Vijim

“Instituti për Studimet Ndërkombëtare” ka kryer një studim për Shqipërinë, 20 vjet pas rënies së komunizmit në vitin 1990. Ky artikull i drejtorit të ISN-së, Albert Rakipi, përmbledh rezultate të këtij studimi duke i analizuar ato.

201999.jpg (450×281) 

Dy dekada që nga rënia e regjimit komunist duket se në Shqipëri ende nuk është arritur të prodhohet një sistem demokratik funksionues. Ndonëse të gjitha institucionet respektive të një demokracie liberale, si dhe procedurat ekzistojnë formalisht, shkalla e funksionimit të tyre është ende larg nga një demokraci substanciale, e konsoliduar. 

Nëse ende pas njëzet vjetëve në Shqipëri nuk mund të flitet me siguri për fundin e tranzicionit, arsyeja e parë dhe themelore gjendet te shkalla e funksionimit të demokracisë në vend. Nëse biem dakord me definicionin se në radhë të parë “ tranzicioni kompletohet kur është arritur një marrëveshje e mjaftueshme rreth procedurave politike për të krijuar një qeveri të zgjedhur, kur një qeveri vjen në pushtet si rezultat i drejtpërdrejtë i votës popullore dhe kur është realizuar disa herë kalimi i pushtetit nga njëra parti tek tjetra përmes zgjedhjeve të pakontestuara ...” Shqipëria e vitit 2010 nuk ka mundur ende të dalë nga tranzicioni i zgjedhjeve të kontestuara, pavarësisht përparimeve në përmbushjen e shumicës së standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të drejta. Proceset elektorale të kontestuara, kultura e zero sum game, mbajtja gjallë e një konflikti politik permanent, si dhe mungesa e konsensusit dhe kompromisit, vijojnë për fat të keq të mbeten karakteristika themelore e Shqipërisë politike në paskomunizëm. 
Shqipëria ofron më shumë me rastin e një regjimi liberal se sa të një demokracie plotësisht funksionuese.

Njëzet vjet pas rënies së regjimit totalitar, publiku shqiptar mendon se Shqipëria është më shumë demokratike se jo demokratike. Kështu 56,8 për qind e shqiptarëve mendojnë se Shqipëria më 2010 është më shumë demokratike se jo demokratike, kundrejt 22.8 për qind që mendojnë se ajo është plotësisht demokratike dhe 6,5 për qind që mendojnë se aktualisht Shqipëria është plotësisht jodemokratike.

Studimi i ISN-së konfirmon gjithashtu një karakteristikë tjetër të tranzicionit shqiptar: kultivimin e një kulture të varësisë nga faktori ndërkombëtar në procesin e demokratizimit dhe të gjithë transformimit politik dhe ekonomik të Shqipërisë paskomuniste. Kështu 48,9 për qind e shqiptarëve mendojnë se komuniteti ndërkombëtar është faktori kryesor influencues në demokratizimin e vendit, ndërsa qytetarët renditen si faktori i dytë për nga rëndësia me 28,2 për qind dhe qeveria e treta me 9,1 për qind. Të dhënat e mësipërme mbështesin argumentin se pjesëmarrja dhe rëndësia e publikut në demokracinë shqiptare është ende e vogël dhe për sa kohe që pjesëmarrja mbetet në këto kuota, shkalla e funksionimit të demokracisë do të vijojë të jetë gjithashtu e pamjaftueshme për një sistem demokratik funksionues. 

Studimi pohon përparimin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka bërë për sa iu përket lirive themelore dhe të drejtave të njeriut. Ne vitin 2010 vetëm 2,1 për qind e shqiptarëve mendojnë se në Shqipëri ka pak liri fjale, kundrejt 70 për qind që mendojnë se liria e fjalës dhe e shprehjes absolutisht nuk ka ekzistuar në Shqipërinë e periudhës komuniste. Regjimi komunist e ndaloi me ligj lirinë e besimit fetar dhe madje urdhëroi shkatërrimin e institucioneve fetare në Shqipëri. Gjeneratës më të re në Shqipëri sot kjo mund t’i duket krejtësisht absurde, por 89 për qind e shqiptarëve dëshmojnë se liria e besimit ishte e ndaluar në Shqipëri.

