SHQIPNI TAVOLINASH

Sërisht një projekt-ligj i ri për prishjen e Piramidës. Sapo u fut me urgjencë dhe fshehurickazi në programin e Kuvendit. Po vjen mesi i beharit, njerëzia po nxitojnë plazheve, ndërsa Qeveria gjen kohë të merret sërisht me Piramidën. Në fakt, kam vënë re se ditët më me zarar për shqiptarët, janë seanca e fundit e Kuvendit para Vitit të Ri; dhe seanca e fundit para pushimeve të verës. Gjithmonë në këto dy ditë qeveria kalon gjërat më të pabesa dhe hajnitë më të pista. Nejse, me shumë përpjekje, ja dola të shtie në dorë një kopje të projekt-ligjit, pasi aq të fshehtë e mbanin, saqë qe gati e pamundur ta gjeje. Përpara se të ulesha të shkruaja rreth tij, u futa në internet për të krijuar një panoramë të shkrimeve të bëra mbi këtë çështje. Bëra gabim! Sa më shumë futesha në themel të atyre që janë thënë për piramidën në këto 6 vjet, aq më shumë harroja arsyen se pse i kisha hyrë kësaj pune dhe devijoja drejt një tjetër ideje.

Është e pabesueshme se sa shumë gënjeshtra e premtime janë thënë nga Sali Berisha gjatë këtyre 6 vjetëve për Piramidën dhe, ca më keq akoma, jam i bindur se i ka thënë me koshiencë që po gënjente.

Gjithshka zuri fill në fund të vitit 2005, kur Berisha hodhi idenë e kthimit të Piramidës në Bibliotekë Kombëtare. Kjo do t’i jetë dukur edhe si mundësi për të mbyllur plagën e tmerrshme të gjëndjes mjerane ku gjendet Biblioteka Kombëtare.

Pastaj në Korrik 2006 me vendim qeverie, Piramidës ju dha emri “Qendra Ndërkombëtare e Kulturës Pjetër Arbnori”, duke e flakur tej idenë e Bibliotekës Kombëtare. U hodhën pará dhe Berisha foli për shndrrimin dhe ndryshimin rrënjësishor të kësaj qendre, blla, blla, blla. Pasta porositi punonjësit që: “Qendra të hyrë në një rikonstruksion të plotë, si në ambiente e jashtme e po kështu edhe në ato të brendshme, që të meritojë emrin e blla, blla, blla”.

Pastaj në Maj 2007, u kujtua se vërtet nuk ishte bërë ende asgjë për ta shndrruar në kështu e në ashtu, siç kishte premtuar një vit më parë, por mund të vazhdonte të gënjente. “Një emër i madh si ai i Pjetër Arbnorit, kërkon që të vendoset edhe busti i tij përpara Piramidës” dhe shpalli: “Të fillojë puna për vendosjen e këtij busti”. Madje mbi bazën e kësaj broçkulle, Ministria e Kulturës, shpalli edhe një konkurs Kombëtar për bustin që do të vendosej atje. Sa për kujtesë në juri thirrën të bënte pjesë edhe Sabri Godo. E gjitha përfundoi në ajër.

Pastaj në vitin 2008, e la prapë punën e bustit dhe Berisha foli për “Epokën e re të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës”, për “shndërrimin e saj në Panteon Kulture”. Terma faraonikë, që as faraonët s’besoj se kanë guxuar t’i thonë. Premtoi dy salla kinemaje, auditorium muzike, një sallë teatri, sallë leximi, bibliotekë nëntokësore, galeri arti, qendër rinie multifunksionale, të gjitha këto nën kupolën e xhamtë të Piramidës. Yrysh prapë, u dhanë intervista dhe u morën vendime, u planifikuan fonde dhe u shpallën tendera.

Pastaj po në vitin 2008, u fshinë të gjitha planet planetare dhe Berisha shpalli se: “Piramida, do të shndërrohet në ‘gjigantin’ e artit dhe kulturës shqiptare”, duke e kthyer në teatër kombëtar. Lëshoi ditirambet e zakonshme për artistët e shkëlqyer që ju mungon palku ku të shprehen dhe ... prapë vendime, konkurse, tendera, pará të tjera nga fillimi.

