit, termi ‘tranzicion’, gjithsesi, tani është një fjalë e vogël, në mos e pagjetur, për të eksploruar të tashmen dhe e padobishme për të hedhur dritë mbi të ardhmen që aspirojmë. 
Shumë nga karakteristikat e tranzicionit të Shqipërisë nuk mund të quhen më kalimtare. Dobësimi apo dështimi i institucioneve, gërryerja e legjitimitetit të institucioneve politike, mosbesimi ndaj partive politike, shkalla e lartë e korrupsionit dhe tensionet e përhershme politike, nuk mund të konsiderohen më deformime të përkohshme apo simptoma të një tranzicioni drejt demokracisë. Po bëhet gjithnjë e më e dukshme se këto dukuri nuk janë karakteristika të një periudhe tranzicioni, por rrjedhoja të prekshme që rrezikojnë të bëhen tipare permanente të peizazhit politik shqiptar. Ndaj përdorimi i fjalës “tranzicion” më shumë mbulon se e sa shpjegon, i justifikon problemet e Shqipërisë me një lloj ndjenje pashmangësie ndaj kësaj force të paprekshme të tranzicionit, një proces që nuk mund të kontrollohet, administrohet apo drejtohet.

Nga pikëpamja e funksionimit të shtetit, Shqipëria i ngjan asaj që studiuesit e politikës e quajnë “neo-patrimonial monopoly state,”, i varur fuqimisht nga drejtimi personal se sa nga institucionet, ligjet, procedurat. Mungesa e shtetit ligjor, përveç të tjerash, është rrjedhojë e ekzistencës së një strukture piramidale të bashkëpunëtorëve të besuar, që vepron brenda strukturës formale të aparatit qeveritar. Ky lloj rregulli – qeverisja me telefon – e ka dobësuar vazhdimisht funksionimin e shtetit . 
Demokracia, ende formale dhe jo thelbësore, është mjaft e dëmshme për stabilitetin politik, zhvillimin ekonomik dhe ç’është më e keqja, e cenueshme nga krizat e vështira si ajo e vitit 1997. Njëzet vjet pas rënies së Murit të Berlinit, Shqipëria është anëtare e NATO-s, por ende nuk ka zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standardeve të përcaktuara ndërkombëtare dhe sidomos të pakontestuara nga partitë politike

Shqipëria tani është vërtet një anëtare e NATO-s dhe ka shprehur qartë aspiratën e saj për t’u futur në familjen evropiane. Ky është kryesisht një projekt politik për ndërtimin e një shteti dhe demokracie funksionuese. Pas njëzet vjet përpjekjesh, gjithsesi rezultati është miks dhe ky projekt mbetet i papërfunduar. Arsyet qe gjenden prapa kësaj situate duhen kuptuar qartë dhe kërkohet një angazhim për të formësuar të ardhmen. 

Para njëzet vjetësh, Shqipëria kishte përpara dy sfida të mëdha lidhur me transformimin ekonomik: 1) zhvendosja nga një sistem krejtësisht i centralizuar drejt një ekonomie tregu dhe 2) përshtatja me globalizmin si një prirje e dukshme ndërkombëtare pas fundit të Luftës së Ftohtë. Nga strategjia e terapisë së shokut, e ndjekur në fillim të viteve nëntëdhjetë drejt ideve neoliberale të një shteti të vogël, transformimi ekonomik i Shqipërisë, shpesh i diskutueshëm dhe kaotik, ka pasur dhe vazhdon të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm mbi lëvizjen e popullsisë brenda dhe jashtë vendit, mbi polarizimin dhe zhvillimin e pabarabartë të rajoneve, etj. 

Pas njëzet vjetësh, struktura sociale e Shqipërisë ka ndryshuar. Gjithsesi, prania e një shoqërie civile dinamike, si një rezultat përfundimtar i modernizimit të shoqërisë nuk është materializuar ende. Organizatat e shoqërisë civile kanë kontribuuar pa diskutim në modernizimin e shoqërisë, por ato nuk kanë qenë të imunizuara nga politizimi, humbja e pavarësisë dhe për këtë arsye edhe nga humbja e raison d’être – për të shërbyer si vëzhgues ndaj qeverisë dhe të mundësojnë kontrollin demokratik e social të shtetit.

