Për tre të pandehurit kryesorë kërkohet burgim i përjetshëm, ushtarakët e lartë rrezikojnë tetë vite burgim. Pas mbrojtjes së avokatëve, gjykata do vendosë për dënimet. Por…

Të tre ata që për prokurorinë, meritojnë ta shtyjnë pjesën tjetër të jetës në qelitë e burgut, nuk ndodheshin në bankën e të akuzuarve. As ushtarakët madhorë, spaletat e të cilëve kanë më shumë yje e dekorata se numri tetë, (që është masa e dënimit e kërkuar për ta në vite), nuk preferuan të shihnin në sy prokurorët dhe famijarët e 26 viktimave. Plot 500 faqe pretencë u lexuan në sallën e gjyqit, duke kapur rekordin e materialit më voluminoz të lexuar nga prokuroria shqiptare që nga shpallja e Pavarësisë. Dhe fundi i gjyqit të çështjes “Gërdeci” do të vinte në paraditen e 1 nëntorit 2011. Për tre të pandehurit, Ylli Pinari, ish-drejtori i MEICO-s, Mihal Delijorgji president i kompanisë “Albademil” dhe administratori i kompanisë Dritan Minxolli, prokuroria kërkoi burg përjetë. Pas katër muajsh mbushen plot katër vite nga tragjedia e Gërdecit, ku 26 të pafajshëm u copëtuan dhe dogjën nga predhat dhe baruti i municioneve të ushtrisë. Dhe gjyqi sado i gjatë, do ta kishte një fund. Në fytyrat e familjarëve të viktimave pati një fije prehje shpirtërore, por sërish drejtësia për ta ka të tjera rregulla: Dënim kapital për gjithkënd që pati gisht në këtë tragjedi. Dhe kur thonë “gjithkënd”, kërkojnë edhe njerëz të veshur me imunitet dhe politikanë të lartë të vendit, që nuk i gjeti asgjë nga ky proces. 

Që në fillesat e leximit të pretencës u kuptua qartë se Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli do të ishin në vështirësi. Nga vendosja e akuzës u kuptua qartë se nuk shpëtonin nga kërkesa e prokurorisë për dënimin kapital. Sipas prokurorisë, nga gjykimi u provua fajësia e ish-kreut të MEICO-s, Pinari, biznesmenit Delijorgji dhe ish drejtorit të fabrikës, Minxolli, për akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese, të kryer në bashkëpunim, kundër 26 personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave të tjerëve; shkatërrim i pronës me eksploziv në bashkëpunim, që ka shkaktuar shkatërrimin e pronës me pasoja të rënda materiale”. Për të njëjtat vepra penale, prokuroria kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin me 23 vjet burg për të pandehurin Sokol Ngjeci. Një ish-nëpunës i Ministrisë së Mbrojtjes që e përjetoi mjaft keq momentin kur prokuroria kërkoi për të më shumë se dy dekada burgim.

Pas fjalëve të përfaqësuesit të akuzës, shfaqi shenja të dukshme tronditjeje. U gjet i papërgatitur, pasi priste një kërkesë më të ulët dënimi, ndoshta për faktin se e quante veten “peshku i vogël”, mes peshkaqenëve të mëdhenj të ministrisë. Tre të pandehurit e dënimit kapital nuk gjendeshin në sallë, ndoshta e kishin parapërgatitur veten se në këtë shkallë gjyqësori, prokuroria do tregohej e “pamëshirshme”. Institucioni i akuzës hoqi atë që e quajti një barrë të madhe. Shumë e shumë muaj hetim, marrje në pyetje, ekspertiza, sekuestrim të dokumentave dhe qindra seanca gjyqësore. Gradualisht përkufizimi i gjyqit të Gërdecit po shkonte drejt një “procesi të dështuar”, për shkak të shtyrjes së shumë seancave, për më tepër që të pandehurit kryesorë lanë qelitë disa muaj më parë për shkak të përfundimit të afateve të hetimit dhe gjykimit. Ishte koha kur avokatët luanin me mundësitë që i jepte ligji, por edhe mungonin shpeshherë në gjyq për shkaqe aspak dinjitoze e fyese, dhe për pasojë shtyrjet e seancave u kthyen në taktikë të mirëmenduar. Nuk u doli keq për një farë kohe. Pikërisht përfundimi i afateve të gjykimit detyroi Gjykatën e Lartë të jepte vendimin që të katër të pandehurit që ndodheshin në paraburgim të shijonin disa muaj lirinë. Shumë kohë pritjeje dhe tensioni. Qindra shpirtra të vrarë të familjarëve të viktimave ishin dëshmitarët se si shtyheshin seancat dhe për më tepër, se çfarë argumentesh jepnin për këtë avokatët. Protesta, mallkime, kërcënime në dëshpërim e sipër për vetëgjyqësi. Por vitet kaluan… 

