Një qytetar i revoltuar grek ka bërë diçka që bën diferencën mes një shoqërie aktive dhe një shoqërie apatike. Sipas medies greke, një i ri 35-vjeçar, pasi ka parë zëvendëskryeministrin Pangallos të drekojë afër tij, është ngritur dhe me edukatë, pa bërë shumë zhurmë, i ka marrë pjatën e peshkut që ai po bëhej gati të hante. Protesta kishte të bënte me faktin se Pangallos ka tentuar me fjalorin e tij populist të justifikojë krizën e financave greke si përgjegjësi e gjithë shoqërisë. Gjesti i të riut grek ishte spontan dhe shumë dinjitoz, pasi ai nuk ka pasur kohë as të konsultohet për atë aksion politik dhe as të frenohet nga prania e një pushtetari në restorantin e tij. Kjo në të vërtetë rrezaton fuqinë e një shoqërie të lirë dhe të aktive për të drejtat e saj. Zëvendëskryeministri Pangallos është një figurë popullore në Greqi, i cili njihet më shumë për gjuhën e drejtpërdrejtë dhe popullore se sa për idetë e qeverisjes, dhe fakti që atij i është dashur të përplaset me pasojat e fjalëve të veta, është shumë domethënës. Në një farë mënyre është një standard që shoqëritë e lira dhe aktive ia vendosin vetes për të mos i poshtëruar askush.

Në Shqipëri, ku pasojat e keqqeverisjes janë traumatike dhe ku klasa politike po konsolidon traditën e mosndëshkueshmërisë nga ligji dhe nga shoqëria, një gjest i tillë as që përfytyrohet. Kryeministri ynë del çdo ditë dhe si për të terrorizuar qytetarët e varfër dhe ata që nuk dinë si do ta mbyllin muajin me lek, u thotë se ata kanë rritjen më të madhe të pensioneve në Evropë. Këtë ua thotë pensionistëve që e kanë pensionin 8 mijë lekë dhe do t’u bëhet 8.100 lekë, me të cilat edhe bukë thatë nuk blejnë dot gjithë muajin. Ai e bën i sigurt se askush nuk e fyen për fyerjen që u bën shqiptarëve.

Sistemi bankar në Shqipëri po plasaritet nga kreditë e këqija dhe rënia e fuqisë paguese së bizneseve që janë superkredituar artificialisht, qeveria po fut duart në paratë e shqiptarëve duke marrë borxh tek bankat e nivelit të dytë për shpenzimet e veta.

Sistemi ynë i drejtësisë po shkon drejt fatalitetit të mos ndëshkimit të qeveritarëve.

Raste të pafundme tregojnë se shoqëria shqiptare ka hyrë në një apati të thellë dhe duket se është mundur nga kultura e mosndëshkimit. Sistemi gjyqësor dhe imuniteti politik kanë nënshtruar shqiptarët dhe i kanë kthyer ata në skllevër të poshtëruar të dhunës verbale, fizike, financiare dhe politike që pushteti ushtron mbi ta.

E di që ka plot njerëz që janë gati të thonë “e ka fajin opozita”. Ka dhe ajo fajet e veta, ka dha jo firot dhe defektet e veta, ka dhe ajo kuislingët e vet. Por diferenca mes një shoqërie të lirë dhe një shoqërie të poshtëruar, është pikërisht tek gjesti spontan i një qytetari si ai që i hoqi nga duart pjatën zëvendëskryeministrit dhe një qytetari shqiptar që shikon me zili (dhe larg qoftë me adhurim) këta që na vrasin dhe na vjedhin duke u bërë milionerë. Nuk kam fuqi të fajësoj njerëzit për këtë pranim të së keqes, por kam të drejtë të them që po e pranojmë të keqen të na poshtërojë. Është mirë të fillojmë ta pranojmë se po na poshtërojnë, para se të na duket poshtërimi një detyrë e jona përballë pushtetit. 

 

2 Komente

 Shembull të mirë ka gjetur Baze për të përshkruar diferencën. 

Po mua më pëlqen një shembull tjetër, që më duket më i bukur. 

Mirsini Loizou, e bija e Manos Loizou, kompozitor i famshëm grek, i ka ndaluar PASOK-ut dhe kryeministrit grek, me një letër të hapur, të përdorë një prej këngëve të babait të vet. 

Është pikërisht kënga "Kalimera Ilie", (Mirëmëngjes Diell), PASOK-u e përdorte shpesh sa herë kishte tubime partiake, që në kohën e Andrea Papandreut. 

Në jutub mund t'a shifni këtu: http://www.youtube.com/watch?v=5dmld8Fj15o

dhe në video duken edhe arsyet pse Mirsini ua ka ndaluar këngën ta përdorin. 

***

Perceptimi im për çka ndodh në Greqi, është se shoqëria qytetare greke, e të indinjuarve, por edhe të njerëzve të thjeshtë, e ka tejkaluar elitën politike. Janë më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm se vetë elita. Nuk kërkojnë zëvendësim pushteti, por ndryshim të rregullave të lojës. 

 

 Nderkoh qe zevendeskryeministri shqiptar dhe kryeministri shqiptar kane nje tufe me bodiguarde qe nuk te lejojne tu afrohesh fare ketyre. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).