Tranzicioni problematik dhe shpesh i diskutueshëm i politikës , ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare është pasqyruar nga tranzicioni i medias deri në fazën e sotme kritike, mosfunksionuese dhe kaotike. Megjithatë, edhe e kundërta e saj qëndron: mosfunksionimi brenda medias është pasqyruar negativisht në zhvillimin demokratik të vendit. Pas njëzet vjetësh, media shqiptare mund të përshkruhet fare mirë se e sheh veten në një pozitë të lirisë së shtypit, por jo të shtypit të lirë. 

Zhgënjime, por jo nostalgji për të shkuarën
Shumëkush ka menduar se mrekullia do të ndodhte sapo të rrëzohej regjimi komunist dhe pakkush ka menduar që tranzicioni do të ishte ky që shqiptarët kanë parë gjatë këtyre njëzet vjetëve. Ideja se demokracia do të vepronte si një deus ex machina ishte mbizotëruese në fillim të viteve nëntëdhjetë. Pritshmëritë e mëdha ishin mbizotëruese në të gjithë ish-Lindjen, por në rastin e Shqipërisë pritshmëritë nga ajo që do të ndodhte pas rënies së komunizmit, ishin edhe më të mëdha për shkak të izolimit ekstrem, dhunës, terrorit komunist dhe varfërisë proverbiale.

Udhëheqësit e opozitës së parë jo komuniste në Shqipëri u treguan mjaft dorëlëshuar në premtimet e tyre. Thjesht ata u thanë shqiptarëve, durimi i të cilëve kishte mbërritur në fund prej kohësh, se demokracia është një çek i bardhë, në të cilën ne thjesht do të shkruanim nevojat tona. 
Njëzet vjet më pas, entuziazmi i madh i popullit dhe udhëheqësve të rinj jo komunistë pothuajse është shkërmoqur . Shumica e shqiptarëve sot beson se premtimet e bëra nga politikanët njëzet vjet më parë nuk janë realizuar absolutisht dhe vetëm 33 për qind mendojnë se këto premtime janë realizuar vetëm pjesërisht.

Është e sigurt që pritshmëritë e mëdha kanë krijuar jo pak zhgënjim te populli shqiptar. Megjithatë, shqiptarët pohojnë se jeta e tyre ka ndryshuar falë një sistemi të ri qeverisës. Të pyetur se sa e angazhuar është qeveria në sigurimin e kushteve të jetesës, shumica pohojnë se qeveria është jashtëzakonisht e interesuar (27%) dhe e interesuar (39%), kundrejt 62 për qind që mendojnë se qeveria nën komunizëm ishte ose aspak ose pak e interesuar për krijimin e kushteve normale të jetesës.

Për shumicën e shqiptarëve (70 për qind) shteti nën komunizëm përbënte kërcënimin kryesor për jetën e qytetarëve si dhe shkelësin kryesor të të drejtave të njeriut (66%), kundrejt 7 për qind që aktualisht mendojnë se shteti në Shqipëri përbën kërcënim për jetën apo është shkelës i të drejtave të njeriut.

Gjithsesi, ka rëndësi të theksohet se të intervistuarit i konceptojnë kërcënimet e sotme kryesisht në lidhje me anën ekonomike se sa një kërcënim fizik nga qeveria. Rreth 56% e të intervistuarve besojnë se ata jetojnë nën një farë kërcënimi. Mbi 60% e tyre tregojnë si burim të këtij kërcënimi ose mungesën e parave, humbjen e vendit të punës ose problemet e strehimit. Dhunën politike dhe dhunën nga fqinjësia e kanë zgjedhur vetëm 5.3% e të intervistuarve. 

