Partnerët e Italisë në Europë janë të acaruar nga paaftësia e dukshme e Romës për të vënë rregull në kaosin e borxhit. Dështimet e Berluskonit dhe situata e paralizës politike e kanë vendosur vendin në qendër të krizës europiane të borxheve...

 

...Opozita duket krejtësisht e pafuqishme dhe janë të shumtë ata që vënë në dyshim aftësinë e Italisë për të zgjidhur problemet e saj.

 

Pamjet dhe dëshmitë që ishin në krye të lajmeve të mbrëmjes të martën e kaluar kanë tronditur jo vetëm Italinë, por edhe vendet e tjera dhe larg saj madje. Fshatra të tërë në rajonin e Toskanës të përmbytura nga uji, që merrte me vete gjithçka që gjente përpara - makina, ura, karroca fëmijësh. Pjesë kodrash që binin në det dhe të paktën shtatë të vdekur e shumë të plagosur. Ata që arritën të mbijetonin, ishin zhytur në baltë dhe kërkonin dëshpërimisht të afërmit. Monterosso dhe Vernazza, dy nga pesë fshatrat që përbëjnë Cinque Terre, një zonë turistike shumë popullore, thuajse nuk njihen më. Shumë vende u solidarizuan me këtë humbje të italianëve, duke shprehur dhe gatishmëri për ndihma dhe ndërkohë, qeveria italiane shpalli gjendjen e emergjencës në zonat e prekura. Katastrofa e Gjirit të Gjenovës nuk ishte thjesht natyrore. Shkaku i shpërthimit të ujit dhe përmbytjes ishte edhe pasojë e 1.3 milionë shtëpive që janë ndërtuar në mënyrë ilegale, pra të paligjshme në një zonë shumë pak të fortifikuar dhe problematike. Dëmi ishte shkatërrimtar dhe fatal, edhe pse pati vetëm një ditë të vetme shi. Kjo e bëri edhe më të rëndë dramën politike që po luhet në Romë. Në të dyja këto drama të mëdha po hidhen gjithnjë e më tepër dyshime për aftësinë e Italisë për të ndaluar shkatërrimet e të gjitha llojeve dhe në radhë të parë, për të ndaluar falimentimin financiar të vendit dhe në mësimin nga pësimet e kaluara.

Ndërsa bregu mesdhetar po tronditej nga vërshimi i ujit, Roma nuk ishte aspak e qetë për të tjera arsye. Një komb i tërë e pa veten qesharak dhe të tallur nga partnerët europianë dhe media italiane sigurisht që e raportuan këtë situatë të rëndë dhe paralizën e qeverisë për të reaguar. Presidenti italian duhej të përballej me pyetje të tilla si: a është e sigurt se qeveria e vendit të tij është e aftë që të veprojë dhe të marrë masa dhe nëse jo, a ka ndonjë plan për zëvendësimin e saj? Disa anëtarë të Parlamentit patën edhe përplasje fizike mes tyre në seancën parlamentare që diskutohej për problemin, ndërkohë që Kryeministri i vendit, që prej kohësh është shndërruar në një figurë qesharake dhe të neveritshme, u duk se ishte në fund të “mbretërimit” të tij. Vendi e vuri shpresën e tij të fundit në një letër 17-faqëshe që iu kërkua në formë ultimatumi nga partnerët e Eurozonës. Në këtë letër u dhanë disa detaje të planeve që ka ndërmend të marrë Italia për të dalë nga kriza. 
Për Italinë, takimi i fundit i javës së kaluar në Bruksel ishte një shans për të treguar para partnerëve të tjerë nëse është apo jo një anëtar serioz i Bashkimit Europian. Në këtë takim çdo lloj indikacioni në këtë drejtim kishte vlerën e tij, si për shembull: sa fort ia shtrëngoi dorën kancelarja Merkel, Berluskonit? Përse Presidenti francez, Sarkozi, iu shmang të gjitha takimeve të drejtpërdrejta me Berluskonin? A ishte me të vërtetë e domosdoshme për Berluskonin që t’i hidhte të pasmeve të Kryeministres daneze një vështrim të gjatë? A do të jetë në gjendje ai që të bindë partnerët ndërkombëtarë për seriozitetin e reformave që është zotuar të ndërmarrë?

