Elegjitë Duine vazhdojnë të mbeten një detyrë e vështirë për cilindo që rreket të merret me to. Vargjet e Rainer Maria Rilkes “poetit më të diferencuar gjerman” sipas njërit prej interpretuesve të tij më të përkushtuar, Guardinit, janë të endura prej një lënde të ngjeshur, herë-herë krejt të padepërtueshme për lexuesin. Një ide e përafërt për universin që prekin Elegjitë mund të përftohet sidoqoftë vetëm pas një studimi të hollësishëm të gjithë veprës së Rilkes, përfshi këtu prozën e tij të shkurtër dhe romanin Die Aufzeichnungen des Malte Laurids Brigge (Shënimet e Malte Laurids Brigge), poezitë dhe letërkëmbimet e shumta, nga mund të bashkohen hap pas hapi copat e puzzle-it rilkian. Me gjithë vështirësitë e të qasurit, bota poetike dhe shpirtërore e Rilkes qëndron e hapur për të gjithë: për ata që dëshirojnë të shijojnë thjesht muzikalitetin e gjuhës së thjeshtë poetike, apo për të tjerë që dëshirojnë të bëhen njësh me lëndën e Elegjive, mu si shenjtorët në elegjinë e parë që “thirrja gjëmuese i ngrinte peshë nga toka” (vargjet 54-58). 

Viti 1922: Joyce boton „Uliksin”, Eliott „Toka e shkretë”, kurse Rilke „Elegjitë Duine”. Viti më pjellor për letërsinë gjatë fillimshekullit të XX. Thomas Eliot do të shprehej njëherë: „Rilkes i njoh pak nga Elegjitë e tij. Më shumë as dua të njoh, nga frika se do të mi trazonte mendimet, kaq ngjashmëri shoh me të”. Elegjitë Duine nisën të shkruhen në vitin 1912 dhe përfunduan në vitin 1922. Emrin e kanë marrë nga kështjella e Duinos afër Triestes, ku Rilke qëndroi disa kohë si mysafir i konteshës Marie von Thurn dhe ku nisi Elegjinë e Parë.

[...] Udha e tyre ka qenë e gjatë. Rilke e nisi punën me to në kështjellën Duino më 1912, ku shkroi dy elegjitë e para; për ti përfunduar të tjerat vetëm dhjetë vjet më vonë, ku duket qartë një frymëzim dhe ndikim i ndryshëm te Rilke për shkak edhe të udhëtimeve të tij të asaj periudhe në Spanjë, Francë apo Egjipt. Në letrën që i dërgon asokohe mikeshës së tij princeshës von Thurn & Taxis që e kishte mikpritur në kështjellën e saj në Duino më 1912, Rilke shkruan: “Gjithçka do përfundojë brenda pak ditësh, ishte një stuhi e paemër, një orkan shpirtëror (si dikur në Duino), gjithçka e kisha brenda vetes dhe u shpërbë, - për ushqim as që bëhej ndonjëherë fjalë, një Zot e di, kush më ka mbajtur gjallë.” Pa harruar që “orkani” për të cilin flet Rilke përfshin edhe veprën tjetër monumentale të tij “Sonete për Orfeun”, njëzetepesë të parat prej tyre qenë mbrujtur nën këtë vrull stuhik. Sonetet dhe Elegjitë e Rilkes mbajnë dhe ndihmojnë njëra-tjetrën, edhe pse forma dhe ndjeshmëria e tyre është tërësisht e ndryshme. 

Fillimisht, kur u botuan më 1922, Elegjitë u pritën ftohtë. Vetëm pak rrethe letrare dhe miqtë e ngushtë të poetit qenë entuziastë, sidomos për estetikën e vargut, të stilit dhe mendimit. Por këto të dyja janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, siç thoshte Nietzsche: “Do të përmirësosh stilin, përmirëso mendimin!” Ishte gati e njëjta sjellje që bota letrare kishte pasur ndaj gjigantit tjetër gjerman të letrave, Friedrich Hölderlin, sidomos himneve në fund të jetës së tij apo veprën e Stefan Georges, që bazohej te tërheqja ndaj simboleve dhe estetikës religjioze. Më pas, kritikët mbajtën një qëndrim të ndryshëm ndaj Rilkes duke i parë Elegjitë gati me lupë në dorë për t’i njehsuar mesazhet në vargje me jetën personale të autorit. Dhe prej atëherë kritika nuk i është ndarë Elegjive. Ata që nuk e pëlqejnë, por edhe ata që e vlerësojnë poezinë e Rilkes e gjejnë të vështirë këndvështrimin e tij për jetën dhe vdekjen, për Engjëjt dhe Gjërat, për atmosferën e errët që pasqyrohet aty. Bota që përshkruan Rilke mbetet me porta përgjithësisht të mbyllura për pjesën më të madhe të njerëzve. “Orkanin” që duhet të ketë pushtuar shpirtin e Rilkes, ndërsa shkruante Elegjitë, e mësojmë nga thëniet e konteshës Maria von Thurn und Taxis. Rilke i shkruan në një letër pasi kishte mbaruar Elegjitë: “Gjithçka u krye brenda pak ditësh, ishte një furtunë, një orkan shpirtëror si atëherë në Duino, gjithçka brenda meje, u shkund. - Për ushqim as më shkonte mendja, një Zot e di, se kush më ushqeu.” 

