OJF si ajo e Bushatëve apo e Alibeajt krijojnë një filtër të caktuar midis donatorëve të huaj dhe publikut shqiptar, duke përcaktuar sipas interesave personale filtrimin e rezultateve të donacioneve

Ndryshe nga deputetët e tjerë të parlamentit tonë, që drejtimin e Organizatave jofitimprurëse (OJF-ve) të tyre para mandatit e kanë lënë fare ose ia kanë besuar drejtuesve kukull për të qëndruar në hije, Enkelejd Alibeaj po vijon publikisht dhe me sukses drejtimin e Qendrës L.I.S.T. Pavarësisht se deputeti i Partisë Demokratike paguhet me paratë e taksapaguesve, që njohuritë e tij ligjore t’i verë ekskluzivisht në dispozicion të shtetit shqiptar, atij i nevojitet edhe mbështetja financiare e Fondacionit “Soros” për të dhënë një kontribut shtesë në këtë drejtim. Parimi është i njëjtë me shahisten e vogël të filmit “Dy herë mat”: “Edhe akullore, edhe çokollatë!” Me sa mijëra dollarë është financuar projekti, kjo do të mësohet kur fondacioni të publikojë raportin e tij vjetor të aktiviteteve vitin e ardhshëm.

I frymëzuar nga shumë kolegë të tij parlamentarë, që iu futën politikës pas vitesh të tëra angazhimi në shoqërinë civile shqiptare, edhe ish-drejtori i antikorrupsionit pranë Këshillit të Ministrave e më pas ministri i Drejtësisë mendoi të hapë një OJF fringo fare, për të informuar dhe edukuar publikun shqiptar për ligjet, që miraton ai dhe kolegët e tij në parlament dhe për sistemin shqiptar të drejtësisë, që kontrollon ai dhe kolegët e tij nga parlamenti. Edhe pse një organizatë fare e re zakonisht nuk merret fare në konsideratë nga institucionet donatore vendase dhe të huaja, (pasi zakonisht përvoja është një prej kritereve kryesore për të siguruar financim për zbatimin e projekteve), kjo nuk e ka tulatur deputetin Alibeaj që të hyjë në një treg me disa qindra OJF aktive në fusha kryesisht të orientuara drejt ekspertizës dhe jo terrenit.

Përveç përfshirjes në programin pesëvjeçar “JuST” të USAID-it, ku një prej komponentëve parashikon edhe aplikimin për financim për projekte kundër korrupsionit, deputeti demokrat dhe tashmë OJF-isti Alibeaj e ka siguruar tashmë financimin e parë: Fondacioni “Soros” në Tiranë ia preu shiritin e llogarisë bankare në dollarë. Aktiviteti i parë i zhvilluar nga L.I.S.T. (www.qendra-list.org) në kuadër të projektit “Nxitja e debatit publik mbi drejtësinë dhe shtetin e së drejtës përmes një cikli simpozium” u zhvillua më datë 8 tetor 2011 në një prej hoteleve më të mira të kryeqytetit. Në atë simpozium të mbështetur me fondet e Soros-it për shoqërinë civile, deputeti demokrat deklaroi për Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë se “ligji aktual themeltar është i standardeve më të mira europiane dhe i siguron kreut të shtetit pavarësinë e duhur për të ushtruar detyrën” (raportim on-line i gazetës “55”, i 9 tetorit), duke i bërë jehonë deklaratave të mazhorancës qeverisëse.

Mbulimi mediatik dhe sidomos televiziv ishte mjaft i kënaqshëm, tryeza ishte mjaftueshëm e mbushur me pjesëmarrës, prandaj perspektiva e organizatës së deputetit Alibeaj duket shumë premtuese. Vetëm Fondacioni “Soros” nuk e ka publikuar fare aktivitetin e sponsorizuar prej tyre, edhe pse këtë gjë e bën me të gjitha projektet që mbështesin financiarisht në vendin tonë. Në faqen e tyre të internetit (www. soros.al) nuk gjen asnjë rezultat për organizatën apo vetë Alibeajn. Publikimi i aktiviteteve të sponsorizuara prej tyre kapërcen nga data 7 tetor më datë 12 tetor. Ndoshta dita e shtunë është pushim për fondacionin, por jo për Qendrën L.I.S.T. të deputetit Alibeaj, që ndryshe nga parlamentarët e tjerë, del të punojë edhe në fundjavë në emër të paanësisë së OJF-ve të palodhura, ndershmërisë së dhënies së granteve nga donatorët në Shqipëri dhe nevojës për informim dhe edukim ligjor të publikut shqiptar.

Të Dhënat

Qendra L.I.S.T. (Legal Information and Study Team – Ekipi për Edukim dhe Studim Ligjor) është një organizatë e regjistruar në Gjykatën e Rrethit Tiranë me Vendimin Nr. 664, më datë 20.01.2011. Nga të dhënat e publikuara në faqen e saj të internetit, misioni i saj është që të merret me studime ligjore, informim të publikut dhe nxitje të debatit publik. Adresa e saj: Rruga “Brigada VII”, Pallatet Agimi, Shkalla 21, Ap. 361, Tiranë.

