Ju mbase prisni t'ju flas për zgjedhjet e 8 majit, por unë dua t'ju flas për një libër. Jo se nuk më intereson Tirana dhe vota që do të hedhë qyteti. Por një javë para zgjedhjeve, do të doja që t'jua lexoj Tiranën përmes një libri. "Qytetet e padukshme" i Italo Kalvinos është libri që marr më me qejf se çdo tjetër në dorë. Kohë më parë, duke lexuar një artikull të Ardian Vehbiut, kuptova që të gjithë përjetojmë të njëjtën gjë kur lexojmë këtë libër - të tërë ne gjejmë qytetin tonë aty brenda. 

Edhe Tirana juaj është padyshim (lexohet: "padyshiiim") në njërin nga ato qytetet e padukshme që Marko Polo ia tregon Kublai Khanit.

Mua, të gjitha ato qytete më kujtojnë Tiranën.

MARKO POLO

Kryetarët e Mëdhenj njihen prej njerëzve që zgjedhin për të mbajtur pranë, këshilltarë që i ndihmojnë të zgjerojnë vizionin e vet për botën. Tony Blair këshillohej nga sociologu Anthony Giddens; Bushi i ri nga autori, gazetari dhe botuesi Marvin Olasky; Bill Klinton nga politologu David Osborne apo dhe nga guruja i mjekësisë, Deepak Chopra. Obama nga strategu i shkencave politike Zbigniew Brzezinski; Berluskoni nga... sekseri i prostitutave Giuseppe Spinelli.

E përmenda Berluskonin, sepse liderët e mëdhenj qofshin dhe Kryetarë Bashkish, njihen nga njerëzit që mbajnë rrotull vetes.
Tek libri i Calvinos "Qytetet e Padukshme", Marko Polo, udhëtari më i madh i botëve të njohura e të panjohura në atë kohë, ulet dhe i rrëfen Khanit të madh të Mongolëve për qytetet që kishte parë në udhëtimet e veta. Kublai Khan nuk kishte parë vetë asnjë qytet. Prandaj i duhej ky udhëtar, që t'i tregonte atë çka Khani nuk kish mundur ta shihte. Khani - Kryetari i madh i Bashkisë së Mongolëve - dëgjonte rrëfimet e udhëtarit dhe ndërtonte në kokën e vet një qytet të përsosur.

TIRANA KA PËRBALLË SHKRETËTIRËN 
Çdo qytet, i atij tregon Polo, e merr trajtën e vet nga shkretëtira së cilës i kundërvihet. Ne mund të ndërtojmë një Tiranë të pasur, por përballë saj do të gjendet përherë Kamza. Tirana - sado të përpiqemi ne - do të reflektojë përherë pamjen e Kamzës. Ose të Babrrusë. Ose të komunës Dajt.
Qytetet, e marrin formën e vet nga shkretëtira që kanë përpara. Fieri merr formën e Levanit, Gjirokastra të Lazaratit, Shkodra të fushës së druve, Durrësi të Shijakut.

TIRANA KA QENË DIKUR E VJETËR
Në kartolina, në foto ngjyrë kafe të varura nëpër ca pak lokale të ndërtuara nga arkitektë prej vërteti, herë për snob e herë për mall, mund të hasësh Tiranën e vjetër. Tirana e vjetër, me kafe Kursalin, me hotel Internacionalin, me Bashkinë, me Pazarin e Vjetër, me Sahatin... me Shallvaret.
Tirana e re që po na ndërtojnë prej gjysmë shekulli e këtej, nuk ka asnjë lidhje me atë të vjetrën. Vërtet, Tirana e sotme ngrihet në të njëjtin vend ku ka qenë e vjetra dhe ka të njëjtin emër, por këto të dyja nuk kanë komunikuar kurrë.
Ai i vjetri, ishte një qytet tjetër e që rastësisht quhej Tiranë. Ai i vjetri, është Tirana që unë dal në dritare dhe e ëndërroj ndonjëherë, kur bie mbrëmja.

TIRANA ME KULLA
Qytetet, ngjajnë nganjëherë me qenie që marrin frymë e që zhvillohen me forma të çuditshme. Ka qytete që shtrihen anash. Ka qytete që zhvillohet për lart. 
Tirana mua më duket një qytet që fryhet nga brenda vetes. Si një njeri të cilit nuk i rritet dot më barku sa herë që ha, por që fillon e i fryhet nga brenda.
Tirana, po rritet për lart, meqë duam të jetojmë të tërë në Qendër. Sa më lart që shkojmë, aq më stresuese bëhet jeta poshtë. Në çdo tavolinë ku je ulur, përpiqu të imagjinosh sa njerëz gjenden në atë çast sipër teje. Dhe, ndoshta, rezultati nuk do të të pëlqejë.