Stadi i njohjes filozofike të Rilkes është i jashtëzakonshëm. Për të folur me disa nga simbolikat e tij: “Njeriu duhet të shohë në ajthin e vet.” Si kafsha (Elegjia 8) ose si Kukulla që është më e plotë se njeriu. Apo si fëmija që në vitet e para më njeri është se i rrituri. Njeriu është një krijesë e dobët dhe e bjerrshme, një top që vërtitet në fushën e fuqive mbizotëruese, vetë afria njerëzore nuk ka kuptim, se ne “mërinë e kemi më pranë”. Një i dashuruar mbase është më afër njeriut të vërtetë, përsa kohë nuk mbytet dhe fundoset nga tjetri. Pema e fikut, simboli i thelbësores së pashpallur që frytin e lidh pa çel lulen, ndryshe nga njeriu që jeton veç në sipërfaqen pa shkuar në brendi. Vetëm “heronjtë”, dhe të vdekurit që vdiqën të rinj, jetojnë jetën e vërtetë, që bart pavdekësinë brenda. Ne jemi vetëm spektatorë dhe ikim përherë pa kthim. Poeti na shpie përmes luginës së kujave, ku qetësia gati indiferente sfidon jetën e jashtme, ku shpirti prehet dhe mallëngjehet dhe lumturia përgjunjet. Gjithçka shprehet me një sintezë absolute të mendimit dhe mjeteve të të shprehurit, është e qartë dhe e kulluar: si kënga e engjëjve. Engjëlli, tok me kafshët, fëmijët, të dashuruarit dhe të vdekurit të rinj, përbën motivet kryesore jo vetëm të Elegjive, por të gjithë veprës së Rilkes. Ai i ofrohet lexuesit jo si thjesht si shëmbëllim i topolakëve biblikë, por njësoj si te poeti tjetër i madh gjerman Friedrich Hölderlin (1770-1843) është një qenie e ndërmjetme, krijuar dhe mbrujtur sipas një koncepti poetiko-shpirtëror personal. Në letrën që i dërgonte nga Muzot më 13 nëntor 1915 përkthyesit të elegjive në gjuhën polake Witold von Huléwicz, Rilke shkruan: “Engjëlli i elegjive nuk ka të bëjë me engjëllin e qiellit të krishterë (më tepër me krijesat engjëllore të Islamit).” Pra, engjëlli si mik, si kanosës, si fuqi sipërane. Historia e engjëllit Dabor që u kthye në një huaj mes engjëjve të tjerë. I shtyrë në këtë mënyrë nga “froni” duket për Rilken edhe njeriu në hapësirën kozmike. Elegjia e Parë ankohet për tëhuajtjen ndaj kafshës, njeriut dhe engjëllit: 

Ah, kujt tia kemi ahere 
nevojën? Engjëjve jo, njerëzve jo, 
dhe kafshët finoke e dallojnë tashmë 
që nuk ndihemi vërtet si në shtëpi 
në botën dëftuese. 

Ky sfond do të thellohet në Elegjinë e Tetë, ku njeriu duket veç spektator, asnjëherë lojtar. 

Kurse ne: spektatorë, përherë, ngado, 
kthyer nga gjithçka dhe kurrë përjashta! 
[…] e kështu jetojmë përherë, në lamtumirë. 

Vetëm kafsha e ngrohtë dhe vigjilente jeton në përjashtësi, është e lirë dhe e hapët, sepse nuk reflekton: 

… Por, qenia e saj 
i është e pafundme, e parrokshme dhe pa vështrim 
për gjendjen, e dëlirë, mu si pamja e saj. 
Dhe ku ne shohim të ardhme, ajo sheh gjithçka 
dhe brenda gjithçkaje, veten, shëruar përgjithmonë. 

