"Gravitacioni i të djathtës tjetër duhet të afrojë njerëzit e thjeshtë, të lënë mënjanë, të braktisur, të poshtëruar, para se t’i kushtojë një vëmendje të veçantë grupeve të pasuruara me shpejtësi."

Rreth gjysma e shqiptarëve që zotërojnë të drejtën e votës nuk votojnë. Të gjithë e dinë që një sjellje e tillë ndaj votës nuk është fenomen vetëm shqiptar. Kështu mund të sillen, dhe vërtet sillen, edhe qytetarë të vendeve të tjera të Evropës, veçanërisht ata të vendeve të zhvilluara të saj. Si pothuajse në të gjitha rastet e tjera, megjithëse fenomeni është ekzaktësisht i njëjtë, në Shqipëri ose është i pashpjegueshëm, ose shpjegohet çuditërisht në mënyrë fare të ndryshme. Ndërsa sjellja relativisht indiferente e qytetarëve të kontinentit ndaj votës është një sjellje që vetëshpjegohet për shkak të natyrës relativisht të butë të problemeve që ndeshin vendet e tyre, veçanërisht për shkak të mungesës së problemeve të natyrës ekzistenciale, mosshkuarja në kutitë e votimit e rreth gjysmës së shqiptarëve, të kërrusur nën peshën e problemeve zgjidhja e të cilave përcakton deri ekzistencën e tyre fizike, është në mos e pashpjegueshme, të paktën befasuese. Nëse kjo sjellje ndaj votës mund t’i shkonte në njëfarë mënyre një qytetari gjerman apo suedez, në asnjë mënyrë nuk mund t’i shkojë një shqiptari, dhe fakti që ai sillet indiferent ndaj votimit sikur të ishte një evropian te i cili jo vetëm jeta por edhe problemet janë komode, tregon që një hall i madh e ka pllakosur këtë vend.

Shqiptari, qartësisht, i shmanget votimit jo sepse problemet e tij janë lehtësisht të zgjidhshme si në pjesën tjetër të kontinentit ku jeton dhe jo sepse çdo votim, cilido qoftë ai, pavarësisht se kë favorizon, të majtët, të djathtët, asnjërin, do të çonte automatikisht në zgjidhjen e problemit që ai ka. Shqiptari i shmanget votimit ekzaktësisht për të kundërtën. Votimi nuk është një zgjidhje për problemet e tij, sido që të votojë: majtas, djathtas, në mes. Për ta kuptuar këtë, fatkeqësisht, shqiptarit i është dashur e gjithë ekzistenca e tij qëkur është shpikur vota. Më së fundi iu desh, sikur të mos mjaftonte ‘dimri’ i gjatë i totalitarizmit, edhe ‘pranvera’ e acartë, e gënjeshtërt, e regjimit të sotëm që ‘shitet’ çdo ditë për demokraci. Në këtë pikpamje, shqiptari po përjeton dramën më tragjike, më pikëlluese, në krejt historinë e tij: Atje ku evropianët gjejnë shpëtimin, suksesin e sistemit ku jetojnë, ekzaktësisht po aty, pra te ajo që perëndimorët e quajnë “magjia e votës së lirë”, shqiptarët gjejnë mungesën e lumturisë, problemin, fatin e tyre të keq. 

Kur më shumë se gjysma e votuesve shqiptarë nuk votojnë, kjo do të thotë që po kaq, pra më shumë se gjysma e hapësirës politike është lënë bosh, pa jetë, në kuptimin që prej saj është përjashtuar gjysma e këtij vendi. Madje më shumë: Kjo do të thotë që institucionet, vetë shteti i dalë nga votimet, ka një mbështetje popullore të dyshimtë. Kësaj mund t’i shtojmë edhe sindromin shqiptar provincialist, kaçak, të vjedhjes së votave dhe përfundojmë atje ku të ngjethet mishi po ta mendosh: Institucionet e shtetit shqiptar, për nga pikpamja e legjitimitetit, së paku janë më afër totalitarizmit se demokracisë. Ky boshllëk bëhet edhe më i thellë, edhe më gllabërues, edhe më i frikshëm, kur analizon cilësinë e tij, faktin se sa i zbrazët është ai në të vërtetë.