Pastaj në Janar 2009, u harrua ç’ishte thënë dhe vendosur për bustin e të ndjerit Pjetër dhe Berisha hodhi një ide tjetër po aq vizionare. Të persekutuarit në kulm të halleve të tyre morën lajmin se Qeveria do të caktonte një ditë përkujtimi për ta. Dhe pikërisht në atë ditë Berisha shpalli se: “do t’i propozohet Parlamentit që të vendosë për ngritjen e obeliskut në nderim të viktimave të sistemit komunist, para piramidës së diktatorit, e cila sot është Qendra e Kulturës “Pjetër Arbnori”. Oburra nga fillimi, sërisht vendim qeverie, skica e projekte, për të zëvendësuar bustin e Pjetrit, që s’u ndërtua kurrë, me obeliskun, që edhe ky s’u ndërtua kurrë.

Pastaj në tetor të vitit që shkoi, Berisha zbuloi se brenda Piramidës jetonte fantazma e Diktatorit, e cila mund të largohej vetëm duke e prishur nga themelet atë. Mbi gërmadhat e diktatorit do ndërtojmë tempullin e demokracisë... Parlamenti i ri kushton më pak se rikonstruksioni i aktualit... Foltorja e Lirisë mbi mauzoleun e gjakpirësit... Unë i garantoj shqiptarët se qeveria nuk do të shpenzojë asnjë qindarkë më tepër sesa do të shpenzonte për rikonstruksionin e godinës aktuale të saj”. S’po vazhdoj më, se jam i bindur se e keni akomën plot me të tilla porofka dhe me gjithë debatin e ngritur që atëhere e që vazhdon ende sot.

Po prisni se nuk ka mbaruar. Në mars të këtij viti, Berisha i rikthehet demagogjisë: “Këshilli i Ministrave vendosi ngritjen e monumentit të Heroit të Demokracisë dhe Pluralizmit, Azem Hajdari, në parkun midis godinës së Kryeministrisë dhe lumit Lana, me shikim nga bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’. Kësaj rradhe, të paktën pakkush e mori seriozisht, aq sa as Ministria e Kulturës nuk bëri gjoja sikur po merrte shënim për të hapur një konkurs të ri për bustin e Azemit, që do vendosej në vend të obeliskut të të Persekutuarve, që do vendosej në vend të shtatores së Pjetrit, që s’u vendos asnjëra.

Janë të panumërta ligjet e miratuara dhe vendimet e qeverisë të nxjerra, konkurset e shpallura dhe tenderat e zhvilluar, fondet e derdhura dhe paratë e tretura, deklaratat, intervistat, artikujt, fjalimet, ceremonitë, kronikat, të gjiiiiitha gënjeshtra të ndërgjegjshme të një njeriu, që e dinte që po gënjente dhe fliste gjithmonë me të njëjtin pathos duke thënë gënjeshtra. Në 5 vjet, Berisha ka lëshuar një mori premtimesh për Piramidën dhe kjo ose është papërgjegjshmëri e atij, ose e jona që e dëgjojmë dhe s’luajmë. S’është e mundur që një burrë shteti, politikan dhe kryeministër i një vëndi, baba i kombit në një farë mënyre, të gënjejë kështu çapraz pa i dhënë llogari askujt

Gjatë këtij kërkimi në internet, mblodha edhe rreth 100 shkrime nga turli lloj autorësh, publicistë e arkitektë, politikanë e analistë, historianë e filozofë, të gjithë për çështjen “Piramida”. Më të shumtit e tyre, siç e dini dhe siç u shpreh opinioni i përgjithshëm i shqiptarëve, ishin kundër prishjes së Piramidës. Papritur m’u bë e qartë e gjithë skema. Më një krah këta dhjetra shkrojtës që bënin gjithë seriozitet e impenjim shkencor, analiza historike e filozofike, përsiatje letrare dhe etyde artistike, arsyetime urbanistike dhe arkitekturore, për një çështje që na mban ende varur të gjithëve; ndërsa përballë tyre një njeri i vetëm që, si pa gjë të keq, gjithë këta vite vetëm ka gënjyer dhe është tallur me të gjithë ne. Nuk është faji i tij.

11 Komente

Isha ne Tirane para nja dy muajsh dhe midis te tjerave i rashe verdalle edhe Piramides, se edhe te doja nuk e shmangia dot ne ate vend qe eshte. Te them te drejten, ne ate gjendje qe e kane katandisur, me mire te prishet nje sahat e me pare, qofte edhe sikur per t'i lene vendin nje banjoje publike. Vetem nese plani fillestar ka qene qe pasi i dhane emrin heroik "Pjeter Arbnori". ta benin te ngjante si burgu i Burrelit.

C'na prish gjakun qe ne mengjez me keto foto.  Po sikur ta rregullojme dhe mos ta shkaterojme behet ndonje gje?