Koha e fëmijërisë është mundësia e vetme për krijesën njerëzore t’i ngjasë „kafshës” në përjashtësi: 

O orë të fëmijërisë, 
ku pas figurave ish më shumë se thjesht 
një e kaluar dhe para nesh jo e ardhmja. 

Dhe për të dalë nga vetmia, nga dëshpërimi dhe dhimbja, autori shkon te Gjëja, nga një gjësend te tjetri, te kafshët, te njerëzit dhe e mbush kësisoj zemrën si engjëlli Dabor. Të paktën shpirtërisht (mendërisht) njeriu mund të arrijë unitetin e unit me të tërën që të kujton thënien e Heideggerit: Alles ist innig! (Gjithçka është një (dhe në unitet)!) Për poetin kjo është pika kulmore, është përmbushja e detyrës: 

Tokë, a nuk është kjo, çka ti do: e padukshme 
të ngrihesh ndër ne? A nuk është ëndrra jote, 
me qenë një herë e padukshme? Tokë! e padukshme! 
Kush, pos shndërrimi, është detyra jote e ngutshme? 

Thomas Mann shkruante për Rilken: “Mendimtarët e vërtetë shenjohen me nishanin e njohjes; kurse këtu kemi të bëjmë me Njërin, për të cilin dhembja, vuajtja dhe pamjaftueshmëria janë gjithçka. Sepse përpara varrit, pason vdekja, hap pas hapi, si hija pas trupit.” 

[...] Përkthyesit të Elegjive i mbetet barra e rëndë të sjellë në gjuhën e vet figura dhe vizione të një poeti që i ka tejkaluar përvojat e zakonshme njerëzore të lexuesit dhe që mund të linin vend për keqkuptim. Përballja e parë me këtë vështirësi del në shembuj si interpretimi i figurës së Engjëllit që trajtuam pak më sipër, të dashuruar(a)ve siç sqarohet gjerësisht te shënimet në fund të tekstit, por edhe në fjalë të veçanta, ku më e vështira ka qenë padyshim “das Offene”. Në kërkim të variantit më të përshtatshëm që i shkonte filozofisë së Alfred Schuler-it, nga një përkufizim i të cilit niset Rilke, botuesi i Elegjive në shqip, Gentian Çoçoli, më solli ndër mend poetin Lasgush Poradeci. Dhe vërtet, cikli i tij “Vallja e përjetësisë Zemra e përjetësisë” ishte i tëri endur me simbolikën e hasur kudo te Rilke, dashuria, dhembja, ndërthurja lehtësisht e jetës me vdekjen dhe uniteti shpirtëror gjer në “Përjashtësi”, fjalë që unë e kam huazuar për “das Offene”. [...] Ndërsa një fjalë tjetër e vështirë fshihej te tetë vargjet e fundit të Elegjisë Dhjetë që janë edhe çelësi hapës i universit të Elegjive: 

 

Po të na zgjonin, ata pafund të vdekurit, një simbol, 
shiko, do na dëftenin mbase vastakët e lajthisë 
së zbrazët, varur, ose 
shiun që bie mbi tokën e nxirë në kohë pranvere. 

Dhe ne që lumturinë e kuptojmë 
veç si ngjitje, do ndjenim përdëllimin 
që gati na trand, 
kur një i lumturuar, bie. 

“Ein Glückliches”(një i lumturuar) është element kyç për të kuptuar thelbin e elegjive. Rilke nuk thotë “lumturi”, por “ein Glückliches” (një njeri - i lumturuar). Në kulm të lumturisë, ne jemi të lumturuar, thotë studiuesi J. Steiner. Dhe çka na pret pas kësaj është rënia “poshtë”, pra vdekja e njeriut të lumturuar. Kësisoj thelbi i elegjive qëndron te qerthullimi i vazhdueshëm i jetës dhe vdekjes: Nëse jetën do ta njehsonim me “lumturi” si më sipër, atëherë vdekja bëhet e kuptueshme dhe mbi të gjitha e durueshme “kur një ((njeri)) i lumturuar, bie”. Sepse sipas Rilkes, jeta dhe vdekja nuk janë statike, por në lëvizje dhe marrëdhënie natyrore të përhershme me njëra-tjetrën. [...] 

Pjese nga parathënia e Elegjive, botuar nga Aleph nen perkthimin e Jonila Godoles

3 Komente

faleminderit qe e solle fin! smiley

do e lexoj me qejf.

smiley Te lutem. Pres opinion prej njohesi gjuhe prej teje e ndokujt tjeter.

faleminderit Fin,po na kulturon smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).