Të krahasosh Shqipërinë e sotme me Shqipërinë nën komunizëm për sa iu përket lirive dhe të drejtave të njeriut është si të krahasosh të krahasueshmen me të pakrahasueshmen. Arsyeja se përse qytetarët janë pyetur se si mendojnë për gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist dhe në këto dy dekada synon të vëzhgojë njohuritë dhe kuptimin që kanë qytetarët për të drejtat e njeriut. Kështu, shumica e shqiptarëve (më shumë se tetëdhjetë për qind ) mendojnë se të drejtat e njeriut në Shqipërinë komuniste dhunoheshin në mënyrë brutale. Mirëpo perceptimet e qytetarëve shqiptarë për gjendjen e të drejtave dhe lirive të njeriut gjatë këtyre njëzet vjetëve sugjerojnë nevojën e studimeve dhe observimeve të mëtejshme, po të mbajmë parasysh faktin se 29 për qind mendojnë se shteti vijon të shkelë të drejtat e njeriut. 
Nuk ka dyshim se në Shqipërinë e sotme demokracia është “loja e vetme në qytet”, por kualiteti i kësaj “loje”, edhe njëzet vjet pas rënies së diktaturës, është i dobët.

Shteti ligjor ende larg 
Fillimisht shqiptarët e identifikuan regjimin me shtetin dhe ligjet. Kështu në tre-katër vjetët e para pas rënies së regjimit komunist, mosrespektimi i shtetit, institucioneve dhe moszbatimi i ligjeve shpjegohej me faktin që një pjesë e shqiptarëve e identifikonin ende shtetin dhe ligjet me regjimin që i kishte shtypur në mënyrë ekstreme. Por për fat të keq, ajo, që u mendua se do të ishte një fenomen kalimtar po shndërrohet gati-gati në kulturë. 
Aktualisht vetëm 38 për qind e shqiptarëve mendojnë se ligjet zbatohen plotësisht, kundrejt 24,8 për qind që mendojnë se ligjet zbatohen tërësisht dhe 37 për qind që mendojnë se ligjet zbatohen deri diku. 

Publiku mendon se shkalla e zbatimit të ligjeve nën komunizëm ishte shumë e lartë. Kështu 78 për qind e qytetarëve mendojnë se ligjet në regjimin e mëparshëm zbatoheshin në shkallën më të lartë. Kjo nuk përbën ndonjë surprizë po të mbajmë parasysh faktin se shteti komunist kishte një shkallë të lartë funksionimi për sa u takon organeve të zbatimit të ligjit, përfshirë edhe instrumentet e dhunës ekstreme, të frikës dhe të terrorit. Mirëpo, pavarësisht nga natyra e ndryshme e regjimit, sigurimi i ligjit dhe i rendit është një gjë thelbësore për çdo shoqëri.
Studimi i ISN flet për një perceptim shqetësues të publikut lidhur me aktivitetet e paligjshme në Shqipëri.. Kështu, 47 për qind e shqiptarëve mendojnë se aktivitetet e paligjshme janë shumë të përhapura.

Perceptimi për shkallën e korrupsionit në njëzet vjetët e tranzicionit është i lartë dhe 57 për qind e të pyeturve pranojnë se kanë dhënë ryshfet, ndërsa gati 70 për qind mendojnë 
se dhënia e ryshfetit është e rëndësishme për të realizuar një transaksion apo për të marrë një shërbim nga agjencitë dhe institucionet publike. Korrupsioni perceptohet gjithashtu si faktori kryesor që ka ndikuar negativisht në transformimin ekonomik të vendit, posaçërisht në shpërndarjen e pronës dhe të pasurisë. Kështu, nëse 68 për qind e të pyeturve janë ose shumë të pakënaqur (48 %), ose të pakënaqur(20 %) nga shpërndarja e pronës në Shqipëri, arsyeja mbizotëruese është korrupsioni. Po kështu korrupsioni perceptohet si arsyeja kryesore që disa shqiptarë janë bërë të pasur gjatë këtyre njëzet vjetëve.

Të gjithë janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët
Studimi i ISN-së konfirmon një fenomen të përhapur gjerësisht në vendet në tranzicion apo në demokracitë e pakonsoliduara: funksionimin e ligjit mbi baza përzgjedhjeje. Të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit, pavarësisht nga posti publik apo pasuria që kanë. Në rastin e Shqipërisë kjo ngjan thjesht një slogan krejt i ngjashëm me kohën e komunizmit. Shumica e publikut aktualisht percepton se në Shqipëri ka njerëz që qëndrojnë mbi ligjin. Të pyetur se cilët grupe kanë ata në mendje, kur pohojnë se në Shqipëri ka njerëz që qëndrojnë mbi ligjin, 89 për qind e atyre që e besojnë këtë gjë vendosin në vend të parë politikanët, në vend të dytë policët, në vend të tretë kriminelët dhe në të katërt të pasurit.
Të dhënat e këtij studimi lidhur me gjendjen e shtetit ligjor në Shqipëri janë konsistente me studime të mëparshme të ISN-së. 

