Gazetaria është në lëvizje; mediat përforcojnë status-quo-në. Për gazetarinë informimi është edhe çështje përgjegjësie, për mediat ai është vetëm mall. Për fat të keq në një segment të madh tregu gazetaria gjithmonë e më shumë po degradon në shou...

 

Kushdo që i hyn punës së gazetarit bëhet gazetar. Është naïve ta konfirmosh këtë tezë që ka gjetur përhapje. Mund të tregojë kjo influencën e gazetarisë në shoqëri dhe dëshirën që nëpërmjet gazetarisë, individi gazetar të ketë influencën e tij në shoqëri. Por ka më shumë mundësi që kjo dëshirë ta identifikojë gazetarinë me zbavitjen dhe me një aktivitet sipërfaqësor që të çon drejt suksesit.

Profesor Stephan Russ-Mohl i preku këto tema në takimet me të rinjtë studentë të gazetarisë në Tiranë dhe gjerësisht mbi to ndalet në librin “Gazetaria” (K&B, 2011).

Po të ishte se do ta pyesnin si baba, ai do të përgjigjej se nuk do ta dëshironte që fëmijët e tij të merreshin me këtë profesion.

Profesion? Gazetarinë që akoma nuk e rendisin me plot gojën ndër profesionet, aplikimin e saj, shkencëtarët e komunikimit e shohin brenda një kodi urdhëresash, pa të cilat nuk do të kishte standarde profesionale që tregojnë përherë ç’është e mirë e ç’është e keqe në gazetari.

Në thelb këtë bën ky libër, edhe kur teorikisht merret me parimet bazë të profesionist, mënyrën e organizimit të redaksive, raportet me Public Relations, departamentet marketingut dhe menaxhimit.

Përmes shembujve nga shtypi gjerman, amerikan dhe i Evropës mesdhetare, prof. Russ-Mohl evidenton nën shtresat e zhvillimeve të reja përgjatë disa dhjetëvjeçarësh, ç’është gazetari dhe ç’është media, pse e para i përgjigjet realitetit dhe tjetra iluzionit; pse njëra merret me njerëzoren, tjetra me shfrytëzimin e njerëzores. Cilësitë e njërës vidhen si pushtet i tjetrës: “Gazetaria është kureshtare; mediat janë të ftohta. Gazetaria është kritike; mediat janë afirmuese. Gazetaria është në lëvizje; mediat përforcojnë status-quo-në. Për gazetarinë informimi është edhe çështje përgjegjësie, për mediat ai është vetëm mall. Për fat të keq në një segment të madh tregu gazetaria gjithmonë e më shumë po degradon në shou, në llomotitje, në zbavitje, në teatër me palaço. Nuk jam i sigurt nëse do t’ua këshilloja fëmijëve të mi të hynin në këtë botë mediash, të bëheshin gazetarë.”

Vëmendjen kryesore në 350 faqet e këtij teksti didaktik e praktik e merr shtypi i shkruar  dhe gazetaria informative, si shije personale e autorit, dhe ngaqë si shumë kolegë mësimdhënës, ai konfirmon se gazetaria saktë dhe thellë mësohet në gazetën e përditshme.

Saktë dhe thellë kanë të bëjnë me cilësinë dhe etikën të cilat jo domosdoshmërisht e bëjnë produktin mediatik të blershëm. Kërcënimi i këtyre kritereve për standarde prek drejtpërdrejt pavarësinë e gazetarit i cili është nën “trusninë e prodhimit, të afateve dhe të mungesës së personelit”.

Ata që në Shqipëri nuk dalin dot nga mendimi foshnjor se pavarësi e gazetarit është (vetëm) pavarësi nga pushteti politik, do të gjejnë në këtë libër përgjigjen se ekziston një pavarësi që e krijon individi gazetar e cila nuk mund të shpjegohet në asnjë doracak e që e kundërshton tezën populiste: “kushdo që i hyn punës së gazetarit bëhet gazetar”.

Ky nuk është traktat mbi natyrën e humanizmit të gazetarisë që ta shohë intuitën dhe njohjen me zemër si instrumente të padukshme të gazetarit, të cilat “do të mbeten edhe në të ardhmen të rëndësishme. Por megjithatë ato nuk mund ta zëvendësojnë njohjen e tregut”.

