- Përmirësohet infrastruktura për në kanionin e Langaricës

Banjat termale dhe kurative të Bënjës në Përmet nuk janë më një “thesar” i harruar turistik. Një rrugë e re automobilistike e shtruar me asfalt 3–4 kilometra të gjatë, e ndërtuar së fundmi me fonde të Bashkimit Europian, ka ndikuar në rritjen e numrit të frekuentuesve të kësaj pike turistike–kurative. Bëhet fjalë për një vend me vlera kurative universale dhe një destinacion krejt të veçantë turistik të rajonit jugor, që ka rritur interesin për dy arsye: e para për praninë e burimeve termale të Bënjës dhe e dyta për peizazhin e papërsëritshëm që ofrojnë kanioni i Langaricës dhe ura e vjetër e Langaricës.

Lumi

Lumi i Langaricës, degë e Vjosës që për vendasit është “lumi i bekuar”, rrjedh potershëm përmes një kanioni spektakolar shkëmbor, të fshehur mes pyjeve dhe maleve të Dangëllisë dhe Shqerisë dhe që “urtësohet” vetëm një kilometër para pikëtakimit të tij me Aosin e lashtë apo Vjosën e kohës sonë. Peizazhi natyror i këtij lumi, deri tani të harruar, është nga më piktoreskët në të gjithë Shqipërinë. Në dimër, Langarica “tërbohet”, por nuk del dot nga shtrati, sepse nuk e lejojnë “muret” shkëmbore të kanionit. Shtrati i këtij damari ujor malor, fillimin e ka diku në lartësitë e Shqerisë e Dangëllisë pranë zonave tashmë krejt të braktisura nga banorët të Frashërit, Miçanit, Delvinës, Melanit, Koblarës, deri në kufi me Rrethin e Skraparit. Gjatë rrugëtimit të tij drejt Vjosës, rrjedha e Langaricës përfshin prurjet e dhjetëra përrenjve të tjerë, që gjatë dimrit i ndryshojnë konfiguracionin e territorit përreth Urës së Katiut, një monument i rrallë kulture. Çdo vit brigjet e lumit gërryhen, ndërsa në shpellat e shumta në të dyja anët e kanionit, vizitorët e verës gjejnë dru e shkurre të sjella e të mbetura aty nga ujërat e fryra të dimrit, që ndonjëherë në pikat më të ngushta të kanionit, arrijnë deri në pesë metra lartësi. Rrjedha ndryshon gjithçka, me përjashtim të atyre gjashtë a shtatë burimeve natyrore me ujëra sulfurore subtermale që konsiderohen kurative, të cilat rrjedhin vazhdimisht në të njëjtat guva e që kurrë nuk e ndryshojnë prurjen.

Peizazhi është vërtet mahnitës: shpella, kanione, gjelbërim, pemë dhe shkurre aromatike, ndërsa ujërat termale që burojnë rrëzë shpellave të kaltra dhe me një aromë të lehtë sulfuri, pasi dalin nga rrëzat e shtratit të lumit, derdhen në rrjedhën e rrëmbyeshme të lumit të Langaricës.