Shqiptarët nuk votojnë jo sepse janë indiferentë, jo sepse mendojnë si evropianët, dmth jo sepse mendojnë që sido të jetë rezultati i votimit, sido që të jetë pjesmarrja në të, demokracia e vendit do të përsoset gjithmonë e më shumë. Shqiptarët nuk votojnë për një arsye tjetër, substancialisht të ndryshme: Mosvotimi është për ta, forma më sublime e fuqisë protestuese që iu ka mbetur. Shqiptarët nuk votojnë, para së gjithash, se nuk kanë për kë, se ka kohë që ata që vijnë vërdallë nëpër tribuna tubimesh janë ekzaktësisht ata që ia u nxijnë jetën përditë. Akoma më shumë, shqiptarët nuk votojnë edhe nëse dikush do t’u mbushte mendjen se ia vlen të votosh për të, pasi e dinë që ka një probabilitet të lartë se njëra prej të dyjave do të ndodhë: Ose do t’ia numërojnë votën ashtu si nuk e kanë dhënë, ose do ta lënë pa numëruar. Në të dyja rastet, ata e dinë që vota e tyre është dhunuar, ka shkuar dëm. 

Boshllëku në politikë është njësoj si boshllëku i ajrit: mezi pret që të mbushet. Te kjo magji me vlerë universiale fillon, paradoksialisht, edhe mjerimi i mendimit politik në këtë vend. Cektësia dhe varfëria e tij e jashtëzakonshme duket veçanërisht në dy pikëpamje, përmes së cilave nuk ka politikan ekzistues që nuk mundohet të shpjegojë çdo tentativë për të plotësuar ndonjë boshllëk në politikën shqiptare. E para, formimi i çdo partie të re konsiderohet si një sulm për të zënë hapësirën e njërës apo tjetrës parti politike kryesore. Sipas kësaj pikpamjeje, çdo parti e re që formohet do të marrë votues ose nga e djathta ose nga e majta. Nëse merr votues nga e djathta, përshëndetet dhe mbështetet nga e majta dhe anasjelltas, nëse merr votues nga e majta, përshëndetet dhe mbështetet nga e djathta.

Ky mendim politik, qartësisht ka një “target” të gabuar, anashkalon dhe shpërfill grupin më të madh të votuesve të këtij vendi: votuesit që nuk votojnë. E dyta, synimi maksimalist i një partie që pritet të lindë gjykohet të jetë marrja e aq votave sa t’i japë asaj mundësinë të futet në parlament. Sipas kësaj pikpamjeje, nëse ajo arrin të futet në parlament, ka vetëm dhe vetëm një rol për të luajtur: të bllokojë maxhorancën ekzistuese dhe ta detyrojë atë që të ndajë pushtetin. Parti të tilla kanë mision të gabuar. Ato, fatmirësisht, për shkak të natyrës së tyre, provojnë menjëherë në sytë e shqiptarëve misionin e tyre të gabuar, të pandershëm, sepse nuk arrijnë dot të fshehin se në fokusin e tyre nuk është përmirësimi i jetës së shqiptarëve nëpërmjet ndërtimit të demokracisë, por përdorimi i pushtetit të dhënë me votë nga shqiptarët për t’i sunduar ata. Rasti tipik i një partie që përfshihet në këtë praktikë politike është LSI-ja, forma më e përçudnuar e organizimit politik e prodhuar ndonjëherë në Shqipëri.