Lëvizja Evropiane e Bushatëve, një OJF si biznes për familjen

TIRANË- “Të paktën nuk merren me biznese në kurriz të popullit, por me OJF!”, – mund të mendojë kushdo, të cilit i thuhet se deputetët e parlamentit shqiptar merren drejtpërdrejt ose në hije me organizata jofitimprurëse. Problemi është, se të merresh me OJF teksa mban një post politik është gjithashtu në kurriz të popullit. Fondet e donatorëve kryesisht të huaj nuk mund të sjellin ndryshimin e shumëkërkuar për shqiptarin e thjeshtë, në rast se ato kanalizohen përmes OJF-ve në pronësi të politikanëve të majtë apo të djathtë.

Ndryshe nga rasti i Enkelejd Alibeajt, që është fringo në këtë biznes të llojit të veçantë dhe del ende personalisht në skenë si pronar i Qendrës L.I.S.T., deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, ka dhënë formalisht dorëheqjen nga të gjitha funksionet e tij pranë organizatës “Lëvizja Evropiane e Shqipërisë” sapo mori mandatin e deputetit në vitin 2009.

Kjo organizatë e shoqërisë civile u themelua në shkurt 2007 dhe më pas u pranua si anëtare e Lëvizjes Evropiane Ndërkombëtare. Që prej asaj date, kjo OJF ka ushtruar aktivitetin e saj kryesisht në fushën e studimeve evropiane dhe mbështetjes së procesit të integrimit (www.em-al.org). Aktualisht ajo drejtohet nga z. Gledis Gjipali, ish-punonjës i ministrisë së Integrimit Evropian, njëlloj si z. Bushati, vartës i z. Bushati tek Lëvizja Evropiane dhe lektor i së drejtës komunitare të BE-së tek Universiteti “Luarasi, njëlloj si z. Bushati. Aktualisht, përveç të tjerëve, anëtare e Bordit të Drejtorëve të kësaj OJF-je është edhe znj. Aida Gugu (Bushati), bashkëshortja e deputetit të PS-së.

Edhe ajo ka të njëjtin profil si bashkëshorti i saj, ndërsa është marrë kryesisht me projekte të vëna në zbatim drejtpërdrejt nga të huajt. Duhet nënvizuar, se ky nuk është as rasti i parë dhe as i fundit ku bashkëshortët apo vëllezërit e motrat punojnë me mbiemra të ndryshëm në të njëjtat punë e projekte.

Projektet e zbatuara prej tyre kanë kryesisht lidhje me integrimin evropian, ku familja Bushati dhe mëkëmbësi Gjipali kanë fushën e tyre kryesore të ekspertizës. Para dhjetë ditësh, vetë ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi, foli në mjediset e Qendrës për Informim të BE-së gjatë prezantimit të bashkëpunimit të radhës midis Lëvizjes Evropiane të Bushatëve dhe fondacionit gjerman “Friedrich Ebert Stiftung”. Këtë herë ata do të realizojnë revistën “Eurospeak”, për të sjellë BE-në më pranë publikut shqiptar të interesuar. Fondacioni “Soros” mbetet një prej sponsorizuesve kryesorë të kësaj OJF-je, ndërsa edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka një qasje pozitive për financime ndaj kësaj organizate.

Në realitetin shqiptar nuk është problem, nëse dikush ka në pronësi një OJF, sepse sipas modelit të konsoliduar tashmë tek ne, të kesh një OJF është një biznes si gjithë të tjerët.

Problemi lind, kur këto OJF drejtohen nga njerëz me akses të lirë në qarqet kryesore të financuesve të huaj për shkak të pozitës së tyre, të bashkëshortes, farefisit, partisë apo shoqërisë. Duke krijuar këtë lloj rrjeti të ngjeshur kontaktesh dhe sidomos trafiku të influencës, OJF si ajo e Bushatëve apo e Alibeajt krijojnë një filtër të caktuar midis donatorëve të huaj dhe publikut shqiptar, duke përcaktuar sipas interesave personale filtrimin e rezultateve të donacioneve deri tek shqiptari i thjeshtë dhe duke përfituar të ardhura të konsiderueshme, që në teori i drejtohen shqiptar të varfër apo të painformuar dhe në praktikë shkojnë zakonisht për jetë luksi, shtëpi plazhi apo shkolla të fëmijëve jashtë shtetit.

Në të njëjtën kohë, ata pengojnë kalimin e financimeve tek organizatat e reja apo tek ato organizata provinciale, të cilat nuk kanë kapacitetet dhe sidomos njohjet e duhura për t’i siguruar këto sponsorizime, pavarësisht se puna e tyre lidhet drejtpërdrejt me terrenin e vështirë të komuniteteve të prapambetura dhe jo me karriget e rehatshme në sallat me kondicioner dhe kokteje të hoteleve luksoze të Tiranës.

5 Komente

Edhe keshtu, edhe ashtu smiley

kto OJF / OJQ jane shpik per te parkuar tepricen e 'intelektualeve' shqiptare qe s'kane c'bejne me jeten e tyre.

Oooooooohjf! NGoooooooooooh!

Amon mer po ku osht mçef ayyyy Altin Goxhaj, qe donte me demontu keta sorosistet e dreqit..... Ja ku e ka targetin le t'mesyje, po ja majti......

Ja dhe nje klluf tjeter qe s'i qenka miratuar projekt-propozimi.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).