Drerë në tundër

“Mos!”- pat psherëtirë Afërdita kur unë erdha,
pat rënë në gjunjë para gjysmës time poshtë,
ndër xhama shtypnin hundën drita të vagullta,
qyteza po mbështillej me një mbulesë t’errët,
qeshë humbur në një vrimë, nga ku vështirë
se dilja, ky qenkësh seksi, kjo dashuria, jeta
thëngjill qenkësh, që ndrin kur i fryn, lëshon
ca xixa e ftohet ashtu dalëngadalë nën hirin
që pason flakën. Ky ish hiri im i parë, nëpër
të po ndrinin si flutura të djegura sytë e saj,
përcëlluar në jerm të pashuar ende. Po unë
kisha mbaruar, mua më vinin e më shkonin
valë ethesh kaltër nëpër trup, lehtë e bosh
njelmesha ndër to dhe një fllad nga brenda
më tregonte pamje; pamje wc-ësh të ftohta,
pamje dëshirimesh vetëmevete në pasqyra
të krisura me duar, atje shihesha e mu pas
meje m’prisnin në radhë vajzat e kësaj bote
të mbaroja me njërën për t’filluar me tjetrën
çka emër s’ka, se është shumë, më shumë
se ç’mban një fjalë, se mundet një kraharor,
më shumë se kapërthim gjymtyrësh, shumë
më shumë se çast i ngrirë të kohës, i ngrirë
porsi tundër, ku shtegtojnë kaproj me brirët
ngrirë në brymë e sy të zinj të rrumbullt, ku
lotët ngrijnë po ashtu. Shkretisë sime luanin
brirët e saj nota të mekura e afsh dihatjesh,
bardhësinë që po kullonte jashtë, lagte aty
duar që mbylleshin, për ta mbajtur edhe ca
borën në re, preknin telat, mbeteshin cung
e tingëllonin ashtu heshtje të vjetër sa bota.
Tani pamja na ndan qyshkur si portë burgu,
shpesh më bëhet se je mënjanë e veç sytë
e zinj të drerëve, eklips ninëzash të errura
nga hiri i tjetrës, kur përqafohen rreth aksit
lidhur brenda me nyje paduk dashti, siç lidh
flakët zjarri, siç mbajnë forcat e paduk  yjet:
Veçse sytë u mbeten fluturave ndër errësirë,
Lëng i trashë rrjedh atje ngadalë, mek fjalën,
buzët ngjisin në mushtin e zi të hirit të lagur
e thithin ç`mundin, piklima qumshti të vakët
sise të largët, që gjith’ e më shumë mpaket...

Crop circle

Chemtrails në qiell,
shumë policë përreth
me energji negative,
me uniforma bezhë,
me zero, nada, hiç,
nothing, null jetë...
Zhurma motorësh
në ajër; çimkat atje
ndjehen mirë, mjegulla
na mbulon me heshtje...

Humor i rënduar si retë,
që s`po na ngjajnë më
me asgjë. Zbehtë, lehtë
plaket gjindja nga pak,
mpaket si fusha magnetike
e planetit mëmë nën flakën
që depërton në atmosferë
të diellit, dalur mendsh.

Asgjë nuk të bëhet,
Veç të flihet e hahet...

Prej mishit të pjekur
ngrihet nga pjata
si mizë e trembur
xhani i gjësë së therur
me dhunë, (si ndryshe?)
zukat ca e humb pastaj
nga gusha në bark,
si rrathë gruri nën kombajnë
kur korret fusha...

Lunar

Në terr mendohemi ndrysh’ kur nga drita
e munguar zgjaten e shndërrohen trajtat,
zërat fryjnë ajrin, mavi ofshamat, turbull,
pyll bëhet hapësira e mbushur jotja, një.

Veli tendet n`atë erë , buzët qeshin syve,
Ameba mbush duart që dridhen nëpër të.
Më ngul vrik kamën nën sisë, rrëzohesh
n`vetëvrasje me tjetër, tretesh edhe më,
heqim kaskat, dalim kryejashtë në hënë.

Blu heton toka përmbi kokat tona, bluhet...