Ujërat termalë

Çdo fillim sezoni, përreth burimeve termale, vendasit ngrenë mure me gurë dhe baltë “çudibërëse” për të krijuar pellgje ku gjatë stinës së verës zhyten mijëra njerëz që kërkojnë të gjejnë shërim e derman për sëmundjet e lëkurës, eshtrave, stomakut dhe reumatizmës. Pjesa më e madhe e vizitorëve janë njerëz të thjeshtë nga Përmeti, Këlcyra, Tepelena dhe Gjirokastra, por gjen mes tyre edhe të ardhur nga Tirana dhe qytete të tjera. Njerëz të thjeshtë, por edhe të varfër, që nuk u mban xhepi të shkojnë në plazhet brenda dhe jashtë vendit. Një pjesë e frekuentuesve qëndrojnë në ngrehina të improvizuara, çadra, autokabina dhe ngrehina të tjera më të thjeshta, të ndërtuara me mjete rrethanore, trungje drurësh, kashtë e thupra.
Për shkak të ngrehinave provizore, vendi ngjan me një kamping, ku dallon mes tyre baraka e familjes Sadiku nga Përmeti. “Kam shëtitur të gjitha llixhat e banjat termale të Shqipërisë dhe Maqedonisë, por vetëm këtu në Bënjë gjej derman, ndaj siç e shikoni, këtu nuk gjen vend ku të bësh banjë”, thotë 69-vjeçarja Lavdie Rapi, e cila është lyer në pjesë të ndryshme të trupit me një llum balte me ngjyrë të zezë, që sipas saj i lehtëson dhimbjet e reumatizmës në muajt e dimrit. Të dyja brigjet e kanionit dhe pellgjet e formuar nga ujërat sulfurore janë të mbipopulluar nga pushuesit, por pjesa më e madhe qëndron në burimet që ndodhen pranë Urës së Katiut, një monument i ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës, që vazhdon t’i rezistojë kohës pa kurrfarë problemi. Bashkëshortët Antoneta e Shpëtim Sadiku, pjesëtarët e një familjeje përmetare, që prej afro 30 vjetësh nuk e kanë braktisur këtë vend, thonë se ky vit shënon kulmin e të ardhurve dhe kjo falë përfundimit të rrugës automobilistike Petran- Ura e Katiut. Të bën përshtypje që mes frekuentuesve të moshave të ndryshme, në këtë vend gjen shumë djem e vajza të reja të moshës së gjimnazit dhe studentë. Pjesa më e madhe e tyre besojnë se ujërat dhe balta me përmbajtje sulfurore, kanë veti për përmirësimin e ngjyrës dhe ripërtëritjes së lëkurës. Një lloj llumi që ngjan me një lloj kremi të zi konsiderohet si “krem i përsosur” për ta pasur lëkurën gjithmonë të freskët, të butë dhe pa puçrrat e moshës së re. Në morinë e frekuentuesve ka edhe të tjerë që vijnë thjesht për të marrë rreze dielli. Vasillaq Nikolla, një menaxher turizmi, na thotë se pas përfundimit të infrastrukturës rrugore është rritur edhe interesimi i të huajve, kryesisht turistëve çekë dhe austriakë të cilët vlerësojnë bukurinë e peizazhit dhe cilësitë kurative të këtyre ujërave. Legjendat urbane se këtu janë kuruar dhe kanë gjetur shërim pacientë që nuk kanë gjetur zgjidhje nga përdorimi i ilaçeve, për turistët e huaj nuk janë sajesa. “Para viteve ‘90, këtu ka funksionuar një llixhë me 40 shtretër, ku nën kontrollin e mjekëve merrnin shërbim pacientë të ndryshëm, ndërsa sot qendra kurative nuk ekziston dhe për shkak të konflikteve dhe proceseve të stërzgjatura gjyqësore të pronësisë, ka të ngjarë që edhe për shumë kohë të mungojnë investimet për ngritjen e një qendre pushimi apo me funksione kurative”, thotë taksisti përmetar Dashamin Canaj, që punon çdo ditë linjën Përmet – Bënjë.

Pushuesit që vijnë këtu jo vetëm për kurim, thonë me bindje se kjo zonë është lënë jashtë vëmendjes së pushtetit lokal. Sipas tyre, përveç rrugës automobilistike dhe disa nismave private, si ajo e Coles së Bënjës që ka ngritur një hotel dhe restorant të vogël, apo pranisë së disa ambulantëve që shesin ç’mundin, e që më shumë dëmtojnë imazhin e ndotin mjedisin e banjave termale, këtu nuk është kryer asnjë investim për zhvillimin e kësaj zone të veçantë. Burimet termale të Bënjës janë një fenomen vërtetë i rrallë natyror. Të gjitha burimet kryesore me ujëra termominerale sulfurore ndodhen shumë afër me njëri-tjetrin, në një gjatësi që nuk shkon më shumë se një kilometër dhe të gjitha këto rrethana krijojnë kushte për investime me interes. Ujërat termominerale të Bënjës janë të studiuara nga pikëpamja analitiko-shkencore dhe përmbajtja e tyre kimike. Studiuesit i vlerësojnë ato si burime sulfate, me përmbajtje të lartë sode bikarbonate. Sipas tyre këto burime janë të veçanta, jo vetëm se janë ujëra të nxehta, por ato kanë në përmbajtje substanca minerale të tretura, që u japin atyre ngjyrë, shije dhe veti terapeutike. Lidhur me vlerat kurative të këtyre burimeve, mjeku Hodo Çela thotë: “Banjat e Bënjës rekomandohen nga ne, mjekët, për të kryer banja uji, ndërkohë që ato kanë vlera universale për kurimin e sëmundjeve të stomakut, të zorrëve, mëlçisë, të puçrrave të ndryshme të lëkurës së trupit dhe sidomos të fytyrës, anomalitë në shkëmbimin e lëndëve, kurimin e reumatizmës etj”. Ndonëse në muajt e dimrit termometri në Bënjë shënon vlera të ulëta, disa gra të moshuara vinë këtu në ditë me diell dhe lyejnë gjymtyrët me “pomadën” e zezë të llumit, që del nga thellësia e burimeve, për të luftuar reumatizmëm. “Nëse unë nuk do të vij këtu për t’u lyer me këtë ‘ilaç’, që juve ju duket thjesht si baltë e zezë, atëherë gjithë dimrin nuk ndihem mirë nga dhembja e kockave dhe sidomos të kyçeve. Ndaj ndonjëherë kur dhembjet më shtohen, vij këtu edhe në ditë dimri me diell”, thotë 70-vjeçarja Marie Nasi nga Përmeti.

