Një ”Plan marshall europian” u konsiderua vendimi i fundjavës së kaluar  i Samitit të Liderëve të Eurozonës në mbështetje të Greqisë, për të përballuar krizën e rëndë të saj. Natyrisht që ky vendim nuk ishte i lehtë. Ai ishte rezultat i shumë hapave dhe vendimeve (shtimi i rregullave të mbikëqyrjes, krijimi i Fondit të Shpëtimit të Euros etj.), dhe veçanërisht i bisedimeve shumë të gjata ndërmjet liderëve të shteteve dhe qeverive të Eurozonës (në veçanti dialogu Merkel–Sarkozi). Por jo vetëm kaq. Jo më shumë se një muaj më parë, kjo çështje ishte në qendër të diskutimit mes presidentit Obama dhe kancelares Merkel në Uashington. Dhe vetëm një ditë para Samitit të Liderëve të Eurozonës, sekretarja amerikane e Shtetit, zj. Klinton, vizitoi Athinën duke përcjellë mesazhe të plota mbështetjeje të këtij plani. Ndërkaq, duket se ky vendim konsideroi drejt se kriza greke tashmë nuk është vetëm greke. Kjo krizë ka prekur Irlandën dhe Portugalinë, Spanjën dhe Italinë. Pra, ajo dëshmon se ka të bëjë jo vetëm dhe thjesht me një vend, por me vetë Eurozonën dhe të ardhmen e saj. Për më tepër, vendimi për këtë ”Plan marshall në ndihmë të Greqisë” nuk mund të merrej pa dëshminë e vendosmërisë së qeverisë greke se duhet të zbatonte një program reformash shumë efikase dhe drastike. Më tej, këto reforma kërkonin njëherësh sakrificën dhe mbështetjen e popullit grek. Dhe, kështu ndodhi. Siç theksohet në deklaratën e përbashkët në përfundim të këtij Samiti: “... Liderët e shteteve dhe qeverive përshëndesim masat e ndërmarra nga qeveria greke me qëllim stabilizimin e financave publike dhe reformimin e ekonomisë, si dhe të paketës së re të masave, përfshirë edhe të privatizimeve e cila u votua nga parlamenti grek. Bëhet fjalë për përpjekje të dhimbshme, por të nevojshme, në mënyrë që ekonomia greke të rihyjë në rrugën e zhvillimit... Jemi të ndërgjegjshëm, - vazhdon deklarata, - për përpjekjet që kërkohen nga populli grek dhe jemi të bindur se këto sakrifica janë të nevojshme për rritjen ekonomike dhe do të kontribuojnë në stabilitetin e ardhshëm dhe në mirëqenien e vendit...”

* * *

Çfarë përmban ”Plani”?

Sipas këtij plani, vendet e Eurozonës ranë dakord të mbështesim një program të ri për Greqinë dhe së bashku me FMN-në dhe kontributin e sektorit privat të mbulojmë plotësisht boshllëkun financiar. Financimi zyrtar në total parashikohet se do të arrijë vlerën e 109 miliardë eurove. Ky program mbështetjeje do të jetë me interesa të ulëta dhe me kohë më të gjatë shlyerjeje, në mënyrë që të përmirësohet dukshëm qëndrueshmëria e borxhit si dhe aftësinë kredimarrëse e Greqisë. FMN-ja, gjithashtu do të vazhdojë të kontribuojë në financimin e programit të ri të Greqisë dhe si mjet financues ka për qëllim të përdorë Fondin Europian për Stabilitet Financiar (EFSF).

Gjithashtu, në Samit u vendos të zgjatet afati i shlyerjes së kredive të ardhshme të EFSF-së ndaj Greqisë në afatin më të gjatë të mundshëm, nga 7,5 vjet që është sot, në 15 vjet (minimalisht) deri në 30 vjet (maksimalisht) dhe me periudhë faljeje 10 vjet. Do të përfitohen kredi  nga EFSF me interesa të njëjta me ato të mekanizmit për mbështetje të bilancit të pagesave në mënyrë që t’i afrohen kostos së kredidhënies të EFSF pa rënë më poshtë se ajo. Gjithashtu, u vendos të zgjaten në mënyrë të rëndësishme afatet e mekanizmit ekzistues grek. Kjo iniciativë do të shoqërohet me stimujt e nevojshëm për implementimin e këtij plani.

Natyrisht që zbatimi i këtij “plani” kërkon zbatimin e një strategjie të përgjithshme zhvillimi dhe investimesh në Greqi. Kështu që Samiti nxiti mbështetjen e vendimit të Komisionit për të formuar një skuadër të veçantë e cila do të bashkëpunojë me organet greke në mënyrë që fondet të shkojnë në drejtimin e përmirësimit të konkurrencës së ekonomisë, të rritjes ekonomike dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Për këtë qëllim do të vihen në lëvizje fonde dhe institucione të BE-së dhe Bankës Europiane të Investimeve, çka do të mundësojnë një shtysë të re zhvillimi në ekonominë greke. Njëherësh, shtetet anëtare dhe Komisioni do të vënë në lëvizje të gjitha burimet e nevojshme për t’i ofruar Greqisë asistencë teknike për zbatimin e reformave. Komisioni do të paraqesë një raport-progresi në tetor.

