Kupa e imët zëvendeson tash shoqërimin e zakonshëm të shqiptarit ndërsa napa arabe në krye mbulon arnautin me anonimitet. Kah e majta pushka e varur të sjell ndër mend lavdinë e dikurshme, disaherë të rime me gjak.

“Ambicia e Muhamed Aliut ish që të shtinte në dorë te gjithë brigjet dhe ujdhesat e Nilit, e të ish sunduesi i vetëm i të gjithë atyre që pinë prej tij nga Abisinia deri në Mesdhe: nji ambicie përnjimend e denjë për nji Princ të madh, po të mos ish për zvenimin që buronte prej origjinës së tij të lindur në mes të dorështrëngimit.”

Waddington: Journal of a visit to some parts of Ethiopia.     

Këtë jave nji nga arnautët e vyer të Jean-Leon Gerome do të jetë përsëri për udhë, kësaj radhe ka shumë mundësi drejt perëndimit. Them kah perëndim sepse piktura ish deri tash në nji koleksion privat në Japoni, e për nga renditja nuk ka vend më lindor se Japonia. Paçka më pak e njohur se veprat e tjera të Gerome, kjo pikturë përbën kikën e përzgjedhjes se nji mori punësh prej artistë të ndryshëm në ankandin e titulluar ‘Vizione të Orientit’. Puna e piktorit udhëton kah skaji lindor drejt Parisit ku pritet të shitet për nji shumë që mund t’i kalojë lehtësisht $ 70,000. Kësodore piktura në vaj ka shumë mundësi të shitet në Evropë, po do ishte megjithmend  frymëzuese në qoftë se piktura do të nisej kësaj here drejt Shqipnisë a Kosovës. 

Interesi i zgjuar për artin po qëmtohet gjithnji  e më shumë tash edhe ndër shqiptare. Vepra të rëndësishme kanë nisë udhën së fundi edhe kah Shqipnia. Shitja e disa punëve të koleksioneve të shtëpive të mëdha ndaj blerësve anonimë shqiptarë tërhoqi së fundi vemendjen edhe të shtypit perëndimor. Në Kosovë milioneri i mirënjohur i vendit Pacolli është gjithashtu entuziast e kujdestar i arteve të bukura e koleksioni privat i tij shumohet dita-me-ditë. Do ish edhe më kuptimplotë nëse vendet shqipfolëse do shprehnin hapurazi synimin publik ose privat për shtirjen në dorë të punëve të shumta me tematike shqiptare që ndodhen të shpërndara kudo nëpër botë. Vepra ndër fjalë kjo punë paçka e  përmasave të vogla ashtë nji nga shembujt më të mirë të kësaj përzgjedhje. 

‘Arnaute buvant’ mund te jetë vepra më e vogël në shitje në ankand, por nëse llogarisim çmimin për sipërfaqe të pikturuar ajo rendited nga më të shtrenjtat. Piktura është nji paraqitje e vetmuar e nji arnauti Egjipti në nji çast reflektimi ku ai gjendet i përpimë në mendime. Shkopi i gjatë dhe fustanella i japin kompozimit nji baraspeshë e prerje trekëndëshe që e bën punën shumë elegante. Përmasat e vogla nxjerrin në pah aftësinë e Gerome por edhe hijeshinë e kostumeve shqiptare. E gjithë puna kulmohet në të djathtë nga nji filxhan i vogël porcelani që është i vështirë të dallohet. Kupa e imët zëvendeson tash shoqërimin e zakonshëm të shqiptarit ndërsa napa arabe në krye mbulon arnautin me anonimitet. Kah e majta pushka e varur të sjell ndër mend lavdinë e dikurshme, disaherë të rime me gjak. E gjithë ndjenja e pikturës është zhytur në nji soditje të butë gati-gati filozofike, çka bie ndesh me mizoritë e pashoqe që arnautët sollën kudo nëpër brigje te Nilit.

Kushdo që do t'a përfitojë këtë thesar do të ketë për vete jo vetëm nji pikturë por dhe nji pjesë historie 

http://www.christies.com/lotfinder/lot_details.aspx?intObjectID=5492708

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).