Ekonomia! Ekonomia!
Studimi i ISN-së konfirmon se çështjet ekonomike përbëjnë shqetësimin kryesor të qytetarëve. Të dhënat tregojnë se të intervistuarit mendojnë se kushtet ekonomike dhe të jetesës së shqiptarëve më 2010 janë përmirësuar në krahasim me para vitit 1990. Megjithatë shumë të intervistuar nuk janë të kënaqur me drejtimin që ka marrë ekonomia shqiptare që nga viti 1991.

Të dhënat tregojnë se ka një ndryshim të madh lidhur me standardet e jetesës para vitit 1990 dhe në vitin 2010. Rreth 71% e të intervistuarve i përshkruajnë kushtet e jetesës para vitit 1990 si të këqija ose shumë të këqija. Vetëm 2% mendojnë se kushtet e jetesës para vitit 1990 ishin të mira ose shumë të mira. Shqiptarët mendojnë se kushtet e jetesës më 2010 janë përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme në krahasim me ato para vitit 1990. Rreth 73% e të intervistuarve i përshkruajnë kushtet e jetesës së tyre si të mira, kurse 41% i vlerësojnë si mesatare. Vetëm 24% e të intervistuarve mendojnë se kushtet e jetesës së tyre në vitin 2010 janë të këqija.

Megjithëse të intervistuarit e dinë që kushtet e jetesës dhe situata e përgjithshme ekonomike në Shqipëri është përmirësuar shumë që nga viti 1990, ata janë kryesisht të pakënaqur me drejtimin që po ndjek ekonomia shqiptare që nga viti 1991. Kështu 33.4% e të anketuarve janë të pakënaqur, kurse 27% shumë të pakënaqur me këtë drejtim. Gati 30% e të intervistuarve e shohin kursin që po ndjek Shqipëria në ekonomi si relativisht të kënaqshëm ose të kënaqshëm.

Mirëpo nëse fakti që 60,4 për qind e qytetarëve pohojnë se nuk janë të kënaqur me drejtimin ekonomik që ka marrë Shqipëria qysh nga rënia e komunizmit nuk duhet interpretuar si një refuzim i sistemit ekonomik, i ekonomisë së tregut dhe nismës së lirë. Duket se zemërimi i qytetarëve lidhet me mënyrën se si është zbatuar ekonomia e tregut në këta njëzet vjet në Shqipëri, se sa me thelbin e sistemit ekonomik. Mungesa e konkurrencës dhe e rregullave të qarta në sferën ekonomike dhe politike të Shqipërisë paskomuniste ngre pyetje serioze se për deri në çfarë shkalle mund të flitet sot për një ekonomi kapitaliste në Shqipëri. 
Ky argument mbështetet edhe nga të dhëna të tjera të sondazhit. Kështu, për shembull, 67 për qind e të pyeturve pohojnë se nuk janë të kënaqur me mënyrën se si është bërë shpërndarja e pronës në Shqipëri.

Rikthimi i lirive fetare është mirëpritur, por ...
Të dhënat rreth lirisë së fesë tregojnë të njëjtën situatë si me lirinë e shprehjes, sipas së cilës liria e fesë është e garantuar shumë ose në maksimum në vitin 2010, por shumë pak ose pak para vitit 1990. Ushtrimi i lirive fetare u nxor jashtë ligjit nga qeveria komuniste më 1967, duke e bërë Shqipërinë zyrtarisht si shtetin e parë ateist në botë. Gati 90% e të intervistuarve shprehen se shqiptarët kishin pak ose shumë pak liri feje para vitit 1990. Pas shembjes së regjimit komunist në vitin 1991, ndalimi i fesë u shfuqizua, gjë që çoi në një rigjallërim të praktikës fetare. Mbi 79% e të intervistuarve deklarojnë se ata gëzojnë lirinë e fesë më 2010. 

Të dhënat janë interesante, por jo të papritura, e këtë gjë e konfirmon studimi për sa i takon ushtrimit të besimit fetar në Shqipëri. Kështu 30 për qind e qytetarëve pohojnë se nuk e praktikojnë besimin fetar dhe ritet përkatëse, ndërsa 48 për qind pohojnë se iu përkushtohen riteve fetare disa herë në vit ose në raste speciale. 44 për qind e të pyeturve pohojnë se i përkasin besimit mysliman, 30 për qind atij ortodoks dhe 19 për qind besimit katolik, ndërsa 9 për qind pohojnë se nuk i përkasin ndonjë besimi. Sigurisht që këto të dhëna nuk mund të përkthehen në kuotat respektove të besimeve fetare në Shqipëri, por ato tregojnë një prirje që duket qartë: besimtarët myslimanë, aq sa mund të jenë besimtarë shqiptarët, janë shumica, por jo në ato kuota të pretenduara ose të perceptuara.

(Vijon)

1 Komente

 Ne mos gaboj, kjo ishte pjesa e pare, me korrigjoni ju lutem. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).