Pellgu i luginës së Vjosës është zona më e pasur me burime ujërash kuruese në rajonin jugor. Përveç Bënjës, kurative janë edhe burimet me gazrat sulfurore të Postenanit, burimet e ujërave termominerale të Vronomerit, afër Leskovikut në kufi me rajonin e Konicës në Greqi. Këto thesare të rralla të natyrës janë lënë jashtë vëmendjes së shtetit dhe sidomos të strukturave të qeverisjes vendore, të cilat, me pak investime, mund t’i kthejnë këto pasuri natyrore në të ardhura për banorët vendas.

Studiuesit 

Sipas studiuesve, zanafilla e burimeve termale të Bënjës dhe Sarandoporit mund të jetë e njëjtë, pasi ato dalin nga dy shpatet e luginës së Vjosës, nga ku shpërthejnë burime të fuqishme uji me temperaturë 30 gradë Celsius, dhe me prurje të konsiderueshme dhe të pandërprerë në të katër stinët e vitit. Dalja e ujërave të nxehta të burimeve termale të Bënjës dhe Sarandoporos në sipërfaqe, sipas ekspertëve të hidrogjeologjisë, ka mundësi të kenë lidhje me dy arsye: e para, me kontaktin e ujërave me ndonjë thyerje të thellë tektonike në gjendje aktive dhe të vijueshme, dhe e dyta, me kontaktet e mundshme të rrjedhjeve nëntokësore me gazrat termominerale të Postenanit, të cilat dalin në rrëzë të një shkëmbi në formë avujsh të nxehtë.

Historia 

Sipas gojëdhënave të vendasve, këto burime janë shfrytëzuar qysh para 400–500 vjetësh, nga pacientë të ardhur nga tri drejtime: nga krahu perëndimor Gjirokastër–Tepelenë–Përmet–Çarshovë, krahu lindor Korçë–Ersekë–Leskovik dhe nga drejtimi juglindor Janinë– Konicë–Merxhan.

Legjenda “Burimi i Priftit”

Të gjithë frekuentuesit e Bënjës njihen me legjendën e Burimit të Priftit. Një zinxhirin e burimeve termale, Burimi i Priftit është më i largëti dhe ndodhet thellë brenda kanionit. Sipas vendasve ai është burim me vlera universale, pasi sipas legjendës: “njëherë e një kohë sollën këtu një prift të sëmurë, të mbështjellë kokë e këmbë me batanije, të paralizuar krejtësisht dhe gati duke vdekur nga një dhembje e fortë në stomak. Pa shumë shpresa për të jetuar, priftin e zhytën në ujin e burimit dhe i dhanë të pijë ujë nga burimi. Pas disa ditësh qëndrimi në ujë, prifti u ngrit në këmbë dhe iku në shtëpi me këmbët e tij, krejt i shëruar”.

36 Komente

Tani sikur me vjen neper mend qe i kisha te degjuara keto banjat...

Sh interesante, po gjynah qe s'kishin ca foto keto pershkrimet.

E shtunë, Ujët e lëkurës, Korrik 2010, A.J.

 Uji i reumatizmës (i ftohti), Korrik 2010, A.J.

Kuron dhimbjet e stomakut, Korrik 2010, A.J.

Kuron sëmundjet e lëkurës, Korrik 2010, A.J.

Ja nja dy. T'i rregullojnë adminët, pls.

 

smiley

Nderkohe po kerkoja me google bild.... po me dalin ca gjera qe po me iken truri. Ly lumi Lengarica paska ca kanione qe s'ma merrte kurre mendja te gjendeshin ne Shqiperi.

LENGARICA, BËNJË

Lengarica

 

 

 I kam frekuentuar rregullisht banjat e Benjes per vite te tera, jane nje mrekulli! Burimet e ndryshme, (ka disa te tilla) kane efekte kurative per semundje te ndryshme. Ato qe jane me afer rruges automobilistike, perdoren me shume per te kuruar semundjet e lekures, bile njeri afer ures edhe pihet per kure stomaku. Banja e Priftit perdoret tradicionalisht per kure kunder reumatizmes, po ashtu edhe dy nga te vetmet burime qe jane nga ana e majte (kur je me kurriz nga Vjosa) e Lengarices. Shumica e burimeve jane nga ana e djathte. Emri Banja e Priftit ka mbetur nga nje histori qe tregohet ne zone per nje prift qe erdhi pothuajse i paralizuar dhe mbas disa javesh kura te kjo banje, u kthye nga kishte ardhur me kembet e veta.