Shteti i dobët i tranzicionit?
Shkaku i pakënaqësive të shqiptarëve ndaj shtetit në këta njëzet vjet lidhet sa me pritshmëritë e mëdha që ata patën për shtetin pas komunizmit, aq edhe me faktin se tranzicioni shqiptar i dy dekadave ka prodhuar një shtet relativisht të dobët, në kuptimin e cilësisë së të mirave publike që një shtet supozohet të prodhojë për qytetarët.

Studimi i ISN-së u fokusua në mënyrë të posaçme në vlerësimin që kanë aktualisht qytetarët shqiptarë për dy nga shërbimet themelore, siç janë cilësia e arsimit dhe e shërbimit shëndetësor .
Cilësia e arsimit para vitit 1990 vlerësohet shumë nga një numër i madh të intervistuarish. 42% e shqiptarëve kanë një mendim pozitiv për cilësinë e arsimit gjatë komunizmit, krahasuar me 20% që kanë të njëjtën pikëpamje për vitin 2010. 42% ose dy herë më shumë e të anketuarve e vlerësojnë cilësinë e arsimit më 2010 si mesatare, kurse 25% e vlerësojnë të dobët, kurse 9% shumë të dobët. Nga ana tjetër, vetëm 26% e vlerësojnë të dobët ose shumë të dobët cilësinë e arsimit gjatë komunizmit. 

Mendimi i shqiptarëve mbi cilësinë e shërbimeve shëndetësore për periudhën para vitit 1990 dhe për vitin 2010 ndryshon. Rreth 30% e të intervistuarve e vlerësojnë cilësinë e shërbimeve shëndetësore gjatë komunizmit të lartë ose shumë të lartë. Pothuajse i njëjti numër i të intervistuarve (31%) mendojnë se cilësia e shërbimeve shëndetësore ishte e ulët ose shumë e ulët. Kjo tablo ndryshon për vitin 2010. Rreth 52% e të intervistuarve mendojnë se cilësia e shërbimeve shëndetësore është e ulët ose shumë e ulët, kurse 23% e tyre e vlerësojnë atë të lartë ose shumë të lartë.

Fakti që shqiptarët vlerësojnë më pozitivisht cilësinë e shërbimit shëndetësor dhe atë të arsimit në komunizëm se sa cilësinë e këtyre shërbimeve në këta njëzet vjet gjithsesi duhet marrë me rezerva, pasi modernizimi i shërbimit shëndetësor apo i sistemit të arsimit që është arritur gjatë këtyre njëzet vjetëve është i pakrahasueshëm me shkallën e varfër, deri edhe primitive, të modernizimit që ofronte një vend tërësisht i izoluar. Po të mbajmë parasysh disa tregues thelbësorë, siç është vdekshmëria foshnjore për shërbimin shëndetësor apo afrimi i standardeve të arsimit me ato evropiane, krahas faktit se mijëra e mijëra studentë shqiptarë kanë studiuar dhe vijojnë të studiojnë në universitetet perëndimore, atëherë krahasimi me regjimin e mëparshëm nuk është i vlefshëm.

Por nëse është kështu, atëherë përse shqiptarët vijojnë të vlerësojnë më pozitivisht cilësinë e këtyre shërbimeve në komunizëm se sa në Shqipërinë paskomuniste? Për të gjetur një përgjigje bindëse ndaj kësaj pyetjeje, natyrisht, do të duhen studime të mëtejshme, por ndërkaq mund të themi se fenomene si korrupsioni i përhapur gjerësisht në sistemin shëndetësor dhe atë të arsimit, kanë ndikimin e tyre jo të vogël në këto vlerësime. Po kështu, nëse shteti nën komunizëm, ndonëse në mënyrë modeste, por gjithsesi e ofronte shërbimin shëndetësor deri edhe ne fshatin më të izoluar të Shqipërisë, shteti aktual nuk ka mundur dot të mbajë gjallë rrjetin e qendrave shëndetësore në të gjitha nivelet, përfshirë edhe spitalet rajonale. Pak a shumë e njëjta gjë ka ndodhur edhe me shkollën shqiptare, ku sipas ekspertëve ka filluar të ritet shkalla e analfabetizmit. Për më tepër sistemi i arsimit në Shqipëri, sidomos ai i lartë universitar, ndodhet përballë një gjendjeje kaotike, gati dëshpëruese. Dhjetëra e dhjetëra universitete private, që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut, janë kthyer në burime fitimi për pronarët, duke minuar në themel idenë e sipërmarrjes private në fushën e edukimit.