TIRANA SI MUND TË ISHTE
Njeriu që udhëton jashtë, në çdo qytet të huaj i vijnë përngjasime të një qyteti shqiptar.
Nëpër botë gjenden plot qytete që mund të kishin qenë qyteti yt. Ajo çfarë qyteti mund të ishte bërë, po nuk u bë. 
Ohri është ajo çfarë Pogradeci mund të ish, Budva, është Himara, ajo që mund të ishte bërë por nuk u bë. Himara mbetet Kandahari ynë, me një Mulla Bollano në shpellën e Piratëve.
Po Tiranën, a e keni gjetur kund? Cili qytet mund të ishte Tirana? Islamabadi? Apo Kalkuta? 

TIRANA PLOT DËSHIRA
Dëshirat kanë formën e Qytetit. Po të na pyesin, si do e donim Tiranën pas ca kohësh, do themi: ja kështu siç është. Do na kenë bindur që ne kështu e kemi dashur. Në fakt, çdo mostër që po ndërtohet, e ka ndërtuar njëri nga ne, babai i dikujt, burri i dikujt, miku i dikujt tjetër.
Dëshirat se si mund të ishte ky qytet, shumë shpejt do të zhduken. Do vijë një kohë dhe ne do dëshirojmë këtë qytet të shëmtuar siç është, pa kujtesë. Fundja, dëshirat, ose ia dalin ta fshijnë qytetin, ose janë fshirë prej tij.

KUJTESA NË TIRANË 
Qytetet shkëmbejnë kujtesën. "Im Atë Donte Adolfin" - ajo është Shkodra, siç nuk e kam parë, siç e kam lexuar. Tirana është "Nëntori i një Kryeqyteti".
Njerëzit që vijnë në Tiranë nuk shkëmbejnë më kujtesë. Të huajt na flasin për qytetet e tyre, e ne u tregojmë muhabete Facebooku. Ata na flasin për mrekullitë e Iranit, ne u flasim për zgjedhjet. Ne kemi harruar të shkëmbejmë kujtesën e qytetit tonë me të tjerët.
Kafja e Madhe për ne nuk ka pas ekzistuar kurrë dhe pas pak kohësh nuk do ketë më asnjë dëshmitar të gjallë për ta treguar.

QYTETET DHE SHENJAT
Çdo shenjë apo formë na flet për këtë qytet ku jetojmë. Një piramidë, 2 kulla binjake, një burrë me kalë. Qytetet mund të kuptohen përmes simboleve e shenjave të shkruara mbi to. "Lavazho", "lavazho", "lavazho". Kur dalim nga Tirana edhe retë kanë forma kalamajsh të vegjël me pompë në dorë që lajnë makina nëpër "lavazho".

TIRANA E ËNDRRAVE
Në tregimet e veta, Marko Polo i tregon Kublai Khanit për një qytet që u ndërtua sipas ëndrrës së atyre që ndiqnin një grua. Ngritën një qytet, me rrugët që secili kishte parë në ëndërr. Nuk ka djalë të rritur në Tiranë që nuk ka ndjekur një vajzë sa dilte nga gjimnazi Qemal Stafa, për ta parë ku e merr autobusin (tani marrin makinën e dashnorit) për të zbuluar ku e ka shtëpinë, për ti dalë para rastësisht në mëngjes...
Po ata që ndërtuan këtë qytet, italianët, rusët, kinezët... kapitalistët e demokracisë, çfarë të kenë qenë duke ndjekur? Më ngjan sikur kanë qenë duke ndjekur herë një mace, herë një femër me perçe që nuk dinte nga i hidhte këmbët, e herë Ali Babën me 40 hajdutë.

UNË FLAS/TI FLET/TIRANA NUK FLET
Ky që jetojmë, po kthehet me shpejtësi në qytetin ku njerëzit nuk flasin më, vetëm shihen. Akoma ka vende, si p.sh., në autobus, ose në tregun e "Çamëve", ku njerëzit shkëmbejnë dy-tre fjalë. Por pak nga pak këta njerëz do të zëvendësohen nga ne, njerëzit që shihemi po nuk flasim. Ne, që nuk njohim më as komshinjtë tanë.
Ne, që shohim një femër që dhunohet në rrugë e mbyllim gojën. Ne, qytetarët modernë shurdhë.