Këto dy pikëpamje dhe dy praktika politike kanë mbuluar kafenetë e politikës shqiptare me një tym të dendur, të mjaftueshëm që njerëzit e thjeshtë të mund të mos shohin përtej tij. Më shumë se sa ai tym i dendur, kanë kohë që sugjestionojnë opinionin publik për të shpërfillur, për të quajtur të pamundur atë tentativë që nuk retushon, por ndryshon në thelb politikën ekzistuese të këtij vendi përmes një force tjetër, edhe më dominuese se dy partitë ekzistuese. E djathta tjetër ka një rast të shkëlqyer për të kuptuar se si nuk duhet të sillet dhe se si nuk duhet të jetë: vetëm duke i shpëtuar “targetit” dhe misionit të gabuar. 

Lënda për formimin e një të djathte cilësisht tjetër nuk mund të krijohet nga bashkimi i partive të djathta ekzistuese. Tashmë, ky është një proces i pamundur. Dështimi i Polit të Lirisë në zgjedhjet e shkuara parlamentare e dëshmon këtë gjë. Në rastin e një bashkimi të tillë nuk vepron ligji sipas të cilit ndryshimet në sasi çojnë në një cilësi të re dhe kjo ndodh për shkak të problemeve të së shkuarës. Por, megjithatë, është e qartë që nuk kemi të bëjmë vetëm me trashëgiminë e së djathtës, pra me të shkuarën e saj. Për fatin e keq, krerët e partive të djathta në Shqipëri, duke pranuar edhe përjashtime, kanë kohë që duken si qyqet e një romani të shkruar në letërsinë komuniste. Të vetmuar dhe pa arritur dot në lartësitë e një lidershipi modern politik, krerët e këtyre partive, së bashku me ata pak njerëz që i rrethojnë, asnjëherë nuk arritën të kthejnë në kauzë të shqiptarëve çështje të natyrës fondamentale të së djathtës si dënimin e krimeve të komunizmit, pastrimin e drejtimit të shoqërisë nga ish-persekutorët, bashkimin e pronarit me pronën e tij. Të joshur herë pas here nga qeverisja ekzistuese, ndonjëherë edhe të kriminalizuar së bashku me të, nën anestezinë e kujtimeve të “kohëve të lavdishme”, të zhytur në një dështim fatal dhe përfundimtar, ata dhe partitë e tyre nuk janë më pjesë e zgjidhjes së problemit të një të djathte tjetër në Shqipëri, aq më shumë, nuk mund të jenë pjesë e lidershipit të saj në një të nesërme.

Nga ana tjetër, ideja se e djathta tjetër mund të formohet nga një transformim rrënjësor i PD-së së sotme është akoma më e zymtë. PD-së, në gjendjen në të cilën është katandisur, nuk i bën derman asgjë. As nga brenda dhe as nga jashtë. PD i ka humbur të gjitha shanset për një transformim demokratik të vetëvetes, pasi ka vrarë mekanizmin e votës, nuk njeh më zgjedhje të lira të autoriteteve dhe strukturave të saj. Ndërsa, të imagjinosh që ndryshimi i brendshëm i saj të mund të vijë nga lidershipi ekzistues, është njësoj si të imagjinosh të paimagjinueshmen, si të imagjinosh Sizifin e mitologjisë greke të kalojë gurin në anën tjetër të malit. Akoma më shumë, asnjë shans nuk ka kjo parti të ndryshojë për shkak të ndonjë force apo shtytjeje të jashtme. Madje, edhe dështimi i qeverisjes së saj për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në BE, një nga dështimet më rrënqethëse që ndonjë parti ka pasur në këtë vend, jo vetëm që nuk shërbeu si një shtytje e jashtme për të ndryshuar drejtuesit e partisë, për të ndryshuar kursin e partisë dhe demokratizuar atë, por nuk shërbeu as për “trashjen” e ndonjë zëri që do të mund të kërkonte ndryshime në qeverisjen e dështuar. 