(Vijon)

14 Komente

 Jo keq si studim, veç tranziscioni po zgjat si shume, thote populli.

shkrim i mire. nuk me duket se e ka kapur mire ate punen e nostalgjise ndaj diktarures, po te kesh parasysh disa ketu te peshku. lol.

".... Është e sigurt që pritshmëritë e mëdha kanë krijuar jo pak zhgënjim te populli shqiptar. Megjithatë, shqiptarët pohojnë se jeta e tyre ka ndryshuar falë një sistemi të ri qeverisës. Të pyetur se sa e angazhuar është qeveria në sigurimin e kushteve të jetesës, shumica pohojnë se qeveria është jashtëzakonisht e interesuar (27%) dhe e interesuar (39%), kundrejt 62 për qind që mendojnë se qeveria nën komunizëm ishte ose aspak ose pak e interesuar për krijimin e kushteve normale të jetesës..."

     Ky perfundim nuk eshte aspak i vertete.66% e  popullsise mendoka se qeverria eshte jshtezakonisht shume dhe e interesuar, per sigurimin e kushteve te jeteses  per qytetaret?Kush e ha kete ? Po   me vet perfundimet   qe sjell, per gjendjen e shendetesise dhe te arsimit, tregon se ky  definicion eshte i autorit, per te  mos atakuar sistemin.Zhgenjim kur 66 per  qind e popullsise ndjen se  Qeverria eshte  jashzakonisht e interesuar per gjendjen e tyre! Hajde studim hajde! 

 "  ....  Në njëzet vjet qysh nga rënia e komunizmit, asnjë vend i ish-Lindjes nuk mund të ketë ndryshuar kaq shumë. Njëzet vjet që nga rënia e Murit të Berlinit dhe e valës së ndryshimeve në Bllokun Lindor, Shqipëria duket krejt ndryshe. Në bulevardin kryesor, vetëm pak metra larg parlamentit dhe pikërisht atje ku njëzet vjet më parë ishte një statujë e madhe e Stalinit, tani gjendet një flamur i NATO-s, që simbolizon anëtarësimin e Shqipërisë në NATO..."

   Se mos per  here te pare  e provuam antresimin, ne nje strukture Ushrarako -Politike.Ky na qenka ndryshimi si asnje  vend i Lindjes? 

 Ne ate  kohen e shkuar  me kete lloj "Studimi Shkencor", prej Instituti,  mbahej fjalim nga brigadieri.... ne brigaden e arave.Jane tjeterkund ndryshimet  e jo se.... u hoq Stalini dhe  u vu  nje flamur i Natos.

 

Kush e ha kete ?

smiley

Po he o Grava, si mendon ti? Mendon se kot e kane thene? Une them qe derisa e kane thene - dhe jane lodhur per ta sajuar,  - dikush do ta haje se zben! Dhe ti e une e dime mjaft! mire se sa qindra mijera njerez ka ai vatani yne qe hane gjithshka ore... po gjithshka! Mos bej dhe ti pyetje keshtu... smiley

Pyetja duhej te ishte (me fal per kinezerine* ketu): deri kur o Zot i madh, i perjetshem, i plotfuqishem, i gjithedijshem, i dashur dhe i meshirshem!

*kinezeri... pyetja jote=zero. vetem pyetja ime ka vlere.

PS: e kam krejtesisht te pafajshme. smiley

 Po  ta kete degjuar ku Rakipi i asaj.... nderkombetares,  ate kengen; "Hajde dalim poshte o, andej nga Myzeqeja...'!