Berluskonin vetë, po ta shihje në fytyrë, kishte një pamje të kënaqur. Gjatë një pushimi në takim, ai madje pati kohë që të dilte direkt edhe në emisionin “Porta a porta”, një “talk show” politik dhe i famshëm në Itali. Ky është një veprim që ai e bën ose kur është shumë i kënaqur me veten, ose kur është i tërbuar nga zemërimi me të tjerët. Në të, ai deklaroi se masat që ai kishte propozuar për zgjidhjen e krizës së Italisë në Bruksel ishin pritur shumë mirë. Por për asnjë çast dhe për asnjë arsye nuk përmendi qoftë edhe mundësinë e dorëheqjes, edhe pse kjo ka qenë një çështje shumë e diskutuar në Itali për ditë të tëra. “Italia nuk është Greqi, tha Berluskoni. Këtu nuk do të ketë kurrë protesta”. Por kjo duket një gënjeshtër më shumë nga goja e Berluskonit, sepse bëhet fjalë për një fenomen, që në fakt ka kohë që po ndodh në Itali. Dhe madje, më shumë se kaq. Disa prej protestave janë shndërruar edhe në përplasje të dhunshme me policinë. Sindikatat janë duke kërcënuar që do të organizojnë greva të përgjithshme që janë shkatërrimtare për ekonominë. Ndërkohë në ekonominë italiane nuk është marrë asnjë masë për t’iu kundërpërgjigjur krizës. Përqindjet e interesit që duhet të paguajë vendi në mënyrë që të rifinancojë borxhin e saj prej 1.9 trilionë eurosh janë në nivele dramatike. I vetmi dallim i vënë re nga takimi i Brukselit është se tashmë Italia është vendi që ka dalë në krye të shqetësimeve financiare europiane. Vendit i duhet në mënyrë urgjente që të rifinancojë rreth 60 miliardë euro deri në fund të vitit. A do të jetë ky problemi që do të shënojë edhe fillimin e fazës pasardhëse të krizës europiane. Italia deri më tani ka qenë e paaftë që të lëvizë nga ky batak dhe bëhet fjalë për një situatë të rëndë që ka muaj të tërë që po zhvillohet. Në radhë të parë, kjo ndodh sepse Kryeministri jo vetëm që është i tërhequr gjithnjë e më tepër pas punëve private por ndërkohë, është edhe në krye të një koalicioni në rrezik shembjeje çdo moment.

Berluskoni dhe partneri i tij më i rëndësishëm politik, Bosi kreu i Ligës së Veriut, kanë rënë aq poshtë në vlerësimet e opinionit publik, sa nuk kanë as guximin për të bërë thirrje për zgjedhje të reja dhe të parakohshme. Opozita politike është vetë shumë e përçarë së brendshmi dhe gjithashtu, nuk mund të përballet me zgjedhje. Rezultati është se Italia dhe i gjithë sistemi i saj politik është i paralizuar, që çon jo vetëm në vazhdimësinë dhe jetëgjatësinë e një qeverie që nuk funksionon më, por edhe në kthimin e saj pas drejt krizës shumë të rëndë.

Italia, veç faktit që është një nga vendet themeluese të Bashkimit Europian, nuk ka luajtur asnjë rol sado të vogël aktualisht në zgjidhjen e krizës financiare dhe të borxheve me të cilën po përballet e gjithë Europa. Presionet që po i bëhen nga jashtë kanë arritur tani nivele të jashtëzakonshëm. Në gusht, Banka Qendrore Europiane i dërgoi Berluskonit një letër, në të cilën i thoshte se cilat janë reformat konkrete që duhet të ndërmarrë qeveria e tij në kuadrin e krizës. Letra u firmos nga Trishe, drejtori në ikje i bankës dhe pasardhësi i tij, Mario Dragi që në atë kohë ishte guvernator i Bankës Qendrore të Italisë. Ishte një letër në të cilën përfshihej një kusht i qartë: nëse Italia nuk do të merrte masa konkrete, banka nuk do të blinte bonot e saj. Por edhe pas kësaj letre, nuk ndryshoi asgjë. Pikërisht dështimi i Berluskonit për të vepruar bëri që Merkel dhe Sarkozi të ndanin me njëri-tjetrin një të qeshur gjatë konferencës së shtypit, pas takimit të fundit të Brukselit kur erdhi puna për Berluskonn. Ata të dy u dukën si mësues që po qeshnin me gabimet dhe bëmat e nxënësve të tyre, që në këtë rast ishte Berluskoni i pandreqshëm. Pyetja që iu bë dhe për të cilën ata qeshën ishte: çfarë mund të ndodhte, në rast se qeveria aktuale do të përfundonte në kolaps?