Kanioni i Lengarices eshte fantastik, shume i ngushte dhe i larte, sa me shume futesh neper lume. Edhe banja a Priftit qe permendet ketu, eshte relativisht afer, une kam ecur shume me tutje dhe sa me thelle futesh, aq me spektakolar behet kanioni. Nje bukuri shume e eger, por shume terheqese. Ura e vjeter qe permendet, nuk quhet ura e Lengarices, por Ura e Katiut dhe eshte shume e bukur. Eshte akoma ne perdorim nga fshatrat e zones.

Kjo me siper eshte Ura e Katiut. Ne sfond eshte Nemercka, po ai eshte tjeter muhabet smiley

Ne rrugen e vjeter qe te con nga Petrani (fshati ku ndahet rruga qe con ne banja nga rruga kombetare dhe ku Lengarica derdhet ne Vjose) per ne banja, ka edhe pika te tjera interesi. Njera eshte nje mulli i vjeter qe perdoret akoma per bluarje (monument kulturor qe nga 1984), shume piktoresk, afer te cilit eshte nje burim i ftohte. Ky perdoret si vend per piknik. Nga ana tjeter e rruges, jo larg nga mulliri, eshte Benja ku ka nje kishe interesante. Per ata qe duan pak me shume aktivitet, rreth gjysem ore mbi Benje (me kembe, se rruge makinash nuk ka) mund te ngjitesh ne nje fshat qe eshte i braktisur prej shume vitesh, i quajtur Novosele. Ka qene fshat kurbetlinjsh, ku gjithe zahirete kryesore vinin te derguara nga burrat qe punonin jashte. Edhe pse fshati tashme ka me dhjetevjecare qe eshte braktisur, qe kur u mbyllen rruget dhe nuk mund te komunikohej me lirshem me jashte mbas lufte, akoma mund te shihen gjithe tarracat qe banoret kane bere per t'a kthyer ate vend ku ha pula gur ne zone pjellore. Gjeja me interesante mbetet burimi ne krye te fshatit dhe gjithe kanalizimet per te vaditur gjithe tarracat dhe rruget me kalldrem qe akoma duken qarte. Kaq me mend jane bere punet ne fshat, sa edhe mbas 60 vjet braktisje, burimi akoma vadit fiqte dhe manat qe tani nuk i shijon me askush. Megjithese kot flas, mbase keto vjet qe nuk kam qene ndonje pasardhes i familjeve qe banonin dikur i ka shfrytezuar...

Kam nje dashuri te vecante per ate zone duke qene qe jam me origjine permetare dhe e njoh me pellembe se kam kaluar mjaft vera ne Permet kur isha e vogel dhe e kam eksploruar me ekskursione gjithandej. Mezi po pres te shkoj kete vit, se banjat e Benjes nuk kane te paguar per shendetin!

oh, c'u kenaqa! po me? smiley

p.s. kam dhe une ca rrenje andej po s'jam bere ndonjehere mbare te ndermarr gje. nuk e di, po shqiperine e shoh akoma sh te veshtire, duhet dikush te te marre per dore, te te tregoje tips etj (kam frike mos zhgenjehem, po nga ana tjeter menjehere me mprihen veshet kur degjoj per ato ane.lol)

smiley Une Permetin e kam dobesi, problemi eshte qe si aty, si ne zona te tjera ne Shqiperi, as nuk dihen fare c'fare thesaresh ka. Le qe nganjehere them me mire, se po t'i dine e te behen popullore, do shkaterrohen. Ja nje liste (e pjesshme) e pikave interesante ne Permet. Po ve keto qe jane te njohura si monumente kulture. Pika turistike pastaj ka sa te besh nje liste tjeter, po per mua ne ate ane, kryesori eshte Bredhi i Hotoves, rruges per Frasher (nga vijne vellezerit Frasheri). Per kete me gjithe mend them ishalla nuk behet rruge e madhe deri aty qe te mos demtohet, se ngaqe eshte mjaft larg dhe ajo zone jo shume e populluar, akoma mbahet ne kembe smiley Po ashtu nje kryeveper edhe Nemercka (qe nuk me besohet qe jam ngjitur pothuajse deri ne maje, duke i rene nga Dhembeli kuptohet, se keshtu direkt duhet te jesh alpinist ndryshe i merr te keqen)