TIRANA DEMOGRAFIKE
Kur mërziten e lodhen nga qyteti i tyre, njerëzit ndërrojnë qytet. Kush mërzitet nga Lushnja, shkon në Tiranë, kush mërzitet nga Kavaja vjen në Tiranë, kush mërzitet nga Himara, ikën në Vlorë e më pas në Tiranë. Në fund përfundojnë të tërë në Tiranë, pa e kuptuar që është i njëjti qytet me atë që kanë lënë pas.
Qytetet tona 'të Enverit' kishin të njëjtën fytyrë të shëmtuar. Qytetet tona sot kanë të njëjtën fytyrë të shëmtuar: atë të King Kongut. Asnjë qytet, nuk dallon prej tjetrit. Eja sa të duash në Tiranë! Eja në Selitë, dhe zëre se je akoma në Kavajë. Eja në Sauk, dhe zëre se je në Kala të Dodës.

TIRANA FIFTY-FIFTY
Tiranën mund ta ndajmë në dy gjysma. Një gjysmë lart e një gjysmë poshtë. Nëse ecim me kokën lart - shohim gjysmën sipër - vetëm çelik, beton dhe xham. Shumica prej nesh, me barrën e madhe të halleve në kurriz shohin poshtë gjysmën tjetër - në rrugë bredhin klube dhe makina. Ne që ecim me sytë përdhe shohim qese moltosh, bileta lotarie të pavlefshme, fara luledielli, pështymat e atyre që kanë kaluar përpara, bishta cigaresh, gozhdë... Dhe pluhur, shumë pluhur! Po takuat njeri që sheh qiellin në Tiranë, më thoni.

TIRANA E BREZAVE
Në qytetin tonë, ndër shekuj luhen të njëjtat role. Thuhen të njëjtat batuta, të njëjtat premtime. Vetëm theksi ndryshon. Brezat në Tiranë ndërrohen, por rolet mbeten. Për aq sa ky qytet mban mend, është gjithmonë një kryetar që eliminon kundërshtarët. Janë gjithmonë ca çakej që copëtojnë pronat. Janë përherë ata që thonë: "akuza është politike." Dhe paradoksalisht, gjendet përherë një turmë e verbër që bredh nëpër rrugë duke ulërirë me flamuj në duar: "Duam Babën!"

QYTETI NGA PARA E NGA PAS
Kur zbret Qafë Krrabën, pas disa dhjetëra kthesash, para teje shfaqet qyteti. Nga dritat, të duket një qytet i shkëlqyeshëm, nga pallatet me ngjyra të duket një qytet i gëzueshëm. Por sa merr kthesën e një pallati futesh në oborre të shëmtuara, në kuba banimi të mjeruar, me makina që parkojnë mbi shkurre, mes teneqeshe hekurash të ndryshkur. Ky qytet nuk ka shumë faqe. Ka vetëm 2. Dy faqe në kurriz të njëra-tjetrës që nuk e shohin kurrë njëra-tjetrën. Vizitorët shohin faqen jashtë. Por ne që jetojmë përjetësisht këtu, shohim më shumë faqen brenda.

RIVERSIDE DRIVE
Sado ankohem, shpesh, gjej diçka befasuese në Tiranë. Në Akademinë e Arteve, po jepet edhe këtë fundjavë pjesa "Riverside Drive" e shkruar nga Woody Allen e me regji të Milto Kutalit. Kjo mund të jetë fundjava e fundit që shfaqja jepet. E diela e fundit. Riverside Drive, është e shkruar mrekullisht nga Woody Allen dhe e luajtur në mënyrë të jashtëzakonshme nga Gaz Gjoka, së bashku me Arben Derhemin. Regjia e Milto Kutalit është bazuar mbi një skenografi minimaliste, por shumë funksionale.
Kjo është pa dyshim (lexohet: "padyshiiim") shfaqja më e mirë e sezonit për mua në një skenë teatri. Nëse doni që për 80 minuta të ndjeheni në Nju Jork e jo në Tiranë, nëse doni të ëndërroni me yje e jo me kulla të shtrembëta mbi kokë, ky është vendi ku "mundeni".

