Tenderin 500 mijë eurosh për asgjësim të ilaçeve me afat të skaduar, e ka fituar kompania e Shpend Aganit, djalit të axhës së Ministrit Ferid Agani. Kompania KMI ka dy punëtorë, kapital 25 mijë euro dhe aktivitet kryesor ka riciklimin e metalit e skrapit

Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Ferid Agani, duket se ka qenë mjaft dorëlirë me Shpend Aganin, që është djali i axhës së kreut të këtij dikasteri. Agani ia ka dhënë Aganit tenderin për asgjësimin e ilaçeve me afat të skaduar. Vlera e tij është 500 mijë euro.

Këtë tender, ministri i Shëndetësisë ia ka dhënë kompanisë “KMI sh.p.k” nga Drenasi, me pronar Arion Lleshin dhe Shpend Aganin.

Këtë mesele të vërtetë nuk e fshehin as zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë. Përkundrazi, ata krenohen se problemi më i madh pas luftës në sektorin farmaceutik për asgjësim ilaçesh të skaduara, më në fund po zgjidhet.

Por kush është kjo firmë dhe ku e si bëhet asgjësimi i këtyre ilaçeve?

Expressi e ka hulumtuar këtë çështje. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ku janë të regjistruara bizneset, ekziston edhe kompania “KMI”, e cila katër muaj më parë ka fituar këtë tender. Numri i të punësuarve në dokument figuron se janë vetëm dy veta, kurse kapitali i tërë kompanisë, 25 mijë euro.

Aty shkruan se “KMI” kryesisht merret me shitjen me shumicë të pjesëve të rënda, pajisjeve hidraulike dhe furnizim pajisjesh për ngrohje.

Si aktivitet kryesor, kjo kompani thuhet se ka riciklimin e mbetjeve të metalit dhe skrapit. Me një fjalë, punë hekurishtesh.

Në faqen zyrtare të MTI-së, si pronarë figurojnë emrat e Arion Lleshit dhe Shpend Aganit, ky i fundit djali i Fehmi Aganit. Aty shkruan se personi i autorizuar është Shpend Agani, për të cilin Expressi ka mësuar se është djali i axhës së ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani. Por lidhjet familjare ndoshta mund të jenë edhe rastësi, sikur asgjësimi i këtyre ilaçeve që pas skadimit të afatit bëhen shumë të rrezikshme, të bëhej ashtu si duhej.

Asgjësimi i barnave pas fitimit të tenderit gjysmë milioni, është duke u bërë në afërsi të Drenasit, saktësisht në një mal, përballë Parkut të Biznesit, që ndodhet afër vendit të quajtur Kroni i Mretit.

Expressi të mërkurën ka qëndruar te vendi ku po bëhet asgjësimi i ilaçeve, kurse asnjëri nga dy pronarët nuk ishte aty.

Në hyrje të depos apo fabrikës, e cila së paku nga jashtë nuk duket fare se është në gjendje për të kryer këtë punë, gjendet një shenjë e madhe STOP dhe disa pjesëtarë të sigurimit. “Nuk mund të hyni, pronarët nuk janë këtu”, thotë njëri nga ta.

Por ai që flet për këtë çështje është drejtori i Zyrës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti.

Ai konfirmon se tashmë MSH-ja ka ndarë 500 mijë euro për asgjësimin e barnave pa afat. “Tenderin për asgjësimin e barnave pa afat e ka fituar kompania KMI Drenas”, thotë Hoti për Express. Sipas tij, çmimi për një kilogram material apo barna me afat të skaduar, i cili do të asgjësohet, është 3.4 euro.