Per te mos e zgjatur ja lista, jane ketu edhe ura e Katiut qe flitet ne shkrim, po edhe kisha e Benjes qe permenda, dhe mulliri i vjeter anes rruges. Eshte edhe viti kur jane shpallur monumente kulturore. Ka ne kete lishte shume kisha, te gjitha interesante, vecanerisht e bukur ajo e Leuses (foto ketu me poshte) si kisha, si rrethinat smiley

 

Kisha e Benjes

photo

 

Bredhi i Hotoves

 

Guri i qytetit të Përmetit. 1948 
Kalaja e Bolëngës mbi qytetin e Përmetit. 1973 
Kalaja e Këlcyrës në fshatin Këlcyrë. 1948 
Kalaja e Limarit në fshatin Malëshovë. 1963 
Mulliri i Drithit buzë lumit të Langaricës në fshatin Bënjë. 1984 
Shpella e Bënjës në fshatin Bënjë. 1963 
Ura e Katiut në fshatin Limar mbi Urën e Zagorisë. 1973 
Ura e Kalasë në fshatin Limar mbi lumin e Zagorisë. 1973 
Ura në përroin e Bënjës në fshatin Bënjë. 1977 
Ura në Përroin e Limarit në fshatin Limar. 1979 
Rrënojat e urës së Muço Kysës mbi lumin Vjosë, në Grykën e Mezhgoranit. 1977 
Pus karakterstik në shtëpinë e Ali Mehmetit, fshati Kaja. 1979 
Çezma e Paçomitit. 1979 
Kisha e Sh. Premtes në qytetin e përmettit. 1963 
Kisha e Sh. Mërisë në fshatin Leusë. 1963 
Kisha e Sh. Mërisë në fshatin Seran. 1963 
Kisha e Sh. Mërisë në fshatin Kosinë. 1963 
Kisha e Sh. Sotirit në fshatin Tremishtë. 1970 
Kisha e Sh. Mërisë në fshatin Bënjë. 1970 
Kisha e Sh. Mërisë në fshatin Okdunan. 1970 
Kisha e Dëllisë pranë fshatit Buhal. 1973 
Banesa e Riza Sakos fshati Çorogunjë. 1979 
Banesa e Lumo Pavarit (dëshmor) pronë e Kooperativës - fshati Pavar. 1979 
Banesa e Leftel Çullurës në fshatin Buhal. 1979 
Banesa e Nuro Selfos në fshatin Çorrogunjë. 1979 
Qyteza antike e Dedenikut.

smiley

sa keq me vjen qe sh muhabete te gjyshes nuk i degjoja me vemendje! muhabetet e zajrese jane ato qe mbaj mend me mire. helbete, kohe krize, ngjisnin me teper keto gjerat e ushqimit... megjithese dhe sot, mjafton te shohesh temat e ppu. lol

 Edhe mua me kujtohen si neper mjegull muhabetet e gjyshes, po Novoselen e mban mend edhe mami se e conte familja per pushime ne vere. Me tregon se si qemoti, per dite te shtune, laheshin me sapun (!) gjithe rruget me kalldrem te fshatit, pasi te dielen, gjithe grate dilnin me fustane te gjata (moda e fundit vinte nga Athina, Stambolli, Parisi, ne varesi ku ishin burrat me kurbet) per te shkuar ne kishe, (Novosela ka qene fshat pergjithesisht i krishtere, me pak perjashtime) keshtu qe duheshin lare rruget te mos ju beheshin fustanet pis! smiley

Me mrekullove me pershkrimet dhe historite Kristida. Tashme perben ne listen e vendeve per te vizituar kur te vete ne Shqiperi. Te faleminderit!

 Uroj te kenaqesh, Aqua, e mira eshte te gjesh dike qe e njeh zonen mire, se keshtu drejt e drejt eshte me veshtire. Une po u 'kurdisa' per Permetin, nuk pushoj, ca fisi im e kane si tradite qe bejne bashkarisht nje ekskursion diku ne zone cdo vit ne fund te gushtit, kush eshte rrotull ose ka ardhur me pushime, shkon. I kam humbur keto dy-tre edicionet e fundit se kam vizituar Shqiperine ne kohe tjeter te vitit, po kete vit do shkoj dhe nuk me mban vendi me thene te drejten! Megjithese kusherinjte me dergojne gjithmone video, nuk mjafton, biles vetem te zileps smiley

Kete vit sikur e kane syrin andej nga Uji i Zi ne Kelcyre, po tani qe eshte bere fabrika e ujit, nuk e di ne c'gjendje eshte te burimi. Uji i Zi eshte ne fakt uje i pijshem qe del direkt nga mali dhe kur perfundon ne Vjose, ngaqe eshte shume i paster, nga larg duket me i erret se uji qe e rrethon, keshtu qe i ka mbetur Uji i Zi, ka edhe nje restorant aty. Edhe direkt nga rruga kryesore qe shkon per Permet nga Tepelena, duket uji anes lumit. I njejti uje qe del te Uji i Ftohte i Tepelenes (jo per t'u ngaterruar me ate te Gjirokastres qe eshte tjeter), afer ures se Dragotit qe eshte shume e bukur dhe ajo.