E djathta tjetër shqiptare duhet të dizenjohet e tillë që së pari, ekipi drejtues i saj të mos ketë patur asnjë lidhje me komunizmin dhe të mos ketë asnjë lidhje me formën e re në të cilën shfaqet sot ai: korrupsionin; dhe së dyti, shumë më tepër se t’i përkushtohet votuesve të hutuar, të manipuluar rëndshëm nga PD-ja e sotme, të tërheqë pjesën që nuk voton, të tërheqë qytetarët që protestojnë duke mos votuar. Gravitacioni i të djathtës tjetër duhet të afrojë njerëzit e thjeshtë, të lënë mënjanë, të braktisur, të poshtëruar, para se t’i kushtojë një vëmendje të veçantë grupeve të pasuruara me shpejtësi qoftë nëpërmjet biznesit, qoftë nëpërmjet marrjes së pronave në kohën kur shumë të tjerë nuk i marrin dot ato. Kjo ndodh vetëm kur, dhe këtu nëse bëhet gabim ai do të jetë fatal, para se të mbështetet te parimet e të djathtës klasike, e djathta tjetër duhet të formëzohet nga energjia që prodhon mungesa e demokracisë në këtë vend, nga zhgënjimi i rëndë i qytetarëve, në të gjitha pikpamjet, dhe mbi të gjitha, nga revolta ndaj “të keqes së të gjitha të këqijave”: korrupsionit.

Në një kuptim thjesht simbolik, e djathta tjetër do të duhet t’i ngjajë Statujës së Lirisë dhe përmbajtja e programit të saj të frymëzohet nga përmbajtja e vargjeve të gdhendura në trupin e Statujës, të shkruara që në vitin 1903 nga Emma Lazarus për “rrënjëshkulurit” dhe “të shtypurit” që vinin drejt Amerikës nga ana tjetër e Oqeanit Atlantik: “Mbajeni për vete tokën e lashtë, lavdinë e historisë suaj./Te unë sillni turmën e lodhur, të varfër, por të etur për ajër të lirë./Refuzimin poshtërues që iu bëri vetë atdheu juaj./Dërgoni te unë të pastrehët, të zhurmshmit./Unë vetëm do lartësoj pishtarin pranë derës së florinjtë!”.

4 Komente

"E djathta tjetër shqiptare duhet të dizenjohet e tillë që së pari, ekipi drejtues i saj të mos ketë patur asnjë lidhje me komunizmin dhe të mos ketë asnjë lidhje me formën e re në të cilën shfaqet sot ai: korrupsionin; dhe së dyti, shumë më tepër se t’i përkushtohet votuesve të hutuar, të manipuluar rëndshëm nga PD-ja e sotme, të tërheqë pjesën që nuk voton, të tërheqë qytetarët që protestojnë duke mos votuar....."

Dhe jo vetem e djathta e re Shqiptare por edhe e majta e re Shqiptare

Emo, e degjon Besnikun mo?jam i sigurte qe e njeh mire si dhe une...

 Ish sekretari  i PD-se, djali i nje babai tropojan, ish oficer,  ne shtepine e te  cilit lahej e ndrrohej Sali Berisha student, ish studenti  i bere President, e beri Besnikun (jo  pa  zotesi  se ato i ka Besniku) sekretar te partise ne pushtet,....  ka arritur gjer ketu!

Por kurresesi ai nuk eshte e s`mund te jete  i djathte edhe pse keto qe thote, i thote  shume mire.

Une se njoh Besnikun por edhe sikur ta njihja nuk do te meresha shume me kush eshte Besniku Me shume do te meresha me ato qe thote, me shprese se do te gjej dicka me vlere
Dhe ketu Besniku per mendimin tim thote shume gjera me vlere, pavarsisht se kush esthe ai qe i thote

Ej, a nuk ishte edhe i' tirons tjeter gjithe isharete kur folte, qe donte me gravitu popllin jo-sallaks nga gardhi i vet i djathte ? smiley

C'u bo me ate rob zoti? 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).