Hetimet

Oficeri i ndërlidhjes ka regjistruar me procesverbal bisedat e krerëve të gardës

Prokuroria zbardh bisedat e krerëve të Gardës të Republikës më 21 janar gjatë demonstratës ku humbën jetën katër persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën me armë zjarri. Kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga ngjarja e rëndë, prokuroria thotë se ka një skemë të komunikimeve me radio të kreut të gardës me komandantët e njësive që operonin brenda rrethimit të Kryeministrisë. Kërkesave të njëpasnjëshme të akuzës për serverin e bisedave në radio, punonjësit e gardës iu përgjigjën negativisht, duke pohuar se “garda nuk ka server”. Hetuesit e çështjes gjetën një “gabim” të gardistëve, pasi oficeri i ndërlidhjes ka shënuar në procesverbal të gjitha bisedat. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se kanë sekuestruar të gjithë librin e ndërlidhjes, ku datohen dhe detajohen bisedat e kreut të gardës me të gjithë vartësit. “Procesverbali i oficerit të ndërlidhjes për bisedat e krerëve të gardës më 21 janar është sekuestruar dhe u është nënshtruar hetimeve të hollësishme. Nisur nga këto të dhëna kemi dyshime se krerët e gardës kanë dhënë urdhra më 21 janar ndaj gardistëve të thjeshtë”, thanë burimet nga akuza qendrore, e cila saktëson se në krye të të gjithë bisedës është komandanti Ndrea Prendi, ndërsa pas tij komandantët e njësive operacionale që vepronin brenda rrethimit të Kryeministrisë.

Më 21 janar, kreu i Gardës së Republikës ka komunikuar dhjetëra herë me vartësit, duke dhënë udhëzime dhe urdhra për tërheqjen apo për mosdorëzimin e institucionit që mbronte. Në krye të të gjitha bisedave qëndronte pikërisht komandanti. Më pas drejtuesit e njësive operacionale, Dashamir Shehi, Alfred Ahmetcenaj, Aleksandër Deda, Fatos Bushati e Altin Kollçinaku (edhe këta persona nën hetim) rezultojnë se kanë komunikuar më 21 janar me njëri-tjetrin. Procesverbali i komunikimeve, i firmosur nga oficeri i ndërlidhjes, detajon edhe urdhrat, madje në pikën e “nxehtë” janë shënuar disa komunikime për mosdorëzimin e institucionit. Akuza thotë se ka marrë në pyetje pikërisht oficerin e ndërlidhjes, duke i kërkuar të shpjegojë rolin e tij gjatë demonstratës. Mësohet se oficeri ka pohuar se “ka zbatuar detyrën”, ndërsa hetuesit, të mësuar nga “besnikëria” e gardistëve ndaj njëri-tjetrit, kanë verifikuar librin e shënimeve. Prokuroria nuk jep të dhëna të sakta nëse kanë gjetur “urdhrat vrarës”, ndërsa pohon se ka pasur urdhër për të qëlluar me armë zjarri. Në drejtim të demonstruesve apo në ajër kjo mbetet për t’u verifikuar nga hetimet e mëvonshme. Grupi hetimor thotë se nisur nga të dhënat e fundit mund të ngrejë akuzë ndaj drejtuesve të gardës.

Një skemë e komunikimit midis zyrtarëve të lartë të shtetit është zbardhur gjatë komisionit hetimor të 21 janarit. Komandanti i gardës, Ndrea Prendi, tha se “kam komunikuar me ministrin e Brendshëm”, ndërsa saktësoi se Garda e Republikës është në varësinë e Ministrisë së Brendshme. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, para të njëjtit komision, tha se ka pasur komunikime në telefon me policinë dhe gardën, ndërsa saktësoi se ka komunikuar në telefon me drejtuesit e gardës dhe me Kryeministrin, të cilët ndodheshin në të njëjtën godinë, pra në Kryeministri. Berisha tha se ka qenë në komunikim periodik me ministrin Basha, ndërsa pyetjes nëse ndihej i kërcënuar, iu përgjigj se “demonstruesit brenda nuk hynin kurrë, po të ndërmerrnin një sulm frontal do të ndërmerrnin një disfatë frontale”.

 

5 Komente

zbardhen bisedat... - ku eshte zbardhja.

Ja ku eshte:

Kush i ka perkthyer bisedat ne gjuhen zyrtare shqipe?

Sokol Cobo dhe gazeta ''shqip''.smiley

sa here qe ne titullin tashme popullor te gazetave shqiptare lexoj: ''u zbardh kjo'' e u ''zbardh ajo'', (nuk kane me lane gje pa zbardhur keta.smiley), aq me te murrme jane artikujt qe pasojne....

 " .... Berisha tha se ka qenë në komunikim periodik me ministrin Basha, ndërsa pyetjes nëse ndihej i kërcënuar, iu përgjigj se “demonstruesit brenda nuk hynin kurrë, po të ndërmerrnin një sulm frontal do të ndërmerrnin një disfatë frontale” ... "

   Mendoj se kjo psikollogji e Buall Mavrise, nuk ka nevoje per koment. Me kujtoi E.Hoxhen dhe M.Shehun.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).