Nejse, e lashe, se duhet te shkoj ne pune! Ja nje foto aty ku del Uji i Zi ne Kelcyre, dhe nje foto e Ures se Dragotit since we're at it, kryeveper e Vasil Nockes kjo, ndertuar ne 1959! Biles ka edhe nje anekdote interesante, ne te hyre te ures nga ana e Tepelenes, ka pas qene nje gur shtufe (qe sa me shume kalon koha aq me shume dukej i ngrene nga shirat) qe ishte nje simbol i jetegjatesise se ures. Ideja ishte qe kur te hahej guri teresisht nga shirat, i mbaronte afati edhe ures qe eshte prej hekuri. Sa here kaloja aty kur isha femije (biles edhe me vone) gjithmone shikoja sa ishte 'ngrene' guri qe nje vit me pare. Kjo deri ne '97 kur gurin...e vodhen! smiley

 

 

lol, "guri"!! (ne fakt eshte per col - crying out loud)

po kisha nja dy pyetje praktike: rruga nga tr ne permet, si eshte, se s'kam degjuar llafe sh te mira... vet jo se jo, s'ma mban te marr makine, po nuk dua te marr ne qafe shoqeruesit qe duhet tu mbush mendjen.

ndonje hotel a restorant te hajrit (per kete te fundit se c'kam nje parandjenje qe s'do zhgenjehem, se asnje permetare s'me ka zhgenjyer gjer tani)

po nga permeti ne leskovik ia vlen?... se edhe andej me therret kushtrimi i ca te pareve, qe mund tu mbetet hatri. lol

Rruga per Permet nuk eshte e keqe, te pakten deri ne Ballsh. Nga Ballshi ne Memaliaj eshte me kthesa dhe rruga me sa di jo shume e mire, po rrezik nuk ka smiley Nga Tepelena deri aty ku ndahet rruga qe shkon per Permet nga rruga qe vazhdon per Gjirokaster eshte e mire, kurse nga kjo pike (nga Ura e Leklit) deri ne Permet eshte cka, por ama qe nga Memaliaj aty ku fillon dhe shikon Vjosen dhe deri ne Permet, eshte spektakolare panorama, me gryken e Mezhgoranit dhe te Kelcyres.

Me thene te drejten, ngaqe kam shume fis dhe shtepi andej nuk ja kam idene e hoteleve, po me kane thene qe ai qe eshte ne qender qe ka qene qemoti turizmi tani nuk eshte hotel i keq. Sic thua dhe ti, s'besoj te kesh probleme per te gjetur vend ku te rrish dhe ku te hash mire ne Permet, detaj i vogel, eshte i vetmi qytet, qe tranzicion pa tranzicion, rremuje ose jo rremuje, dimer ose vere, po te dalesh ne 4 te mengjesit perjashta, shikon se si pastrohen rruget ne cdo qoshe, me behet shume qejfi qe kjo merret seriozisht. Permeti sidomos ne vere eshte kryeveper, lule gjithandej, nuk e quajne kot qyteti i trendafilave. 

Rruga nga Permeti ne Leskovik ja vlen po ashtu per nga peizazhi, por nje pjese andej neper male eshte per njerez me zemer te forte smiley Une e bej me qejf kete rruge kur shkoj nga Permeti ne Korce se kalon neper pyjet e Germenjit (ku ka disa pika kryeveper si per shembull afer Perroit te Nuseve per te ndaluar per nje peshk te fresket te zgares qe e zgjedh vete te gjalle se e kultivojne, megjithese eshte mes maleve) qe jane edhe park kombetar dhe relativisht te ruajtura mire. Por rruga ne Germenj e tutje behet ne vere, se ne dimer duhet bere kujdes me makinat e vogla nga puna e bores dhe kthesave. Mos ki merak, me therret edhe mua nga pak kushtrimi i ca te pareve, se nga ana tjeter e familjes jam nga Kolonja smiley

Une e bej me qejf kete rruge kur shkoj nga Permeti ne Korce se kalon neper pyjet e Germenjit (ku ka disa pika kryeveper si per shembull afer Perroit te Nuseve per te ndaluar per nje peshk te fresket te zgares qe e zgjedh vete te gjalle se e kultivojne, megjithese eshte mes maleve) 

Vend shume i bukur smiley.  Kam ngrene peshk atje.  