A u pyet kush per prishjen a rregullimin e piramides? Kur qenka kaq urgjente puna, pse nuk e prishin e thjesht te mbjellin peme ne vend te saj?  Pse duhet ndertuar po prape nje piramide tjeter ne vend te saj?

 Ajo gjendja ku e kane degraduar qellimisht eshte gjithesesi e riparueshme. Kam pershtypjen se efekti qe kane dashur te krijojne eshte pikerisht ky, qe te mos na vije keq se po e prishin. Askush nuk di te thote ku shkoi mermeri qe e vishte godinen, se ai nuk ra nga koha por u shkul nga dora e hajnise.

 Pllakat e mermerit i kane vjedh, i kane vjedh per ti shit.

 ..jo, jo, jo, nuk i kane vjedh, po i kane heq, per rikonstruksion...i kane zevendesuar me pllaka majolike, qe bejne 1000 leke metri katror, dhe i kane shitur per mbeturina me nje çmim "qesharak", si materiale te riciklushme,  prej 5000 leke per meter katror, dhe dihet se ku kane perfunduar.......

Zhozi me Berishen bejne sikur luftojne komunizmin ne ke menyre emrin e Enver Hoxhes e ngrejin me shume. Natyrisht qe nxjerron ndonje leke xhepi.  

 Gjithmonë në këto dy ditë qeveria kalon gjërat më të pabesa dhe hajnitë më të pista.

Nuk ke zbulur ndonje gje te madhe . Ata jane te tille ne cdo FJALE ne cdo VEPRIM ne cdo Frymemarrje. Nje bande Kusaresh para se te grabise e te vrase te miklon me forma te ndryshme .Kete kane huazuar keta qe quhen Qeveria ne Diete . Ka vetem nje zgjidhje dhe realisht ne se nonjehere ndonje shqiptar ( perfshij dhe veten nga te paret )behet zotrusi i ndonje pasurie te konsiderueshme , t'ja FAL Shqiperise me nje kusht .

Ne se behet Parlamenti Ri , ne hyrje te tij te ndertohet nje OBJEKT nje ne kujtim te dy kalibrave me Injorante e Qesharake e me Tipike qe jane cafqur ne Historine e Shqiperise .

varianti pare nje HALE me madheshtore , me Lutjen " kush te kaloje le te beje adetin per kujtim te Saliut e Jozefickes "

varianti dyte " nje kompozim (me frymezim nga Donkishoti me Sancon ) Ku Saliu te jete duke terhequr litarin e Gomarit maj te cilit rri hipur Jozeficka " me kushtimin   ""shakaxhijve e perparimit " .

Ata jane bande Arrogantesh Autokrate !

 Une habitem me gazetaret shqiptare, qe rrijne indiferente ndaj nje shpenzimi te kote, se Parlamenti ekziston. Ato leke qe Buall Mavria deshiron ti shpenzoje per prishjen dhe ndertimin e nje objekti , fere mire mund ti investoje ose ne infrastrukture ose ne bujqesi. Ka plot fusha ku mund te investosh, energjitike etj, ku fare mire prodhon dhe akumulon. 

E keqja eshte se te senuret, viktimat nen efektin e hipnozes e kan mbeshtetur ne cdo aventure kete kryeminister, nqs sot ai thote piramida te mos prishet se eshte e vetmja godine me rendesi e kultures shqiptare ne tirane keta njerez te semure jan gati ta mbrojne me jeten e tyre ate godine,nqs berisha pastaj del te nesermen dhe thote te shembet sepse eshte mazoleum i diktatorit keta shndrohen nga mbrojtes me jete te godines ne shembesit me te zellshem te saj, direkt rrembejne varet dhe e shembin menjehere.....

Problemi eshte me ne shqiptaret dhe jo me te marrin qe gjen shesh e ben pershesh.

Le ta prishin te gjitha le ti prishin, perderisa ne pjesa e ndergjegjshme e ndershme dhe e pergjegjshme e ketij vendi nuk kemi fuqine qe ti tregojme vendin plehrave...

Ja dhe Kolegji foli, Edi u hoq, vjen Basha. Piramida do prishet, censusi do behet........Amon vetem ti bojne se na kane ca trapin mooooooooooo, ka arrit aty ku s'man mo. Lerini te shijne Bradrat me shoke e te vjedhin pllakat e vjetra, te vjedhin me cmimin e pllakave te reja, te vjedhin te brednshmet e piramides sot dhe me cmimin e materialeve te ndertimit neser. Eshte koha a tyre. Grami po lulezon gjithandej, kohe e begate per pisllikun.

Dhe yjet rrijne e veshtrojne.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).