Cullak

Për pak sa nuk kam dalë lakuriq
rrugëve të qytezës një agu që zbardhej
nga një diell më i madh se zakonisht
si këpucë nga këmba e një Borëbardhe
pa hije, zverdhej hijshëm skaj më skaj
asokohe qielli i këtyre anëve, i stërmadh
si qiell fëmijërie. S’kam dalë e keq më vjen
tash, kur rrudhat po më brejnë pa zë kafkën,
organet po m’i bren si peshk i kuq koha,
më bren xhamat e dritariumit, ndanë të cilit
pres të shfaqet përmbi re Mesiu, mendjen
vras në do të dalë i zhveshur, nëse do të
na trembë si ekzibicionist në park pleqtë
që dremisin si asgjë e re nën këtë diell,
në do të na trembë ashtu cullak fëmijët.

E mendja s’ka të mbaruar, tërhiq e mos këput,
numëro pa mbarim dele që të zërë gjumi, në vend
numëro pa fund, këputur si degë mbi shtrat
nga një pemë e shkundur, kufoma sjell lumi,
kiameti s’ndodh më larg se 100 vjet, kur vdes
edhe besimtari i fundit përmbi dhè zhduket trupi
nën të si rrënjë, si rrënjë e një baobabi paduk, cullak,
që mbin papra përditë më shumë, përnatë më pak...