“Për këtë tender, kanë shprehur interes tri kompani, por në tender kanë marrë pjesë vetëm dy: kompania fituese dhe një kompani vendore në bashkëpunim me një konsorcium nga Bosnja”, thotë Hoti. Hoti thotë se kjo kompani ka ofertuar me çmimin më të ulët dhe ka dëshmuar se i plotëson kushtet për kryerjen e kësaj pune, duke përfshirë dëshmitë se i ka kapacitetet që barnat t’i shkatërrojë sipas standardeve të përcaktuara në UA 12/2008, i aprovuar nga Ministria e Ambientit dhe e Planifikimit Hapësinor.

“Pas përfundimit të tenderit, nuk ka pasur asnjë ankesë dhe pastaj është lidhur kontrata me kompaninë fituese, e cila ka filluar punën”, thotë Hoti, sipas të cilit, procesi i asgjësimit të barnave pa afat do të kalojë në disa faza. Zyrtari i MSH-së thotë se i tërë procesi monitorohet nga komisionet e përbashkëta të MSH-MAPH-së.

“Krejt projekti duhet të kryhet për 70 ditë”, thotë ai.

Përveç kompanisë fituese, interes për këtë tender ka shprehur edhe Medical Gruop me Recikon BH DOO dhe Aldex-Sarajevë.

Por çfarë thonë nga organizata joqeveritare KADC, e cila për katërmbëdhjetë muaj “Maj 2010-korrik 2011” ka avokuar në projektin “stop barnave të skaduara” në të gjitha institucionet me ndikim në zgjidhjen e problematikes së barnave me afat të skaduar.

“Ne kemi avokuar kryesisht në MSh dhe MMPH në projektimin e një plani për zgjidhjen thelbësore të barnave me afat të skaduar”, thotë Florina Berisha, farmaciste që punon në këtë OJQ.

Sipas saj, MSH-ja duhet të mbajë shënime, të raportojë në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit për sasinë dhe llojin e barnave pa afat, të japë procedura me të cilat asgjësohen ato barna dhe të mbikëqyrë procedurat e asgjësimit.

Ajo ka thënë se është mjaft habitës fakti se si MSH-ja ka mundur të shpallë e të kontraktojë kompaninë për asgjësimin e barnave, kur asnjëherë deri më tash që prej paslufte, MSH-ja nuk ka treguar se sa tonë barna pa afat janë grumbulluar në depon e barnave në MSH.

“Duke pasur parasysh se MSH-ja nuk e di, të paktën asnjëherë nuk ka raportuar pranë Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit mbi sasinë dhe llojin e barnave pa afat, edhe ne si OJQ kemi kërkuar të dhëna mbi sasinë dhe llojin e barnave pa afat, por asnjëherë nuk kemi marrë të dhëna. Prandaj, nuk e di edhe nga ka ardhur në përfundim për koston se sa do të kushtojë procesi i asgjësimit”, thotë Berisha.

Ajo rrëfen për Express se gjatë avokimit të OJQ KADC-së, në vazhdimësi nga MSH-ja kanë pranuar informata se nuk ka fond të ndarë për asgjësimin e mbeturinave medicinale-farmaceutike.

Gazeta ka kontaktuar me njërin nga bashkëpronarët e kompanisë “KMI Drenas”, Arian Lleshi, por ai ka thënë të mërkurën se nuk gjendet në Kosovë dhe nuk mund të thotë asgjë për këtë proces, derisa të kthehet. “Të hënën kthehem dhe mund të flasim”, ka thënë Lleshi nëpërmjet telefonit. Ndërkohë, kontakti me Shpend Aganin gjithashtu ka qenë i pamundur. “Shpendi nuk është këtu, telefonin e ka lënë këtu dhe nuk e di se ku është”, ka thënë personi i prezantuar si kontabilisti i kompanisë.

Por më herët, drejtuesi i kompanisë “KMI Drenas”, Arion Lleshi ka thënë për Kosovapress se kompania të cilën e drejton, i përmbush të gjitha kriteret e parapara ligjore për asgjësim.