ATA QË NUK JETOJNË NË TIRANË
Tirana është një qytet që sado të ecësh nëpër të, ti nuk e kupton nëse je brenda apo jashtë qytetit. Ka vazhdimisht njerëz nëpër rrugë që merren me gjëra, por nëse i pyet ku është qyteti, ata nuk e dinë. 
Taksixhiu im i preferuar punon rrugëve të Tiranës, fle diku në Selitë në darkë... por realisht, ai nuk jeton në Tiranë. Ai nuk jeton, në kuptimin që mund të jetohet një qytet. Mund të pyesësh njerëzit se ku është Qyteti ku jetohet.
- Ne vijmë këtu vetëm për të punuar, thonë disa. - Ne vijmë këtu në darkë veç për të fjetur thonë disa të tjerë. - Po Qyteti, këmbëngul ti, qyteti, ai që jeton? Qyteti që jeton...? - Atë nuk e di askush.

TIRANA IME
Duke dëgjuar tregimet e Marko Polos, Kublai Khan reflektonte mbi qytetet, mbi rregullat falë të cilave qytetet lindin, lulëzojnë e marrin formë, mbi rendin e padukshëm që i mban ato mbi tokë.
Ne nuk kemi për të pasur kurrë një Kublai Kahn, i cili të rrijë në majë të Dajtit duke ëndërruar për këtë qytet, teksa dëgjon këshillat e një udhëtari idealist. Khanët tanë e kanë humbur idealizmin, dhe këshilltarët e tyre janë sekserë metrash/katrorë. Nuk ka rëndësi se çfarë thonë, çfarë premtojnë. "Gënjeshtra nuk rri te fjalët, por tek gjërat". 
Ne e kemi ngritur bashkë këtë ferr ku jetojmë, - thotë Italo Calvino për Tiranën. 
"Ka dy rrugë. E para, është e lehtë për të gjithë: të pranosh ferrin e të bëhesh pjesë e tij deri në atë pikë sa të mos e dallosh më.
E dyta, është e rrezikshme dhe lyp vigjilencë e kuptueshmëri të vazhduar: të kërkosh dhe të dish të njohësh çfarë nuk është ferr në mes të këtij ferri dhe ta bësh të rezistojë. T'i japësh hapësirë".

5 Komente

Shkurt muhabeti, Tirona esht bo qytet ku nuk banohet mo. Mu m'ze kolla sa filloj e heci neper rruget e saj. Nje Kalkut a Bombej a Islamabad i vertete.

Shkrim i mire i Koloretos. Me pelqen, sepse e strukturon mire jo vetem shkrimin, por edhe idene, te cilen kerkon te percjelle.

Nje pyetje per peshqit: Kush e di nga ju, nga vjen emertimi "Kursal", klube te cilat ka patur ne Tirane, Shkoder dhe ndonje qytet tjeter te Shqiperise?

Pyetja e mesiperme eshte per te testuar pak peshkistet rreth asaj pike qe permend Koloreto ketu

KUJTESA NË TIRANË 
Qytetet shkëmbejnë kujtesën. "Im Atë Donte Adolfin" - ajo është Shkodra, siç nuk e kam parë, siç e kam lexuar. Tirana është "Nëntori i një Kryeqyteti".
Njerëzit që vijnë në Tiranë nuk shkëmbejnë më kujtesë. Të huajt na flasin për qytetet e tyre, e ne u tregojmë muhabete Facebooku. Ata na flasin për mrekullitë e Iranit, ne u flasim për zgjedhjet. Ne kemi harruar të shkëmbejmë kujtesën e qytetit tonë me të tjerët.
Kafja e Madhe për ne nuk ka pas ekzistuar kurrë dhe pas pak kohësh nuk do ketë më asnjë dëshmitar të gjallë për ta treguar.

Artikulle i bukur, por ka te njejten teme. Qe Tirana nuk eshte qytet ku mund te banosh me. Nuk ka qytet te tille. Qytetet gjithnje ndryshojne... New Yorku i 70's nuk qe qyteti me i jetueshem, vetem filmat Taxi Driver etc. tregojne nje imazh te qytetit qe bejne dhe Tiranen te ngjaje si lule.

Ne thjeshte kemi mbajtur zakonin tone te vjeter ku ankohemi shume dhe punojme pake. Njerez flasin per dendesi, por dendesia nuk eshte problem ne vetvete. Qytete si Barcelona, Parisi, Roma, Genoa i kane qendrat (zonat me te mira) me te dendura se Tirana. Shto ketu dhe dendesine qe kane keto qytete nga ndertesa puneje, zyra, qeveritare, hotele qe zakonishte nuk maten tek formula siperfaqe/numer njerezishe.