Panorama perreth spektakolare.  Nje cope rruge eshte cik si jo fort e mire.  Por kur je per turistllek e jo ta besh dite per dite, s'bie shume ne sy.  

Kristida, nuk di si te te falenderoj, me te vertete! smiley

Mos ki merak, me therret edhe mua nga pak kushtrimi i ca te pareve, se nga ana tjeter e familjes jam nga Kolonja Smile

Mos u thuaj leskoviqareve qe jane kolonjare, se u mbetet hatri. smiley

Keta jane ndjere gjithmone permetare, po i zuri Kolonja me ndarjet e reja administrative. "Kolonjaret, te zote, por me gjoksin me grope" - jo fjale te mia, por pjese nga ato muhabete qe me pare s'u vija rendesi. smiley

Ah kolonjaret! Sic kam pasur rastin t'a shikoj te disa shembuj nga fisi, damari kolonjar eshte i dobishem, por duhet shartuar se ne disa raste kur eshte shume i koncentruar krijon probleme. S'thoshte kot Noli 'Do ministra? Kolonjare/ Se mbahen burra per mend/Kudo duan te jene te pare/Ne mexhlis e ne kuvend'. Edhe e di mire ai, se eshte vete kolonjar smiley Ama, edhe avantazhe ka plot ky lloj damari, pavaresisht se une me zemer anoj me shume nga Permeti smiley Kolonja eshte peshe e rende kur vjen te kontributi ne traditat kulturore dhe patriotike...dhe kolonjaret nuk te lene t'a harrosh kete asnjehere smiley

Po ka bukurira edhe andej...per shembull, ja nje foto nga Rehova me plot ndertesa karakteristike

 

Liqeni alpin i Gramozit

Liqeni i Gramozit-Lake of Gramozi,ALBANIA

 

 

 

 

vajte dhe ne Gramoz? :X

that's my home :X smiley

 Pershendetje, Gramozi eshte nje nga bukurite e asaj zone, shume bukur! Ja nje pamje e marre nga Kreshova

Mali i Gramozit i pare nga Kreshova

 

i need to be there smiley

Kris... rrofsh o flori.

ah, dhe nje muhabet qe e mbaj mend mire... kur u shkuan princeskat (motrat e zogut) per vizite. dolen te gjitha vajzat nga shtepite, qe zakonisht rrinin mbyllur, dhe me pas plasen fejesat. djelmeria qe deri atehere mjaftoheshin me nga nje fotografi pati nje rast te arte per studime dal vivo. lol

 

 nah, nuk është hiç e besueshme kjo... 

çupat përmetare, lidhnin fejesa nëpër panaire. Sa herë kishte festë një fshat e zëmë, psh Leusa apo Kosina, që janë kisha të njohura, mblidhej gjithë Përmeti aty, edhe kundronin çupat. Pasi dilte kisha. Se kush kishte çupë për të martuar, e stoliste dhe paguante sazet, që të kërcente çupa e ta shifnin dynjaja. 

Op e shikonte ai mustaqepërdredhuri çupën, e ndukte të jatin prej xhakete... tëk, tëk, këtë që kërcen tani dua. I jati shkonte e zinte mblesin... etj etj. 

 

po s'ishin gjithe permetaret kaurka, de!

kete te fotos, qe behej mblese me foto, nuk e ngaterroj, jam e sigurt.

 ajo mund të bëhej kur krushqia ishte për larg... 

mënyra të tjera alternative për mblesëri, t'i thotë Vaskë Curri:

çupë 16 vjeç, o i mjeri unë

ç'deshe që erdhe në krua

ose...

dil pakë moj në penxhere

të të shoh moj se cila je. 

e vogël a e madhe

ujevara e bogoves,kam qene dy here ne te ri smiley

duhet te ngjisesh rreth 650 shkalle per ti hipur malit ne maje,aty te del rezervuari i ujit.Pastaj do i zbresesh malit ne anen tjeter dhe te del  ujevara ne fund.Ndersa kthimin mund ta besh ne rruge ''tubore'' ,duke bere akrobaci mbi tubat e ujit qe kalojne mbi perrua.kjo eshte pjesa e frikshme e udhetimit.

nuk e di sot ne ç'dite eshte por dikur ka qene e pabere pis smiley

duke bere akrobaci mbi tubat e ujit qe kalojne mbi perrua.kjo eshte pjesa e frikshme e udhetimit.

rruge tjeter, jo, e? smiley

 mos janë gjë tuba të mëdhenj, metalikë, dhe dyshe? 