“Së pari ka qenë parakusht për kualifikim edhe plotësimi i kushteve teknike për një gjë të tillë. Kushtet teknike janë të caktuara prej Organizatës Botërore të Barnave, ku ceket saktë se si do të bëhet asgjësimi i barnave me afat të skaduar. Do të thotë janë rregullat teknike që ne i plotësojmë absolutisht dhe mbajmë përgjegjësi të plotë që i plotësojmë kushtet”, ka thënë Lleshi për Kosovapress.

Lleshi po ashtu shton se kjo kompani është e pajisur mjaft mirë edhe për mbrojtjen e ambientit.

“Së pari duhet me ditë se mbrojtja e ambientit nuk bëhet nga njerëzit, po nga pajisjet, ne i kemi pajisjet të cilat e mundësojnë një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Reagon Agani: Duan të më pengojnë

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka reaguar ndaj shkrimit të publikuar në gazetën Express.

Ky i fundit përmendet se i ka dhënë tender kushëririt të tij, Shpend Agani në vlerë prej 500 mijë eurosh për asgjësim të ilaçeve me afat të skaduar. Në reagimin e Ministrit Agani thuhet se shkrime të tilla janë përpjekje qesharake për të penguar proceset pozitive në shëndetësi

“Duke hedhur poshtë pretendimet e shprehura në këtë artikull, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, konsideron se bëhet fjalë edhe për një përpjekje qesharake për të penguar proceset pozitive në sektorin e shëndetësisë, në këtë rast eliminimin e barrës së rëndë të shëndetësisë kosovare që nga ditët e pasluftës, për shkatërrimin e rreth 300 tonë të produkteve farmaceutike dhe materialit shpenzues me afat të skaduar”.

“Ndërlidhja e Ministrit Agani me kushëri të familjes së gjerë nė kontekst negativ në situatën kur në bazë të çdo dokumentacioni faktik, ligjshmëria e procesit tenderues nuk është cenuar në asnjë moment, nuk mund të interpretohet ndryshe veqëse si veprim tendencioz dhe qëllim keq, i autorit të shkrimit dhe gazetës Express”, thuhet mes tjerash në reagimin e Ministrit Agani.

7 Komente

Kosova, Shqipëria dhe Ballkani në tërësi kanë një problem shumë të madh me asgjesimin e ilaçeve të skaduara, por mbi të gjitha me ilaçet që nuk plotësojnë standartet e cilësisë. Ilaçe 'substandard' qe quhen. ''Bëjnë, por cilësia lë për të dëshiruar''. Problemi i korrupsionit shtrihet në shumë aspekte. Ato që nuk asgjësohen janë një problem i kufizuar përderisa nuk përdoren. Ç'ti bësh kontrollit të cilësisë për ato që hyjnë në treg si te 'rregullta'.

Jam kurioz te di se si asgjesohen ileçet. 

Pjero,trilecet,jo me shume se tre dite ne frigorifer dhe hudhen.

Në përgjithësi digjen në furra të specializuara, të cilat nuk ndosin ambjentin me mbetje kimike. Kostot paguhen nga industria farmaceutike. Nëse gjej ndonjë site të specializuar të them.

Meqë ra fjala, djegja është norma minimale e BE për përpunimin e mbetjeve 'të rrezikshme'. Djegia nuk mund të bëhet gjithandej, por vetëm në furra të liçencuara për këtë punë.

haha..vllaznit

Hahahahaha!! 

Vllaznit ja paskan kall vorrin korrupcionit!! smiley

Ej, qe kur kam pa se si edhe mbasi doli sheshit qe ai miku jone i shiste karburant Cernagores me qellim qe t'i shkonte shporetave t'ktynve, dhe qe kur kam pa se popullariteti i ktij as e levizi hic gjylpanen e barometrit, ne te njejten kohe qe ketyre me i permend Ed Ramen te thone direkt -Goran Bregoviqi hej nanen..., pra qe prej ketyre dy momenteve, ajo pjesa e boleve qe ma ndin per patriotizem pan-shqiptar, sikur m'o ftof i' cike!!  smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).