Edhe për këtë çështje të orientimit të medias prof. Russ-Mohl do të kishte një përgjigje për definicionin e dytë të madh që ia lidh gjymtyrët gazetarisë në Shqipëri: shijet e publikut (do të ishte i justifikueshëm ky përfundim sikur të dilte nga hulumtimet e departamenteve përkatëse të menaxhimit pranë redaksive). Po të ishte se mediat në Shqipëri do të funksionin si pjesë e “sistemit ekonomik që nxjerr të ardhura”, nuk do ishin fole nën strehën e sipërmarrjeve të tjera ekonomike që i mbajnë realisht.

Panoramën nga mediat në SHBA, prof. Russ-Mohl e jep kështu: Pothuajse të gjithë ankohen se ka rënë sasia e reklamave dhe njoftimeve. Disa vërtet vazhdojnë të fitojnë, sikurse dhe përpara bumit të madh, megjithatë duke krahasuar me shpërthimin e përkohshëm të fitimeve përpara se të ndërroheshin mijëvjeçarët, këto fitime sot po duken tepër modeste… Gazeta si Los Angeles Times, Chicago Tribune dhe Philadelphia Inquirer nuk janë më në gjendje të paguajnë, të tjera si Boston Globe ose San Francisco Chronicle ishin fare pranë falimentimit. Kështu që bëhet përpjekja për t’i shtrydhur redaksitë edhe më shumë e shpesh për të kursyer aty ku nuk mund të kursehet. Bëhen eksperimente të shumta e vazhdimisht kapërcehen kufijtë…

Nuk e përshkruan më optimiste situatën në Evropë. Thënë me fjalë të tjera: gazetaria ka rënë në fund të spirales së saj. Duhen gjetur mënyrat për t’u ngritur në këtë spirale. Një nga mjetet është (një mjet i vjetër i nënvlerësuar) rritja e cilësisë së standardeve të gazetarisë nëpërmjet edukimit dhe kulturimit të gazetarit.

Ky ishte mesazhi që iu dha dje prof. Russ-Mohl studentëve të vitit të parë e të dytë.

“Ndaj kush dëshiron të bëhet gazetar, mirë është që të pyesë vetëm nëse do të vazhdojë dot gjatë kështu në këtë profesion. Nëse dëshiron të ushtrojë profesionin dhe të sigurojë mbijetesën, duhet ta detyrojë audiencën që ta blejë për cilësinë e produktit të tij. Gazetaria s’bëhet falas.”

Gazetaria e shpresës:

“Për arsye se shumica e mediave e mbitheksojnë negativizmin në dhënien e lajmeve, një prej gazetarëve e menaxherëve më të suksesshëm të mediave në Amerikë, arriti të zhvillojë prej faktorit pozitivizëm një filozofi të vërtetë të re për gazetarinë. Themeluesi i së përditshmes amerikane “USA Today”, Allen Neuharth, propogandonte me sukses të madh gazetarinë e shpresës, “journalism of hope”. Kështu për shembull kur ndodhi rrëzimi i një avioni dhe gjithë gazetat hapeshin me titullin për 57 viktima, titulli, me të vërtetë gjenial i “USA Today” po atë ditë thoshte: “Një mrekulli: 327 shpëtojnë, 57 vdesin”. Kurse një lajm tjetër i ballit në gazetën Tagesspiegel ishte shumë më konvencional dhe jo aq i zgjuar: “New York: Airbusi bie mbi lumin Hudson”. Sensacioni i vërtetë që të gjithë 150 pasagjerët shpëtuan edhe nga rënia edhe nga sipërfaqja e akullt e lumit, mund të gjendej vetëm te fotografia dhe po të lexoje tekstin brenda.”