Studjime e fundit thone qe qytetet e dendura ofrojne gjera me pozitive se qytetet e hapura, te stilit arsye. Shume arsye per kete: nga ana sociologjike njerezite jane me afer njeri tjetrit dhe qendrave kulturore, nga ana tjeter ngrohja e perbashket, transporti etc ka fitime ekonomike.

Dendesia nuk eshte problem, nuk e bene nje qytet te jo-jetueshem; dendesia eshte matematike dhe histori, atje fillon dhe mbaron pa lidhje me Ramen e Bashen. E njejta qe vlen per shenjat e lavazhos qe na acorajone apo shume simbole te tjera. Gjera si kriminaliteti apo mungesa e sherbimemeve e bejne nje qytet te pa-jetueshem. Nga kriminaliteti jemi me pak probleme, por sherbimet jane tjeter ceshtje. Atje duhet te jete nje fokus: c'fare i duhet Tiranes? Dhe te pergjigjemi me gjera reale, jo me me pak dendesi dhe me shume unicorns.  Nje fokus tjeter: sa para jemi gati te japin ne taksa, si ta bejme bashkine nje institucione me transparenc dhe pergjegjshmeri.

 

 

na mungojne fotografite... fotografia si art, qe dokumenton historine e transformimit te qyteteve dhe njerezve te tyre, qe tregon ankthet e nje epoke dhe endrrat, qe na furnizon nje dimension te ri, te panjohur te ekzistences sone te perbashket ne ferrin tone te perbashket ose individual, na mungon nje pasqyre ku te shikojme vetveten dhe te reflektojme, te ndjejme, nje mjet per te ruajtur sadopak te tashmen e realitetin, identitetin tone si shoqeri, qofte ai dhe banal, ose i percudnuar, qofte ai edhe i bukur... nepermjet fotografise, mendoj qe mund te rizgjohet dashuria, ndergjegjja e njerezve, te kundershtohet veteshkaterrimi.

Shkrim i mire megjithese pak si mendime te shpeutura e te hedhura ne leter. Nuk e kuptova ku deshte te dilte me ate punen e keshilltareve... thashe se po na thote dicka qe s'e dime. Nejse, ne pergjithesi pune e paqme Koloreto!

Tani ky shkrim te ngjall edhe disa reagime. Nje nga keto eshte ajo puna e taksave. Dihet qe ne nje ekonomi te lire njerezit shkojne atje ku kushtet jane me te mira dhe mundesite me te medha. Pak a shume kjo ka ndodhur dhe me Tiranen. Njerezve jua bene fushe me lule (vetem hajde dhe ngul nje shkop me keq se ne Far West) dhe ata moren vrapin dhe e rrethuan Tiranen, me pas e pushtuan dhe tani e kane dhj..re si kane mundur e ku i kane lene (ketu nuk po flas per ndasi krahinore pasi te gjithe do vepronin pak a shume ne te njejten menyre po t'u jepej mundesia dhe mos kishin cfare te humbnin). Cfare po behet sot per te rregulluar kete kulture qytetare? Hiç ore hiç! Shkon deri aty sa premtohen ulja e taksave, legalizime te te palegalizueshmeve, hipotekime te pahipotekueshmeve, falja taksash per te pataksueshmit, e dokrra te tjera populiste si keto. Dokrra qe ne rastin me te mire tregojne deshtimin e nje shteti prej letre. Dmth. cfare pritet nga Tirana e neserme. Hiç ore hiç! Biles dhe me keq se hiçi. Njerzit do vazhdojne ta dhj.sin me keq se c'kane bere deri me sot me perjashtimin e vet se mund t'ju ndertohet ndonje "shatervan me uje autoboti ne mes te ndonje sheshi".

Ne fakt ajo qe duhet te konkurohej sot ne Tirane ishin programet e zhvillimit, hapesirat e gjelberta, mbikalimet e nenkalimit, disiplinimi (po pse jo dhe prishja) e ndertimeve pa leje, nderkaq qe te gjitha gjasat jane te ndodhe e kunderta. Dhe njerezit o Koloroteo do vazhdojne te vijne ne Tirane, do vazhdojne te ndertojne, sh.rrojne e dhj.sin ku te munden dhe ne do vazhdojme te kujtojme kafe Kursalin tek peshku qe i ka mbaru uji...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).