Ashtu siç edhe ishte paraparë, sektori (privat) financiar është treguar i gatshëm për të mbështetur vullnetarisht Greqinë duke përdorur mundësi të ndryshme për forcimin e mëtejshëm të qëndrueshmërisë. Kontributi neto i sektorit privat vlerësohet të arrijë shumën e 37 miliardë eurove.

Pra, 16 partnerët e Greqisë në zonën e euros, FMN-ja dhe 30 banka të mëdha, ranë dakord dje në Bruksel të ndihmojnë vendosmërisht Greqinë duke i dhënë kredi dhe kohë në mënyrë që të forcojë financat e saj publike. Në këtë mënyrë, vendet e Eurozonës dhe FMN-ja vendosën t’i japin  kredi me interesa të ulëta dhe me kohë më të gjatë për shlyerjen e tyre, kurse 30 bankat (ndërmjet të cilave 20 banka europiane dhe 5 greke) pranuan të sakrifikojnë gati 20% të vlerës së bondeve greke që zotërojnë, duke shpresuar sigurisht të shpëtojnë vlerën prej 80%. Sipas kryeministrit Jorgo Papandreu, Greqia, nëpërmjet këtyre masave mbështetëse, do të zvogëlojë borxhin e saj në masën 26 miliardë euro deri në vitin 2014. Natyrisht që i gjithë ky “plan” do të jetë i monitorueshëm kundrejt një raportimi periodik (në tetor të këtij viti do të jetë raportimi i parë i monitorimit).

Reagimi: Sulm investimi dhe zhvillimi

Me gjithë ngjarjen tragjike, që po në të njëjtën ditë me Samitin e Liderëve të Eurozonës tronditi Oslon dhe mbarë opinionin ndërkombëtar, ”Plani marshall europian” u prit me nota pozitive nga të gjitha vendet e BE-së. Natyrisht, së pari nga vetë Greqia. Mediat europiane dhe ato botërore e vendosën në qendër të vëmendjes gjatë këtyre ditëve. Tregjet financiare u “qetësuan” relativisht. Të humbur, - deklaroi kryeministri grek, Jorgo Papandreu, - dolën vetëm spekulantët që prisnin që Greqia të falimentonte. Por reagimi nuk ishte thjesht dhe vetëm mediatik dhe psikologjik. Pas premtimit të bërë nga presidenti Obama një muaj më parë, për një mbështetje shumëmiliardëshe të biznesit privat amerikan për të investuar në Greqi, pas Samitit i menjëhershëm ka qenë reagimi i qeverisë gjermane: ”Sulm investimi dhe zhvillimi”, ky është titulli që Ministria e Ekonomisë dhe Teknologjisë së Gjermanisë i ka vënë një plani që ka si qëllim stimuj për bizneset e mëdha gjermane me qëllim që të investojnë në Greqi. Kjo, sipas revistës së famshme ekonomike “Handelsblatt”.

Plani me 16 pika do të zbatohet paralelisht me “Planin europian marshall” për ringritjen ekonomike të Greqisë. Ky plan parashikon edhe asistencë teknike për sa i përket privatizimeve që do të bëhen në Greqi si dhe mbështetje administrative për struktura ekonomike më konkurruese. Sipas artikullit, plani gjerman do të funksionojë paralelisht me të ashtuquajturin “Plan europian marshall”, që u miratua në Samitin e BE-së pardje. Ky plan parashikon gjithashtu aktivizimin e organizmit gjerman, “German Trade and Invest”, për promovimin e investimeve gjermane në Greqi.

Në artikull vihet në dukje interesimi i madh i palës gjermane për investime në fushën e energjetikës, turizmit, infrastrukturës dhe komunikimit.

Hapi i parë do të jetë organizimi i një kongresi të madh ekonomik (sipas parashikimeve në vjeshtë), me pjesëmarrjen e faktorit ekonomik gjerman dhe me mbështetjen e qeverisë greke.

E pra, ”Plani marshall europian” për Greqinë po e kthen atë drejt rrugës së stabilizimit. “Tani mund të shohim të ardhmen me optimizëm”, - deklaroi Kryeministri Papandreu.

 

5 Komente

keta si gjithmone e hodhen lumin ,po merhumat tane c'do bejne?

 Konkluzioni nga ky artikull: Peshkut nuk i pëlqen Plani Marshall për Greqinë, aspak!! 

good one. smiley

 

Po ndonje plan shpetimi per Shqiperine ka?  smiley

Plan marshall evropjan per shpetim te vetvetes..Se po iku Greqia e mori gjithe Evropen me vete...Problemi eshte se Falimentimi Grek eshte i paevitueshem...Eshte vetem ceshtje kohe

 Njekohesisht, edhe shtimi dhe forcimi i taksave ne Greqi, do te ndihmonte ne kapercimin e krizes. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).