Xixa të zeza
Trip

Ja ç’mendoja e që s’ia thashë dot kujt,
se kush ka nge për marrëzi të tilla, kur
gjarpri i madh pa lëkurë më kish gëlltitur
kokën dhe gjysmën e trupit padukshëm
e po rrëshqisja jargëve të tij i përhumbur
në kundrimin e atij tubi të lagësht si mik
i ftuar në shtëpinë e re të të pakëmbëve,
mendoja, i shtyrë nga rrethanat, se bota
s’është konkave, por e mysët si një hinkë,
si gjoks i amputuar i një gruaje të shogët
nga lëngjet që ia japin për të mos vdekur,
por për të vdekur kemi të gjithë sidoqoftë,
një gruaje aq plakë sa nuk kupton ç’thuhet
se në kohë të saj flitej ndryshe, s’kupton
ç’bëjnë me të, një vullkani femër të shuar
ku mbijnë gërshërë e penj, ku duar veshur
me doreza gërmojnë në krahëror më kot,
i gërmojnë një varrë për ta mbyllur prapë,
ja ç’mendoja e dot s’të thoja të më prekje
sytë, të shikoje në e bëje dot, se ne verbër
po shikohemi o njeri, verbër po i kërkojmë
kudo vezët pa lëvozhgë, breshkat plakur,
pa zhguall, krijesa pa lëkurë, tru pa kafka,
varka të çara, kufomat e flashkëta pa sy,
mendimet e pafjala, peshq paduk pa hala
në llucë dhe batak; bëjmë seks me muret
pa organe, varemi nëpër ta pa jargë, porsi
kërmilla pa guaskë... Oh, mos m’i mbyll
sytë me puthje të lagështa, më mirë më
trand me krahë si derë që hapet, më brof
në këmbë, të flemë ashtu si kuajt. Një jetë
e tërë, çast pas çasti ndodh vetëm hiçgjë,
një hiç i rëndë në lukth, një gjuhë e njomë
ndër dhëmbë, me copa mishi mes këmbëve,
në një copë mish vigjëlon mendja si ushtar,
bën roje atje se mos na vjen dikush papritur,
një i huaj e na merr, na merr tutje, na shpëton
nga vetja, vetmia, nga të tjerët e nga këtu,
na merr e na zhbën si koha, bën me ne ç’do
e ç’do s’e di as vetë, e ne presim ditë pas dite,
një jetë të tërë të vdesim butë, të vdesim ëmbël,
verdhë t’i derdhemi nëpër gishta Zotit, zogut
që masturbon lirinë e tij... Mbylli perdet mike
dhe ngrohmë me frymë, se janë kohë epike
me zjarr e me tym. Përshkomë si filli gjilpërën
dhe qendismë qefinin me delfinë e me dafinë,
thinjë e shtrimë përmbi ndonjë kodër, detin
përkundër, veriun, me shkumën ndër buzë,
bregun nëpër sy, grahmën e valës, brymës...
Lagmë si lot, më njom rrënjët e varkës që
tundet, brinjët, hidhmë e pritmë si frymë,
shtrat, arkë, baticë; e ftohtë qenkësh prapë
shkuma e gjinjve... Rrjetë ujërash, i arti
peshk, ashtu mbuluar qepallave të nyjes,
bebëzat në breg, shtrirë dritës, kalvarit
të valëve, ditëve që venë. Qefin i shkumës
mbulon atë që fshihet,: qiejt pjekur sërish
dhe petalet e rënë dherave të hijes. Fjalët
e humbën kuptimin, në mëdyshje dridhen
mendimet, tela harpe nën gishtat e tjetrit,
Kafsha që po kulloste deri atëherë e qetë,
me kokën ulur e jelet e rëna përmbi ballë,
papritur hungëriu e nisi të vraponte shpejt.
Ç'erë nuhati vallë, ç’pre? Apo ish tërmet?
Arsyeja na u lëkund gjatë, pastaj u shemb
me zhurmë e tym; mes tymit e zhurmës
u gremisëm, na zunë në rrjetë, na prunë
aty ku qemë dhe do të jemi, në përtejanë...
Një shtrat ku të lëshohem, një palë krahë që
t’mbështjellin gjoksin, një frymë për të ndier
që dhe dikush gjallon sikurse unë, që më do
kështu siç jam, i lodhur, i ligësht dhe i vogël,
duar që m’lëmojnë kokën, me gishta të butë,
që m’përgjumin, që më mbysin përgjithmonë
nëpër to, më shterin, më sosin, q’u marr erë,
që më këpusin brishtë si lulen kur dhurohet,
dy krahë të zakonshëm me duar, një shtrat
varr e dikush tjetër, nënë a motër më duhet.
E fat për të shkuar sa më parë, sa më herët,
sa pa bërë mëkate vdekatare, sa pa u shuar
nga mosha e sëmundja, pa e humbur veten.
“Çdo gjë ndodh vetiu” – pëshpërijnë si puls
gishtat e tu qafës çaste  – “Gjithçfarë është
nuk mundet të mos jetë, dekë s’ka, askush
s’lindet për së pari, as humbet përjetë. Ku
banojnë të vdekurit, në mos atje ku lindet?” 
Nën këtë lëkurë mishi i robit thahet, rrudhet
dhe tretet nëpër kohë si embrioni në alkool,
si akulli në zheg. Mos më fol, vetëm prekmë,
mbyllmë sytë me puthje butë si vdekje, lotë
aq të mëdhenj, sa nuk bien dot, por ngjisin
qerpikëve e mbeten atje kacavjerrë, mjaltë
nëpër hoje, si gjuha kur nuk flitet, në gojë...
E njelmët si valë po na et fjala, po na mbyt,
na shkret e na vret... Shi heshtja përmbi ne,
dertur, me terr na i mbush zgavrat, dy varre
kemi, prej dheu poshtë, tjetrin lart, prej ajri...
 

9 Komente

poezi nga mirazh!!! Cili eshte autori/autorja?

POEZIA nuk mund te jete anonime...

sidoqofte urime autorit/autores

pse s'mund te jete anonime?

poezia e mirfillte, jo baritore...

?

Ç'do të bëje me emrin sikur të të thuhej? 

per mua ishte kjo pergjigja?

kur behet nje pyetje... kthehet pergjigjia... logjike...

asgje ajku... asgje... kur lind femija dihet mema...

Kur dikush pyet, presupozohet qe atij i eshte dicka e panjohur. Entiteti, te cilit i drejtohet pyetja, presupozohet te dije dicka me shume nga pyetesi. Ndodh shume shpesh qe kur shkon per vizite diku, te te vene perpara nje haje qe ti s'e njeh dhe, normale, ti pyet: Çfare eshte? Pergjigja qe te vjen ne pergjithesi eshte: Haje se eshte shume e mire! Me falni se s'ju njoh, por shtrimi i pyetjes dhe dhenia e pergjigjes ne nje bashkebisedim kane nje kod. Ndaj pyeta.

ikona ne krye eshte me te vertet e bukur. kryepeshqit dine te zgjedhin.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).