Ndërkohë Berluskoni deklaron vazhdimisht se refuzon që të marrë mësime dhe urdhra nga jashtë vendit e megjithatë, duket se e ka marrë vesh se Italia gjithsesi duhet të veprojë. Por një nga problemet më të mëdha të tjera të vendit është opozita dhe kriza brenda saj dhe ajo për të vepruar. Edhe pse prej shumë kohësh përflitet mundësia e zgjedhjeve të parakohshme, në pranverë opozita nuk ka rënë dakord që të bjerë në një mendje për një kandidat që do ta drejtojë në këtë fushatë. Për vite të tëra nuk është bërë reformimi i ligjit zgjedhor që konsiderohet problematik, për shkak se i lejon një partie që fiton vetëm një shumicë relative që të marrë më shumë se gjysmën e vendeve në Parlament. Pavarësisht fokusit të krahut të majtë për të luftuar me të gjitha mjetet Berluskonin, sa më shumë që ky Kryeministër zvarritet në pushtet, aq më shumë opozita duket e pavlerë dhe jo një opozitë që ofron rrugëzgjidhje. Dhe kjo është drama e vërtetë e politikës italiane.

Kështu dhe muaji tetor nisi me fjalët për dorëheqjen e Berluskonit dhe përfundoi me një “asgjë”. Sa për Berluskonin, pas takimit të fundit në Bruksel, ai nxitoi në vilën e tij në Milano për t’u prehur pak ndoshta në një shoqëri të nxehtë femërore, edhe pse askush nuk do t’ia dijë më për të dashurat e reja të tij. Ndoshta do të kalojnë dhe shumë muaj në një situatë të tillë prag-kolapsi në këtë vend të mrekullueshëm, që po vuan sëmundje të këqija.

10 Komente

Ju lutem , mos e ngacmoni shum Italine, se po ra Roma, ra ter Europa. Kaq di me thon une, mos boni ju lutem kakerlake. 

Pjer, jam dakord me ty, po Italise po i vjen radha. I pe sa e kishin yield obligacionet 10-vjecare italiane te enjten? Arriten deri 6.4. Nuk po do kot BE t'a coje deri ne 1 trilion euro the European Financial Stability Facility ( fondin e shpetimit).

Kristida, e di, por a e di se ç'kam thon une tek "Vizione te qarta" smiley Rruga drejt Europes, per ne shqiptaret, kalon nga Roma dhe jo Athina. Dhe se duhet ta konsiderojme nje aleat strategjik biles, kuptohet jo ne kuptimin ushtarak vetem, por per emigracionin, ekonomine etj.  Tani ky mendim mund te mos kete dhe aq shume rendesi, por ne kohen kur eshte thene (para 10 vitesh) kishte vlere te madhe dhe e ka kryer fuksionin e duhur. 

Une shpresoj qe Italia ka kaloi kete ftohje te radhes. 

Ah Pjer, per momentin as Athines vete nuk i bie rruga per Evrope nga Athina!

Sipas tomas friedman "ne kohen e sotme i fituari ( nga fuqite e medha) eshte ai qe ia mbath nga shqiperia nga syte kembet i humburi eshte ai qe i mbetet shqiperia ne dere ne kete rast italia.."Shqiperia i ka mbetur europes ne dere .Nuk e pranojne dot se shqipot nuk dine te qeverisen por as nuk e hedhin dot posht se e kane ne prag te deres.

''hemm, burre mençem qenka (tomas frideman-i).., mos vdeksha pa pire nje kafe me ate burre''.      (ketu futet emua).smiley

ky ishte reshati (i pa thinj akoma)

kurse sander prosi: kur ta takosh t'i thuash, qe xha Jahua ia ka falur jeten e vet dhe te bijve...

 

" Pavarësisht fokusit të krahut të majtë për të luftuar me të gjitha mjetet Berluskonin, sa më shumë që ky Kryeministër zvarritet në pushtet, aq më shumë opozita duket e pavlerë dhe jo një opozitë që ofron rrugëzgjidhje. Dhe kjo është drama e vërtetë e politikës italiane.

..te njejten semudje si politika shqiptare,vetem me ndryshimin e vogel qe Berluskoni do largohet ne fund te mandatit....

Ndryshim shume i vogel smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).