Në Gjykatën e Shkallës së Parë, pretenca e prokurorisë nuk ka qenë aspak e mirë as për ushtarakët të cilët u implikuan në këtë tragjedi. Për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha, u kërkua tetë vite burgim, bashkë me Shpëtim Spahiun. Gjithashtu pas kërkesës për burgim, ndaj tyre u kërkua edhe heqja e të drejtës për të ushtruar detyrë shtetërore për 5 vjet. Por më shumë se puna në shtet, ata i ka rënduar burgu i kërkuar. Masa jo më pak të ulëta parashtroi institucioni i akuzës edhe për 26 të pandehur të tjerë, pjesa më e madhe e të cilëve janë ish-ushtarakë madhorë. Data 1 nëntor nuk ishte dita e avokatëve dhe klientëve të tyre të çështjes Gërdeci, që tashmë do t’u duhet të futen në të tjera beteja ligjore. Pas pretencës së prokurorisë, do y’i vijë radha palës mbrojtëse të shpalosë pretendimet dhe arsyetimet e saj. Në fund do të jetë trupi gjykues që do të vendosë.

Por përtej rezymesë së kleçkave që të jep sistemi i drejtësisë, prokurori, avokatë, gjyqtarë, dosja Gërdeci ka të tjera probleme që nuk u thanë aty në sallën e gjyqit. Familjarët e viktimave kanë bërë përgjegjës për këtë tragjedi edhe ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. Personi që sot është jo vetëm larg këtyre telasheve, por i qetë në një tjetër ministri. Madje si për ironi, pikërisht në momentin që në Gjykatën e Tiranës mbahej pretenca e prokurorisë, Mediu kishte mbledhur në një takim gazetarë e specialistë të pyjeve, dhe po mbante leksione se si të rigjenerohen pyjet tona. Mirëpo për një sy të vëmendshëm dhe dikë që ka njohje të mira juridike, është e kuptueshme që pavarësisht kërkesës së prokurorisë, shumë detaje kanë shpëtuar. Rrezikohet që një pjesë e të pandehurve të shpëtojnë nga dënimet e kërkuara, pikërisht për shkak të shkeljes së procedurave nga ana e gjykatës. Disa kërkesa të të pandehurve, siç ishin edhe aktet e ekspertimit për firmat që ndodheshin në dokumenta, janë rrëzuar pa motivacione të qarta nga ana e gjyqësorit. Gjithashtu dështoi edhe marrja në pyetje e Patrik Henrit, emri i të cilit u gjet në shumë dokumenta dhe kishte nënshkruar marrëveshjen për shitjen e skrapit me kompaninë “Albademil”.

Nuk është aspak çudi që edhe pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dënimet të ulen nga shkallët e tjera të gjyqësorit. U deshëm katër vite për të përfunduar një proces në shkallën e parë. Vite të tjera do të duhen për Apelin dhe Gjykatën e Lartë. Atëherë tragjedia do të ngjajë si e “largët” dhe manovrat e sistemit tonë të drejtësisë kanë treguar se dinë të japin pafajësinë e të nxjerrin nga qelitë emra të njohur të botës së krimit. Pas katër muajsh do jetë edhe katër vjetori i tragjedisë së Gërdecit. Kësaj ngjarjeje që vrau 26 njerëz dhe plagosi 300 të tjerë. Asnjë shenjë nuk ka mbetur nga dita e 15 marsit 2008. Përkundrazi, Gërdeci ka njohur investimin më të madh të mundshëm për një fshat. Rrugë, shkolla, kopshte dhe qendra argëtimi. Vetëm familjarët e viktimave do të mbeten me brengën e madhe të humbjes së të afërmve dhe me dhimbjen se drejtësia nuk do vihet në vend.

Marrë nga Revista Klan

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).