Mos u bej merak... e ka kompozuar Pango ate kengen... e ka kenduar, etj... dhe populli i ha prape. Dihet gje c'u be me skandalin e tij, psh???  E pagoi gjoben top qelbaniku? apo thuaj o grava... me fal shume e? po ketij populli t'i pllenosh t'emen, te therret baba... 

e ti pyet: kush i ha keto? smiley grava... te dua shume ty. je njish. smiley

 Nga pikëpamja e funksionimit të shtetit, Shqipëria i ngjan asaj që studiuesit e politikës e quajnë “neo-patrimonial monopoly state,”, i varur fuqimisht nga drejtimi personal se sa nga institucionet, ligjet, procedurat.

[ * ]  Si tja bejme qe ky shtet i shqiptareve te mos i ngjaj shtetit te monopolizuar nga nje grup njerzish ka zgjidhje ?

[ * ]  Sepse monopolizimi i shtetit nga nje grup eshte diktature! Varesia personale e drejtimit te shtetit nga individi, tregon nje shenje dalluese se, Shqiperia nuk e ka kapercyer shetin monopol te individit,... pse ?!

 ... – qeverisja me telefon – e ka dobësuar vazhdimisht funksionimin e shtetit .

[* ]   Po, si i behet te largosh kontrollin individual te personit qe qeveris me telefon,.... ka ndonje zgjidhje? 

 

  Ky shkrim, edhe njehere mbetet ne nivelin e konstatimit dhe jo ne ate, te nje studimi per zgjidhje, thjesht nje studim i dobet per te qene ne sirtar!!

 artian, aman ore  mos  ja lesho ashtu perin!Nuk eshte fare studim.Keta marrin fonde nga te atyre qe bashke i ndajne, se gjasme do bejne  studime dhe na japen muhabete....

Shkrimi juaj eshte shume konkret , te pakten eshte nje nga te vetmit qe prekin haptaz dhe japin shpjegime konkrete ne keto 20 vjet tranzicion. Problemi i arsimit ne Shqiperi eshte mese konkret sepse pas vitit 200 Universitetet Private jane ne nje nivel per te ardhur keq. Kemi kaluar nga emri STUDENT ne te ashtuquajturin KLIENT. 

Pyetja shtrohet eshte cfare kuptohet me tranzicion e kur quhet i kaluar. Tranzicion per ku?

Krahaso ne shkrim cfare kercenonte shteti i diktatures e cfare kercenohet nga pushteti sot per te kuptuar sa larg jemi nqs drejtimi i tranzicionit tone eshte shteti demokratik.

Nqs ligji ne diktature ekzistonte, kjo e mbante kete sistem gjalle. Sot Ligji luftohet, nuk respektohet e denigrohet. Shteti i sotem ka permasat me teper te nje shteti mafiozo-fashist se te nje demokratik ku ne synojme. 

tranzicion kuptohet kjo periudha e kalimit te pushtetit nga pushtat e komunizmit te pushtat e post komunizmit. me tejzgjatje te tranzicionit kuptojme stervitjen tip zbor per aspektet financiare te qeverisjes duke kaluar me pare parate e shtetit dhe te taksapaguezve ne xhep. sa me gjate te shkoje kjo periudhe aq me teper milionere do nxjerri shqiperia nga post - komunistet.

tranzicioni shqiptar = diktature komuniste shume liberale ndaj krimit.

 Tranzicioni ne Shqiperi ka ngecur ne fjalorin e disa gureve te copetuar dhe disa rrogetareve qe pas 2003 dolen paf si puna e geshtenjave te pjekuar, Erion Velia, Sajmir Tahiri apo BRACE. Ja keta persona e prishin tranzicionin , e ndjekur dhe nga mostra Gramoz Ruci

Gramozit t'i vini anes se eshte si kokrra e thanes. smiley

 anes/thanes, poezi per gramoz rucin.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).