Këtë proçkë e kam bërë dhe unë, në Përmet isha madje, afër një rezervuari, e poshtë përrua.

 

po te shkallet te percellojne ca muskujt,une zbritjen nga mali e pata kollaj se e mora me ashtu(kam rreshqitur ne gjithe rrepirat e mundshme),pastaj te shohesh nja ca meter poshte nderkohe qe ecen mbi nje tub uji...po kjo eshte akrobaci,vetem se je i palidhur ne litare smiley

per mua kjo qe me e frikshmja smiley

 Hahaha...ke te drejte, nuk eshte shume fun, i thua vetes mbase po e teproj smiley Une aty kam kaluar e shoqeruar nga dy dajat e mi, po te isha vetem nuk do m'a mbante!

 

Une kam zbritur nga Novosela ne kembe ne Permet, se doja te ndaloja ne Zerec (fshat qe nuk 'u be' me qe kur e dogjen gjermanet gjate luftes) po per t'u ngjitur, vetem nga Benja m'a mban per Novosele, se qe nga Permeti eshte larg vallaj!

 SHKRIMI I MIRE.FOTO SHUME TE BUKURA.NJE MILION EURO PER TE SHKUAR TE PELLGJET.JU I THONI LLIXHA POR DEPUTETET E PERMETIT JANE ME TE ZGJUARIT.SHTROJNE RRUGEN DHE PAS TRE VJETESH BEJNE DHE LLIXHAT MODERNE. PO KU TI SHIKOJ ENGJELLI KETO SE NDRITI PARKUNARKIOLOGJIK KU ESHTE DREJTOR DHEPO NDRINE DHE BENJEN. YYYYYSHT QORR

 Nga përjetimet e mia të pushimeve në Përmet...

Pak... 

Pak qiell,
pak tokë.
pak re, 
pak erë,
...nga ai dhe' ku kam lerë.

Pak verë,
më i plotë për tu ndjerë.
Për të kujtuar kohën kur,
rrënja mbi gjinjtë e tokës u ngul.
Kur dielli ra mbi sferat e verdha
i ndriçoi, i ngriti mbi ferra,
pastaj dorës i tha t'i shkul.
Ah ti ëmbëlsi e thellë,
trazuar me djersë
pjekur në dru,
driçuar në qelq.
Pak botë mbi tryezë,
Pak jetë,
…në një gotë verë.

Pak jetë nëpër kallinj
nëpër të korrat e lashta
një oxhak që nxjerr tym
kur ftohtë bën përjashta
dhe nata me përralla gjyshesh
mbyll sytë e foshnjës
duke sjellë,
që poshtë derës
pak erë…

Pak hije nën zheg,
Aty, në rrënjët e fikut.
Dhe njerëzit fushave me kapelë,
nderin ia njohin diellit në dimër,
jo në verë.
Pak ujë,
një puthje burimit
që buzët mi pret. 
Çoji të fala lumit i them,
Drejt tij gurgulluar kur zbret
Nesër do t’i bëj qokë vetë.
Vërtet,
pak peshq fshehur nën gurë,
i kap me dorë, i fut në brekë!
Të më ndjeni! I vogël kam qenë,
Aq sa dielli më shumë se ju më turpëroi.
Më bëri të kuq flakë…
Pak kos mbi shpinë,
shpërhapur me qortime nëpër dhomë
Dhe unë dhëmbështrënguar,
me heroizëm fëmije,
mëkatin e fëmijërisë kam duruar.
Pak frikë
Kur hipja nëpër pemë,
kur thosha ndonjë rrenë
apo kur sipas gjyshes
“nuk sillesha për të qenë”.
Pak mall…
Kur faqet e saj,
i shoh mbi gotë.
Mosha anash u kaloi,
nuk i preku.
I la të kuqe, si atëherë, ashtu,
siç kur i ndukte,
duke thënë “pupupu”!
Pak liri,
Si erë e malit mbi shtëpi,
kur me të bëja garë.
Ajo kudo nëpër trup,
unë mbi kalë.
Pak rrush, pak fiq.
Pak mollë pak dardhë,
pak qershi…
Pak domate të thara mbi çati!
Pak verë, more, pak verë!
Më pëlqen të dehem me të.
Ashtu si me kujtimet.
Ndonjëherë…

C'me preke!Eshte mengjes dhe pi kafe dhe mallengjehem.Kam ca gure te vegjel ne nje vazo qelqi qe i kam mbledhur ne qoshe te ndryshme te Shqiperise.Ika se po kerkoj vazon....

 

 Ky artikull dhe fotot e vendosura ketu nga disa komentatore, tregon se sa pak e njohim ne vendin tone.

Hej... wow!!!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).