Parabolë mbi hulumtimin:

“Një profesor amerikan u tregoi studentëve të vet historinë e mëposhtme, para se ata të shkonin me pushime: “Një grup studentësh të semestrit të parë dolën një ditë të ftohtë tetori për një ekskursion me motoçikleta. Njëri prej tyre, për t’u mbrojtur nga era që e priste, e veshi pulovrin e vet mbrapsht, në mënyrë që t’i mbulohej gusha, kurse pjesa e

hapur t’i rrinte nga prapa. Në një kthesë motoçikleta rrëshket mbi gjethet e rëna përtokë dhe përplaset pas një peme. Studenti që vinte pas ndaloi dhe rendi t’i vinte në ndihmë. Më pas i tregoi policisë si vijon: ‘Kur mbërrita tek ai, jetonte akoma. I hoqa kaskën dhe pashë se për shkak të përplasjes fytyra i ishte kthyer për së prapthi. Nuk kisha kohë për të humbur. Me pak mundim ia ktheva kokën për së mbari, por ishte shumë vonë…’”

Profesori e mbylli parabolën e tij duke paralajmëruar se nuk mjafton të japësh ndihmë, por duhet të vëzhgosh me mprehtësi e të dish si të ndihmosh.”

 Redaksitë:

“Janë thuajse pa përjashtim njësi organizative me synime motivuese. Mund të parashikohet pra motivimi i brendshëm i punonjësve. Kjo shpesh i bën sipërmarrjet mediale jo vetëm që t’i paguajnë keq gazetarët, por edhe t’i kushtohet shumë pak vëmendje klimës së redaksisë dhe politikës personale. Metodat moderne të punës me personelin në redaksi hyjnë ngadalë e me vonesë. Mediat në këtë pikë ngjajnë me organizata të tjera, ku gjithashtu ndodh një identifikim i madh i punonjësve me synimin e organizatës së tyre, p.sh. kishat, partitë politike, sindikatat, institucionet kulturore ose Kryqin e Kuq.”

Plagjiatur

“Në punën e përditshme gazetarët përdorin punën e gazetarëve të tjerë. Mirëpo ngrihet pyetja, se cilat informacione mund t’i marrim pa e përmendur burimin, ku fillon plagjiatura? A duhet konsideruar vjedhja e fjalëve, e pronës shpirtërore njësoj si dhe

vjedhja e një veture? … gazetarët e mirë duhet ta bëjnë parim të tyrin që t’i citojnë burimet, edhe kur këto janë zyra shtypi ose qoftë dhe një organ rival. Publiku ka të drejtën të mësojë se nga vjen informacioni. Ndërsa Roy Peter Clark, i Institutit Poynter në Floridë, e quan plagjiaturën “drogë fillestare”: Kush fillon të zbukurohet me puplat e tjetrit, do ta ketë më kollaj të shpikë histori të tëra.”

 

Aforizma dhe fjalë të egra në faqet e “Gazetaria”

“Kush dëshiron të mbërrijë te burimi, duhet të notojë kundër rrymës.”

Stanislav Lec, poet polak

 

“Kontakti më i drejtpërdrejtë me realitetin për shumë gazetarë është klubi i redaksisë.”

Roger de Weck, ish-kryeredaktor i gazetës “Zeit”

 

“Lexoni shumë, mendoni shumë, megjithatë mendoni më shumë sesa lexoni.”

Harry Pross, publicist

1 Komente

" ....  “Një profesor amerikan u tregoi studentëve të vet historinë e mëposhtme, para se ata të shkonin me pushime: “Një grup studentësh të semestrit të parë dolën një ditë të ftohtë tetori për një ekskursion me motoçikleta. Njëri prej tyre, për t’u mbrojtur nga era që e priste, e veshi pulovrin e vet mbrapsht, në mënyrë që t’i mbulohej gusha, kurse pjesa e hapur t’i rrinte nga prapa. Në një kthesë motoçikleta rrëshket mbi gjethet e rëna përtokë dhe përplaset pas një peme. Studenti që vinte pas ndaloi dhe rendi t’i vinte në ndihmë. Më pas i tregoi policisë si vijon: ‘Kur mbërrita tek ai, jetonte akoma. I hoqa kaskën dhe pashë se për shkak të përplasjes fytyra i ishte kthyer për së prapthi. Nuk kisha kohë për të humbur. Me pak mundim ia ktheva kokën për së mbari, por ishte shumë vonë…’” ... "  

 

Ohh, ç'u 10-va t'u qesh, dhe thuaj pastaj qe amerikanet nuk jan budallenj smiley 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).